gselaci.wordpress.com

“Legjitimiteti politik në Kosovë: rasti i administratës së përkohshme ndërkombëtare”

In Kosova, Legjitimiteti politik, Libra, Shtetndërtimi ndërkombëtar on 9 November, 2020 at 11:56

Kapaku para

Libri “Legjitimiteti politik në Kosovë: rasti i administratës së përkohshme ndërkombëtare” (Prishtinë, 2020, faqe: 220) shtron pyetjet vijuese: Çka është e çka nuk është legjitimiteti politik? Cilat janë kuptimet dhe nënkuptimet e legjitimitetit politik në literaturën e shkencave shoqërore? Cilat janë parimet e veçanta legjitimuese të misioneve të përkohshme qeverisëse dhe mbikëqyrëse ndërkombëtare dhe pretendimet e tyre për legjitimitet? Cilat janë kushtet në të cilat administrata ndërkombëtare pretendon të drejtën për të qeverisur dhe ushtruar pushtet politik në një fazë kalimtare? Cilat janë kufizimet dhe sfidat e legjitimitetit të pushtetit të administratës ndërkombëtare? Si, në ç’masë dhe në çfarë kushtesh pranohet ose nuk pranohet ky lloj pushteti në shoqëritë në të cilat ushtrohet ai?

Ky libër synon t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve përmes studimit të rastit të administratës së përkohshme ndërkombëtare në Kosovë nga viti 1999. Qëllimi i studimit është të kuptohen parimet legjitimuese të misioneve të përkohshme qeverisëse dhe mbikëqyrëse ndërkombëtare dhe pretendimet e tyre për legjitimitet. Me fjalë të tjera, të analizohen kushtet në të cilat administrata ndërkombëtare pretendon të drejtën për të qeverisur dhe ushtruar pushtet politik, si dhe pranimi ose mospranimi i këtij lloj pushteti në shoqërinë politike kosovare.

Me thënë shkurt, ky libër synon që përmes rastit të administratës së përkohshme ndërkombëtare në Kosovë, t’i përgjigjet pyetjes së lashtë se si ia bëjnë sundimtarët për ta “kthyer forcën e tyre në të drejtë dhe bindjen ndaj tyre në detyrë”, siç shprehej filozofi Jean-Jacques Rousseau. Si analizë kontekstuale, në këtë libër, legjitimiteti i autoritetit qeverisës ndërkombëtar studiohet duke këqyrë në krijimin dhe mandatet e misioneve qeverisëse e mbikëqyrëse ndërkombëtare për Kosovën, projektin ndërkombëtar shtetndërtues, rezultatet e atij projekti, kushtetutbërjen ndërkombëtare, si dhe raportin e tyre me agjentët politikë vendorë, domethënë liderët politikë dhe popullatën vendore.

Studimi ndihmon të kuptohen vështirësitë dhe sfidat e legjitimitetit të brendshëm ose vendor të misioneve administruese ndërkombëtare dhe kufizimet e projektit shtetndërtues në legjitimimin e rendit politik dhe institucioneve shtetëtore që ato ndihmojnë të krijohen. Gjithashtu, duke u fokusuar në komponentën e legjitimitetit, shpeshherë të neglizhuar në literaturën e shtetndërtimit ndërkombëtar, ky studim përbën një kontribut teorik në plotësimin e kësaj literature.

Për aq sa administratat kalimtare ndërkombëtare janë raste të veçanta të krijimit dhe ushtrimit të autoritetit, libri argumenton se në analizën e legjitimitetit të tyre duhet të merren në konsideratë normat e veçanta të justifikimit dhe legjitimimit të tyre. Mirëpo, idetë themelore mbi të cilat bazohet praktika e administratave të përkohshme ndërkombëtare dhe agjenda shtetndërtuese ndërkombëtare, përbëjnë kufizime dhe sfida për legjitimitetin e tyre, të cilat analizohen në këtë studim.

(Nga Parathënia e librit)

Shih këtu Pasqyrën e lëndës, Parathënien, Summary (përmbledhjen në gjuhën angleze) dhe Referencat e librit.

Leave a comment