gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘Kosova’

Legjitimiteti politik në kohën e krizës europiane

In Integrimi europian on 31 July, 2016 at 01:25

Gëzim Selaci

Botuar në: Gazeta Jeta në Kosovë më 24 qershor 2016

Periudha e zymtë që po kalon BE-ja përmes dezertimit të anëtarëve dhe gremisjes së vlerave nga shtetet brenda saj, vë në pikëpyetje vazhdimësinë e premtimit të integrimit dhe modelit të saj politikëbërës në Kosovë.

 

Misionet ndërkombëtare dhe politikanët e pasluftës në Kosovë kanë përdorë levën e projektit të integrimit në Bashkimin Europian për të legjitimuar pushtetin e tyre. Anëtarësimi në këtë bashkësi shtetesh u bë ideali kah synon shteti i ri, së paku në nivel retorike. Dështimet dhe mospuna e qeverisë si dhe papërgjegjësia e politikanëve u kompenzuan me premtime për integrim në Bashkimin Europian. Mirëpo, kur rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit europian është i pasigurtë dhe kur vetë ideja e Europës së bashkuar po kalon nëpër një krizë që po e vë në dyshim këtë ndërmarrje, çfarë do ta zëvendësojë këtë bazë të pashpresë legjitimuese dhe si do të legjitimohen politikanët e politikat e ardhshme në shoqëri, është një çështje që bart edhe rrezik për të ardhmen e shoqërisë dhe shtetit.

Read the rest of this entry »

Rruga e pakrye e “zgjidhjeve kombëtare”

In Politikat etnike on 21 June, 2016 at 12:35

Gëzim Selaci,

Botuar më 30 maj në Sbunker

 

Nëse historia e dekadave të fundit në Kosovë na ka mësuar diçka, ajo është se “zgjidhjet e çështjeve kombëtare” janë përdorë si vegël për arritjen dhe forcimin e pushtetit nga politikanë të vjetër e të rinj. Kjo nuk domethënë se në shoqëri nuk ka ndarje etnike a kombëtare, por se ato duhet të adresohen në mënyra që nuk lejojnë instrumentalizimin e komuniteteve për qëllime të pushtetit politik.

 

Në të kaluarën, dallimet e grupeve etnike në shoqërinë kosovare janë transformuar në konflikt ndër-etnik në një kontekst politik kur elitat politike në Serbi duhej të forconin bazën e tyre legjitimuese dhe elektorale në kohën kur regjimi i vjetër monist dukej se do të zëvendësohej me regjim të ri pluralist ku në pushtet nuk të sjell Partia, por vota popullore.

 

Natyrshëm që rezistenca shqiptare në Kosovën e pushtuar ka marrë formë të theksuar nacionaliste, si kundër-reagim ndaj politikave anti-shqiptare serbe. Në një kohë kur regjimi i vjetër po binte dhe me të edhe ideologjia zyrtare e saj, mobilizimi rezistencës shqiptare gjithnjë e më tepër pashmangshëm po merrte kahje nacionaliste. Kështu nga një rezistencë që zgjidhjen e shihte brenda kuadrit institucional jugosllav dhe ideologjisë së vëllazërim-bashkimit të kombeve, për pak vite u kalua në rezistencë me retorikë e ambicie gjithnjë e më të qarta nacionaliste shqiptare.

Read the rest of this entry »

Militantizmi i opozitës në shtetin e depolitizuar

In Shtetndërtimi ndërkombëtar on 6 November, 2015 at 20:45

Gëzim Selaci

 

Militantizmi i opozitës nuk mund të shihet i izoluar nga historia politike e Kosovës së pasluftës, por si një rrjedhë e pritur e opozitarizmit në shtetin e depolitizuar të mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Këmbëngulja e opozitës për ta penguar “me të gjitha mënyrat” (edhe të dhunshme) punën e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të detyrohet kryeministri i vendit të tërhiqet nga marrëveshja për Asocioacionin e Komunave Serbe nuk mund të shihet e izoluar nga historia politike e Kosovës së pasluftës. Ky militantizëm është një veprim opozitar që vjen pothuajse pashmangshëm (ndonëse jo medoemos i justifikueshëm) në kontekstin politik të shtetit të mbikëqyrur. Cili është ky kontekst që çon pashmangshëm në militantizëm partiak? Në vijim po ofroj një shpjegim përmes një historie.

Read the rest of this entry »

Radikalizmi islam dhe propaganda mediale

In Media on 21 September, 2014 at 13:12

Gëzim Selaci

Se çfarë politike të “luftës kundër radikalizimit” duan me na e shitë mediat e Kosovës ilustrohet mirë në këtë shkrim propagandistik të botuar në faqen e shërbimit publik të informimit (RTK) në internet në adresën: http://www.rtklive.com/?id=10&r=4683.

Ky artikull shtron disa shpjegime të dukurisë në fjalë dhe sugjerime se si të adresohet problemi: (1) shkaqet e Islamit radikal në Kosovë kërkohen nga jashtë shoqerisë, më saktë tek investimi serb dhe rus në këtë dukuri (shih nga mesi i artikullit në fjalë), (2) kërkohet që shekullarizmi të sanksionohet edhe më ashpër me ligj (shih paragrafin e tretë nga fundi), (3) kërkesat për praktikat fetare e kulturore, siç është bartja e shamisë myslimane në shkolla, barazohen me terrorizëm (shih paragrafin e fundit), (4) sugjerohet që shekullarizmi i shtetit duhet të ruhet për hir të standardeve Perëndimore (shih paragrafin e pare dhe te parafundit). Gjithashtu (5) paragjykohet se kjo “luftë” përkrahet nga shumica (shih paragrafin e parë) dhe (6) konkudohet se politikë është bërë edhe me fe e me ndjenja të komunitetit besimtar duke “flirtuar” me prijës fetarë për përfitime e përkrahje politike, (shih paragrafin e trete).

Mirëpo, të gjitha këto që i numërova janë tejet problematike, si shpjegimet e problemit, ashtu edhe sugjerimet se si të adresohet ai. Si kështu? (1) Duke gjetë fajtorët e dukurisë në fjalë tek infliltrimet serbe e ruse, ofrohet një shpjegim i thjeshtëzuar që thekson faktorët e jashtëm duke neglizhuar rrethanat e shkaqet më të drejtpërdrejta të dukurisë së radikalizimit fetar, siç janë ato ekonomike, politike e kulturore, e që tregojnë dështimin e shtetit në këto sfera, (2) Meqenëse legjislacioni i Kosovës është i mjaftueshëm për të ruajtur karakterin shekullar të institucioneve të tij, me propozimin që ai të sanksionohet më fort, sikur shprehet një tendencë për ta kufizuar edhe më lirinë e të shprehurit, (3) Gabohet kur kërkesat legjitime për liri të besimit e të praktikave fetare zhvlerësohen kur konsiderohen si kërkesa radikaliste, (4) Duke e lidhur nevojën për shtet shekullar me kërkesa të jashtme (të Perëndimit), sikur neglizhohet imperativi i vetë shoqërisë për shekullarizëm si shkallë emancipimi, si dhe traditën shekullare që ka ajo, në të cilën ka merita edhe kleri mysliman, (5) Pretendohet përkrahje të gjerë të “luftës kundër radikalizimit”, ani se nuk është e sigurt (se nuk është hulumtuar opinioni publik) nëse kjo mënyrë qysh politika, drejtësia e mediat po i adresohen radikalizimit përkrahet nga shumica e qytetarëve, (6) Kur theksohet se është bërë politikë me fe, harrohet se, po kështu, politikë po bëhet edhe me të ashtuquajturën “luftë kundër radikalizimit”.

Në një gjendje në të cilën shteti ka dështuar të krijojë një sistem cilësor të arsimit, e ku popullata për burim kryesor – e shpeshherë të vetmin – informimi e arsimimi mbi çështjet e shtruara e ka televizionin, gazetat e portalet, mediat kanë përgjegjësi të shtuar ndaj publikut.

E keqja më e vogël nuk është ajo që na duhet

In Kosova on 19 June, 2014 at 07:50

Gëzim Selaci

 

Lajm i mirë, lajm i keq

E mira e demokracisë përfaqësuese është se mundëson ndërrimin e qeverisë herë pas here, duke mos lejuar aq gjatë të njëjtit njerëz në krye të vendit sa të mund të shndërroheshin në despotë. Në këtë kuptim, mendoj se është gjë e mirë që pozita e deridjeshme në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti 2014 nuk ka marr mbështetje aq të gjerë sa të mund të formojë qeverinë për herë të tretë pa kurrfarë vështirëse e të qeverisë vendin edhe për një mandat duke mos çarë kokën për qytetarët, hallet dhe kërkesat e tyre.

Mirëpo, nuk mund të them se u gëzova që koalicioni opozitar po pretendon të formojë qeverinë e re. Kjo, jo për arsye se e fut vendin në një aventurë të pasigurt shtyrjesh politike nga e cila nuk do të kursehet as interpretimi zyrtar i Kushtetutës së Republikës. Kjo do të karakterizohet kryekëput me luftë për pushtet ndërmjet partive, e aspak nuk do të preokupohet me ofrimin e qeverisjes alternative në të mirë të qytetarëve dhe demokracisë. As, sepse, po që se koalicioni do t’ia dilte, do të krijohej një mishmash koalicion që do të rezultonte në qeveri të paqëndrueshme e që vështirë se do të funksiononte, për arsye të ndryshme…

Në të vërtetë, përse nuk gjeta arsye të pres me gëzim këtë koalicion është se, nëse rezulton i suksesshëm, partitë opozitare do të futen në një gjendje vetëmashtruese e ta gënjejnë vetveten se kanë legjitimitetin demokratik për të udhëhequr vendin edhe kështu si janë, pa pasur nevojë të reformohen vetë dhe të rishikojnë e zhvillojnë programet  e tyre. Veç kësaj, kjo do t’i jepte sinjal të rrezikshëm krijimit të qeverive në të ardhmen sipas këtij modeli që mbledh disa parti me numër të vogël votash për të krijuar një koalicion pas zgjedhjeve, që jo medoemos i bashkon një filozofi politike a ngjashmëritë në programe, por dakordimi i tyre për të ndarë postet qeveritare.

Sado që më trishton nëse një parti (cilado qoftë ajo), fiton mandatin e tretë për të udhëhequr vendin, në të njëjtën kohë mendoj se as opozita që e kemi tash për tash nuk është e gatshme të na ofrojë një alternativë qeverisëse. Dhe ka disa arsye për të besuar këtë. Së pari, disa parti që po vetëquhen opozitë, në të vërtetë, nuk përbëjnë opozitë reale, por dallimi i vetëm ndërmjet tyre dhe pozitës është se nuk janë në pushtet. Këtë e kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve të fundit duke mos kryer as për së afërmi rolin që pritet ta kryejnë partitë opozitare në demokraci. Së dyti, koalicioni i opozitës nuk bazohet mbi një marrëveshje ku specifikohet se për çfarë programi qeverisës janë, por i kemi parë se qysh nga fillimi kanë negocuar vetëm për poste politike. Ky është pra një koalicion që ngritet mbi ndarjen e posteve, e jo mbi një filozofi apo program alternativ qeverisjeje.

Një pjesë tjetër e partive që do të mund të quheshin opozitë reale, kanë nevojë të mendojnë se ku dështuan dhe si të rrisin elektoratin e tyre. Por, jo vetëm të krijojnë strategji propaganduese, por të përshtatin pozicionimet dhe programet e tyre, sikurse dhe përbërjen e tyre, për t’i kthyer dinjitetin qytetarëve dhe për të nxjerrë vendin nga krizat që po shtresëzohen njëra-mbi tjetrën.

Ku është e keqja më e vogël?

Komentues të ndryshëm e kanë pritë me entuziazëm krijimin e koalicionit opozitar që synon të formojë qeverinë e ardhshme, jo për tjetër, por se ky koalicion po e pamundëson vazhdimin në pushtet të një partie e cila për dy mandate e ka çuar vendin në mjerim ekonomik, coptuar shtetin në entitete etnike, forcuar autoritarizmin dhe shtënë nën kontrollin e saj institucionet kyçe publike duke minuar kështu autonominë e shoqërisë civile përmes një rrjeti klientelist e formave të ndryshme të detyrimeve.

I kuptoj arsyet e zemërimit në qeverinë e deritanishme dhe druajtjes që kjo qeveri të vazhdojë. Mirëpo, dua të theksoj se në plan më afatgjatë kjo nuk është në të mirë të demokracisë në vend. Shpresë nuk ka as te partitë opozitare. Ka arsye për të t’u merakosur nëse kjo qeveri do të ndërrohej me një tjetër e cila nuk është se ndryshon gjithaç nga paraprakja. Kjo do t’ia ulte vlerën idesë së ndërrimit të pushtetit, ngase ajo që do të ndërronte nuk do të ishte diçka thelbësore, domethënë qasja qeversisëse, programi politik, por vetëm emrat e partive dhe njerëzit në to. Kjo nuk është e dobishme as për partitë opozitare, ngase iu lejon me lehtësi të vijnë në pushtet pa pasur nevojë të punojnë shumë për të fituar përkrahjen e votuese dhe qytetarëve në përgjithësi.

Për qeverisje ndryshe, na duhet paguar një çmim 

Nuk mund të thuhet me aq lehtësi se kjo qeverisje do të ishte më pak e keqe se e mëparshmja, siç u bë e modës të besohet pa menduar, tash në këtë ambient të ndezjes së ndjenjave. Për më tepër, siç u përpoqa të arsyetoj, ka mundësi të madhe që kjo vetëm të fusë opozitën në një rrugë vetëmashtruese në të cilën nuk do ta ndienjë nevojën për të ndryshuar, rinuar e reformuar. Në vend të kësaj, mendoj se më së miri do të ishte që opozita të pranojë humbjen e të reflektojë për të me qëllim që të reformohet e të kthehet për të ofruar udhëheqje alternative.

Dua të the se për opozitën vetëdijësimi për humbjen e dështimin është më i mirë se sa të kaplohet nga vetëmashtrimi ngadhnjimtar që do ta verbojë para mangësive të dukshme që i ka. Kur e them këtë, jam i vetëdijshëm se vazhdimi i qeverisjes së njëjtë me partinë e njëjtë në krye e ka çmimin e vet për shoqërinë dhe vendin, por po them se nuk gjej ndonjë arsye të qëndrueshme për të besu se qeverisja e koalicionit opozitar do të jetë më pak e keqe.

Për një qeverisja ndryshe, na duhet paguar një çmim, se ajo nuk vjen falas. Ndonjëherë njeriu, që të dalë prej ujit, duhet të zhytet aq fort në ujë e ta prekë tokën që t’i jap përpjetë. Ndoshta jemi në një situatë kur na duhet e keqja më e madhe, në mënyrë që mund të presim më të mirën më të madhe në afat më të gjatë. Me qasjen “zgjidh të keqen më të vogël” të votës, ndërrimi i pushtetit nuk do të ketë kuptimin e plotë në shtetin tonë të ri.