gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘ligjërimi fetar’

Zhvillimi i një kundërligjërimi fetar ndaj radikalizimit – analizë problemore

In Fe on 12 September, 2015 at 08:59

Gëzim Selaci

Thirrja drejtuar autoritetit fetar dhe klerit për zhvillimin e një kundërligjërimi “islam” ndaj atij radikal është problematike. Kjo është analizë problemore që shtjellon përse mendimi fetar bashkëkohor në shoqërinë tonë është i paaftë të ofrojë kundërligjërim të vlefshëm e të pranuar. Fatkeqësisht, kjo logjikë fetare është pranuar edhe nga shoqëria politike e civile dhe kështu po fuqizohet një rrugë e pasigurtë për t’iu adresuar problemit të radikalizimit dhe problemeve të ngjashme. Si alternativë, debati duhet të hapet në dy anë, së pari për të ndërtuar kundër-narrativa të shpjegimeve të thjeshtëzuara e tendencioze të “radikalizmit islam” që këtë dukuri e lidhin esencialisht me Fenë islame a komunitetin mysliman. Dhe, së dyti, për të angazhuar një numër më të madh të segmenteve të shoqërisë civile në adresimin teorik të çështjes, sepse është problem i shoqërisë dhe jo vetëm i grupeve profesionistësh; specialistë të sigurisë, përgjegjës për sigurinë publike, teologë a hoxhallarë qofshin ata.

Si kundërpërgjigje ndaj “radikalizmit islam”, në ligjërimin publik është propozuar edhe angazhimi i autoritetit fetar dhe hoxhallarëve “të moderuar”, “tradicionalistë” dhe “konservatorë”.[i] Një numër komentuesish e studiuesish (këta të fundit në numër shumë më të kufizuar), zgjidhjen e kanë parë në alternativat ndaj radikalizimit që duhet të zhvillohen nga segmente të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë këtu edhe autoritetet fetare për të zhvilluar një ligjërim më paqedashëse ose të moderuar të Islamit. Arsyetimi i kësaj është se disa aspekte të ligjërimit fetar të zhvilluar deri më tani nga kleri islam janë problematike. Si rezultat, hoxhallarët “e moderuar” i kemi parë më shpesh në mediat mainstream e në tryeza të flasin për problemin në fjalë. Qëllimi është që ky autoritet të promovojë pikëpamjen se Islami është fe e paqes dhe se myslimani duhet të jetë tolerant e paqësor.

Madje, këtë detyrë të “deradikalizimit” jo rradhë herë e kanë marrë përsipër edhe autoritetet politike, por jo në mënyrën që u përket atyre, por duke u treguar njerëzve se tekstet fetare islame janë paqedashëse dhe dënojnë “radikalizmin”[ii] dhe se “imamët e krisur” që promovojnë të kundërtën[iii] sikur nuk po e dinë këtë. Krejt kjo me qëllim të promovimit të një kulture “të moderuar” fetare.

Identitete dhe qëndrime të reduktuara në një

Kjo zgjidhje e propozuar që kërkon përfshierjen e klerit islam në vend mendoj se është problematike. Problemi kryesor është sepse ligjërimi që zhvillohet nga kleri, e që po duket se është pranuar edhe nga shoqëria politike e civile, priret drejt klasifikimit të njerëzve sipas përkatësisë së tyre fetare, theksimit të ndarjeve fetare e deri në dhënien e rëndësisë më të madhe identietit fetar të një njeriu. Çështja është se nëse presim që këtë do ta bëjmë brenda kuadrit të kësaj logjike, do të kemi telashe të tjera, të cilat i elaboroj në vijim.

Së pari, nëse “radikalët” a ekstremistët e dhunshëm i klasifikojmë në bazë të përkatësisë së tyre fetare duke injoruar të gjitha identitetet e tjera të tyre dhe i shohim vetëm si pjesëtarë të komunitetit mysliman, atëherë injorojmë faktin se krahas identitetit fetar, njerëzit kanë edhe shtresa të tjera identitare dhe shumë të përbashkëta me njerëzit e tjerë të feve e filozofive të tjera. Kjo qasje, pra, nuk sheh pjesëtarët e komunitetit mysliman nga një prizëm tjetër, përpos si myslimanë dhe nuk e vëren natyrën shumëdimensionale të qenieve njerëzore që kanë qëlluar të jenë myslimanë. Kështu, jemi të verbër ndaj aspekteve dhe preokuptimeve të tjera të personalitetit të tyre, por edhe ndaj ideve që i nxisin njerëzit në veprim të dhunshëm a të çfarëdoshëm. Feja nuk është e vetmja shtresë identitare e personit që dominon dhe përjashton identitetet e tjera. Personi mysliman jeton, punon, krijon e lufton dhe veprimet e tij motivohen edhe nga faktorë që nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht me fenë. Andaj, identiteti islam i një personi nuk mund të jetë ekskluzivisht përgjegjës për zgjedhjet që i bën ai.

Së dyti, një qasje e tillë, sikur i autorizon klerikët të përfaqësojnë të gjithë pjesëtarët e komunitetit mysliman, domethënë njerëzit të cilët në një mënyre a tjetër identifikohen me Fenë islame e me kulturën myslimane.[iv] Kështu, klerikëve u njihet si legjitim pushteti të flasin në emër të “besimit” e “qëndrimit” të komunitetit, sado që mbase numri më i madh i pjesëtarëve të komunitetit mund të ketë pikëpamje shumë të ndryshme nga ajo e klerikëve. Kështu, tërë këtë diversitet e reduktojmë në qëndrime të disa klerikëve apo, për më keq, në një qëndrim zyrtar të autoritetit fetar. Problem tjetër me këtë është se kjo i hap rrugën forcimit e ngurtësimit të një doktrine teologjike zyrtare, pra të njëfarë “Islami zyrtar”, madje me tendencë që të sanksionohet edhe nga aparati shtetëror i dhunës.[v] Fundja, zyrtarët dhe hoxhallarët e Bashkësisë Islame të Kosovës e kanë njëfarë hegjemonie teologjike në mesin e komunitetit mysliman, por kjo nuk e ka penguar gjithaq zhvillimin e interpretimeve alternative edhe më konservatore dhe të tjera ekstremiste. Nëse kësaj organizate do t’i jepej më shumë pushtet të flasë në emër të komunitetit mysliman, kjo do t’u jepte atyre më shumë pushtet të delegjitimonin versionet e tjera sunnite e josunite të praktikës islame, por edhe interpretimet alternative teologjike brenda sunizmit që ka tek-tuk dhe që mundet me pasë në të ardhmen, e të mos flasim për interpretime kritike, liberale, progresive e jokonformiste që as mund të mendohet zhvillimi i këtyre heterodoksive nën hegjemoninë e dogmës zyrtare!

Leximi i teksteve si thikë me dy tehe

Tani i kthehem një problemi karakteristik për ligjërimin klerikal. Të gjitha ligjërimet fetare, si ai i zhvilluar nga organizata e Bashkësisë Islame të Kosovës (që po e quajnë “Islam tradicional”), si ato të zhvilluara nga lëvizjet e tjera fetare, që pak a shumë janë zhvilluar ndamas nga kjo organizatë, i karakterizon doktrina e tradicionalizmit fundamentalist ose dogmatik. Kjo doktrinë e ka bazën në tekstet “e shenjta”, domethënë në Kuran e në traditën e Profetit (Sunnet), të cilat kuptohen ose pretendohet se kuptohen sipas interpretimeve të brezave të lashtë të myslimanëve. Po këtë logjikë, që fenë dhe dukuritë fetare i analizon vetëm në nivel të teksteve fetare, e përdorin edhe komentatorë, gazetarë, politikanë, e madje edhe akademikë, duke injoruar ligjërimet, traditën dhe historinë e komuniteteve fetare, që fundja janë më relevante për analiza të këtilla se sa çfarë shkruan në tekste. Pavarësisht nëse këto interpretime të teksteve bazohen tek brezat e parë të myslimanëve ose tek traditat e mëvonshme, të gjitha ato kanë së paku një emërues të përbashkët të cilin e diskutoj në vijim.

Të gjitha këto doktrina bazohen në tekste të shenjtëruara fetare përmes të cilave duan ta kuptojnë realitetin si dhe mbi të cilat ndërtojnë teori normative. Rëndom thuhet se këto tekste merren sipas kuptimeve literale dhe kuptohen sipas interpretimeve të lashta të një a dy brezave të parë të myslimanëve. Mirëpo, në të vërtetë bëhet fjalë për përpunimin dhe sistemimin e traditës dhe interpretimeve të këtyre brezave nga ana e shkollave teologjike të mëvonshme. Natyrisht, sa më poshtë që shkohet në piramidën e hierarkisë së autoritetit fetar, leximi i teksteve konsiston në pranimin dogmatik të interpretimeve të autoriteteve bashkëkohore fetare që zakonisht janë imamë e predikues dhe myfti nga shoqëritë e ndryshme myslimane (zakonisht arabe, e më pak turke, pakistaneze, indiane, iraniane, etj.). Këto autoritete, kleri islam tek ne i paraqet si “dijetarë” të Islamit. Pas kësaj, gjallëria e interpretimit autentik zëvendësohet me grindje rreth autoritetit të “dijetarit” referencial, si dhe nga përplasja e pafund e interpretimeve që këto autoritete i mbështesin në kontekste shumë të ndryshme politike, kulturore e ekonomike. Mbase nuk ka nevojë as të thuhet, se në një mjedis të këtillë, krejt çfarë bëhet është vetëm importim i opinioneve kanonike (fetva) me prirje jotolerante e radikaliste ose të kundërta me këto, e asesi zhvillim i mendimit origjinal, kritik e kreativ që kishte me iu adresu problemeve në fjalë.

Sado që, në disa raste interpretimi i tekstit nuk kufizohet brenda kësaj kornize të ngushtë metodologjike, edhe atëherë ai reduktohet në “zbulimin” e kuptimeve gjuhësore të teksteve. Kështu, theksohen pjesë nga tekstet fetare që promovojnë paqen e tolerancën dhe injorohen pjesë të tjera që bëjnë të kundërtën, apo interpretohen në mënyrë që të qesin në pah karakterin “në thelb paqedashës e tolerant të Islamit”. Mirëpo, ironikisht me të njëjtën metodë shërbehen edhe ligjërimet e dhunshme dhe jotolerante të cilat theksojnë tekstet që u konvenojnë paraideve të tyre. Në raste të këtilla, teksti ose lexohet sipas kuptimit të tij sipërfaqësor/literal, ose i nënshtrohet instrumenteve te ekzegjezës për t’i dhënë kuptimin e dëshiruar, me ç’rast ndodhin gabime fundamentale logjike, lexime anakronike, e të tjera.

Këto dy metoda të leximit të teksteve u mundësojnë pothuajse kujdo me prirje të dhunshme të vetëshpallet hoxhë a imam, duke mësuar tekstet themelore fetare dhe interpretimet e tyre nga librat e ekzegjetëve të shekujve të kaluar, e duke i nxjerrë nga konteksti i tyre (nga padija e konteksit ose injorimi i qëllimshëm i tij) e t’i rifomulojë ato si të dojë për të joshur zemrat e mendjet e një audience njerëzish në probleme sociale, varfëri, papunësi, pasiguri dhe dëshpërim politik, krizë identitare, mungesë të mbështetjes familjare, të kulturës, njohurive për shoqëritë, fetë e kulturat, etj.

Madje, edhe toleranca dhe respekti që ky ligjërim mund të shprehë për “tjetrin” i nënshtrohet testit të pranueshmërisë sipas standardeve fetare domethënë sipas gjykimit me kuptimet e teksteve fetare. Jo rradhë herë, kjo nënkupton tolerancën e “tjetrit” të përkufizuar sipas fesë, e që për pasojë shprehet duke gjetur të përbashkëtat ose pranuar tekstet dhe traditën e feve tjera, kryesisht abrahamike, por jo edhe aspektet e tjera dhe arritjet e tyre humane jashtë fushës fetare.

Përfundim

Për fund, asnjëherë nuk është e tepërt të theksohet se problemi i radikalizimit (domethënë zhvillimi i ekstremit të dhunshëm) nuk duhet të kërkohet së pari tek feja, e aq më pak të reduktohet tek faktorë fetarë duke e islamizuar konceptin. Mirëpo, në të njëjtën kohë, janë të justifikueshme qasjet që e shohin ndërlikueshmërinë e kësaj dukurie si dhe rolin e ideve fetare ose të fetarizuara në radikalizim e pjesëtarëve të komunitetit mysliman.

Besoj se është e qartë se nëse bazohemi në tekstet fetare, nuk mund të konfirmohet se Islami në thelb është fe paqësore (e as e dhunshme, sa për sqarim), përveç nëse bëjmë një lexim përzgjedhës të teksteve. Me fjalë të tjera, tekstet japin një bazë për një lexim paqësor e tolerant të tyre, por njëkohësisht edhe një bazë tjetër për një lexim dhunënxitës e jotolerant. Megjithkëtë, mendoj se është e mundshme të refuzohet legjitimimi i jotolerancës dhe dhunës me terme fetare (por kjo nuk mund të bëhet duke u kufizuar në leximin/interpretimin e teksteve fetare), sado që kjo nuk është fusha e vetme ku duhet të adresohet problemi i radikalizimit. Mirëpo, duhet të pyesim nëse një gjë e tillë mund të bëhet nga ligjërimi fetar i zhvilluar nga kleri – e që, fatkeqësisht, po pranohet edhe nga një pjesë e shoqërisë politike e civile – i cili zgjidhjen e “radikalizmit islam a mysliman” e sheh në “promovimin zyrtar” të pjesës paqësore të teksteve fetare nga ana e “përfaqësuesve legjitim të komunitetit mysliman”.

[i] Për shembull, “Raporti për shkaqet dhe pasojat e përfshierjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”, f.102 nga Shpend Kursani: http://www.qkss.org/repository/docs/Shkaqet_dhe_pasojat_e_perfshirjes_se_qytetareve_te_Kosoves_si_luftetare_te_huaj_ne_Siri_dhe_Irak_820753.pdf (Botuar nga QKSS, organizatë e cila këtë projekt e ka konkretizuar në forma të takimeve me zyrtarë komunalë, policorë, e fetarë, p.sh: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Ne-Vushtrri-Diskutohet-per-Ekstremizmin-Fetar-ne-Kosove-7992 dhe http://koha.net/?id=27&l=73163 )

[ii] Për shembull, së fundi nga Ministri i MPB-së z. Hyseni http://koha.net/?id=27&l=71351

[iii] Ministri i MPB-së, z. Hyseni, në një intervistë në RTK: https://www.youtube.com/watch?v=2_OLS-h-8uI (intervista e e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=f4wmKH0YznU)

[iv] Për një tendencë të këtillë shih për shembull artikullin “Komunitetit mysliman i kërkohet punë për parandalimin e ekstremizmit [fetar]” ku bëhet fjalë për një tryezë në të cilën aludohet se komuniteti mysliman përfaqësohet nga zyrtarë të organizatës fetare Bashkësia Islame e Kosovës: http://live.kallxo.com/sq/MTL/Komunitetit-Mysliman-i-Kerkohet-Pune-per-Parandalimin-e-Ekstremizmit-8055.

[v] Shih, për shembull këtë deklarata të një zyrtari policor nga “Njësia për parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm”: http://www.zeri.info/aktuale/49138/policia-ka-imame-qe-po-ligjerojne-fshehurazi-kunder-parimeve-te-islamit/

 

Botuar në Gazeta Jeta në Kosovë (www.gazetajnk.com) më 16 shkurt 2015.

Advertisements

Edhe një herë mbi ligjërimin jotolerant fetar: përgjigje ndaj një reagimi

In Fe on 19 March, 2015 at 11:58

Gëzim Selaci

Si reagim ndaj tezave të ngritura në shkrimin tim “Bazat e jotolerancës dhe dhunës në ligjërimin islam”, Besnik Sinani, ka botuar një artikull të quajtur “Në kërkim të bazave të intolerancës dhe dhunës”. Në kërkim të shkaqeve më të drejtpërdrejta të radikalizmit militant që u shfaq në sulmet e paradokohshme në Paris, duket se autori i reagimit analizën time e klasifikon në mesin e atyre supozimeve (edhe për mendimim tim të gabueshme) që shkaqet e militantizmit fetar i gjejnë tek feja. Mirëpo, ky është një kuptim i gabueshëm i argumentit tim, pasi që kam bërë dallim ndërmjet fesë dhe ligjërimeve fetare, të cilin dallim, siç duket, nuk e kam qartësuar mjaft për një pjesë të lexuesve. Këtu do të përpiqem të sqarojë se cili është ky dallim.

“Feja” dhe “ligjërimi fetar”

E vlerësoj pikëpamjen se Feja konsiston nga ligjërimi mbi fenë, domethënë se feja është çfarëdo që autoritet fetare thonë dhe duan që ajo të jetë. Nëse nisemi nga kjo, feja na del një konglomerat traditash (edhe të kundërta e të papajtueshme), mirëpo shpeshherë në praktikë, të shtyrë nga sektarizmi dhe pragmatizmi, autoritetet fetare gjithmonë i përjashtojnë nga “Islami” i tyre ligjërimet e tjera të huaja për ta. Këtë edhe e kam pranuar në artikull përderisa me “fe” kam nënkuptuar tekstin e traditën (siç e kam thënë: “feja e cila – në saje të ambiguitetit dhe kundërthënieve të tekstit dhe traditës…”), ndërsa ligjërimi mbi fenë është mënyra se si lexohen/interpretohen teksti e tradita. Mirëpo, së paku për nevojë të kësaj analize, termin “fe” dua ta ruaj si emërtim për besimin e njerëzve tek Zoti, lidhjen e përjetimin shpirtëror me Zotin, praktika rituale, e të ngjashme, ndërsa ligjërimi është ajo që thuhet për fenë, me fjalë të tjera, mendimi fetar i cili është produkti i teologjisë, jurisprudencës dhe njerëzve të dijes.

Madje edhe nëse fenë e shohim si diçka që përkufizohet nga ligjërimet, domethënë si produkt të ligjërimeve fetare dhe e kemi zor që në praktikë të shohim qartë dallim në mes tyre, prapseprap mendoj se është e mundshme të bëhet dallim analitik, ndërmjet fesë si produkt dhe ligjërimeve si prodhues të saj. Në këtë mënyrë, ligjërimi fetar mund të studiohet ndamas nga feja. Një qasje e tillë është e zakonshme në analizimin e dukurive shoqërore. Ngjashëm, për shembull, ne mund të analizojmë ideologjinë nacionaliste ose sistemin e ideve mbi kombin (si ligjërimet e caktuara mbi prejardhjen, të kaluarën, vuajtjet, aspiratat e kombit, etj.), por të abstrahojmë nga analiza produktin e këtyre ideve, domethënë ndjenjën nacionaliste, solidaritetin kombëtar, besnikërinë ndaj kombit, dhe llojet e nacionalizmit, si ai etnik, qytetar, autoritar e kështu me radhë.

Në këtë kuptim, besoj se është plotësisht e mundshme, e madje e nevojshme të merret si njësi e studimit një ligjërim ose ligjërimet fetare, e jo feja si e tillë. Andaj, si studiues i shoqërisë, kam lënë anash fenë (si besim, emocion, spiritualitet, praktikë rituale) dhe flas për tiparet e përbashkëta të ligjërimeve të dallueshme fetare. Vetëm kështu mund të bëhet, se kishte me qenë e gabueshme për çdo vrojtues nëse për njësi të studimit merr një ligjërim ose disa ligjërime të caktuara fetare dhe pretendon se po bën një shqyrtim për vetë fenë! Një ose disa ligjërime nuk mund të barazohen me vetë fenë – në të vërtetë këtë e bëjnë sektet, secila në favor të vetin.

Argumenti dhe keqkuptimi i tij

Për sa i përket komenteve ndaj argumentit tim kryesor, më duket se pjesa më e madhe e tyre bazohen në keqkuptim të argumentit tim. Si rrjedhojë e këtij keqkuptimi, autori polemizon jo me argumentim tim, por me një karikaturë të argumentit që e ndërton ai vetë, për shembull kur thotë: “Sipas autorit, baza e intolerancës dhe dhunës që shohim sot, si në rastin e Francës, është tek besimi i muslimanëve se feja e tyre është feja e legjitimuar nga Zoti”, thua se shkrimi im është aq i verbër ndaj fakteve sa të nënkuptojë se kushdo që është i bindur se besimi dhe praktikat fetare të tij/saj janë detyra ndaj Zotit është potencialisht i dhunshëm! Ky është një thjeshtëzim i tepërt i argumentit tim, prandaj nuk e shoh të nevojshme që t’u kundërpërgjigjem imtësive të komenteve të autorit, por vetëm dua të përsëris argumentin se ligjërimi fetar islam nuk është burimi, por është baza që mund të shpie në jotolerancë dhe/ose e lehtëson dhunën në emër të fesë (siç e them qysh në hyrje të shkrimit). Në shkrimin tim, origjinën (motivin dhe qëllim) e dhunës e gjej te politika, ndërsa ligjërimin fetar si lehtësues ose justifikues të ushtrimit të dhunës. Për origjinën e dhunës kam shkruar një artikull tjetër ku flas për burimet më të drejtpërdrejta të shfaqjes së ideologjive të dhunshme të fetarizuara.)

E thashë se nuk do t’u kundërpërgjigjem komenteve të autorit në lidhje me arsyetimet e mia, jo sepse nuk i respektoj ato. Arsyeja është se nuk kisha dashtë që debati të merrte trajtën e një polemike ku më kot synohet që të shtyhet edhe tjetri të mendojë njëjtë si ne, në vend se të dëgjojmë e të provojmë të kuptojmë arsyetimet e tjetrit dhe së bashku të arrijmë tek një dije e vërtetë.

Roli i ideve

Akuza se nuk përmend Irakun etj, është e pabazë, pasi që në këtë artikull i kam lënë vend Irakut, qysh në hyrje të shkrimit (citoj nga artikulli im: “problemin e jotolerancës dhe dhunës nuk dua ta reduktoj te ligjërimi fetar, aq më pak te feja, andaj për një analizë më të gjithanshme kjo duhet të kundrohet në kuadër më të gjerë kulturor e politik.”) dhe në shkrimin e lartpërmendur i referohem më drejtpërdrejt. Kam qenë fort i vetëdijshëm se këto variabla janë kryesoret, por i kam abstrahuar për arsye të analizës që synon të zdritë edhe variabla të tjera: rolin e ideve në sjellen e grupeve. Ndonëse është evidente se idetë nuk lindin në vakum, por formohen si reagim ndaj rrethanava të jashtme, ndryshimeve strukturore etj., ky rol i ideve nuk mund të mohohet. Në analizën e kulturës jotolerante roli i ideve bëhet edhe më i rëndësishëm për t’u përfhsirë, sidomos kur shqyrtojmë këto ide në kontekstin kosovar e shqiptar, që nuk ka lidhje të drejtpërdrejt me rrethanat politike në Lindjen e Mesme.

Për fund, nuk ka asgjë esencializuese në analizën time, pasi që nuk them se është feja ajo që i bën jotoleranë dhe të dhunshëm itharët e saj domosdo dhe me automatizëm (pasi që feja mund të jetë paqësore ose e dhunshme dhe asnjëra nga këto nuk janë veti thelbësore të saj), por janë disa ligjërime të caktuara që mund ta justifikojnë jotolerancën dhe dhunën. Ligjërimet si ide, edhe këto janë produkt i konteksteve të caktuara sociale e politike (faktorët e tjerë, si politikat e shteteve të caktuara të Perëndimit në Lindjen e Mesme dhe ndaj shteteve të Botës islame dhe regjimet autoritare atje) siç e kam shtjelluar në shkrimin e lartpërmendur. Besoj se është e qartë për cilindo lexues jotendencioz që kjo është një qasje historiciste përderisa objekt studimi ka ligjërimet që lindin një kontekst të caktuar shoqëror, politike e kulturor, e jo ndonjë tipar thelbësor të fesë (për shembull të dhunshëm, siç duket se e ka keqkuptuar autori i reagimit argumentin tim).

Sa për përputhjen e pikëpamjeve të fundamentalistëve dhe ahistoricistëve, edhe unë e kam vërejtur se është e pranishme dhe për këtë pata shkruar më parë.

Botuar te Gazeta Jeta në Kosovë (http://www.gazetajnk.com/?cid=1,983,9946) më 20 gusht 2015 me titull “Edhe një herë mbi ligjërimin jotolerant fetar”

Bazat e jotolerancës dhe dhunës në ligjërimin islam

In Fe on 14 February, 2015 at 19:44

Gëzim Selaci

Satirizimi i Profetit islam në një revistë franceze ka pasur jehonë edhe në diskutimet publike tek ne dhe ka zgjuar një debat të nevojshëm për shoqërinë tonë, domethënë atë të kuptuarit e shprehjes së lirë dhe raportin e Fesë islame me të. Ende jemi të rinj në këtë debat, andaj ende nuk kemi zhvilluar një konsensus minimal të kuadrit logjik dhe etik të debatit. Por, të shpresojmë se po mësohemi… Mirëpo, para së gjithash, për debat lypset, së paku, një kulturë tolerance ndaj mendimit tjetër. Dhe, meqë ata që flasin në emër të Islamit dhe të përkatësisë myslimane, janë të rëndësishëm në këtë debat, këtu dua të tregoj se ka diçka në ligjërimin fetar që mund të zhvillojë kulturë jotolerante që e bëjnë të mundshme, ose më të lehtë, instrumentalizimin e fesë për zhvillim të ideologjive të dhunshme, ose së paku, për të justifikuar dhunën.

Mostoleranca dhe dhuna është potencial i, ndoshta, çdo ideogjie dhe nuk mund të thuhet se është ekskluzivisht vetëm i ideologjive me bazë fetare. Kjo analizë shmang pikëpamjen esencializuese për Islamin si jotolerant dhe i dhunshëm në thelb, pasi që objekt analize është ligjërimi fetar dhe jo vetë feja e cila – në saje të ambiguitetit dhe kundërthënieve të tekstit dhe traditës – mund të përdoret për të ndërtuar e legjitimuar pikëpamje të ndryshme, si tolerante, ashtu dhe jotolerante, paqësore e të dhunshme. Sa për sqarim, problemin e jotolerancës dhe dhunës nuk dua ta reduktoj te ligjërimi fetar, aq më pak te feja, andaj për një analizë më të gjithanshme kjo duhet të kundrohet në kuadër më të gjerë kulturor e politik. Mirëpo, këtu do të përpiqem të fokusoj analizën për të identifikuar ato që mendoj të jenë idetë themelore të ligjërimit fetar islam që kontribuojnë në zhvillimin e pikëpamjeve jotolerante në mesin e ithtarëve të fesë.

Tiparet e ligjërimit fetar

Por, cilat janë tiparet e ligjërimit të këtillë? Këtu dua të theksoj disa që mendoj se janë tiparet themelore (ndonëse mund të ketë edhe të tjera); andaj them se ky ligjërim është absolutist, përjashtues, fundamentalist, e sektar. Vërehet se këtë lloj ligjërimi e gjejmë njësoj tek të gjithë predikuesit fetarë, pavarësisht se cilës traditë a shkollë teologjike i takojnë. Andaj, për këtë analizë, nuk më duhet të bëj dallimin, siç është bërë e modës, ndërmjet predikuesve radikalë dhe të tjerë (i quajnë të moderuar, tradicionalistë, hanefistë, etj.). Dallimi ndërmjet këtyre nuk është cilësor, por vetëm në intensitet, domethënë se sa shumë u mëshojnë këtyre ideve dhe sa larg i çojnë ato.

Tiparet kryesore të ligjërimit fetar të propaguar nga predikuesit fetarë me ndikim mund të përmblidhen si në vijim:

(1) interpretimi absolutist i fesë Islame, si e vetmja fe, filozofi, a model i të menduarit e i jetesës legjitime, i shprehur në maksimën: “Islami është e vetmja fe e pranuar te Zoti”; (2) bindja në veçantinë e jashtëzakonshme të Islamit, domethënë ideja se Islami dhe myslimanët janë të veçantë e të përzgjedhurit e Zotit, e shprehur në doktrinën “myslimanët si komuniteti (ymmeti) më i mirë në tokë”; (3) tradicionalizmi fundamental ose dogmatik që nënkupton interpretimin e Kuranit dhe traditës së Profetit ekskluzivisht sipas kuptimeve të brezave të parë të myslimanëve, e nënkuptuar në doktrinën e “Islamit të pastër” bartës të të cilit konsiderohet të jenë brezat e parë të myslimanëve, ose në zhargon “paraardhësve (selef) të ndershëm e të mirë”; (4) kultura e mentaliteti sektar dhe mospranimi ose zhvleftësimi i interpretimeve të tjera përbrenda traditës islame i fshehur në maksimën “Islami është një”, domethënë i njëjtrajtshëm. (5) Veç këtyre, nga një pjesë më e vogël e predikuesve dhe botimeve islame vërehet zhvillimi i mëtutjeshëm i idesë absolutiste për fenë, ku tashmë Islami shihet si sistem jete (sheriat) me ligjet e të cilit duhet të qeveriset jeta private, familjare e publike si dhe punët e shtetit dhe atë sipas interpretimeve të caktuara të tij, i shprehur në maksimat “Islami është sistem jete”, “Kurani /kushtetutë ligj i Zotit për njerëzit”, “të gjitha përgjigjet për çështjet private dhe publike janë në Kuran”, e të ngjashme.

Nga ligjërimi fetar tek mostoleranca e dhuna

Në të shumtën e rasteve, deklaratat publike të autoriteteve dhe predikuesve fetarë islam promovojnë tolerancën (sado që jo edhe pranimin në të njëjtën masë) dhe dënojnë dhunën në emër të Zotit e të fesë. Megjithatë mund të argumentohet për një lidhje të tërthortë ndërmjet ligjërimit mbizotërues fetar (që e hasim nëpër predikime në objekte fetare, ligjërata në shkolla e fakultete, emisione e artikuj në media) dhe motiveve fetare të mostolerancës, e madje ndonjëherë edhe të përdorimit të dhunës.

Mendoj se ligjërimi fetar me tipare të shtjelluara më lartë, nuk promovon prerazi kulturë jotolerante, por ithtarët e tij i bën lehtë pre të propagandës e ideologjive të grupeve jotolerante e, madje edhe të dhunshme. Nisur nga parimet e cekura të ligjërimit fetar, rrëshqitja në postulatet ideologjike radikaliste nuk duket e palogjikshme dhe e pamundshme (natyrisht duke marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë). Si ashtu?

(1 dhe 2)

Duke u nisë nga botëkuptimi se është vetëm një fe e legjitimuar nga Zoti dhe e ruajtur nga lajthitjet dhe se ajo fe është Islami si e Vërteta absolute, ky ligjërim postulon se myslimanët janë fatlumë të jenë pjesëtarë të kësaj feje dhe në këtë kuptim, ata janë të vetmit njerëz në fytyrë të tokës në “Rrugën e Zotit” që e kanë kuptuar të “Vërtetën absolute” të kësaj bote e të botës tjetër që na pret. Një besim i tillë, së bashku me arsyen dikotomike e vërteta—e kota, e mira—e keqja, nuk e ka të vështirë të bëjë hapin tjetër, atë të zhvlerësimit të besimeve dhe kulturat e tjera si të huaja, jolegjitime ose në rastin më të mirë si thelbësisht më inferiore, duke mos respektuar arritjet e kulturave të tjera, e në raste të caktuara demonizuar pjesëtarët e kulturave joislame e shprehur në konceptin e “pabesimtarit”(kafir). Pra, nuk është problemi se feja krijon grupe që bien në konflikt me të tjerët, por se ajo definon vlera të shenjta absolute mbi të cilat themelohen identitetet e këtyre grupeve. Natyrisht, se ky është veç një burim i konfliktit, as i vetmi as i mjaftueshëm.

(3)

Duke u nisë nga supozimi se e Vërteta është një dhe e njëtrajtshme, por të gjetur para faktit se as myslimanët nuk bien në ujdi përkitazi me shumë elemente themelore dhe të degëzuara të doktrinës fetare, atëhere kjo nënkupton se dikush nga myslimanët e ka qëlluar të “Vërtetën”, derisa të tjerët, jo. Prandaj, për të zgjidhur këtë çështje problemore, propozohet që interpretimet e brezave të myslimanëve të parë të merren si bazë për njohjen dhe zbulimin e “Islamit të pastër”. Kjo metodologji, pretendon se brezave të parë të myslimanëve – sidomos pasuesve nga bashkëkohësit e Profetit Muhamed – ua njeh prerogativën për të ofruar interpretime universalisht të vlefshme të Islamit. Sipas ligjërimit fetar, ky quhet “Islam i pastër”, e që nënkupton teologjinë hyjnore të mësuar nga vetë Perëndia dhe e pandikuar nga animet njerëzore dhe nga ndikimet e kulturave dhe filozofive të “huaja”. Mirëpo, presupozimi i një homogjeniteti në shkallë kaq të lartë të brezit të parë është një mit që nuk i qëndron fakteve. Në të vërtetë, bëhet fjalë për interpretime të caktuara (në mesin e shumësisë së interpretimeve) të ortodoksisë islame që idealizohen e hynjizohen. Kështu sistemi i dijes ngurtësohet sipas një shkolle mendimi që pretendohet të jetë e vetmja legjitime.

(4)

Kjo nënkupton se interpretimet e tjera që nuk i përmbahen këtij parimi, janë të papranueshme e në disa raste blasfemike. Besohet se Islami është një, ani pse historia ka dëshmuar një shumëllojshmëri shkollash e lëvizjesh intelektuale islame me interpretime alternative të doktrinës si dhe modele të ndryshme të organizimit të shoqërisë mbi parimet islame. Mendoj se është lehtë të imagjinohet se si një qëndrim i tillë ndaj shumëllojshmërisë brenda doktrinës, teologjisë dhe praktikës islame lehtë mund të përkthehet në mosrespektim, urrejtje dhe mosdurim ndaj tyre pasi të jenë flakur si jolegjitime.

Të nisur nga botëkuptimi se Feja islame është e njëtrajtshme pasi që qysh nga faza formative e saj është vulosur një interpretim i vetëm legjitim i kozmologjisë, etikës, e ligjit islam, shkolla të caktuara të interpretimit të Islamit merren si të vetmet interpretime të qëlluara e madje barazohen me vetë Islamin duke u quajtur si të vërteta absolute, ndërsa të tjerat si të kota.

Natyrisht ortodoksitë që thiren në Islamin e “vërtetë” i konsiderojnë mendimet dhe interpretimet e tjera si të pavërteta. Por, çfarë është Islami i “vërtetë” veçse interpretime të caktuara të teksteve islame në rrethana të caktuara shoqërore e kulturore dhe përpjekje për të absolutizuar rezultatet e këtyre interpretimeve e shpalluar ato si universale. Një ortodoksi që pretendon të jetë bartëse e Islamit të “vërtetë” nuk ka se si të mos edukojë ithtarët e saj në frymë jotolerante ndaj të tjerëve. Në momentin kur një ortodoksi tenton të imponojë si universale të kuptuarit e saj të Islamit, ajo nuk e ka të vështirë edhe të shërbehet me metoda e instrumente të dhunshme për t’i “kthyer njerëzit në udhën e drejtë”.

(5)

Të shtyer nga besimi se si njerëz të përzgjedhur nga vetë Zoti që posedojnë të Vërtetën, ndërsa të tjerët janë në lajthitje dhe kotësi, dikush mund të shkojë edhe më tutje duke e konsideruar mision hyjnor që si “mëkëmbës të Zotit” të realizojnë “vullnetin e tij të shprehur në Kuran e në traditë” në qeverisjen e jetës private e publike. Në raste të caktuara ky ligjërim bazohet në idetë e Islamit politik që kërkon zbatimin e Sheriatit edhe në çështje të politikave publike, që tregon një tendencë të sfidohet karakteri shekullar i shtetit modern dhe i bërjes së politikës.

Disa grupe, agjendat e tyre politike përpiqen t’i paraqesin si islame. Në momentin kur grupi ia njeh vetes të drejtën për të imponuar një mënyrë jetese në emër të realizimit të vullnetit të një autoritet hiq më të ulët se Zoti, këtë mund ta bëjë edhe me mjete të dhunshme.   Kështu, ligjërimi fetar paraqitet si bazë justifikuese e një ideologjie islamiste që ndërmjetëson në mes motiveve politike dhe synimit politik për pranim ose mbizotërim të grupit në jetën publike e politike. Ligjërimi fetar, pra, është kuadri legjitimues i një ideologjie islamiste për arritjen e qëllimeve politike.

Ky funksion legjitimues i ligjërimit islam – i artikuluar nga predikuesit fetarë – e mundëson zhvillimin e një ideologjie me bazë fetare që e kultivon jotolerancën, e në kombinim me faktorë të tjerë politikë e ekonomikë e bëjnë të lehtë justifikimin e përdorimit të dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve politike. Pra, motivet e dhunës janë politike, ndonëse, ushtruesit e dhunës e përjetojnë atë si kauzë fetare (thirje për virtyt dhe kundër veseve dhe/ose xhihad). Mirëpo, ky është vetëm efekt i ideologjisë, kur subjektet në ideologji e perceptojnë kauzën e tyre si absolute dhe universale.

Kjo lidhje mund të paraqitet me këtë diagram:

Motivi politik – Ligjërimi i caktuar islam – Ideologjia islamiste jotolerante – Faktorë të tjerë të jashtëm – Dhuna si mjet – Qëllimi politik

Përfundim

Nga një analizë e këtillë, mendoj që mund të përfundohet se dallimi ndërmjet themeleve legjitimuese të ideologjive të dhunshme islamiste dhe themeleve të ligjërimit mbizotërues fetar islam është i paqartë ose, së paku, jo mjaft i qartë. Nuk mund të pretendohet për një përgjegjësi të drejtpërdrejtë të autoriteteve e predikuesve fetarë të rrymës qendrore për promovimin ose estetizimin e dhunës. Madje, prej tyre ka distancime të vazhdueshme nga grupet militante islame dhe ushtruesit individualë të dhunës në emër të fesë (me përjashtime të herëpashershme). Mirëpo, nuk mund të mohohet se ka një problem me teologjinë që e definon fenë si promovuese të vlerave të identifikuara në këtë artikull, pasi që kjo lehtë do të mund të përdorej për të promovuar një kulturë jotolerante, e madje – në kombinim me rrethana të tjera politike e sociale – edhe për të zhvilluar ideologji të dhunshme me bazë fetare. Pas kësaj, si distancim nga ushtruesit e këtij lloji të dhunës nuk do të mjaftonin deklaratat si “myslimani i vërtetë nuk e bën këtë”, e klishe të ngjashme.

Këmbëngulja se ideologjia fetare nuk mund të fajësohet për akte të dhunës dhe se nuk ka kurrfarë lidhje ndërmjet predikimeve mbizotëruese fetare dhe jotolerancës vetëm e mohon problemin i cili duhet të adresohet. Duhet pranuar se diçka nuk është në rregull dhe të niset të mendohet se çfarë po u thuhet njerëzve në emër të Zotit e çfarë edukimi fetar po marrin ata. Një gjë e mirë është se, megjithatë, në fe e në mendim fetar mund të gjinden tekste, interpretime e tradita me prirje humaniste që promovojnë paqen, empatinë, e tolerancën prej ku mund të zhvillohet një ligjërim fetar më universal e më paqedashës.

Mbi të gjitha, kjo është një betejë ideshë në të cilën duhet të përfshihen intelektualë e studiues, përfshirë këtu edhe teologë që duhet të promovohen nga organizata e media të cilat, fatkeqësisht, kanë qenë të interesuar t’u japin hapësirë pikërisht bartësve e propaganduesve të ligjërimit skajshmërisht konservativ e fanatik fetar. Në kohën kur në emër të Fesë islame po thirret në fanatizëm, e madje po vriten njerëz, sidomos të pafajshëm, nga autoritetet fetare nuk mjafton vetëm distancimi verbal nga radikalistët e terroristët, por kërkohet të theksohet e zhvillohet një teologji humaniste më tolerante dhe që qartazi e prerazi është kundër dhunës.

Botuar te Gazeta Jeta në Kosovë (www.gazetajnk.com) më 13 shkurt 2015.