gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘ideologji politike’

Politika si luftë klikash (në vend se garë ideologjike)

In Politikë on 29 July, 2012 at 00:21

Gëzim Selaci

 Në mungesë të identitetit ideologjik të partive politike, çfarë na shesin ato nëse jo vizione e programe për atë se si të organizojmë shoqërinë dhe çfarë vendime kolektive të marrim?

Ideologjitë politike janë sisteme ideshë politike; sisteme të besimeve politike. Me fjalë të tjera, ato përfaqësojnë vizione dhe ëndërra për atë se si të rregullohet jeta ekonomike e kulturore, çfarë ligje të bëhen, kush t’i bëjë ato e kush t’i zbatojë ato, cilat janë parimet e moralit dhe të besimit, çfarë është private e çfarë publike, cilat janë të drejtat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të familjes e shoqërisë, cili është raporti ndërmjet shtetit e fesë, shtetërores e civiles, individit e kolektivit, e kështu me radhë. Më pas këto vizione e ëndërra mishërohen në platforma politike e programe partiatke. Partitë politike që udhëhiqen nga programe ideologjike marrin vota nga qytetarë që besojnë në të njëjtat ideologji si dhe votues që mendojnë se interesin e tyre e realizojnë përmes zbatimit të programeve përkatëse.

Në këtë model politik ideal ideologjitë janë kryesore në lojën politike. Në sistemin dhe kulturën tonë politike partitë nuk udhëhiqen nga ideologji dhe programe politike. Sido që të jetë, kuptohet, as naivi nuk kishte me pasë iluzione se ideologjitë janë arsyeja e ekzistimit të partive politike. Fundja, politika është garë për pushtet, prandaj politikanët që garojnë për të zënë postet e pushtetit, mund edhe të mos çajnë kokën se për cilën ideologji përcaktohen. Ideologjia pra nuk është kryesore, veçse diçka duhet t’u shesës votuesve për të marrë si shkëmbim votat e tyre. Çfarë ka rëndësi është të përcaktohesh për një ideologji që të sjell sa më shumë vota për të marrë pushtetin në dorë.

Por, në mungesë të ëndrrave, vizioneve, si dhe ideve e programeve për realizimin e tyre, çfarë na shesin politikanët për t’na blerë votat tona? Ndërsa disa na këndojnë për bëmat e heronjve të luftës e të paqes, të tjerët na ofrojnë strehë nga rreziqe të trilluara e reale, nga rreziku i prishjes me miqtë ndërkombëtarë, nga kërcënimi prej fundamentalistëve fetarë, nga rreziku për identitetin kombëtar, frikë prej lindjes e perëndimit, veriut e jugut, të tjerët na garantojnë shpëtimin teologjik, e disa të tjerë nuk kanë fare nevojë të na ofrojnë diçka në shkëmbim të votës tonë, por mjafton emri i familjes për të na mahnitur me karizmën e prejardhjen e tyre.

Kështu, partitë identifikohen me emra të përveçëm të personave, familjeve, rajoneve e grupeve të ngushta, ndërsa ideja e përfaqësimit të qytetarëve në sallat vendimmarrjes zëvendësohet me klientelizëm dhe sistem të patronazhit. Në këtë mënyrë, ndërtohet një raport i ngushtë ndërmjet partive të caktuara e grupeve të ngushta që mund të jenë të çfarëdo lloji; biznese, organizata paralele të sigurisë, struktura parapolitike, etj. Spektri politik ndahet në kampe armiqësore, e “lufta” simbolike apo gara për pushtet bëhet luftë reale ndërmjet partive prapa të cilave qëndrojnë – jo vullneti për vendime kolektive e bërje të politikave në interes publik e qytetar, por – gjithë ato interesa të klikave të lartpërmendura si dhe elektorati i ndarë thellë në vija etnike e deri diku edhe rajonale.

Botuar në Zëri, më 2 gusht 2012

Partitë ideologjike në Kosovë, përse mungojnë?

In Politikë on 15 July, 2012 at 14:53

Gëzim Selaci

Partitë politike në Kosovë nuk udhëhiqen nga programe ideologjike. Kjo ndodh ngase sistemi dhe kultura politike në vend nuk nxisin profilizimin e partive mbi bazë të ideologjive që do të garantonin përfaqësim e interesave dhe kërkesave të qytetarëve në strukturat e pushtetit shtetëror, sidomos në ligjvënie. Kështu, në vend se një “luftë” simbolike për të marrë pushtetin e për të zbatuar programet ideologjike përkatëse, politika bëhet mejdan i luftës reale ndërmjet partive që bazohen në përkatësi etnike, rajonale e në karizëm personal të udhëheqësve për pushtet me qëllim të pasurimit të udhëheqësve partiakë.

Politika është garë për pushtet në të cilën partitë shtyhen për të marrë votat e qytetarëve dhe janë përherë në betejë mes veti duke qenë se janë kundërshtarë në atë që përfaqësojnë. Shikuar nga një pikëvështrim tjetër, ai i qytetarëve, e njëjta dukuri mund të kuptohet si përpjekje e popullit (demos-it) për t’u bërë subjekt politik që vendos për fatin e vet. Me fjalë të tjera, politika është përpjekje për të bërë që të të dëgjohet zëri si pjesëmarrës legjitim dhe garë për pushtet me qëllim të marrjes së vendimeve të caktuara të cilat bëhen të obligueshme për të gjithë (ligj).

E kuptueshme që në këtë garë në shtetin e Kosovës, ne kosovarët nuk jemi vetëm (nëse mund të thuhet se jemi në garë). Aty janë strukturat e pushtetit ndërkombëtar të cilët i kanë bërë vetë edhe rregullat e lojës politike. Ky pushtet nuk ka nevojë për vota të qytetarëve, prandaj është jodemokratik. Këto struktura të pushtetit ndërkombëtar në Kosovë (Unmiku e Euleksi) përbëhen nga njerëz në poste të pushtetshme, por që nuk janë aty në saje të fitores në një garë për votën popullore. Ky lloj i udhëheqjes pa mandat popullor quhet teknokraci, domethënë sundim i specialistëve që kanë plane e vizione politike, por pa mandat demokratik, ndërsa strukturat që themelohen për të mundësuar realizimin e këtyre planeve quhen misione.

Mandati i këtyre misioneve është të ndalojnë vrasje dhe përzënieve të popullatave, të mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe të jetësojnë planin për Kosovën, si krijimi i institucioneve vetëqeverisëse (pardoksalisht) demokratike dhe forcimi i sundimi të ligjit. Natyrshëm, qasja teknokratike e këtyre misioneve nuk lejon garën e lirë të partive për pushtet që do të përfaqësonin kërkesat e qytetarëve dhe t’i bëjnë ligje ato. Me fjalë të tjera, Euleksi nuk mund ta durojë procesin politik demokratik në vend, ngase vlerëson se ai dëmton (apo mund të dëmtojë) planet e jashtme për Kosovën.

Po, përse misionet ndërkombëtare kanë këtë frikë prej demokracisë dhe si e rrënon demokracia atë që është arritur dhe atë që synohet të arrihet në Kosovë? Nuk do mend se një fobi e tillë buron prej një kuptimi të gabuar të natyrës së konfliktit në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, që sipas do publicistëve e akademikëve të ngutur në Perëndim, luftërat ishin rezultat i antagonizmave e urrejtjeve ndër-etike që shpërthyen në kushte të demokracisë. Misionet ndërkombëtare në Kosovë nuk shohin shoqëri, as popull, as punëtorë e sipërmarrës, as fshatarë e qytetarë, por vetëm komunitete të ndyshme etnike e fetare: shqiptarë, serbë, romë, turqë… të cilët po u lanë të pafrenuar të ushtronjë demokracinë, do të përfundojnë përsëri duke u vrarë mes veti.

Kështu, administrata ndërkombëtare nuk gjen rrugëdalje tjetër veç të legalizojë ndarjet etnike duke ndërtuar institucione që do të operonin mbi vlera të bazuara në përkatësi ekskluzive etnike. Këtë ajo e bëri përmes politikave si decentralizimi mbi bazën e përkatësisë etnike të njësive të reja administrative (komunave), përmes rezervimit të ulëseve në Kuvend dhe poste në qeveri për parti politike që janë regjistruar si “parti të minoriteteve”, e kështu me radhë. Kjo ka kulmuar me krijimin e dy komunave nga qyteti i vetëm i Mitrovicës dhe kjo mund të mos jetë fjala e fundit e përpjekjeve të çuditshme për të zgjidhur “problemin e veriut” të vendit.

Ky lloj i trajtimit të njerëzve dhe politikbërja në përputhje me trajtimin e shoqërisë si vetëm komunitete etnike çimenton ndarjet ndërmjet etnive në vend dhe stimulon formimin e grupeve (forcave) elektorale të bazuara në përkatësi etnike. Në një kontekst politik ku të mbrosh e të përkrahësh interesa etnikë të sjell më shumë vota dhe të mundëson shfrytëzimin e të drejtave të rezervuara, nuk ka se si të formohen identitete të bazuara në vlera ideologjike e të qytetarisë.

Madje politika në Kosovë nuk ka funksionuar asnjëherë mbi bazë të betejave e pozicionimeve ideologjike. Afër gjysmë shekulli të regjimit komunist, i përcjellë nga një dekadë e regjimit të Millosheviqit sipas stilit të aparteidit, e më së voni hegjemonia neo-liberale e administrimit teknokratik i misioneve ndërkombëtare, nuk kanë qenë mjedise me kushte të volitshme për krijimin e partive politike me identitete të dallueshme ideologjike. Në komunizëm kishte një parti dhe një ideologji zyrtare. Gjatë regjimit të Millosheviqit ato që quheshin parti politike identifikoheshin në bazë të përkatësisë ekskluzive etnike, ndërsa lufta bëhej për dominim, përkatësisht mbijetesë të grupeve etnike, dhe pragmatizmi politik nuk linte nevojë për ideologji politike. Gjatë Unmikut, administrimi i shoqërisë së përçarë e të dalë prej luftës ishte “shkencë” postulatet e së cilës duheshin zbatuar pa dyshim dhe as që bëhej fjalë për alternativa të ideologjive politike. Për pasojë, nuk kishte nevojë për artikulime ideologjike që do të ishin alternativa të administrimit ndërkombëtar. Ato që u regjistruan e u quajtën subjekte e parti politike synonin poste për të ngopur lakmitë materiale e fodullëkun e personave, klaneve e bandave të të gjitha llojeve.

Politika nuk lejohet as në sistemin e pavarësisë së mbikëqyrur. Në të vërtetë, gara dhe konflikti politik për çështje të debatueshme shprehet si garë për poste ekzekutive të politikave të caktuara nga struktura të pushtetit teknokratik real. Opsionet politike reduktohen në zbatimin e planeve të jashtme për Kosovën. Në këtë mënyrë, mungesa e një hapësire politike, ku njerëzit do të mund të shprehnin interesat politikë e t’i negocionin ato, pamundëson politikën (që sipas përkufizimit nënkupton rivalitet e kundërshti pikëpamjesh e interesash). Pikërisht për këtë, qytetarët në Kosovë nuk arrijnë assesi të krijojnë identitete të tjera kolektive, përveç atyre etnike e rajonale dhe kështu pamundësohet edhe krijimi i partive politike me ideologji të dallueshme.

Botuar në Zëri më 16 korrik 2012