gselaci.wordpress.com

Tragjedia e Iblisit

In Uncategorized on 14 January, 2018 at 01:06

A thua se kur Aristoteli shkroi këtë (te “Poetika”), a i kishte shku mendja se ka me u shkru një tragjedi si ajo e Iblisit në Kuran?IMG-20171122-00126 2

Përtej interpretimeve sipërfaqësore të personalitetit të Iblisit, ai ishte i pari që e dëshmoi monoteizmin e tij duke pranuar të përkulet vetëm para Zotit, e jo para Ademit.

Iblisi u gjet ndërmjet dy zjarreve: dëshirës absolute hyjnore: monoteizmit; dhe detyrës dytësore hyjnore: t’i përkulet Ademit. Zoti kishte ngre një kurth për të. Si të përballej me këtë sprovë?

Ai zgjodhi të kundërshtonte urdhërin dytësor duke vënë përpara vullnetin absolut hyjnor, pavarësisht se ishte i vetëdijshëm për fundin tragjik që e priste. E, megjithatë, ishte i bindur se kjo qe zgjedhja e duhur, se Zoti ndonjëherë urdhëron një gjë, por dëshiron një tjetër.

Fati tragjik i Iblisit, për të cilin ai ishte plotësisht i vetëdijshëm, ngjallë në shpirt mëshirë, sepse ai nuk ishte i ligë; dhe frikë, sepse ishte gabimtar me qëllim.

Po kështu, edhe ne (lexuesit), jemi të vetëdijshëm për situatat tona kur me vetëdije bëjmë zgjedhje të gabuara (ose “të gabuara”) që mbarojnë tragjikisht. Tmerr! E megjithatë, nuk meritojmë të biem në mjerim. Mëshirë!

(Frymëzuar nga eseja e S. J. Al-Azm, “Tragedy of Iblis”) #lexime

Advertisements

“Republika në udhëkryq: Kosova në dekadën e parë të pavarësisë”

In Uncategorized on 24 December, 2017 at 00:02

23659280_10155868988783805_6055084043835550654_n

Libri “Republika në udhëkryq: Kosova në dekadën e parë të pavarësisë” (Logos-A, 2017) është një përmbledhje e komenteve dhe analizave që i kam bërë mbi zhvillimet politike e kulturore në vend në temat vijuese:

– Ndërtimi dhe mbikëqyrja e shtetit
– Politika dhe partitë
– Legjitimiteti dhe demokracia
– Identitetet dhe ndarjet shoqërore
– Mendimi dhe tradita
– Publikja dhe opinioni publik
– Fundamentalizmi dhe radikalizimi fetar

 

Nga parathënia e librit:

“Ky libër është një përmbledhje e një numri të përzgjedhur artikujsh që kam botuar në mediet shqipe që nga shpallja e shtetit të Kosovës e deri nga fundi i dekadës së parë të pavarësisë së saj. Ato janë komente për disa nga ngjarjet e zhvillimet e kohës dhe angazhim në debatet publike të kësaj periudhe dhjetëvjeçare mbi shtetin dhe shoqërinë e Kosovës dhe dilemat e saj në udhëkryqet e vendimeve përkitazi me drejtimet politike e kulturore të saj. Ndonëse nuk pretendoj se artikujt në këtë libër janë shkencorë, megjithatë, kam bërë përpjekje që të ndjeki një mënyrë të të shtruarit të çështjeve dhe një logjikë të zhvillimit të argumenteve të ndikuara nga shkollimi dhe trajnimi im në shkencat shoqërore.

Shpresoj se rëndësia e një libri të këtillë është se për brezat e ardhshëm do të jetë si një kronikë e shkruar në periudhën e hershme të lindjes së shtetit dhe shoqërisë tonë. Një shoqëri që e dëshiron përparimin, duhet t’i jepë kuptim ngjarjeve që ndodhin në të. Përndryshe, nuk ka për të mësuar asgjë nga historia e saj. Pavarësisht se çfarë shkruhet për ne dhe për vendin tonë, besoj se është tejet e rëndësishme ajo çfarë ne, qytetarët e shtetit dhe pjesëtarët e shoqërisë, shkruajmë për veten dhe lëmë të shkruar për brezat e ardhshëm. Kështu, së bashku ndërtojmë rrëfenjën për veten, të kaluarën dhe të tashmen tonë, për t’i dhënë kuptim përvojës dhe aspiratave tona si shoqëri. Kjo përmbledhje është bërë me qëllimin që idetë dhe pikëpamjet e paraqitura këtu t’i kontribuojnë ndërtimit të një rrëfenje të tillë dhe të shërbejnë si shenja udhëzuese në udhëkryqet e shoqërisë së re të republikës…

 

Legjitimiteti politik në kohën e krizës europiane

In Integrimi europian on 31 July, 2016 at 01:25

Gëzim Selaci

Botuar në: Gazeta Jeta në Kosovë më 24 qershor 2016

Periudha e zymtë që po kalon BE-ja përmes dezertimit të anëtarëve dhe gremisjes së vlerave nga shtetet brenda saj, vë në pikëpyetje vazhdimësinë e premtimit të integrimit dhe modelit të saj politikëbërës në Kosovë.

 

Misionet ndërkombëtare dhe politikanët e pasluftës në Kosovë kanë përdorë levën e projektit të integrimit në Bashkimin Europian për të legjitimuar pushtetin e tyre. Anëtarësimi në këtë bashkësi shtetesh u bë ideali kah synon shteti i ri, së paku në nivel retorike. Dështimet dhe mospuna e qeverisë si dhe papërgjegjësia e politikanëve u kompenzuan me premtime për integrim në Bashkimin Europian. Mirëpo, kur rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit europian është i pasigurtë dhe kur vetë ideja e Europës së bashkuar po kalon nëpër një krizë që po e vë në dyshim këtë ndërmarrje, çfarë do ta zëvendësojë këtë bazë të pashpresë legjitimuese dhe si do të legjitimohen politikanët e politikat e ardhshme në shoqëri, është një çështje që bart edhe rrezik për të ardhmen e shoqërisë dhe shtetit.