gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘radikalizimi islam’

Zhvillimi i një kundërligjërimi fetar ndaj radikalizimit – analizë problemore

In Fe on 12 September, 2015 at 08:59

Gëzim Selaci

Thirrja drejtuar autoritetit fetar dhe klerit për zhvillimin e një kundërligjërimi “islam” ndaj atij radikal është problematike. Kjo është analizë problemore që shtjellon përse mendimi fetar bashkëkohor në shoqërinë tonë është i paaftë të ofrojë kundërligjërim të vlefshëm e të pranuar. Fatkeqësisht, kjo logjikë fetare është pranuar edhe nga shoqëria politike e civile dhe kështu po fuqizohet një rrugë e pasigurtë për t’iu adresuar problemit të radikalizimit dhe problemeve të ngjashme. Si alternativë, debati duhet të hapet në dy anë, së pari për të ndërtuar kundër-narrativa të shpjegimeve të thjeshtëzuara e tendencioze të “radikalizmit islam” që këtë dukuri e lidhin esencialisht me Fenë islame a komunitetin mysliman. Dhe, së dyti, për të angazhuar një numër më të madh të segmenteve të shoqërisë civile në adresimin teorik të çështjes, sepse është problem i shoqërisë dhe jo vetëm i grupeve profesionistësh; specialistë të sigurisë, përgjegjës për sigurinë publike, teologë a hoxhallarë qofshin ata.

Si kundërpërgjigje ndaj “radikalizmit islam”, në ligjërimin publik është propozuar edhe angazhimi i autoritetit fetar dhe hoxhallarëve “të moderuar”, “tradicionalistë” dhe “konservatorë”.[i] Një numër komentuesish e studiuesish (këta të fundit në numër shumë më të kufizuar), zgjidhjen e kanë parë në alternativat ndaj radikalizimit që duhet të zhvillohen nga segmente të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë këtu edhe autoritetet fetare për të zhvilluar një ligjërim më paqedashëse ose të moderuar të Islamit. Arsyetimi i kësaj është se disa aspekte të ligjërimit fetar të zhvilluar deri më tani nga kleri islam janë problematike. Si rezultat, hoxhallarët “e moderuar” i kemi parë më shpesh në mediat mainstream e në tryeza të flasin për problemin në fjalë. Qëllimi është që ky autoritet të promovojë pikëpamjen se Islami është fe e paqes dhe se myslimani duhet të jetë tolerant e paqësor.

Madje, këtë detyrë të “deradikalizimit” jo rradhë herë e kanë marrë përsipër edhe autoritetet politike, por jo në mënyrën që u përket atyre, por duke u treguar njerëzve se tekstet fetare islame janë paqedashëse dhe dënojnë “radikalizmin”[ii] dhe se “imamët e krisur” që promovojnë të kundërtën[iii] sikur nuk po e dinë këtë. Krejt kjo me qëllim të promovimit të një kulture “të moderuar” fetare.

Identitete dhe qëndrime të reduktuara në një

Kjo zgjidhje e propozuar që kërkon përfshierjen e klerit islam në vend mendoj se është problematike. Problemi kryesor është sepse ligjërimi që zhvillohet nga kleri, e që po duket se është pranuar edhe nga shoqëria politike e civile, priret drejt klasifikimit të njerëzve sipas përkatësisë së tyre fetare, theksimit të ndarjeve fetare e deri në dhënien e rëndësisë më të madhe identietit fetar të një njeriu. Çështja është se nëse presim që këtë do ta bëjmë brenda kuadrit të kësaj logjike, do të kemi telashe të tjera, të cilat i elaboroj në vijim.

Së pari, nëse “radikalët” a ekstremistët e dhunshëm i klasifikojmë në bazë të përkatësisë së tyre fetare duke injoruar të gjitha identitetet e tjera të tyre dhe i shohim vetëm si pjesëtarë të komunitetit mysliman, atëherë injorojmë faktin se krahas identitetit fetar, njerëzit kanë edhe shtresa të tjera identitare dhe shumë të përbashkëta me njerëzit e tjerë të feve e filozofive të tjera. Kjo qasje, pra, nuk sheh pjesëtarët e komunitetit mysliman nga një prizëm tjetër, përpos si myslimanë dhe nuk e vëren natyrën shumëdimensionale të qenieve njerëzore që kanë qëlluar të jenë myslimanë. Kështu, jemi të verbër ndaj aspekteve dhe preokuptimeve të tjera të personalitetit të tyre, por edhe ndaj ideve që i nxisin njerëzit në veprim të dhunshëm a të çfarëdoshëm. Feja nuk është e vetmja shtresë identitare e personit që dominon dhe përjashton identitetet e tjera. Personi mysliman jeton, punon, krijon e lufton dhe veprimet e tij motivohen edhe nga faktorë që nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht me fenë. Andaj, identiteti islam i një personi nuk mund të jetë ekskluzivisht përgjegjës për zgjedhjet që i bën ai.

Së dyti, një qasje e tillë, sikur i autorizon klerikët të përfaqësojnë të gjithë pjesëtarët e komunitetit mysliman, domethënë njerëzit të cilët në një mënyre a tjetër identifikohen me Fenë islame e me kulturën myslimane.[iv] Kështu, klerikëve u njihet si legjitim pushteti të flasin në emër të “besimit” e “qëndrimit” të komunitetit, sado që mbase numri më i madh i pjesëtarëve të komunitetit mund të ketë pikëpamje shumë të ndryshme nga ajo e klerikëve. Kështu, tërë këtë diversitet e reduktojmë në qëndrime të disa klerikëve apo, për më keq, në një qëndrim zyrtar të autoritetit fetar. Problem tjetër me këtë është se kjo i hap rrugën forcimit e ngurtësimit të një doktrine teologjike zyrtare, pra të njëfarë “Islami zyrtar”, madje me tendencë që të sanksionohet edhe nga aparati shtetëror i dhunës.[v] Fundja, zyrtarët dhe hoxhallarët e Bashkësisë Islame të Kosovës e kanë njëfarë hegjemonie teologjike në mesin e komunitetit mysliman, por kjo nuk e ka penguar gjithaq zhvillimin e interpretimeve alternative edhe më konservatore dhe të tjera ekstremiste. Nëse kësaj organizate do t’i jepej më shumë pushtet të flasë në emër të komunitetit mysliman, kjo do t’u jepte atyre më shumë pushtet të delegjitimonin versionet e tjera sunnite e josunite të praktikës islame, por edhe interpretimet alternative teologjike brenda sunizmit që ka tek-tuk dhe që mundet me pasë në të ardhmen, e të mos flasim për interpretime kritike, liberale, progresive e jokonformiste që as mund të mendohet zhvillimi i këtyre heterodoksive nën hegjemoninë e dogmës zyrtare!

Leximi i teksteve si thikë me dy tehe

Tani i kthehem një problemi karakteristik për ligjërimin klerikal. Të gjitha ligjërimet fetare, si ai i zhvilluar nga organizata e Bashkësisë Islame të Kosovës (që po e quajnë “Islam tradicional”), si ato të zhvilluara nga lëvizjet e tjera fetare, që pak a shumë janë zhvilluar ndamas nga kjo organizatë, i karakterizon doktrina e tradicionalizmit fundamentalist ose dogmatik. Kjo doktrinë e ka bazën në tekstet “e shenjta”, domethënë në Kuran e në traditën e Profetit (Sunnet), të cilat kuptohen ose pretendohet se kuptohen sipas interpretimeve të brezave të lashtë të myslimanëve. Po këtë logjikë, që fenë dhe dukuritë fetare i analizon vetëm në nivel të teksteve fetare, e përdorin edhe komentatorë, gazetarë, politikanë, e madje edhe akademikë, duke injoruar ligjërimet, traditën dhe historinë e komuniteteve fetare, që fundja janë më relevante për analiza të këtilla se sa çfarë shkruan në tekste. Pavarësisht nëse këto interpretime të teksteve bazohen tek brezat e parë të myslimanëve ose tek traditat e mëvonshme, të gjitha ato kanë së paku një emërues të përbashkët të cilin e diskutoj në vijim.

Të gjitha këto doktrina bazohen në tekste të shenjtëruara fetare përmes të cilave duan ta kuptojnë realitetin si dhe mbi të cilat ndërtojnë teori normative. Rëndom thuhet se këto tekste merren sipas kuptimeve literale dhe kuptohen sipas interpretimeve të lashta të një a dy brezave të parë të myslimanëve. Mirëpo, në të vërtetë bëhet fjalë për përpunimin dhe sistemimin e traditës dhe interpretimeve të këtyre brezave nga ana e shkollave teologjike të mëvonshme. Natyrisht, sa më poshtë që shkohet në piramidën e hierarkisë së autoritetit fetar, leximi i teksteve konsiston në pranimin dogmatik të interpretimeve të autoriteteve bashkëkohore fetare që zakonisht janë imamë e predikues dhe myfti nga shoqëritë e ndryshme myslimane (zakonisht arabe, e më pak turke, pakistaneze, indiane, iraniane, etj.). Këto autoritete, kleri islam tek ne i paraqet si “dijetarë” të Islamit. Pas kësaj, gjallëria e interpretimit autentik zëvendësohet me grindje rreth autoritetit të “dijetarit” referencial, si dhe nga përplasja e pafund e interpretimeve që këto autoritete i mbështesin në kontekste shumë të ndryshme politike, kulturore e ekonomike. Mbase nuk ka nevojë as të thuhet, se në një mjedis të këtillë, krejt çfarë bëhet është vetëm importim i opinioneve kanonike (fetva) me prirje jotolerante e radikaliste ose të kundërta me këto, e asesi zhvillim i mendimit origjinal, kritik e kreativ që kishte me iu adresu problemeve në fjalë.

Sado që, në disa raste interpretimi i tekstit nuk kufizohet brenda kësaj kornize të ngushtë metodologjike, edhe atëherë ai reduktohet në “zbulimin” e kuptimeve gjuhësore të teksteve. Kështu, theksohen pjesë nga tekstet fetare që promovojnë paqen e tolerancën dhe injorohen pjesë të tjera që bëjnë të kundërtën, apo interpretohen në mënyrë që të qesin në pah karakterin “në thelb paqedashës e tolerant të Islamit”. Mirëpo, ironikisht me të njëjtën metodë shërbehen edhe ligjërimet e dhunshme dhe jotolerante të cilat theksojnë tekstet që u konvenojnë paraideve të tyre. Në raste të këtilla, teksti ose lexohet sipas kuptimit të tij sipërfaqësor/literal, ose i nënshtrohet instrumenteve te ekzegjezës për t’i dhënë kuptimin e dëshiruar, me ç’rast ndodhin gabime fundamentale logjike, lexime anakronike, e të tjera.

Këto dy metoda të leximit të teksteve u mundësojnë pothuajse kujdo me prirje të dhunshme të vetëshpallet hoxhë a imam, duke mësuar tekstet themelore fetare dhe interpretimet e tyre nga librat e ekzegjetëve të shekujve të kaluar, e duke i nxjerrë nga konteksti i tyre (nga padija e konteksit ose injorimi i qëllimshëm i tij) e t’i rifomulojë ato si të dojë për të joshur zemrat e mendjet e një audience njerëzish në probleme sociale, varfëri, papunësi, pasiguri dhe dëshpërim politik, krizë identitare, mungesë të mbështetjes familjare, të kulturës, njohurive për shoqëritë, fetë e kulturat, etj.

Madje, edhe toleranca dhe respekti që ky ligjërim mund të shprehë për “tjetrin” i nënshtrohet testit të pranueshmërisë sipas standardeve fetare domethënë sipas gjykimit me kuptimet e teksteve fetare. Jo rradhë herë, kjo nënkupton tolerancën e “tjetrit” të përkufizuar sipas fesë, e që për pasojë shprehet duke gjetur të përbashkëtat ose pranuar tekstet dhe traditën e feve tjera, kryesisht abrahamike, por jo edhe aspektet e tjera dhe arritjet e tyre humane jashtë fushës fetare.

Përfundim

Për fund, asnjëherë nuk është e tepërt të theksohet se problemi i radikalizimit (domethënë zhvillimi i ekstremit të dhunshëm) nuk duhet të kërkohet së pari tek feja, e aq më pak të reduktohet tek faktorë fetarë duke e islamizuar konceptin. Mirëpo, në të njëjtën kohë, janë të justifikueshme qasjet që e shohin ndërlikueshmërinë e kësaj dukurie si dhe rolin e ideve fetare ose të fetarizuara në radikalizim e pjesëtarëve të komunitetit mysliman.

Besoj se është e qartë se nëse bazohemi në tekstet fetare, nuk mund të konfirmohet se Islami në thelb është fe paqësore (e as e dhunshme, sa për sqarim), përveç nëse bëjmë një lexim përzgjedhës të teksteve. Me fjalë të tjera, tekstet japin një bazë për një lexim paqësor e tolerant të tyre, por njëkohësisht edhe një bazë tjetër për një lexim dhunënxitës e jotolerant. Megjithkëtë, mendoj se është e mundshme të refuzohet legjitimimi i jotolerancës dhe dhunës me terme fetare (por kjo nuk mund të bëhet duke u kufizuar në leximin/interpretimin e teksteve fetare), sado që kjo nuk është fusha e vetme ku duhet të adresohet problemi i radikalizimit. Mirëpo, duhet të pyesim nëse një gjë e tillë mund të bëhet nga ligjërimi fetar i zhvilluar nga kleri – e që, fatkeqësisht, po pranohet edhe nga një pjesë e shoqërisë politike e civile – i cili zgjidhjen e “radikalizmit islam a mysliman” e sheh në “promovimin zyrtar” të pjesës paqësore të teksteve fetare nga ana e “përfaqësuesve legjitim të komunitetit mysliman”.

[i] Për shembull, “Raporti për shkaqet dhe pasojat e përfshierjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”, f.102 nga Shpend Kursani: http://www.qkss.org/repository/docs/Shkaqet_dhe_pasojat_e_perfshirjes_se_qytetareve_te_Kosoves_si_luftetare_te_huaj_ne_Siri_dhe_Irak_820753.pdf (Botuar nga QKSS, organizatë e cila këtë projekt e ka konkretizuar në forma të takimeve me zyrtarë komunalë, policorë, e fetarë, p.sh: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Ne-Vushtrri-Diskutohet-per-Ekstremizmin-Fetar-ne-Kosove-7992 dhe http://koha.net/?id=27&l=73163 )

[ii] Për shembull, së fundi nga Ministri i MPB-së z. Hyseni http://koha.net/?id=27&l=71351

[iii] Ministri i MPB-së, z. Hyseni, në një intervistë në RTK: https://www.youtube.com/watch?v=2_OLS-h-8uI (intervista e e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=f4wmKH0YznU)

[iv] Për një tendencë të këtillë shih për shembull artikullin “Komunitetit mysliman i kërkohet punë për parandalimin e ekstremizmit [fetar]” ku bëhet fjalë për një tryezë në të cilën aludohet se komuniteti mysliman përfaqësohet nga zyrtarë të organizatës fetare Bashkësia Islame e Kosovës: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Komunitetit-Mysliman-i-Kerkohet-Pune-per-Parandalimin-e-Ekstremizmit-8055.

[v] Shih, për shembull këtë deklarata të një zyrtari policor nga “Njësia për parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm”: http://www.zeri.info/aktuale/49138/policia-ka-imame-qe-po-ligjerojne-fshehurazi-kunder-parimeve-te-islamit/

 

Botuar në Gazeta Jeta në Kosovë (www.gazetajnk.com) më 16 shkurt 2015.

Burimet e radikalizimit islam

In Fe on 29 September, 2014 at 06:39

Gëzim Selaci

Kjo që në Kosovë po bëhet në emër të “luftës kundër radikalizmit islam”, në të vërtetë po e ushqen atë. Kur aparati ideologjik i shtetit dështon të edukojë qytetarin në frymë të emancipimit dhe mendimit kritik, e për pasojë të rinjtë bëhen pre e lehtë e ligjërimeve fetare ekstremiste, aparati i dhunës ndërhyn vetëm për të përkeqësuar gjendjen. Veç autoriteteve shtetëroe, mendoj se përgjegjës për radikalizimin islam janë edhe politika, media, autoritet fetare dhe predikuesit e caktuar fetarë. Në vazhdim përpiqem me shpjegu si, e me i ofru disa shpjegime që mendoj se ndihmojnë për të kuptuar drejt problemin e radikalizimit.

 

Meqenëse qëllimi i këtij artikulli nuk është të gjykojë, por të analizojë, këtu nuk flas për radikalizëm (-izëm), domethënë praninë e ekstremit të dhunshëm islam në Kosovë, si një fakt (ndonëse është i pranishëm, sado që në masë të vogël dhe që vepron jashtë vendit), por për radikalizim (-izim), domethënë për zhvillimin (ose mundësinë e zhvillimit) të një ideologjie ektremiste të dhunshme bazuar në interpretime të caktuara të Islamit.

 Sfondi

Radikalizimi islam nuk mund të kuptohet drejt e në rrënjë pa iu referuar sfondit më të gjerë në të cilin shfaqet ai në nivel ndërkombëtar. Këtu e kam fjalën për rrethanat në botë, si diktaturat e regjimet autoritare në shtete të Lindjes së Mesme, luftërat atje dhe ndërhyrjen e shteteve perëndimore që kanë nxitur radikalizimin e lëvizjeve shoqërore e politike islame. Më pas, në epokën globale të komunikimit idetë e gjeneruara nga këto lëvizje barten më lehtë e më shpejtë në shoqërinë tonë në saje të kontakteve të ndryshme dhe komunikimit global me satelit e internet. Mirëpo, meqenëse këto janë procese në të cilat shoqëria jonë nuk mund të ndikojë, do të përqëndrohem tek shpjegimet e tjera që më drejtpërdrejt kanë të bëjnë me dinamikën dhe dukuritë që shfaqen brenda shoqërisë, e për të cilat jemi të gjithë përgjegjës.

Ideologji me qëndrime ekstremiste që sfidojnë normat e pranuara gjerësisht lindin edhe në saje të zbehjes së besimit tek narrativat ose ideologjitë mbizotëruese tek ne, domethënë tek ideologjia nacionaliste dhe ajo demokratike liberale të tillë çfarë e njohim në Kosovë. Nacionalizmi shqiptar – që ishte forca e rezistencës popullore gjatë pushtimit serb – në kohën e sotme, kur ka dështuar ta realizojë aspiratën që ta bëjë Kosovën shtet të shqiptarëve dhe kur Kosova është e orientuar drejt integrimit në bashkësinë post-nacionaliste europiane, nuk është se mobilizon e frymëzon, sidomos brezat më të rinj. Nga ana tjetër, këtë nuk po e bën as demokracia liberale kosovare. Ajo po dështon të bëjë shtetin funksional të popullit dhe për popullin, e të zhvilluar ekonomikisht frytet e të cilit do t’i gëzonin qytetarët pa dallim. Shoqëria lëngon nga korrupsioni në nivelet më të larta të shtetit, moszhvillimi i pritur e i premtuar ekonomik, formimi gradual i një klase oligarkësh dhe udhëheqja autoritare duke iu falënderuar si faktorëve të jashtëm: misioneve, ambasadave e organizatave të jashtme, ashtu dhe të brendshëm: partive politike të cilat më shumë po i ngjajnë grupeve të interesit se sa grupeve partiake që përfaqësojnë interesa qytetarësh. Për pasojë, shumë njerëz nuk po gjejnë kuptim në këto dy narrativa: njerëzit po humbin narrativën kombëtariste, e nuk po e ndërtojnë narrativën e re liberale, andaj po gjejnë prehje tek ideologjitë alternative ekstremiste.

 Shkaqet

Më tutje – si pasojë e korrupsionit shtetëror, nepotizmit e zaptimit të shtetit dhe institucioneve publike nga militantë partiakë – aparati ideologjik shtetëror po dështon që, përmes sistemit arsimor e kulturor, të edukojë dhe formojë qytetarin. Institucionet e arsimit dhe edukimit, shkollat janë të kapura nga rrjete militante e nepotiste që nuk angazhohen për interesa publikë, por për ruajtjen e forcimin e pozitës së tyre në shoqëri. Ka shumë nxënës që dalin nga sistemi jonë arsimor ku kryejnë plot dymbëdhjetë vjet shkollë dhe nuk kuptojë një materie mesatarisht të komplikuar të shkruar në gjuhën e tyre amtare, e nuk dinë të shkruajë as edhe një paragraf koherent me përmbajtjen më të thjeshtë. Universiteti është shndërruar në një shkollë ku ofrohet mësim plotësues, e ku më kot synohet të kompensohen dijet e aftësitë themelore që ishte dashur të mësohen në shkollën fillore e të mesme. Si mund të shpjegohet ndryshe futja e lëndëve gjuha shqipe dhe gjuha angleze si lëndë të obligueshme për studentët në të gjitha drejtimet e studimit. Në universitetin që gjithnjë e më tepër i ngjan institucionit të blerjes së qetësisë sociale, as procesi mësimdhënies nuk kryhet me rregull e si duhet, ndërsa hulumtimet shkencore janë utopi: kushtet për një veprimtrari të tillë janë tejet të pavolitshme, kurse shtytësit krejt minimalë. Shërbyesi publik i informimit, Radio dhe Televizioni i Kosovës, është një organizatë e cila punëson qindra njerëz[i] dhe përveç sektorit të lajmeve (që më shumë bën propagandë se sa informim të drejtë e të barazpeshuar), zor se kemi parë që prodhon emisione inteligjente me vlerë edukuese e analitike.

Këtë vakum e kanë plotësuar predikuesit fetarë të cilët komunikojnë me komunitetin drejtpërdrejt dhe përmes kanaleve të komunkimit masiv, televizion e platforma në internet ku ofrojnë përgjigje për çdo shqetësim të ngritur nga besimtarët. Disa nga këta predikues, por edhe politikanë, shfrytëzojnë këtë situatë të favorshme për të propaguar ide ekstremiste, e ndonjëherë edhe të dhunshme. Këta shërbehen me një ligjërim fetaro-ideologjik që është absolutist, përjashtues e jotolerant, sektar, e politik – e kohëve të fundit – me tendenca të sfidohet karakteri shekullar i shtetit, që tek ne propagon një nga interpretimet më literaliste e sipërfaqësore të teksteve e traditës fetare islame. Në varësi se si e pranojnë besimtarët këtë ligjërim nga predikuesit dhe sa seriozisht i marrin këto mësime, një ligjërim i tillë mund të prodhojë besimtarë me ide e qëndrime ekstremiste, e në varësi prej rrethanave të tjera psiko-sociale e ekonomike, edhe mund të radikalizojë pjesëtarë të caktuar të komunitetit të besimtarëve.

Autoritetet fetare Islame nga Bashkësia Islame e Kosovës, edhe ato vetë të zhytura në menaxhim jo transparent e keqmenaxhim të institucioneve fetare dhe fondeve të tyre, e madje në veprime korruptive, kanë shkëputur lidhjen me komunitetin e besimtarëve duke reduktuar aktivitetet e tyre në ceremoni fetare e mortore dhe nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të zhvilluar interpretime alternative që do t’u jepnin përgjigje çështjeve e shqetësimeve të ngritura viteve të fundit. Zatën, këta predikuesit fetarë që propagojnë interpretimet fundamentaliste janë popullarizuar pikërisht në kontekst të kësaj letargjie të Bashkësisë Islame dhe vetizolimit të saj nga çështjet e komunitetit.

Kontribuesit

Këto pra mendoj se janë shkaqet e drejtpërdrejta të shfaqjes së ideologjive ekstremiste. Mirëpo, këta prijës e këtyre ideologjive dhe ithtarët e tyre mund të radikalizohen edhe si pasojë e reagimeve të aparatit shtetëror të dhunës që po hedhin benzin në zjarr me ndjekje e arrestime të ndikuara nga politika e të kryera me bujë. Është e kuptueshme se ky reagim i autoriteve shtetërore nxitet nga kërkesat e doktrinës së “luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar” (për të cilin nuk ka një pajtim të gjerë tek shoqëritë demokratike dhe bashkësia ndërkombëtare, e as që është treguar efikase si doktrinë). Të kujtojmë se arrestimet janë kryer jo shumë kohë pas botimit të Raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan për Liritë Fetare për vitin 2013 në Kosovë ku përmenden imamë me prirje ekstremiste prej të cilëve dy janë arrestuar.[ii] Të kujtojmë gjithashtu, se vetëm dy ditë para arrestimeve të 17 shtatorit është mbajtur takimi me drejtues të institucioneve të sigurisë në Kosovë ku morën pjesë Presidentja dhe Kryeministri i vendit.[iii] Këto arrestime u përshëndetën nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues diplomatikë në vend. Vetëm disa ditë më pas mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku Presidentja e vendit do të informonte për masat ligjore e të sigurisë që Kosova po ndërmerr në luftën kundër “radikalizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar” – qysh tjetër pos që – duke arrestuar “klerikë radikalë”.[iv] Vetëm pak ditë ditë pas kësaj deklarate nga kreu i shtetit në New York, më 25 shtator, dy prej imamëve të arrestuar lirohen të mbrohen në liri nga prokurori për mungesë provash.

Kjo kronologji e ngjarjeve që i kanë parapritë arrestimeve të 17 shtatorit dhe ato ngjarje që kanë pasuar, japin arsye të forta për të dyshuar në ndikimin politik, nga jashtë e brenda, në këtë proces. Kjo ndërhyrje e politikës vetëm po ndihmon të humbet besimi (edhe ashtu i ulët) në sistemin e drejtësisë, ndërsa prijësit fetarë e ideologjikë legjitimohen si udhëheqës të kauzave të drejta.

Kundëreagimi ekstremist i prijësve fetarë nxitet edhe nga trajtimi i pabarabartë që sistemi i drejtësisë po bën ndaj prijësve fetarë – të akuzuar për shpërlarje parashë, nxitje të urrejtjes, e të ekstremizmit ose terrorizmit – në raport me krimin në nivelet e larta të shtetit dhe kërcënimin e rendit kushtetues nga ana e grupeve e kategorive të tjera politike e fetare. Përkundër dyshimeve të ngritura nga agjenci të ndryshme (shembujt janë të shumtë e të njohur), ne nuk kemi parë mjaft arrestime, e as ndëshkime meritore të politikanëve e biznismenëve për shpërlarje parashë, korrupsion, e gjuhë të urrejtjes.

Reagim ekstremist nxitet edhe si pasojë e trajtimit të pabarabartë të komunitetit mysliman në raport me komunitetet e tjera fetare dhe jo fetare (në veçanti në krahasim me atë ortodoks) në ligjërim publik: Islami si ideologji, por edhe si fe targetohet shpeshherë në sferën publike – foltore të organeve shtetërore, e të politikanëve, në media, etj. – por edhe në veprime e sanksione konkrete (si kjo e ndalimit të shamisë në shkolla). Sado që kjo mund të tingëllojë si një përfundim i ngutshëm, atëherë të mendojmë se nëse do të trajtohej një fe a organizatë fetare ose jo-fetare tjetër në të njëjtën mënyrë siç trajtohet Islami si fe dhe si ideologji, nuk do të mund të kalonte pa u qortuar nga mbrojtës të të drejtave të besimit, të njeriut, e të komuniteteve. Mendoj se, duke e parë këtë rreshtim të organeve të shtetit për të trajtuar qytetarët dhe besimet (fetare në këtë rast) në mënyrë të pabarabartë, organizatat e shoqërisë civile – si mbrojtëse nga ndërhyrja shtetërore në secilin segment të jetës shoqërore – ishte dashtë me e ngritë zërin për hir të mbrojtjes së lirisë së shprehjes e besimit, paanësisë së shtetit, dhe mbrojtjes së qytetarit nga gjykatat e politizuara, pavarësisht nëse kjo ka të bëjë drejtpërsëdrejti me këto organizata dhe me diçka që atyre u pëlqen.

Gjithashtu, nxitës është edhe trajtimi në ligjërimin publik që u bëhet personave fetarë që kryejnë ritualet e ndjekin një standard fetar të pamjes së jashtme (në veshje, mjekër, sjellje e të folur) duke mos bërë dallim mes tyre dhe radikalëve që mund apo nuk mund të duken njësoj. Një nga shembujt e kësaj është barazimi i personit që bart mjekër të gjatë për motive fetare me “islamistin radikal”. Ky thjeshtëzim e demonizim është i padrejtë, por edhe i rrezikshëm. Duke i “futur të gjithë në një thes” vetëm mund t’i radikalizojë të parët duke i homogjenizuar këto kategori.

 Si të adresohet

Çështja e radikalizimit islam duhet adresuar në nivelet të cilat u identifikuan më lartë si shkaqe dhe kontribues, e të mos kërkohet zgjidhja aty nuk është problemi që të rritet më tepër problemi. Radikalizimi nuk pengohet duke vënë në shënjestër individë e grupe që dikujt mund të mos i pëlqejnë për mënyrën se si duken e çfarë flasin, e as demonizimi e trajtimi i tyre ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë. Kjo vetëm mund të prodhojë më shumë ekstremizëm.

Lufta kundër ekstremizmit e fundamentalizmit është luftë ideshë. Nëse këtu dështohet, lufta është humbur. Në përgjithësi, duhet hartuar politika arsimore, ekonomike e mediale që të edukojmë qytetarë në frymë të lirisë politike e shoqërore, barazisë dhe mendimit kritik. Në veçanti, duhet hartuar politika konkrete qeveritare, por lypset edhe angazhim i segmenteve nga jeta kulturore, akademike, fetare e mediale që do të analizonin e pengonin zhvillimin e ekstremizmit, e jo konstatime të thjeshtëzuara nga zyrtarë të qeverisë për profilet e radikalistëve që mund të shndërrohen në profeci vetëpërmbushëse.

Mënyra se si organet e shtetit dhe mediat po i adresohen këtij kërcënimi ndonjëherë real e ndonjëherë të imagjinuar, në vend se të zgjidh probleme, rrezikon të sjellë më shumë telashe. Çështjet duhet zgjidhur në mënyrë të menduar, duke identifikuar rrethanat e gjetur shkaqet e radikalizimit, në mënyrë që problemit t’i adresohemi aty ku është, e jo të krijohet një karikaturë e “radikalistit” a “ektremistit” islam, e më pas të demonizohen e akuzohen njerëz pa të drejtë, duke lënë shkaqet më të drejtpërdrejta të kësaj dukurie të paprekura.

[i] http://www.gazetaexpress.com/lajme/drejtori-rtkse-shala-ne-rtk-punojne-mbi-600-punetore-dhe-eshte-e-pamundur-qe-te-kontrollohen-veprimet-e-secilit-119/

[ii] http://www.state.gov/j/drl/rls/irf/religiousfreedom/index.htm?dlid=222231&year=2013#wrapper

[iii] http://www.president-ksgov.net/?page=1,6,3542

[iv] http://www.foxnews.com/world/2014/09/23/kosovo-president-europe-cant-be-corridor-for-islamic-jihad/

Botuar më 17 Prill 2015 në Gazeta Jeta në Kosovë online (http://gazetajnk.com/?cid=1,983,9735)