gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘demokracia’

Për një kontratë të re politike!

In Politikë on 8 March, 2016 at 18:15

Gëzim Selaci

Vendit i duhet një kontratë e re politike mbi të cilën kishte me u ngritë një marrëdhënie e re legjitime ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve. Ajo opozitë që arrin me i bind qytetarët se ka vullnet e forcë me e ndërtu një marrëdhënie të këtillë, ka një kauzë me të cilën arsyeton opozitarizmin e saj dhe mund të shpresojë në përkrahjen popullore.

Kur tensionet ndërmjet qeverisë dhe opozitës ngriten në këtë shkallë, retorika politike i përdor më së tepërmi togfjalëshat “në të mirë të qytetarit”, “në emër të popullit” dhe “në interes të republikës” për të arsyetuar qëndrimet e tyre politike dhe me synimin që konfliktin politik ta paraqesin si betejë ndërmjet“të keqes”, e “të mirës”, “të patriotëve” e “tradhëtarëve”, të bardhës e të zezës, engjëjve e djajve. Mirëpo, kur politikanët polarizohen deri në këtë shkallë që po e shohim tani, atëherë shqetësimi për qytetarin e republikën lihet nën hijen e shqetësimit për mbijetesën e liderëve partiakë ose namin e partisë.

Mirëpo, ideali i republikës së Kosovës nuk po realizohet pikërisht për shkak të “kapjes së shtetit” në radhë të parë, siç e ka quajtur me të drejtë opozita gjendjen e shtetit në të cilën partitë politike, liderët e tyre dhe politikanët kanë shtënë në dorë institucionet dhe agjencitë e pavarura të shtetit.

Tutje, ideali i Republikës shkon poshtë kur gjyqësori e policia prioritet faktik e kanë ndjekjen e opozitës në shtetin më të kriminalizuar; kur retorika e tëgjitha qeverive ka qenë “integrimi euro-atlantik” i shoqërisë më të varfër e më të paarsimuar me ndarje të thella etnike e sociale; kur liderët e partive dhe politikanët më të pushtetshëm dyshohen për krim e korrupsion, e “bashkësia ndërkombëtare” mbështet këta politikanë ose hesht ndaj krejt këtyre, ndërkohë që ajo jorradhëherë cakton agjendën politike në vend. Dhe, ironikisht, në mes të kësaj gjendjeje, zori ma i madh i opozitës është anulimi i marrëveshjeve me shtetet fqinje!

Read the rest of this entry »

Advertisements

Politika është lojë

In Politikë, Uncategorized on 16 December, 2015 at 20:37

Gëzim Selaci

Në demokraci, partitë mund të kenë shumë qëndrime politike për një çështje. Mirëpo, qëndrimi i tyre përkitazi me pranimin e institucioneve politike të shtetit është një: ato pranohen si hapësira kryesore ku bëhet politika demokratike, me qëllim të avancimit të qëndrimeve të tyre, por edhe me qëllim që të transformohen ato institucione. Në këtë artikull argumentoj se ka dallim ndërmjet qëndrimit politik dhe qëndrimit ndaj institucioneve politike, pra hapësirave dhe rregullave të bërjes së politikës. Opozita e tanishme kosovare nuk po e bën këtë dallim.

Tash e tre muaj, në Kosovë, partitë opozitare kanë formuar një bllok kundër “Marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe marrëveshjes për demarkacion të kufirit me një shtet fqinj. Për të kundërshtuar këto, blloku opozitar ka zgjedhur taktikën e pengimit të përgjithshëm të punëve të zakonshme të Kuvendit republikan me mjete të dhunshme.

Në këtë artikull nuk merrem me përmbajtjen e temave bosht të mospajtimit ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Aryeja është se, së pari, mendoj se kauza e opozitës nuk e justifikon bllokimin e institucioneve politike të shtetit. Së dyti, nuk janë shteruar të githa mundësitë politike, institucionale e jashtinstitucionale, për të shprehur e organizuar kundërshtimet ndaj marrëveshjeve ose aspekteve të tyre.

Dua të tërheq vëmendjen se ajo kundër të cilës argumentoj këtu është që partitë politike bllokojnë institucionet e shtetit, sidomos Kuvendit dhe për arsyet që i po i japin ato. Ndërkaq, tjetër gjë kishte me qenë nëse partitë kishin me dhënë arsye të tjera për të bojkotuar, e ndoshta edhe bllokuar institucionet. Po ashtu, tjetër gjë kishte me qenë nëse bllokimi a mosbindja kishte me buru e me u kry nga ana e qytetarëve të organizuar në forma të ndryshme të aktivizmit kolektiv jashtinstitucional, madje për të njëjtat çështje që po i ngrit opozita. Por, kjo është një temë tjetër për një diskutim tjetër…

Read the rest of this entry »

Militantizmi i opozitës në shtetin e depolitizuar

In Shtetndërtimi ndërkombëtar on 6 November, 2015 at 20:45

Gëzim Selaci

 

Militantizmi i opozitës nuk mund të shihet i izoluar nga historia politike e Kosovës së pasluftës, por si një rrjedhë e pritur e opozitarizmit në shtetin e depolitizuar të mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Këmbëngulja e opozitës për ta penguar “me të gjitha mënyrat” (edhe të dhunshme) punën e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të detyrohet kryeministri i vendit të tërhiqet nga marrëveshja për Asocioacionin e Komunave Serbe nuk mund të shihet e izoluar nga historia politike e Kosovës së pasluftës. Ky militantizëm është një veprim opozitar që vjen pothuajse pashmangshëm (ndonëse jo medoemos i justifikueshëm) në kontekstin politik të shtetit të mbikëqyrur. Cili është ky kontekst që çon pashmangshëm në militantizëm partiak? Në vijim po ofroj një shpjegim përmes një historie.

Read the rest of this entry »

Politika, feja dhe liria e shprehjes – “Vargjet satanike”

In Përkthime on 19 September, 2015 at 14:08

Bhikhu PAREKH *

Përktheu dhe përshtati: Gëzim Selaci

Kohë pas kohe shoqëria multikulturore prodhon situata në të cilat dallimet e thella në mes komuniteteve dalin në ballë dhe krijojnë kriza. Viteve të fundit asnjë ngjarje nuk i ka ilustruar këto tensione më shumë se sa diskutimi në lidhje me romanin e Salman Rushdie, The Satanic Verses (1988). Duke qenë një roman fantazi, pasazhet të cilat tallen dhe shpifin kundër Islamit dhe Profetit Muhamed në këtë roman ndodhin në një ëndërr të një personazhi. Ndonëse është një vepër në të cilën fakti dhe trillimi, realiteti dhe ëndrra me qëllim përzihen, edhe ky zhanër i ka rreziqet e veta. Ëndrra nuk mund të cilësohet ‘vetëm’ si një ëndërr dhe ëndërruesi ‘vetëm’ si një personazh i çmendur.

Kundërshtimet e myslimanëve

Menjëherë pas botimit të librit, myslimanët britanikë filluan fushatën kundër tij. Kundërshtimet e tyre ishin të trefishta. Së pari, libri bëri një shpjegim plotësisht të pasaktë për Islamin dhe shpërndau “rrena të ulëta” për të. Së dyti, myslimanët thoshin që libri është fyes, gojëndyrë, i vrazhdë dhe shpifës në mënyrën se si e trajton burrin dhe gruan të cilën e mbanin për të shenjtë. Së treti, ankesa e myslimanëve ishte se libri i kishte përulur e poshtëruar ata në sytë e vetvetes dhe të botës. Ai përforconte shumicën e stereotipave tradicionale dhe i shtonte disa të tjera duke i paraqitur ata si barbarë.

Nëse nuk mund të ndalohet në tërësi, ata kërkonin që së paku nga libri të hiqeshin pjesët ofenduese. Dhe në mënyrë që botime të tilla provokuese të mos ketë në të ardhmen, ata kërkonin që ligji ekzistues i anti-blasfemisë (në Angli) që mbron Krishterimin të përfshinte edhe fetë tjera, sidomos Islamin.

Pasi që mediat nuk u kushtonin vëmendjen protestave të tyre, ata u këshilluan nga dikush të thërrisnin mediat kombëtare dhe në prezencë të tyre të digjnin librin. Pasi e bënë këtë ata siguruan publicitet të shpejtë kombëtar, por jo të tillë çfarë e dëshironin ata. Në vend se të stimulojë një diskutim të arsyeshëm të ankesave të tyre, djegia e librit shkaktoi dënime të rrepta. Ata u quajtën “barbarë”, “të paqytetëruar”, “fanatikë” dhe u krahasuan me nazistët. Pothuaj asnjë media nga e përmendi se vetëm para pak javësh deputetë të Partisë Laburiste kishin djegë në publik një kopje të rregullave të reja raciste në lidhje me imigrimin.

Protestat myslimanë në Britani filluan të tërheqin vëmendjen ndërkombëtare. Disa udhëheqës myslimanë në mënyrë të pamatur ndërkombëtarizuan çështjen duke kërkuar përkrahjen e kryetarëve të shteteve myslimane. Si përgjigje Ajatollah Khomeini shpalli dënim me vdekje kundër Rushdie-s. Fetvaja e Khomeinit bëri një kthesë në zhvillimin e vetëdijes së myslimanëve. Tolerantë dhe madje të ndruajtur deri atëherë, komuniteti mysliman në Angli befas shijoi ndjenjën e fuqisë. Kjo ndjenjë, e kombinuar me pasionin e ligë për hakmarrje pse kishin qenë të injoruar për një kohë të gjatë, krijoi një disponim agresiv te disa prej tyre. Ata që dinin më mirë nuk kishin kurajën për t’ua tërhequr vërejtjen vëllezërve të tyre në fe. Shtypi britanik prirej të rëndonte gjendjen. Duke dërguar korrespondentë për të intervistuar liderët myslimanë dhe të rinjtë dhe duke i hutuar ata me pyetje sugjeruese, krijoi një përshtypje të përgjithshme se të gjithë myslimanët vlonin e shkumëzonin nga shpirti gjakatar i hakmarrjes. Padashur, shtypi e bashkoi komunitetin mysliman, krijoi një ortodoksi të re dhe përkrahjen e fetvasë e bëri shenjë dalluese të identitetit dhe solidaritetit mysliman. Vetëm disa myslimanë që nuk e përkrahnin fetvanë e Khomeinit patën guxim apo mençuri për t’u shkëputur nga ajo, e të mos flasim për kundërshtimin e saj. Kërkesat e myslimanëve nuk u pritën shumë seriozisht. Pjesa më e madhe e shtypit liberal dhe konservativ ishte e ashpër apo armiqësore duke akuzuar myslimanët se po parapëlqejnë një shoqëri teokratike dhe Britanisë po i sjellin vetëm turp. Kundërshtimi i qëndrimit të myslimanëve ishte aq i egër saqë edhe disa liberalë (siç ishte një profesor katolik i Oxfordit) që guxuan ta kritikojnë Rushdien pse nuk kishte fyer ndjenjat e njerëzve duke fyer atë që ata e mbanin për më të dashurin, u bënë temë e kritikës së padrejtë.

Për sa u përket çështjeve që i kishin ngritur myslimanët ato pranuan shumë pak përgjigje. Vetëm thuhej se “parimet fundamentale” të shoqërisë britanike janë të panegociueshme, përfshirë këtu të drejtën e fjalës dhe shprehjes dhe tolerimin e mendimeve të ndryshme.

Pasi që pasionet e protestuesve myslimanë ishin ftohur, gjendja ndërroi paksa, dhe nxori debatet e vonuara përbrenda komunitetit mysliman dhe shoqërisë së gjerë. Disa shkrimtarë myslimanë pyetën se mos ja kishin tepruar duke e përkrahur fetvanë, si duhet të pajtohen me parimin liberal të lirisë së shprehjes dhe cilat ishin të drejtat dhe obligimet e tyre si imigrantë. Në përgjithësi u pranua se çështjet fetare meritojnë të diskutohen me ndjeshmëri më të madhe, se feja ka një rol të çmueshëm shoqëror, se ajo nuk duhet të rrënohet nga sulmet e marra dhe se armiqësia e përhapur për fenë duhet të rishqyrtohet. Duke iu falënderuar këtij debati të brendshëm që ndodhte edhe në shtyp edhe në takimet joformale, shoqëria britanike nisi të nxjerrë pikëpamje të ndryshme që nuk kishte ndodhë më parë. Individë nga dy komunitetet filluan të mendojnë për tjetrin, ngurtësia u zbut dhe gjuha e përbashkët nisi të shfaqej. Mendimet kritike të vetë Rushdit dhe pranimi i tij për një gabim në vepër pas një viti e lehtësuan procesin.

Logjika e diskursit politik

Një, çështjet e diskutueshme mund të zgjidhen relativisht lehtë ose së paku të ndalohen që të mos dalin nga kontrolli nëse identifikohen, izolohen dhe trajtohen në fazë të hershme. Edhe rasti i Rushdit me siguri se do të ishte zgjidhur në mënyrë paqësore në një fazë të hershme nëse kërkesat do të konsideroheshin kërkesat e arsyeshme të myslimanëve dhe nëse Rushdi që nga fillimi të kishte një qasje pajtuese, siç e kishte një vit më vonë.

Dy, grupet e përfshira në debate publike për çështje të rëndësishme në shoqërinë mulikultutore shpeshherë keqkuptojnë njëri-tjetrin, sepse secili priret të definojë çështjen sipas kuptimit të tyre që shpeshherë nuk janë të kuptueshme për të tjerët dhe sepse kuptimi i tyre për historinë, formimin kulturor dhe mënyrën e jetës së tjetrit është shumë i kufizuar. Shumica e autorëve britanikë, konservativë dhe liberalë, argumentonin se myslimanët po e kundërshtonin lirinë e shprehjes, ndërsa ata në të vërtetë vetëm pyetnin pse liria e shprehjes do të duhej të bënte shënime të pavërteta dhe thellë fyese për fenë. Këto dy grupe dinin pak për mendimin dhe jetën e njëri-tjetrit. Debati do të shkonte mirë sikur të dy palët do të ishin bikulturorë apo të bënin përpjekje të vërteta për të hyrë në mënyrën e të menduarit të palës tjetër.

Tre, ndonëse dialogu është mënyra e vetme morale për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme, ai nuk është gjithherë i pranishëm, madje edhe në shoqëritë më demokratike. Secila shoqëri priret të marrë për të zakonshme disa gjëra ose qëllimisht t’i mbajë larg opinionit shpërthyes publik.

Katër, debati politik jo rëndom është në mes të barabartëve. Kjo veçanërisht është e pranishme në shoqëritë multikulturore, siç janë emigrantët e rinj dhe ata që një kohë të gjatë kanë qenë të heshtur, në të cilën disa grupe vuajnë nga situatat e pafavorshme. Si rezultat, pakica e frustruar ose tërhiqet në një gjendje thellë të zymtë ose i kthehet dhunës për të tërhequr vëmendjen e publikut. Një mënyrë për të shmangur një situatë të këtillë është forumi publik ku do të diskutoheshin çështjet e rëndësishme nga ana e përfaqësuesve të secilit grup.

Pesë, diskutimi politik nuk është i qetë dhe i arsyeshëm sikurse diskutimi akademik; në të vërtetë edhe ai akademik asnjëherë nuk është tërësisht i udhëhequr vetëm nga “pesha” e argumenteve.

Më në fund, rasti i Rushdit tregoi se si traditat politike dhe ndërtimi kushtetues i një vendi formojnë natyrën, përmbajtjen dhe stilin e diskutimit politik. Diskutimi politik, pra, varet nga konteksti dhe kultura, dhe kurrë nuk është plotësisht i bazuar vetëm në argumente dhe asnjë model i vetëm nuk është i përshtatshëm për të gjitha shoqëritë.

Liria e shprehjes

Çështja e dytë e rëndësishme e ngritur nga rasti i Rushdit ka të bëjë me natyrën, bazën dhe kufizimet e lirisë së shprehjes. Argumentohet se liria e shprehjes duhet të jetë sa më e përputhshme me kërkesat e rregullit dhe qetësisë publike. Ruzhdi thoshte se ai është i lirë të fyejë të tjerët dhe të satirizojë besimet e tyre të thella, por ai nuk shpjegon pse ata duhet ta pranojnë këtë. E drejta e tij për t’u shprehur imponon një detyrë për ata që të përmbahen nga pengimi i tij edhe kur të fyhen besimet e tyre të thella nga pohimet e tij.

Asnjë vepër letrare nuk mund të jetë e lirë nga përgjegjësia morale e shoqërore dhe normat e mirësjelljes. Pse dhe si është në interes të të gjithëve të lejohet maksimumi i mundshëm i lirisë së shprehjes.

Gjithashtu duhet të bëjmë dallim në mes formave të ndryshme të të folurit dhe ta dimë se jo të gjitha meritojnë mbrojtje të njëjtë.

Liria e shprehjes nuk është vlera e vetme dhe më e madhja. Ajo duhet të balancohet me vlerat e tjera siç janë shmangia nga lëndimi i panevojshëm, harmonia shoqërore, kultura njerëzore, mbrojtja e të dobëtit dhe vetërespekti e dinjiteti i individëve dhe grupeve. Asnjë vlerë nuk ngadhënjen mbi të tjerat, dhe rëndësia e tyre relative mund të gjykohet vetëm në dritë të kontekstit shoqëror dhe kulturor dhe konsekuencave të ngjashme. Nuk ka një formulë të ngurtë se si të pajtohen këto vlera; varet nga historia, traditat, rrethanat politike dhe nga faktorë të tjerë në shoqëri. Pasi liria e shprehjes është vlerë e rëndësishme dhe pasi që nuk mund t’i besohet qeverisë ta rregullojë atë, skajet e saja më së miri mund të definohen nga kolegjet redaksionale, shoqatat e botuesve, mosmiratimi publik etj. Prandaj nuk është e rastit pse India më parë kishte kundërshtuar botimin e Vargjeve Satanike dhe tani gazetat britanike kundërshtojnë botimin e karikaturave.

Në dritë të diskutimit tonë myslimanët kanë pasur të drejtë të protestojnë kundër librit. Protestat e tyre kanë pasur katër qëllime legjitime: të shprehin mosmiratimin e tij, të shtyjnë shkrimtarët e ardhshëm që të jenë më të ndjeshëm dhe të kufizuar kur të shkruajnë, të vënë pyetje të rëndësishme në agjendën politike dhe të bindin shoqërinë britanike për të shqyrtuar sërish pikëpamjet e saj për natyrën dhe kufijtë e lirisë së shprehjes. Myslimanët kanë pasur të drejtë të bëjnë gjithçka të nevojshme për të arritur këto objektiva, përfshirë edhe demonstrata të mëdha, presionin ekonomik dhe ndoshta djegien e librit. Por ajo që ka kaluar kufijtë e këtyre formave ishte e pajustifikuar dhe jo e mençur.

Gjithashtu duhet të rishqyrtohen standardet e pikëpamjeve shekullariste për vendin e fesë në jetën politike. Por edhe nga fetarët duhet të kërkohet që të pranojnë detyrimet e shoqërisë demokratike.

 

Marrë nga: Parekh, Bhikhu (2000) Rethinking Multiculturalism: Cultural Diversity and Political Theory. (Harvard UP)

* Profesor në London School of Economics dhe University of Wesminster në Londër dhe autor i një numër monografish në fushë të teorisë politike.

Kosovarët e deshën ndryshimin, por nuk e gjetën atë

In Politikë on 14 October, 2014 at 07:04

Gëzim Selaci

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë u mbajtën në qershor të 2014-tës. Si rezultat i shtyrjeve – për mendimin tim – të pandershme e në frymë jodemokratike të partive për pushtet, publiku kosovar tërë verën është torturuar me pritje të epilogut të vonuar për shkak të orvatjeve e komplikimeve që partia në qeverinë e kaluar po shpikte me qëllim që ta ruante pushtetin.

Tani, pas katër muajsh zgjedhje, kur po duket se nuk mund të shtyhet më dhe se duhet zhbllokuar këtë gjendje, me marrëveshje ndërmjet partive ose me zgjedhje të jashtëzakonshme, është koha të mendojmë se çfarë presim nga qeveria e ardhshme dhe si të vlerësojmë sinqeritetin e premtimeve të saj. Por, të nisim duke rikujtuar edhe njëherë do fakte për zgjedhjet dhe të reflektojmë se çfarë mund të kuptojmë prej tyre për votuesit dhe partitë politike.

 

Për kë votuan kosovarët

Nëse mund t’u besohet statistikave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e përgjithshme në qershor të vitit 2014 numri i qytetarëve me të drejtë vote është shtuar për afër 167 mijë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2010. Sado që ka arsye për të dyshuar në saktësinë e listës së votuesve,[i] sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, përkundër këtij shtimi, numri i personave që kanë votuar është shtuar vetëm për afër 28 mijë.[ii]

Por, çfarë tregon rezultati i këtyre zgjedhjeve? Pyetjet që mund të shtrohen kur kemi parasysh këto të dhëna janë: Si të shpjegohet rënia e përqindjes së votuese krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2010? Si ta kuptojmë dështimin e partive politike, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, të mobilizojnë më tepër votues?

Partia udhëheqëse në qeverinë e deridjeshme (PDK), përkundër rritjes së pagave për sektorin publik, pensioneve e ndihmës sociale dhe uljes së tarifave të shkollimit në universitetet publike, (bashkë me partitë e tjera në koalicion) nuk mori as një të tretën e votave të përgjithshme, duke mos shtuar kështu numrin e votave të marra që nga zgjedhjet e fundit në vitin 2010, përkundër ngritjes të numrit të votuese që nga ajo kohë. Çfarë tregon kjo, si dhe fakti që partia në koalicionin e kaluar qeveritar, AKR, nuk siguroi asnjë ulëse në kuvendin e ri?

Nga ana tjetër, përse partitë opozitare dështuan të mobilizojnë votuesit në përgjithësi, e sidomos votuesit e rinj që iu kanë shtuar vendit që nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2010?[iii]

Mirëpo, edhe këto këto vota të opozitës, a janë në të vërtetë për opozitën, apo vetëm vota proteste kundër pozitës në kushte të gjendjes së mjerueshme ekonomike e sociale dhe të dështimit të sistemit shëndetësor, arsimor, të drejtësisë, e të tjera?

Përgjigjet për këto pyetje do të mund të gjindeshin tek vetë sjellja e partive në opozitë gjatë mandatit të qeverisë së kaluar. Mendoj se votat që i shkuan këtyre partive, më tepër ishin vota kundër qeverisë së deridjeshme, se sa për opozitën. Kjo ka nodhur ngase qytetarët gjatë mandatit të fundit qeverisës as që kanë parë një opozitë reale e efikase, që ofron një alternativë bindëse për një mënyrë ndryshe të qeverisjes. Ndryshe, partitë e ashtuquajtura opozitare, po të shiheshin si opozitare e të ndryshme edhe në sytë e qytetarëve do të kishin mobilizuar shumë më tepër votues se sa që arritën ta bëjnë.

Kjo është përshtypja ime. Sido që të jetë, bashkimi i opozitës në një koalicion qeveritar nuk duhet t’i shtyjë këto parti ta harrojnë faktin se ato u mundën nga qeveria e deritanishme, e të vetëmashtrohen se qeverinë po e formojnë në saje të mbështetjes popullore. Në të vërtetë, mendoj se ky vetmashtrim e krenaria ngadhënjimtare do të ishte vetë garancia se me qeverinë e re nuk do të ndryshojë asgjë. Partitë opozitare nuk duhet të harrojnë se nuk ishin votuesit përgjegjës përse shumica e votave, megjithatë, i shkoi partisë udhëheqëse në qeverinë e deridjeshme, por duhet të reflektojnë mbi vetveten e të marrin fajin mbi vete përse votuesit nuk gjetën perspektivën e ndryshimit tek ato.

Mendoj se numri i vogël i votave si për partitë në qeverinë e deridjeshme ashtu dhe për ato opozitare, tregon se kosovarët nuk ishin të kënaqur me udhëheqjen e deritanishme, dhe e deshën ndryshim, por atë nuk e gjetën, madje as tek partitë në opozitë.

 

Sprovat e qeverisë së re

Nëse, megjithkëtë opozitës së deridjeshme i pëlqen të besojë se këto vota nuk janë vetëm vota kundër qeverisë së kaluar, por për opozitën, tani që duan ta udhëheqin shtetin, atëherë ajo nuk duhet të lejë përshtypjen se vetëm po synon pushtetin me çdo kusht, por duhet t’i bindë qytetarët se ka program alternativ që ka me e nxjerrë vendin prej varfërisë e mjerimit, me e përmirësu shërbimin shëndetësor publik, me kriju sistem arsimor cilësor e konkurrent.

Por, para kësaj, qeveria e re duhet të ristrukturojë radhët e veta dhe të dëshmojë punë konkrete në dy mënyra, dhe jo vetëm fjalë:

Para së gjithash, në mënyrë që qytetarëve t’iu dërgohet një sinjal se politika po dekriminalizohet, ishte dashtë që të largonin nga udhëheqja dhe radhët e saja njerëzit me biografi të dyshimtë kriminale. Gjithë kjo ndërmarrje do të vlerësohej e sukseshme nëse institucionet dhe administrata publike e kapur nga struktruat e kaluara partiake do të çlirohej përfundimisht. Përndryshe, jetëgjatësia e koalicionit qeverisës nuk do të jetë e sigurt, e madje do t’i mundësojnë partisë në opozitë (PDK-së) që më shpejt e me kredibilitet më të madh të rikthehet në pushtet. Natyrisht, se një rikthim i tillë do të ishte, përsëri, në saje të votës kundër të votuesve të zemëruar, e jo si rezultat i votës për diçka a dikë. Mendoj se modeli i parë, dmth “vota kundër”, është më larg idealit të demokracisë përfaqësuese, ndërsa i dyti, “vota për”, është më afër tij, sepse pasqyron pritshmërinë qytetare se zëri tyre do të dëgjohet në sallat vendimmarrëse e ekzekutive.

Veç kësaj, partitë në fjalë ishte dashtë të dëshmojnë një standard më të lartë të kulturës demokratike duke mos shpërblyer udhëheqësit jokompetentë e të korruptuar dhe duke u dhënë shansin anëtarëve të rinj të shquhen. Kjo domethënë se duhet rishikuar strukturat e këtyre partive me qëllim të instalimit të një sistemi më demokratik, ku vendimet do të merreshin me këshillim më të gjerë partiak, e jo në mënyrë autoritare nga lideri dhe grupi i ngushtë i tij, dhe më meritokratik, ku liderët e deritanishëm do të merrnin përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve (se humbje është) e madje edhe të shkarkoheshin nga udhëheqja e partisë, ku postet dhe përgjegjësitë do t’iu jepnin njerëve që janë dëshmuar më kompetentë në punë e veprimtari.

Për të qenë më bindëse në realizimin e këtyre dy standardeve, partitë në koalicionin e ri qeverisës të cilat kryesojnë komunat në nivel të pushtetit lokal kanë pasur kohë të mjaftueshme për të dëshmuar interesin dhe vullnetin për të ofruar qeverisje të pakorruptuar e të pakriminalizuar me udhëheqës e përgjegjës kompetentë dhe të dëshmojnë punë konkrete që ndihet drejtpërsëdrejti nga ana e qytetarëve.

Serioziteti i premtimit të opozitës së deritanishme se koalicioni është në të mirë të qytetarit do të sprovohet që nga dita e parë në rast të formimit të qeverisë. Testet që do të provojnë sinqeritetin e premtimit të qeverisë së re për qeverisje në të mirë të qytetarit janë të shumta, që nga barikada në urën mbi Ibër e deri te protestat e punëtorëve përpara qeverisë.

Pyetjet që presin përgjigje të ngutshme janë të shumta, e disa kanë të bëjnë me gabimet e qeverisë së kaluar që duhen ndrequr: barra buxhetore pas marrëveshjes së diskutueshme me konsorciumit amerikano-turk Bechtel-Enka që shpenzon 60 përqind të buxhetit të shtetit (mbi 800 milion euro) për ndërtimin e autorrugës 60 kilometërshe në drejtim të Shkupit[iv], rrezikimi i autonomisë dhe cilësisë (edhe ashtu të pakta) si rezultat i uljes së të hyrave pasi qeveria i përgjysmoi tarifat për studime në universitet, marrëveshja e arritur me Serbinë në Prill 2013 që mund të rezultojë në dobësimin e shtetit dhe forcimin e ndikimit të Serbisë brenda Kosovës… Testi me të cilin do të vlerësohet qeveria e re ka të bëjë me pyetjen se çfarë do të bëjë ajo për t’iu adresuar këtyre problemeve, e të tjerave, dhe si do t’i zgjidhë ato?

[i] Lexo këtu për dyshimet e ngritura në lidhje me saktësinë e listës së votuesve: http://gazetajnk.com/?cid=1,3,5653

[ii] Krahaso të dhënat e përgjithshme të votave të vitit 2010 http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/statistikat_e_pergjithshme_pjlirfjomf.pdf me ato të vitit 2014: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/Statistikat%20-%2020140625%20Statistics%20-%20Kosovo%20Level_jrfqfpwjwy.pdf

[iii] Krahaso numrin e votave, perqindjet dhe mandatet në Kuvend në zgjedhjet e vitit 2010: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/rezultatet_e_pergjithshme_eyeodbpohj.pdf me ato në zgjedhjet e vitit 2014: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/Ndarja%20e%20uleseve%20-20140625%20Seats%20Allocation%20with%20Parties%20Votes%20and%20Number%20of%20Seats_afqvaqzvod.pdf

[iv] Një kontratë e diskutueshme sidomos pasi u kuptuan këto: http://www.balkaninsight.com/en/article/bechtel-hires-us-diplomat-amid-kosovo-contract-controversy

Botuar në Shenja, tetor 2014 me titull: E deshën ndryshimin, por nuk e gjetën