gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘‘Plani gjashtëpikësh për Kosovën’’

‘Gjashtë pikat’ vs politikës deklaruese të Prishtinës

In Kosova, Politikë, Politikë ndërkombëtare on 28 December, 2008 at 19:13

Gëzim Selaci

A e kanë përnjëmend autoritetet e Kosovës kur deklarojnë se nuk e pranojnë planin gjashtë pikësh dhe se ai është i padetyrueshëm dhe i pazbatueshëm në Kosovë? Si është gjendja në terren, a po zbatohet ky plan, dhe a ka mundësi reale qeveria ta ndalojë zbatimin e tij?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeje, do të tejkaloj atë që është e njohur një lidhje me mungesën e pushtetit të autoriteteve vendëse në Kosovës, për të analizuar rrjedhën e ngjarjeve që sfidon politikën deklaruese të autoriteteve të Kosovës.

Është e njohur se Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Lamberto Zannier, për një kohë ka udhëhequr një dialog dhe konsultime me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë. Ky dialog ose konsultime rezultuan me gjashtë pikat e përfshira në Raportin mbi Kosovën të 24 nëntorit (S 2008/692) e i cili u diskutua dy ditë më pas në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gjithashtu, është zbuluar se Brukseli i ka informuar autoritetet e Kosovës me secilën fazë të rrjedhës së ngjarjeve që çuan deri te miratimi i planit gjashtë pikësh. Pra, justifikimi i autoriteteve të Kosovës se nuk kanë qenë në dijeni përkitazi me këtë është i kotë.

Si popull që kemi provuar mostransparencë nga ana e autoriteteve tona dhe injorim nga ana e ‘bashkësisë ndërkombëtare’, nuk do të na ishte zënë për të madhe nëse dyshojmë se edhe në këto çaste, ndërsa ne po merremi me të kryerën, diçka po ndodh… Por çfarë mund të  mund të ndodhë tani?

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dhe përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Përbashkët së Jashtme dhe të Sigurisë, Javier Solana e quajnë sukses që kanë arritur të bindin Beogradin për gjashtë pikat, ngase kjo i ka siguruar një bazë ligjore Eulex-it për të filluar nga puna. Andaj, ata nuk do ta rrezikonin këtë arritje. Sa për Prishtinën, me të ia bëjnë lehtë: një raund negociatash a konsultimesh ndërmjet Solanës dhe Prishtinës për t’i bindur autoritetet e Kosovës të pranojnë Eulex-in bashkë me gjashtë pikat në ato zona ku edhe ashtu pushtetit të Kosovës nuk iu është ndjerë pesha asnjëherë pas luftës. Dhe nuk është larg mendsh që Prishtina ta pranojë këtë nëse përkundër kësaj Solana garanton integritetin territorial të Kosovës.

Kështu, kryeministri dhe kryetari i Kosovës do të dilnin faqebardhë dhe të lumtur, sepse do të shkonte në vend premtimi i tyre se gjashtë pikat janë të parealizueshme dhe të jodetyruese, por do t’i shtoja unë: vetëm në zonat e banuara me shqiptarë e pakica të tjera, por jo edhe në ato të banuara me serb. Kështu, ngase Eulex-i mund të ketë dy forma: neutral ndaj pavarësisë dhe kushtetutës në zonat e banuara me serb, ndërsa një tjetër formë në zonat e tjera.

Natyrisht, kjo pikëpamje mbi rrjedhën e ngjarjeve është optimiste, ngase mund të ndodhë edhe ndryshe, ashtu siç parashihet në paragrafin 50 të raportit në fjalë (S 2008/692) që e detyron Eulex-in të respektojë në tërësi Rezolutën 1244 dhe të operojë nën autoritetin dhe qëndrimin asnjanës ndaj statusit të OKB-së.

Kështu flet Raporti i famshëm dhe gjendja faktike, ndryshe nga deklaratat e autoriteteve tona. Gjashtë pikat e këtij Raporti, që janë radhitur nën rubrikën Dialogu me Beogradin përfshijnë gjashtë fusha: Policinë, Doganat, Gjyqësinë, Transporti dhe infrastruktura, Kufijtë, Trashëgimia serbe. Në cilat nga këto fusha nëpër enklava Prishtina ka shtrirë pushtetin? Gati në asnjërën! Raportimet që e dëshmojnë këtë janë të përditshme dhe të shumta.

Ndërsa kryeministri dhe kryetari në vend se të na e këndojnë psalmin se gjashtë pikat janë të pazbatueshme, atyre do t’u kërkohej të na zbulojnë planin (nëse ka) se si ato janë të padetyrueshme dhe si mund të ndalojnë zbatimin e tyre në hapësirën që kurrë nuk është vënë nën juridiksionin e Kosovës dhe as që është pranuar legjitimiteti i autoriteteve në Prishtinë.

A është kjo diçka e re në realitetin e Kosovës? Në realitetin faktik, jo; edhe ashtu pushteti ndërkombëtar e vendës në Kosovës asnjëherë nuk është shtrirë në enklavat serbe. Mirëpo, kjo përbën një zhvillim në realitetin ligjor, ngase po krijohet një bazë ligjore për ndarjen e Kosovës në dy entitete ligjore, ku në secilën vlen një kod i ndryshëm ligjor: në zonat e banuara me serb rregulloret e UNMIK-ut, ndërsa në pjesën tjetër ligji i Republikës së Kosovës. (Kuptohet, sipas pikëpamjes optimiste.)

Nuk ka qenë e zorshme që nga gjendja e ndarjes faktike në terren të kalohet në një gjendje të ndarjes së ligjshme. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ne kosovarët e kemi përjetuar se sa me lehtësi gjendja faktike mund të përkthehet në realitet ligjor, pavarësisht deklaratave të politikanëve.

Se në çfarë dyshimi e vë kjo ndarje ligjore tërësinë territoriale të Kosovës, është e qartë kur të kihet parasysh rëndësia qendrore e territorialitetit në përkufizimet e shtetit sipas ligjit ndërkombëtar dhe praktikës shtetërore.

[Botuar te Gazeta Express,  Prishtinë, 28 dhjetor 2008]
Advertisements