gselaci.wordpress.com

Archive for the ‘Fe’ Category

Përplasja dhe përputhja e ortodoksive rreth Islamit

In Fe on 23 August, 2013 at 01:11

Gëzim Selaci

Diskutimi që herë pas here shfaqet në publik në lidhje me rolin e identitetit islam dhe vendin e Fesë islame në shoqëri në të vërtetë është debat që ndodh ndërmjet pozicioneve të polarizuara. Megjithëkëtë, ato kanë të përbashkët një pikëpamje të gabuar për Islamin: të dyjave u puqen idetë se Islami është i njëtrajtshëm dhe i pandryshueshëm dhe nuk mund të modifikohet. Kështu, qëndrimi i këtyre palëve nuk mund të kapërcejë mendimin mbizotërues (ortodoks) në shoqërinë tonë e që supozon se fetë janë sisteme dogmatike të ngurta që nuk mund të ndryshohen. Kjo premisë e pasaktë po rezulton në konkluzione e “zgjidhje” të gabuara në lidhje me komponentin islam në kulturën dhe traditën tonë.

Sipas pikëpamjes ortodokse (qoftë ajo fetare ose laike), Feja islame, domethënë kozmologjia, etika dhe ligji islam, është sistem i mbyllur i dijes dogmatike dhe nuk mund të modifikohet. Kjo pikëpamje mbështetet në tri argumente: konceptual, historik dhe metodologjik. Sipas argumentit konceptual, Islami është i pandryshueshëm, sepse ai ka burim hyjnor, pra (besohet se) kozmologjia islame, pikëpamja islame për jetën, moralin e ligjin janë direktiva prej Zotit dhe janë absolute. Së dyti, sipas argumentit historik, Islami është i pandryshueshëm, sepse teologjia dhe mendimi islam ka lindur dhe është formuar në një periudhë dhe rrethana specifike nga brezat e parë të myslimanëve që kanë njëfarë privilegji gati hyjnor për të interpretuar tekstin e shenjtë islam (Kuranin). Dhe, së treti, sipas argumentit metodologjik, Islami nuk ka zhvilluar një metodologji të duhur që do t’i mundësonte t’u përshtatet sfidave e kërkesave moderne. Mirëpo, që të tri këto argumente janë të paqëndrueshme. Të diskutojmë në vijim secilën prej tyre me radhë.

 

Argumenti konceptual: Islami ka burim hyjnor

Së pari, koncepti i Islamit si besim, praktikë, ligj e moral absolut dhe në tërësi me prejardhje hyjnore është i pasaktë. Asnjë nga autoritetet intelektuale islame nuk lë të kuptohet se krejt ajo që emërtohet si Islam ka burim të drejtpërdrejt prej Zotit. Pavarësisht parimeve universale që i përmban, ajo që sot merret e besohet si Fe islame është produkt i mendimit teologjik i cili, si çdo mendim tjetër njerëzor, determinohet nga vlerat, kultura e botëkuptimet mbizotëruese të kohës, nga niveli e lloji i dijes, si dhe nga shija estetike e shoqërive në të cilat është zhvilluar ai. Ky mendim ka prodhuar modele të ndryshme të islamit dhe të organizimit të shoqërisë a komunitetit sipas parimeve islame. Sheriati është kuptuar si Ligj hyjnor, por në praktikë Ligji islam/jurisprudenca islame (fikh) në shoqëritë myslimane ka rezultuar nga arsyetimi ose interpretimi (ixhtihad) i juristëve, myftinjve, e kadinjve të shkollave të ndryshme juridike, ndonjëherë duke kundërshtuar dhe vetë tekstet e shenjta burimore që sipas mendimit dominues janë Kurani dhe Sunneti – praktika ligjore e Profetit Muhammed). Empirikisht besimet, praktikat, e ligjet islame gjithmonë kanë qenë të shumëllojshme dhe nuk ka vlerësim të pranuar nga të gjithë se vetëm njëri apo disa nga modelet janë legjitime.

Është evidente se asnjë shkollë a rrymë e mendimit në Islam, as ato që këmbëngulin në respektimin të rreptë të traditës (ehlu el-hadith), nuk e pranon Kuranin as traditën e Profetit (të shënuar në Hadith) si autoritete ligjore në tërësi dhe pa dallim. Në praktikë, jo gjithçka që përmban Kurani dhe Hadithi përbën normë ligjore apo etike. Shkollat e jurisprudencës kanë zhvilluar metodologji për të përjashtuar një pjesë të teksteve të Kuranit dhe Hadithit nga Ligji dhe për të dalluar tekstet që duhet të merren si parime normative nga ato që nuk duhet të merren si të tilla. Ky aktivitet intelektual ka rezultuar në formimin e koncepteve, si: “Kurani i Mekkës” dhe “Kurani i Medinës”, “e përgjithshmja” dhe “e veçanta” (am ue khas), “universalja dhe partikularja”, “abrogimi” (nasikh ue mensukh), e të tjera. Është propozuar, për shembull, se Kurani i Medinës (së paku ai që ka të bëjë drejtpërdrejt me udhëzime morale e ligjore) dhe Sunneti është interpretim dhe jetësim i parimeve universale të Kuranit (të mishëruara në Kuranin e Mekkës) për nevojat e posaçme të komunitetit të lashtë mysliman në Medinë. Sipas kësaj pikëpamjeje, Hadithi dhe Kurani i Medinës përbëjnë një të kuptuar ose një interpretim (fikh) të parimeve kuranike në rrethana të veçanta. Në këtë mënyrë, është argumentuar se Islamit i sigurohet një dinamizëm i nevojshëm për t’iu përshtatur nevojave dhe rrethanave të ndryshme të shoqërive të ndryshme.

Veç kësaj, dekadave të fundit po merr formë një lëvizje intelektuale myslimanë që po e rimendon natyrën e tekstit të Kuranit duke bërë përpjekje për të përdorë metodën hermeneutike në leximin e tekstit të Kuranit. Të tillë janë autorët Fazlur Rahman, Nasr Hamid Abu Zayd, Muhammad Arkoun, etj. Ideja është që të zbulohet e të njihet karakteri historik i Kuranit dhe të dallohen mesazhet universale të tekstit nga ato të posaçme që u janë përshtatur situatave konkrete të komunitetit të parë të myslimanëve. Disa nga këta autorë e shohin këtë si një hap të madh drejt leximit të tekstit të shenjtë në atë mënyrë që të ketë kuptim për besimtarët e epokës tonë.

 

Argumenti historik: Islami i brezave të parë

Së dyti, sado që një pjesë e ortodoksisë islame ia ka besuar një a dy brezave të parë të myslimanëve që ta shpjegojnë botën dhe jetën e të vendosin për shumë çështje fetare, autoriteti absolut i atyre brezave në definimin e Islamit është vënë në dyshim nga rryma të ndryshme të mendimit islam, jo vetëm në periudha të mëvonshme nga filozofët e mistikët myslimanë. Ky dyshim është i pranishëm qysh në periudha të hershme të formimit të mendimit teologjik islam, si për shembull nga shkolla racionaliste në teologjinë islame – mutezila dhe nga shkolla racionaliste në jurisprudencën islame – ehlu el-re’j (përfshirë këtu juristin Ebu Hanife shkolla juridike e të cilit është mbizotëruese tek myslimanët e Ballkanit). Madje, përveç shkollës tradicionaliste, askush nga autoritetet e dijes fetare nuk ka thënë se interpretimi i tekstit të Kuranit është e drejtë e veçantë hyjnore që është mishëruar veçanërisht në të kuptuarit e brezit të parë të myslimanëve dhe se interpretimet e tekstit duhet të kufizohen vetëm në të kuptuarit e myslimanëve të parë.

Përveç se kjo pikëpamje është sfiduar në traditën klasike të mendimit islam, kjo është duke u sfiduar përsëri nga këndvështrime të reja edhe nga ana e mendimtarëve bashkëkohorë myslimanë. Këta të fundit po analizojnë raportin e dijetarëve të kohës me pushtetin ose pushtetet, raporti ky që ka rezultuar në krijimin e ortodoksisë. Po kështu, ata po hetojnë marrëdhëniet e diturisë islame të prodhuar në periudhën klasike të hershme me ideologjinë ose ideologjitë mbizotëruese të kohës si dhe ndikimin e konflikteve ideologjike dhe luftërave për pushtet ndërmjet grupeve të kohës në prodhimin e kësaj diturie. Emërues i përbashkët i kësaj ndërmarrjeje intelektuale është leximi kritik i teksteve dhe traditës klasike islame sipas një metodologjie më të pasur  që përfshin edhe metodat e shkencave shoqërore e humanistike të zhvilluara në Perëndim. Në këtë mënyrë, kjo lëvizje intelektuale po e vë në diskutim karakterin hyjnor që u atribuohet interpretimeve të brezave të parë të tekstit të Kuranit. Ka mundësi që një kritikë e tillë e trashëgimisë intelektuale islame të ketë efekt çlirues nga mendimi dogmatik tradicional dhe t’i hapë rrugë një reforme të mundshme.

 

Argumenti metodologjik: Islamit i mungon metoda për t’u zhvilluar

Në fund, përkrahësit e idesë se Feja islame dhe mësimet e saj morale, ligjore, etj. janë të pandryshueshme, ngase Islami nuk ka zhvilluar metoda përmes të cilave do të mund të modifikohej, janë të mendimit se duke qenë se burimet e pikëpamjeve islame për kozmologjinë, ligjin e moralin janë hyjnore, fikse dhe të ngurta (Kurani, tradita e Profetit, konsensusi i dijetarëve, etj. ), atëherë nuk ka mundësi që mësimet islame të ndryshohen për t’iu përshtatur rrethanave të reja. Përderisa njëra palë niset nga supozimi se Islami nuk ka mundur të zhvillojë metoda të këtilla, ngase duke u bazuar në tekste të vjetra e të ngurta nuk mund t’u përshtatet rrethanave të reja, pala tjetër niset nga supozimi se Islami nuk ka pasur nevojë të zhvillojë metoda të këtilla, ngase duke pasur burim hyjnor është i përsosur, për të konkluduar se janë rrethanat ato që duhet t’i përshtaten Islamit, dhe jo anasjelltas.

Ky argument mund të jetë i vërtetë, së paku deri diku. Them e vërtetë, ngase mendimi islam nuk ka zhvilluar një metodologji dhe i mungon bagazhi intelektual për t’iu përgjigjur shumë problematikave që kanë lindur sidomos në modernitet, për shembull çështja e drejtësisë, çështja e të drejtave të njeriut, çështja e minoriteteve, çështja e gruas, çështja e parimeve të legjitimitetit të autoriteteve politike, e kështu me radhë. Mendimi islam është mjedis i vobektë dhe i cekët ose i pavlefshëm për t’iu adresuar këtyre çështjeve. Megjithatë, në filozofinë e moralit, teologjinë skolastike e jurisprudencën islame ka koncepte e parime të cilat mund të përdoren për të zhvilluar metoda që kishin me i përfshi ndryshimet shoqërore në ligjin islam dhe teologjinë bashkëkohore. Kështu, parimet e istihsan, istislah, maslaha (preferenca, dobia, utiliteti, interesi) dhe sijaseh sher’ijje (administrimi i drejtësisë sipas frymës së Ligjit Islam) ndoshta në fillim janë zhvilluar për të interpretuar dhe justifikuar gjendjen ekzistuese të ligjeve të Sheriatit, për të legjitimuar status quo-në ose për të zhvilluar mendimin islam në rrethana të ndryshme nga të sotmes, por kjo nuk domethënë se këto parime nuk mund të përdoren për të zhvilluar metoda që kishin me e dinamizu mendimin islam.

 

Përfundim

Për të përfunduar, kur herë pas herë në debatet publike hahen këto dy grupe, në të vërtetë zënka është ndërmjet dy ortodoksive që besojnë se fetë janë sisteme të mbyllura të dijes dogmatike. Bazuar mbi këtë premisë të pasaktë, secila palë ofron konkluzionet e “zgjidhjet” e tyre të gabuara që lëkunden ndërmjet dy ekstremeve, domethënë thirrjes për braktisje të vlerave e praktikave fetare në publik, madje ndonjëherë edhe në jetën private, nga njëra anë, dhe thirrjes për rikthim të modelit të myslimanëve të lashtë, nga ana tjetër. Besimet e praktikat fetare janë dukuri të gjalla që zhvillohen e ndryshojnë si rezultat i rimendimit të kuptimit të teksteve e traditës fetare, por që kushtëzohen sa nga dinamika sociale aq edhe nga faktorë të veçantë ekonomikë, politikë e kulturorë…

Botuar në Shenja, korrik 2013

Islami tradicional për kohën moderne?!

In Fe, Identiteti on 9 January, 2009 at 16:29

Gëzim Selaci

Rizbulimi i identitetit musliman pas rënies së regjimit komunist tek ne është përcjellë me probleme të shumta dhe të rënda. Është shkaktuar një neveri ndaj trashëgimisë islame në identitetin kombëtar në kontekstin bashkëkohor në rrethanat e reja në të cilat është gjetur kombi. Kjo mund të ketë ndodhur për shkaqe të ndryshme, por gjithsesi konceptualizimi i gabueshëm dhe jofunksional i fesë ka qenë një nga shkaqet kryesore.

Sidoqoftë, në përpjekjen për të zgjidhur këtë, është propozuar ‘Islami tradicional’ si i vetmi model që siguron një marrëdhënie paqeje me identitetin tonë kombëtar. Por, a e ka fuqinë ky ‘Islami tradicional’ të jep një alternativë të zbatueshme dhe me shanse për sukses përkundër sfidave dhe çështjeve moderne?

Muslimanët sot po kalojnë nëpër një fazë të veçantë të historisë së tyre teksa gjenden nën një presion të nevojës për t’iu përshtatur ndryshimeve që sollën rrethanat e reja në botë. Kështu, edhe komponenti islam në identitetin tonë kombëtar po rimendohet në kontekst të përkatësisë shumëfetare dhe të të imagjinuarit të një identiteti kombëtar me vlera perëndimore. Kështu pra, muslimanëve u shtohen probleme të reja.

Për t’iu adresuar këtyre problemeve që shtresohen, muslimanët janë gjetur para nevojës për një kompas etik që do t’iu referoheshin në lidhje me çështje morale. Ndërsa Islami tradicional nuk frymëzon, kurse Bashkëksia Islame e Kosovë (BIK) është kredhur në një letargji akademike dhe komunikuese (mediale), alternativat që ofrojnë strukturat e tjera duket se janë më tërheqëse për brezat e rinj të muslimanëve.

Shumë prej këtyre alternativave nuk mund t’iu atribuohet ndonjë e keqe, ndërsa BIK-u nuk ka parë probleme tek ato. Mirëpo të tjerat mund të lindin më shumë probleme se sa që zgjidhin. Në të vërtetë gati të gjitha këto nuk kanë dalë si alternativa pozitive, domethënë që kanë propozuar zgjidhje; procesi i krijimit të identitetit të tyre ka qenë negativ, domethënë ato e kanë definuar veten dhe kanë rekrutuar simpatizantë duke u definuar si të ndryshëm ndaj modelit të rrymës qendrore, duke treguar se si janë të ndryshëm nga modeli i BIK-ut. Këtu edhe mund të hyjë sherri, ngase këto kode alternative që nuk mendohen mirë, hapin rrugën e indoktrinimit, shpëlarjes së trurit, mendësisë grupore, ekstremizmit, e të tjera.

Në këtë gjendje faktike, BIK është gjetur ndërmjet dy zjarreve: mohimit të problemit, thua se asgjë nuk po ndodhë, dhe alarmimit për të, thua se e keqja më e madhe vjen këtej. Me sa duket BIK nuk flet një goje, andaj nuk ka një qëndrim unik zyrtar. Sidoqoftë, është e qartë se një numër grupesh kanë ofruar tashmë alternativat e tyre dhe kanë fituar simpatizantë. Nuk do mend se jo të gjitha nga këto janë në të njëjtën linjë me rrymën qendrore që e ndjek dhe e promovon BIK.

Megjithatë, nëse dikush nga Bashkësia Islame sheh rrezikun tek këto kode a modele alternative, kjo nuk është e tëra që pritet nga kjo organizatë lidere fetare. Roli i BIK-ut nuk kufizohet në gjetjen e gabimeve dhe identifikimin e rreziqeve. Pritshmëria nga kjo organizatë ombrellë fetare është shumë më e madhe se sa të konkludojë gjërat e njohura; ajo duhet të ofrojë alternativë, nëse do të jetë organizatë udhëheqëse. Roli i BIK do të mund të ishte më pozitiv, dhe përveç që të tregojë se çfarë Islami nuk na duhet, ajo do të duhej të ofronte një model të Islamit që na duhet. Natyrisht, që të tërheq brezat e rinj të muslimanëve, ky model duhet t’iu adresohet çështjeve dhe brengave bashkëkohore.

Pra detyra e BIK-ut është jo vetëm të thotë se si nuk duhet, por edhe si duhet. Ekzistimi dhe vazhdimi i alternativave problematike është përgjegjësi edhe e BIK-ut. Kështu, ngase ky ‘rrezik’ dhe rreziqe të tjera ekzistojnë në një masë të madhe në saje të dështimit të BIK-ut për të ofruar një alternativë ndaj islamit tradicional, dhe jo në saje të dështimit për të ruajtur atë.

Për një të kuptuar të ri të islamit

Në mënyrë që identiteti islam në sistemin e identitetit tonë kombëtar t’i kontribuojë emancipimit dhe zhvillimit të kombit, është i nevojshëm një të kuptuar (fikh) i ri i Islamit që do të dilte si rezultat i një diskursi akademik i arsyetimit dhe interpretimit (ixhtihad) për të nxjerrë kuptime të reja. Ky interpretim duhet të themelohet mbi traditën për të krijuar një diskurs të ri e të vlefshëm për kohën dhe rrethanat aktuale. Fatkeqësisht, kjo sfidë nuk është përballë me sukses nga elita dhe organizatat fetare në vend.

BIK-u duke mos pasur fuqinë dhe kapacitetin të ofrojë një të kuptuar të tillë, këmbëngul në një ‘Islam tradicional’. Në radhë të parë, nuk është bërë e qartë se çfarë nënkuptohet me nocionin ‘Islami tradicional’, por ai shpeshherë reduktohet në rite të detajuara që mullatë kryejnë në festa e ceremoni mortore. Ky Islam tradicional ka dështuar t’iu adresohet çështjeve bashkëkohore që kanë lindur rishtas, andaj nuk ka qenë tërheqës për brezat e rinj të muslimanëve

Ideja e një të kuptuarit të ri të Islamit i frikëson shumë muslimanë, prandaj çdo thirrje e këtij lloji mund të përballet me rezistencë. Andaj, për të shtuar shanset për pranim, kjo thirrje duhet të vijë nga autoritete të pamohueshme fetare. Gjithherë është më e lehtë të projektosh diçka në mendje dhe letër, por e vështirë të bindësh të tjerët për të.

Disa mendojnë se Islami është uniform dhe nuk ka se si të kuptohet në mënyra të ndryshme. Mirëpo, Islami që nga fillimi asnjëherë nuk ka qenë uniform; aspekte dhe çështje të ndryshme të tij janë kuptuar në mënyra të ndryshme. Se me çfarë të drejte dikush mund të pretendojë se bash të kuptuarit e tyre ( apo fikh-u i tyre) është absolutisht të kuptuarit e drejtë, dhe se nuk ka alternativë, mund të shpjegohet vetëm me terme të fanatizmit grupor dhe sektarizmit.

Të tjerët frikësohen nga të kuptuarit e ri, ngase nuk kanë vizion se cila është alternativa. Sidoqoftë, alternativa nuk është e dhënë dhe që pret të zbulohet; atë duhet krijuar.

Mirëpo, që të arrihet kjo, problemit duhet qasur në mënyrë të duhur dhe duhet bërë pyetje të duhura, ndryshe nuk arrihet askund. Së pari trashëgimia islame duhet të rimendohet dhe t’i nënshtrohet një diskutimi e debati akademik e intelektual. Ky rimendim duhet të jetë i kujdesshëm dhe të bazohet në lexim të të arriturave shumë shekullore të mendimit islam, i cili shërben si një themel i fortë mbi të cilin duhet ndërtuar një diskurs që do të ishte funksional dhe i dobishëm në kontekstin aktual të kombit.

Një qasje e balancuar dhe sistematike është tejet e rëndësishme, posaçërisht në këtë kohë kur komponenti islam po rimendohet në kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Detyrë e vështirë? Kush e tha se udhëheqja dhe përfaqësimi i një bashkësie fetare është detyrë e lehtë!

(Botuar te Gazeta Express,  Prishtinë, 6 janar 2009)