gselaci.wordpress.com

Si të radikalizosh grupet fetare: udhëzime për një shoqëri të polarizuar

In Kosova on 20 September, 2011 at 09:13

Gëzim Selaci

Vorbulla e pro-et- kontra-ve në debatin e kohëve të fundit në lidhje me vendin dhe funksionin e fesë në sferën publike ka marrë me vete shumë njerëz. Krejt ndryshe, kjo është një përpjekje për të analizuar efektet e vendimeve ligjore dhe diskurseve përkatëse në kohezionin shoqëror në Kosovë, të cilat mendoj se ligjvënësit tanë ishte dashtë me i pasë parasysh kur bëjnë ligjet dhe flasin nga foltorja e Kuvendit të Republikës. Shamia dhe lënda fetare në shkolla publike mund të jenë probleme të paqena, por gjithsesi me efekte reale.

Problematizimi, madje me urgjencë, i çështjeve për shaminë dhe lëndën fetare në shkolla mund të jetë një debat i panevojshëm për çështje të paqena (apo i nevojshëm vetëm për ata që duan të shpërqendrojnë publikun nga problemet më të mëdha si dhe për ata që duan ta përdorin për t’u vetëlegjitimuar si liderë të ”kauzave islame”) por efektet e vendimeve përkitazi me këto probleme janë gjithsesi reale mbi të cilat duhet reflektuar.

Tashti jemi para një akti të kryer ligjor që ndalon bartjen e shamisë në shkolla publike dhe në zyra të administratës publike dhe refuzon kërkesën për lëndën e “edukatës fetare e morale” (siç u propozua) në shkollat publike të vendit. Pavarësisht arsyeve për refuzimin e këtyre kërkesave, sipas një ligji fundamental (fizik dhe) shoqëror të aksionit dhe kundëraksionit, kjo i shtyn ata qytetarë që përkrahnin këtë kërkesë të organizohen si grup i veçantë i shoqërisë më të gjerë për t’u angazhuar për të drejtat (apo “të drejtat”) e tyre tashmë jo individuale, por kolektive. Për pasojë, mohimi i së drejtës së njeriut për t’u veshur si të dëshirojë i shtyn ata që kanë të njëjtin preokupim të sillen si grup ku ata bëhen një, së paku në këtë çështje, dhe faktorizohen edhe si forcë elektorale. Kështu, ky grup i xhematit që nuk kanë votuar më parë ose votat e tyre kanë qenë të shpërndara, po homogjenizohet dhe formohet si forcë unike elektorale.

Më pas, me gjasë, votat e këtij elektorati do t’u shkojnë subjekteve politike që iu adresohen kërkesave të tyre të veçanta. Tani për tani, duket se Partia e Drejtësisë është adresë e tyre por, pas dështimit të këtij subjekti për të realizuar premtimin elektoratit të tyre, mund të ketë edhe ndonjë subjekt tjetër politik që do të synojë këtë elektorat. Ky subjekt mund të iniciohet pikërisht nga personat që e kanë agjendë me prioritet shaminë dhe mësimin e fesë në shkolla dhe po i prijnë angazhimeve dhe presioneve për këto kërkesa. Në fakt, ka indikacione se kjo agjendë po përdoret për të mobilizuar dhe identifikuar votuesit potencialë, duke e bërë kështu një agjendë për përfitime politike. Ndoshta, ai subjekt do të jetë edhe më radikal dhe më këmbëngulës për realizimin e kësaj agjende. Madje, ka mundësi që të ngacmojë edhe liderët fetarë jo vetëm në përkrahjen e këtyre agjendave, por edhe në pjesëmarrjen të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këto subjekte. Ky përqendrim i pushtetit politik dhe autoritetit fetar në një njeri ose grup njerëzish është arsye e mjaftueshme për t’u brengosë. Tradicionalisht Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka anuar nga asnjëra parti politike dhe nuk ka përdorur xhamitë për të ujdisur ndjenjat e xhematit me qëllim që ta përdorin atë si forcë elektorale, por precedani tashmë është vendosur në zgjedhjet e fundit të përgjithshme (në vitin 2010) kur imamët gjithandej xhamive të Kosovës thërrisnin për të votuar Koalicionin Kosova e Re ku bënte pjesë Partia e Drejtësisë. Nuk ka gjë më të rrezikshme se sa përqendrimi i disa pushteteve tek një njeri ose grup njerëzish. Shoqëria jonë tashmë është e dërrmuar nga liderë me pushtet politik, fuqi ekonomike e karizëm personale së bashku që sillen si mbretër. Na mungon edhe pajisja e autoritetit fetar me pushtet politik për të lindur një klasë politike e mbretërve profetë.

Politizimi i një bashkësie fetare shqiptare apo përputhja e përkatësisë fetare me një rrymë a forcë të caktuar politike duke u identifikuar përkatësia fetare me një drejtim apo parti të caktuar politike, është një gjë që ideologët e parë të nacionalizmit shqiptar e kanë kundërshtuar ashpër. Etosi i nacionalizmit shqiptar asnjëherë nuk ka funksionuar mbi bazën e përkatësisë ekskluzive fetare. As shoqëria e Kosovës që po ndërtohet nuk duhet të pasqyrojë përkatësitë e veçanta fetare në ideologji të veçanta politike. Në të vërtetë kjo po ndodh me bashkësinë serbe në Kosovë në saje të një mendësie të formuar me kohë që identitetin dhe nacionalizmin serb e lidh ekskluzivisht me Fenë ortodokse. Duke qenë se nuk e imagjinojnë përkatësinë kombëtare dhe nacionalizmin pa një përkatësi të veçantë fetare, serbët nuk reshtin së provuari për të vënë shenjën e barazimit të shqiptarëve në Kosovë me myslimanë, madje “fundamentalistë” e “terroristë”. Fatmirësisht, shqiptarët që ishin mësuar se fetë nuk duhet të përçajnë kombin i shpëtuan kësaj kurthe, dhe kjo propagandë nuk ka pirë ujë në opinionin ndërkombëtar. Tash shqiptarët e Kosovës, si shumicë në shtetin e ri, duhet të orientojnë përpjekjet e tyre nga çrrënjosja e kësaj mendësie tek bashkësia serbe, e jo të përvetësojnë këtë mendësi duke bërë politika që çojnë në drejtim të politizimit të feve.

Megjithëse politizimi i bashkësive fetare paraqet një tendencë për kërcënim të kohezionit shoqëror, ky reagim i mundshëm i grupeve të caktuara të xhematit mbetet në suazat demokratike, përderisa zgjidhjen e kërkon brenda institucioneve shtetërore dhe sjelljeve të lejuara në demokraci, si protesta, etj. Më shumë se sa politizimi i grupeve fetare do të duhej të na brengoste nëse reagimi i tyre do të çonte në një drejtim anti-demokratik si rezultat i humbjes së besimit tek institucionet e shtetit, procedurat demokratike dhe politikanët e organizatat (si Bashkësia Islame, për shembull) të cilët megjithatë zgjidhjen e problemeve kërkojnë ta gjejnë brenda institucioneve të shtetit dhe rrugët tjera joinstitucionale demokratike. Rrjedhimisht, shpresat do të vareshin tek subjekte politike dhe organizata që thërrasin për mënyra radikale të zgjidhjes. Ky është shans që lakmues të ndryshëm për lidership nuk e lejojnë t’iu ikë. Ujë në mulli të tyre çon edhe injorimi e margjinalizimi, madje demonizimi i zërave të moderuar që do të ishin si alternativë më e mirë e ekstremistëve.

Paralelisht, por jo paradoksalisht, shmangia e indoktrinimit fetar si pasojë e mësimit të feve në lëndë të veçanta në shkolla publike (argument pro ndalimit të mësimit fetar në shkolla), forcon edhe më ndikimin dhe autoritetin e predikuesve fetarë duke hapur më gjerë dyert e mënyrave të pafundme të indoktrinimit fetar e sektar si dhe mostolerancës për fetë dhe filozofitë e tjera jetësore përmes mediave propaganduese, që nga predikimet nëpër xhamia e kisha e deri tek ato nëpër platforma interneti. Njerëz të bindur që nuk mendojnë me kokat e tyre, por janë kurdoherë të prirë të pranojnë “të vërtetat” e gatshme e militantë që kurdoherë janë të gatshëm të çohen për të mbrojtur “të vërtetën” ka më shumë gjasë të krijohen nëpër mexhlise e kongregacione fetare se sa nëpër shkolla. Në seancën kur u sollën këto vendime, u kuvendu për pro-et-kontra dhe për “rrezikun” e “përparësitë” e lëndës së “edukatës fetare” në shkolla, por jo edhe për efektet e mundshme që mund të pasojnë si rezultat i refuzimit të kësaj kërkese, ose për zgjidhjet më të mira në kontekstin tonë. Ishte dashtë që ligjvënësit tanë të mendojnë edhe për këtë efekt të mundshëm, se kërcënimi i “fundamentalizmit islamik” për shtetin e Kosovës dhe unitetin kombëtar mund të bëhet një profeci vetëpërmbushëse.

Dhe kulmi i gjithë absurdit në këtë vorbull telashesh është të shohësh se si debati publik rreth këtyre çështjeve nuk po udhëhiqet me arsyetime gjakftohta dhe intelektuale, por me tone patetike. Debat që të duket se nuk po synon negocimin e dallimeve përmes diskutimit racional me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira, por vetëm të qesë barut në zjarr. Mendoj se çështja është shumë serioze për t’u lënë në mëshirë të thirrjeve histerike që transmetohen nëpër televizione e shtypen nëpër gazeta. Kjo mënyrë e të debatuarit po e nxeh gjithnjë e më tepër debatin, dhe me të edhe shoqërinë kosovare. Kështu, opinioni publik po krijohet në këtë klimë të polarizuar ku hapësira e diskutimit po bëhet mejdan grindjesh ndërmjet dy pikëpamjeve të kundërta. Aty zihen vetëm këto dy pikëpamje duke mos lejuar mundësi për një pozicion të tretë më kritik.

Botuar në Shenja, tetor 2011 dhe në version të shkurtuar në Zëri më 23 shtator 2011.

Advertisements
  1. Gezim, po m’tingellon nga shkrimi yt se dajla e xhematit ne rruge eshte njelloj instrumentalizimi politik, Nderkaq, sic e kam shpreh edhe ne nje shkrim timin ne Qershor, ajo eshte fillimisht nje levizje qytetare karshi fenomenit te standardeve te dyfishta te perdorura nga shteti e edhe karshi retorikes krejtesisht non sens te lidershipit kosovar karshi ktyre problematikave te drejtsise sociale.

    Nese idea e kombit nder shqipetar post 1912, eshte ngjize me parimin repoblikan te qytetarit (shqiptarsia) dhe ka pase per ideal sigurimin e neutralitetit te shtetit karshi grupeve te ndryshme fetare (te njejtit neutralitet qe sot eshte i nenshkruar ne Kushtetuten e Kosoves), situata aktuale deshmon per nje realitet tjeter. Neutraliteti i shtetit, dhe dyfishi i interpretimit te laicitetit karshi grupeve te ndryshme fetare, ka shkaktu daljen ne rruge te individeve qe ne nje menyre apo nje tjeter vetemse kane kerkuar qe shteti t’i rrij karshi neutralitetit te vetvetes (sado qe mund te dyshojme se nje formulim i till ka qene eksplicit prej protestuesve, ai ka qene thuajse dukshem implicit). Neutraliteti i shumeperfolur, eshte prish nga shteti ne forma te ndryshme eksplicite, ne favorizimin e nje botkuptimi karshi nje tjetri, ne intervenimin anesor karshii nje grupi fetar me shume se karshi nje grupi tjeter.
    Sado paradoksale qe mund te duket, kerkesa e xhematit ka qene nje kerkese qe ne terma te Tariq Madood-it do t’quhej “barazim permes njohjes” ose “perpjete” ( “equalizin upwards”).

    Personalisht, mundesine per radikalizim e kam lene si konsekuence e stimulimit te te njejtave politika te ndjekuna deri me tash. Ashtu sikurse nje gjen i cili kur stimulohet shkakton mutacion, edhe xhemati i cili diskriminohet me politika te dyfishta do t’prodhoj mutacion.

    Ne anen tejter, tek politizimi i xhematit, si qytetare qe jane, nuk shoh ndonje polarizim te domosdoshem. Politizimi grupor ne sensin qe ti e permend e ka precedentin e vet tek formacioni grupor i Demokristianeve ne Kosove, dhe gjeneza e polarizimt do duhej ndoshta te keerkohej aty !?

    Pastaj po kam problem me shume te perfolurin “ekstremizem” ! Osht term bejagi i koklavitun dhe osht bastardu shume neper publicistiken tone, e madje osht shendrru edhe ne nje lloj te reductio ad Hitlerum , qe po perdoret per ngulfatjen e cdo debati publik te mirfillet.

    Ajo qe nevoitet per trajtimin e ktyre gjanave, osht domosdo nje think tank i mirfillet qe grupon sociolog, filozof politik,antropolog e edhe psikolog e klerik ne menyre qe keto qeshtje te trajtohen ne formatin e mirfeillet e drejtsise sociale. Debatet e masturbune ne per median e shkruar te na, pothuajse s’e kan pase hiq kete dimenzion dhe jane kone te dominune prej shkrimeve publicistike dhe me tone emocionale, dhe eshte e veshtir me paraqit neper mediat tona dicka nga filozofia politike sepse konsiterohesh “follozof”

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: