gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘sfera publike’

Telashet e sferës publike kosovare

In Sociologji on 23 August, 2013 at 01:37

Gëzim Selaci

Debati kulturor i kohës sonë karakterizohet me rimendimin e raportit ndërmjet tradicionales dhe modernes në kontekst të konflikt ndërmjet vlerave të së “shkuarës” dhe të së “sotmes”. Mirëpo, shoqëria ka dështuar të gjejë një kod gjuhësor të pranuar e të kuptuar për të gjithë me të cilin kishin me komuniku të gjitha grupet shoqërore, konservatorë e liberalë në atë që quhet sferë publike për të prodhuar një opinion të lirë publik.

Shoqëria jonë po kalon nëpër një periudhë të njohur për të gjitha shoqëritë në modernitet/kohën moderne: ajo po e rimendon të kaluarën e saj në kontekst të aspiratës për t’u bërë shoqëri moderne. Natyrshëm, kjo nënkupton edhe konfliktin ndërmjet vlerave tradicionale dhe vlerave moderne. Ky është debati kulturor i kohës sonë.

Kalimi nga komunitete homogjene të udhëhequra mbi bazë të traditës dhe zakonit në shoqëri heterogjene të organizuar mbi bazë të veprimit racional në Kosovë, me një fjalë procesi i modernizimit, ka filluar qysh nga mesi i shekullit të kaluar në kuadër të modernizimit të njësive federale të Jugosllavisë. Regjimi komunist procesin e modernizimit e udhëhiqte nga lart-poshtë, domethënë modernizimi udhëhiqej e mbikëqyrej nga shteti. Dallimi është se në shoqërinë e sotme, që aspiron të jetë demokratike e liberale, në këtë proces është e përfshirë shoqëria civile pasi pikërisht aty artikulohet qëndrimi i grupeve të qytetarëve ndaj tradicionales dhe modernes.

Por, çfarë është shoqëria civile? Idealisht, shteti liberal lejon veprimtari e institucione të lirë përmes të cilave shoqëria do të organizohej e lirë nga ndikimi i shtetit. Shoqëria civile përbëhet prej individëve dhe organizatave që janë të pavarura prej shtetit e të cilat shprehin interesat dhe vullnetin e qytetarëve. Ajo është sfera publike ku grupet shoqërore shprehin nevojat dhe interesat e tyre dhe ku zhvillohen e shkëmbehen mendime dhe arsyetohen ato për të rezultuar në atë që quhet opinion publik roli i të cilit është të ndërlidhë shtetin me nevojat e individëve dhe shoqërisë. Sfera publike është një fushë e jetës shoqërore ku njerëzit nga pozicione të barabarta mund të mblidhen për të diskutuar të lirë, për të identifikuar problemet, e shprehur nevojat e tyre me qëllim që të ndikojnë në veprimin politik të organeve shtetërore.

Qytetarët po u ekspozohen ideve nga më të ndryshme që po sillen nga të katër anët e globit, jo aq përmes kontakteve të drejtpërdrejta sa përmes mjeteve moderne të komunikimit elektronik dhe në internet të mundësuara nga teknologjia moderne lehtë e qasshme dhe e lirë. Kështu, publiku jonë po bëhet një qendër ku po qarkullojnë ide të prura nga pjesë të ndryshme të botës me dallime të thella kulturore. Në mjedisin tonë të vogël mund të hasësh grupe që përkrahin kauza nga më të ndryshmet, kulturalisht dhe ideologjikisht të ndjeshme e të cilat shpeshherë duken të papajtueshme ndërmjet tyre.

Më pas, këto grupe me mendime të përafërta flasin me njëri-tjetrin brenda grupit dhe zhvillojnë e qartësojnë pikëpamjet e tyre në forume që me një emër kolektiv mund të quhen sferë publike. Forume të këtilla publike ka shumë dhe duhet të ketë, mirëpo defekti është ato janë homogjene dhe përjashtuese. Homogjene përderisa protagonistët mendojnë pak a shumë njëjtë për çështje të caktuara ose priren t’i përshtaten mendimit mbizotërues në grup. Janë përjashtuese përderisa qëndrimet kundërshtuese nuk durohen e nuk përfshihen në diskutim. Për pasojë, këto platforma të sferës publike më shumë konfirmojnë mendime e qëndrime të gatshme që sillen nga jashtë, se sa që i diskutojnë ato për t’i përpunuar e në fund për t’i refuzuar ose asimiluar ato në një sistem origjinal të mendimit.

Secili nga këto forume ka një kod gjuhe me anë të të cilit zhvillon argumente të kuptuara e të pranuara nga pjesëmarrësit në të. Mirëpo, diskurse të këtilla janë të huaja për  të jashtmit të cilët nuk e kuptojnë kodin gjuhësor dhe paradigmat mbi të cilat ngriten argumentet përkatëse. Andaj, kur një grup i ekspozohet diskursit të grupit tjetër, ai skandalizohet nga ajo që dëgjon. Kështu, kur argumentet e organizatave që mbrojnë kauza të debatueshme u bien në vesh të tjerëve që nuk mendojnë njëjtë, ose kur përmes teknologjisë vazet e hoxhallarëve dëgjojnë jo vetëm besimtarët në xhami, por edhe të jashtmit, atëherë nuk ka se si të mos shpërthejë sherri. Duke qenë të mësuar të flasin vetëm me njëri-tjetrin përbrenda grupit, grupet nuk janë të gatshme të dëgjojnë diskurset alternative, ose së paku të provojnë të kenë një empati për mendimin ndryshe.

Sfera publike është vendi në të cilin qytetarët politikisht të barabartë debatojnë dhe parashtrojnë arsyetimet me qëllim që të arrijnë në përfundime për atë se si duhet të organizohet shoqëria e politika. Që të kryejë funksionin e ndërmjetësuesit në mes shoqërisë civile dhe shtetit, sfera publike, sipas definicionit është heterogjene dhe diverse, dmth përmban protagonistë heterogjenë që prodhojnë mendim divers. Mirëpo, të skandalizuar nga shumësia e opinioneve dhe nga diskurset alternative, nuk po arrihet të zhvillohet një sferë publike gjithëpërfshirëse. Sikur ka një garë të grupeve protagoniste që forumi ose forumet e tyre të mbizotërojnë të vetmet në sferën publike. Mirëpo, në një regjim demokratik duhet të lejohen vetëm shumësi forumesh, zërash, opinionesh, e argumentesh, se nuk mund të lejohet një a dy, ngase kjo nuk do të quhej më sferë e të gjithëve dhe për të gjithë, me një fjalë publike.

Në vend se të jetë një platformë diskutimi e negocimi ku formohet opinioni i lirë publik, ky qëndrim ndaj opinioneve rivale dhe alternative ka rezultuar në një sferë publike që shndërrohet në një arenë zënkash emocionale dhe mësymjesh të pandershme dhe sharje ndërpersonale. Diskutimi është i pamundshëm, ngase nuk është gjetur gjuha me të cilën grupet do të komunikonin me njëri-tjetrin. Në vend se një gjuhë e përbashkët racionale (së paku për komunikim të ndërsjellë), ka disa gjuhë emocionale me anë të së cilës grupet mobilizojnë militantët e tyre dhe i gjuhen njëri-tjetrit si mënyrë e ulët për ta diskredituar tjetrin.

Kështu, jo që nuk po formohet një sferë publike e përbashkët dhe më përfshirëse, por grupet ekzistuese po homogjenizohen (liderët e autoritetshëm predik­­­ojnë pikëpamje të padiskutueshme) e në raport me njëra-tjetrën po polarizohen më tepër e po i diskreditojnë kundërshtarët deri në demonizimin e dehumanizimin e tyre. Ato grupe që e kanë më të lehtë qasjen në instancat më të fuqishme të sferës publike, domethënë në media, shfrytëzojnë rastin të shkaktojnë panik moral duke futur frikën nga qëndrimet dhe sjelljet e grupeve kundërshtare, duke i quajtur bashkëpunëtorë të armiqve, tradhëtarë të kombit, blasfemikë, anti-europianë, anti-amerikanë, etj. Mirëpo, kjo mënyrë e ulët dhe e pandershme e lojës një ditë mund t’iu kthehet edhe vetë grupeve që luajnë kësisoj, ngaqë po brejnë vetë parimet e ndershmërisë dhe të paanësisë të cilat garantojnë që në sferën publike të marrin pjesë të gjithë nga pozicione të barabarta për të prodhuar një opinion të lirë publik.

Veç kësaj, ky polarizim dhe ky pasion për t’u marrë me tjetrin; për të sulmuar e për t’u mbrojtur nga tjetri, po e largon vëmendjen e secilit grup nga preokupimi me çështjet e tyre të brendshme. Sulmi i grupeve kundërshtare dhe njëkohësisht mbrojtja prej sulmeve të tyre, marrjen e grupeve me vetveten me qëllim të rimendimit të pikëpamjeve e qëndrimeve të tyre me arsye kritike dhe racionale po e bën një luks të paarritshëm.

Botuar në Shenja, gusht 2013

Advertisements

Mbi sferën e uzurpuar publike

In Sociologji on 5 October, 2010 at 15:12

Gëzim Selaci

Në Kosovë nuk ka sferë publike, ngase një hapësirë e vërtetë në të cilën shoqëria do të artikulonte interesat e saj nuk mund të krijohet në kushte ku epërsi kanë interesat e ngushta kapitaliste dhe të pushtetit.

Ecni trotuareve të secilit qytet të Kosovës dhe do të gjeni se ato më së paku janë për këmbësorë. Në kryeqytetin e ngulfatjes kemi trotuarë që për automjete shërbejnë si vendparkingje, apo si zonë e sigurt shmangieje nga pengesat që vihen në rrugë me qëllim të ngadalësimit të shpejtësisë, pastaj asi që etja e pangopur për të zgjeruar hapësirën e oborreve, banesave dhe lokaleve i ka ngushtuar në hiq më të gjerë se dy-tre gishta dore. Më tutje kemi trotuarë në të cilat pa skurpull banorët vendosin me ditë e javë grumbuj materiali ndërtimor a makina pune, e deri tek ato raste kur trotuari ndërpritet përnjëherë, pra shkëputet nga ndonjë qosh shtëpie, godine, shtyllë elektrike, kioskë, e kështu me radhë, deri në rastin më të lehtë mirë kur grupe kolegësh e miqësh e kanë gjetuar atë si vend për të kryer biseda të shpejta e të cilët mendojnë se kanë më shumë të drejtë në të se kalimtarët dhe as që ndjenjë keqardhje që e zënë udhën.

Këtë tablo nga përditshmëria jonë nuk e solla këtu për të shfryer mllefin për trotuaret e zëna, as për të konkluduar edhe njëherë se sa e pasigurtë dhe e parehatshme është të ecësh në qytetet tona. E solla si analogji, apo me thënë më drejt, për të parë problemin e diçkaje që quhet “sferë publike” në rastin e Kosovës.

Shoqëria ka institucione përmes të cilave qytetarët komunikojnë dhe mblidhen për të debatuar ndërmjet vete për çështje që prekin jetën e tyre dhe janë me interes publik. Kjo pra është sfera publike në të cilën njerëzit diskutojnë dhe grupe shoqërore shprehin nevojat dhe interesat e tyre. Ajo që rezulton nga ky debat quhet opinion publik i cili drejton, apo së paku ndikon në vendimet e veprimet politike të autoriteteve publike. Me fjalë të tjera, funksioni i opinionit publik, i cili formohet nga diskutimet në sferën publike, është të mbart tek autoritetet publike nevojat e shoqërisë, duke krijuar kështu një lidhje ndërmjet nevojave të shoqërisë dhe shtetit.

Kthehemi tek analogjia. Hapësira publike e trotuarit, sikur sfera publike, që ishte dashtë me qenë hapësirë për të gjithë, por e askujt – pra në shërbim të të gjithë këmbësorëve, por pronë private e asnjërit prej tyre – shndërrohet në një hapësirë që uzurpohet nga kushdo që pretendon se, veç ecjes nëpër të, ka të drejtë ta shfrytëzojë edhe për nevoja të tjera private. Ne të gjithë paguajmë për këto të mira publike, por megjithatë dikush pretendon se ka më shumë të drejtë në to sesa të tjerët. E njëjta vlenë për institucionet e sferës publike. Bie fjala, mediumet e universitetet shtetërore (ose ‘publike’, siç është e modës të quhen – thua se të tjerat janë jopublike!), por edhe ato që quhen private, që ishte dashtë me qenë vende ku qytetarë e intelektualë artikulojnë interesat e mendimet e tyre, bëhen gojë e propagandës së qeverisë apo të ndonjë grup interesi. Dhe, pastaj, këtë e quajnë ‘opinion publik’ – pa të drejtë, nuk do mend, ngase opinioni i krijuar në kushte të mbylljes, apo si rezultat i kërcënimeve, në asnjë mënyrë nuk pasqyron interesat e shoqërisë civile apo interesat publikë. Kështu, duke manipuluar me ‘opinionin publik’ janë marrë shumë vendime të rëndësishme politike e ekonomike, si për shembull që nga Kushtetuta e Kosovës, të cilës nuk i ka paraprirë një diskutimi i vërtetë publik. Kushtetuta, nenet e së cilës në të vërtetë janë përkthim i dispozitave të vëna në planin e jashtëm për Kosovën të hartuar nga z. Ahtisari dhe teknokratët e tij, është negociuar aty-këtu nga liderët politikë kryesisht për interesa të pushtetit të tyre. Nuk mund të mohohet se miratimit të Kushtetutës nuk i ka paraprirë një proces i përshtatshëm, i mjaftueshëm e i hapur i diskutimit në publik. Në po të njëjtën mënyrë manipuluese me opinionin publik është bërë privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, pastaj projektet e ndryshme zhvillimore, shumë prej të cilave as që bëhen publike, e kështu me radhë. Ajo që shitet si ‘opinion publik’, në të vërtetë pasqyron interesat privatë të pushtetit politik e ekonomik. Pastaj, janë këta interesa privatë të pushtetit vendës dhe ndërkombëtar të cilët përhapen në publik dhe përkthehen në veprim politik.

Ndërsa pushteti vendës është i ndjeshëm ndaj opinionit publik, dhe prandaj interesohet që ta shtie në dorë atë, pushteti ndërkombëtar beson se aspak nuk cenohet nga publiku dhe opinioni i tij. Që nga fillimi i angazhimit të tyre në Kosovë, misionet ndërkombëtare nuk kanë mundësuar debate të hapura publike me qëllim të krijimit të institucioneve politike shtetërore, por në vend të kësaj imponojnë nga jashtë shoqërisë zgjidhje të propozuara nga teknokratë që, sipas tyre, na qenkan në ‘të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj’. Logjika intervenuese përkujdeset që të mos ketë një sferë publike ku qytetarët do të sillnin pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike të cilat nuk shkojnë me planet e jashtmepër Kosovën. Asaj i shkon për shtati një ambient politik letargjik në kushte të të cilit ajo do të mund të realizonte planet e saja në vend.

Sado të ndryshëm në pikëpamjet e tyre, emërues i përbashkët i këtyre dy pushteteve në raport me sferën publike është kujdesi i tyre i shtuar që në Kosovë të mos ketë vend në të cilin do të artikuloheshin e diskutoheshin vlerat dhe aspiratat e vërteta politike të grupeve shoqërore si dhe interesat individuale të tyre. Me fjalë të tjera, një sferë e vërtetë publike nuk iu levërdis asnjërës prej dy niveleve të pushtetit në Kosovë. Derisa pushteti ndërkombëtar është vendosur në saje të mungesës së saj, ai vendës ka ardhur aty duke shkelë në vazhdimësi sferën publike.

Një sferë publike që nuk është e hapur ndaj strukturave të ndryshme të shoqërisë (elita ekonomike e shoqërore, media, liderë politikë, intelektualë, etj.), por që është tejet e mbizotëruar nga dy a tre qendra të pushtetit nuk ka mundësi të krijojë opinion që buron nga publiku, por më saktë formon opinione të atyre qendrave të pushtetit e që më pas përhapen në publik. Me fjalë të tjera, sfera publike në Kosovë nuk është hapësirë në të cilën përfaqësohen interesat e qytetarëve, por e klikave politikanësh e kapitalistësh, të cilët nuk bëjnë pa njëri-tjetrin. Dhe, duke qenë se demokracia është qeverisje e opinionit të lirë të popullit (demosit), për aq sa këto opinione nuk janë të lira dhe nuk burojnë nga populli, aq jodemokratike është qeverisja në Kosovë.

Në fakt, përjashtimi i shumë strukturave shoqërore dhe interesave të tyre e lë sferën publike të mbizotëruar nga pushteti politik dhe kapitalizmi i tregut. Kombinimi i këtyre dy pushteteve është shkatërrues i shoqërinë civile. Derisa elitat politike janë ndër individët më të pasur në shtetin e Kosovës ose janë shumë ngushtë të lidhur me biznesin, interesat vitalë të popullatës lihen pas dore deri në një shkallë tejet degraduese me nivele të larta të papunësisë, arsimim që prodhon nxënës e studentë të paaftë, dhe mungesë të shërbimeve më elementare, si uji dhe energjia elektrike, si dhe me shërbime sociale në shkallën më të ulët. Kështu shteti, në vend se t’u shërbejë qytetarëve, bëhet në shërbim të forcave të politikanëve dhe aleatëve të tyre kapitalistë, të cilët jorradhë ndodh të jenë nga faresifi i tyre.

Sfera publike nuk garantohet nga shteti, përkundrazi shteti e mbyt atë. Në këto rrethana, hapësira për t’u organizuar dhe ndikuar në vendimmarrje është shumë e pafavorshme. Së këndejmi, mund të konkludohet se në Kosovë nuk ka sferë publike, ngase një hapësirë e vërtetë në të cilën shoqëria do të artikulonte interesat e saj nuk mund të krijohet në kushte ku  epërsi kanë interesat e ngushta të kapitalit dhe të pushtetit politik.

(Botuar në Zëri më 5 tetor 2010)