gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘zgjedhjet’

Zgjedhjet nuk mjaftojnë

In Politikë on 25 March, 2016 at 17:28

Gëzim Selaci

Botuar në GazetaJNK, 15 mars 2016

Pavarësisht nëse bllokimi i Kuvendit dhe ndjekja e opozitës nga autoritetet shtetërore rezulton ose jo me zgjedhje të parakohshme, një gjë është e qartë: ndërrimi i qeverive nuk premton vetvetiu ndryshime në të mirë të qytetarëve. Na duhet një marrëdhënie legjitime ndërmjet udhëheqësve në qeveri dhe qytetarëve: marrëdhënie ma e drejtpërdrejtë, e pandërmjetësuar nga militantë, ambasadorë, biznismenë e grupe kriminalale.

Ka një vërejtje që me të drejtë mund të bëhet në lidhje me “kauzën” e opozitës dhe se a e justifikon ajo bllokimin e Kuvendit dhe mospranimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ose pranimin e tyre vetëm për aq sa përshtatet me qëndrimet e saj. Çështjet të cilat opozita po i ngre si kryesoret dhe më të ngutshmet – pra Marrëveshja për krijimin e Asociacionit me shumicë serbe dhe demarkacioni i kufinit – nuk duket se në mënyrë të padyshimtë kërcënojnë vlerat dhe parimet themelore mbi të cilat është legjitimuar shteti dhe mbi të cilat duhet të themelohet shoqëria në Kosovë. Këto vlera janë liria, barazia, drejtësia, paqja, sovraniteti dhe uniteti i shtetit, si dhe procedurat e demokracisë përfaqësuese, si më kryesoret.

Më pas, është çështje e orientimeve ideologjike si të vihen në praktikë këto përmes organizimit të caktuar shoqëror e ekonomik dhe rregullimit institucional. Po kështu, është çështje e vlerësimeve se në cilën fazë jemi në rrugën drejt (ose kundër) realizimit të këtyre idealeve. Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ka të meta dhe nuk është zgjidhja më e mirë e çështjes së integrimit të veriut në shtetin e Kosovës, por në rrethana joideale, nuk pritet zgjidhje ideale.

Read the rest of this entry »

Advertisements

Kosovarët e deshën ndryshimin, por nuk e gjetën atë

In Politikë on 14 October, 2014 at 07:04

Gëzim Selaci

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë u mbajtën në qershor të 2014-tës. Si rezultat i shtyrjeve – për mendimin tim – të pandershme e në frymë jodemokratike të partive për pushtet, publiku kosovar tërë verën është torturuar me pritje të epilogut të vonuar për shkak të orvatjeve e komplikimeve që partia në qeverinë e kaluar po shpikte me qëllim që ta ruante pushtetin.

Tani, pas katër muajsh zgjedhje, kur po duket se nuk mund të shtyhet më dhe se duhet zhbllokuar këtë gjendje, me marrëveshje ndërmjet partive ose me zgjedhje të jashtëzakonshme, është koha të mendojmë se çfarë presim nga qeveria e ardhshme dhe si të vlerësojmë sinqeritetin e premtimeve të saj. Por, të nisim duke rikujtuar edhe njëherë do fakte për zgjedhjet dhe të reflektojmë se çfarë mund të kuptojmë prej tyre për votuesit dhe partitë politike.

 

Për kë votuan kosovarët

Nëse mund t’u besohet statistikave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e përgjithshme në qershor të vitit 2014 numri i qytetarëve me të drejtë vote është shtuar për afër 167 mijë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2010. Sado që ka arsye për të dyshuar në saktësinë e listës së votuesve,[i] sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, përkundër këtij shtimi, numri i personave që kanë votuar është shtuar vetëm për afër 28 mijë.[ii]

Por, çfarë tregon rezultati i këtyre zgjedhjeve? Pyetjet që mund të shtrohen kur kemi parasysh këto të dhëna janë: Si të shpjegohet rënia e përqindjes së votuese krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2010? Si ta kuptojmë dështimin e partive politike, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, të mobilizojnë më tepër votues?

Partia udhëheqëse në qeverinë e deridjeshme (PDK), përkundër rritjes së pagave për sektorin publik, pensioneve e ndihmës sociale dhe uljes së tarifave të shkollimit në universitetet publike, (bashkë me partitë e tjera në koalicion) nuk mori as një të tretën e votave të përgjithshme, duke mos shtuar kështu numrin e votave të marra që nga zgjedhjet e fundit në vitin 2010, përkundër ngritjes të numrit të votuese që nga ajo kohë. Çfarë tregon kjo, si dhe fakti që partia në koalicionin e kaluar qeveritar, AKR, nuk siguroi asnjë ulëse në kuvendin e ri?

Nga ana tjetër, përse partitë opozitare dështuan të mobilizojnë votuesit në përgjithësi, e sidomos votuesit e rinj që iu kanë shtuar vendit që nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2010?[iii]

Mirëpo, edhe këto këto vota të opozitës, a janë në të vërtetë për opozitën, apo vetëm vota proteste kundër pozitës në kushte të gjendjes së mjerueshme ekonomike e sociale dhe të dështimit të sistemit shëndetësor, arsimor, të drejtësisë, e të tjera?

Përgjigjet për këto pyetje do të mund të gjindeshin tek vetë sjellja e partive në opozitë gjatë mandatit të qeverisë së kaluar. Mendoj se votat që i shkuan këtyre partive, më tepër ishin vota kundër qeverisë së deridjeshme, se sa për opozitën. Kjo ka nodhur ngase qytetarët gjatë mandatit të fundit qeverisës as që kanë parë një opozitë reale e efikase, që ofron një alternativë bindëse për një mënyrë ndryshe të qeverisjes. Ndryshe, partitë e ashtuquajtura opozitare, po të shiheshin si opozitare e të ndryshme edhe në sytë e qytetarëve do të kishin mobilizuar shumë më tepër votues se sa që arritën ta bëjnë.

Kjo është përshtypja ime. Sido që të jetë, bashkimi i opozitës në një koalicion qeveritar nuk duhet t’i shtyjë këto parti ta harrojnë faktin se ato u mundën nga qeveria e deritanishme, e të vetëmashtrohen se qeverinë po e formojnë në saje të mbështetjes popullore. Në të vërtetë, mendoj se ky vetmashtrim e krenaria ngadhënjimtare do të ishte vetë garancia se me qeverinë e re nuk do të ndryshojë asgjë. Partitë opozitare nuk duhet të harrojnë se nuk ishin votuesit përgjegjës përse shumica e votave, megjithatë, i shkoi partisë udhëheqëse në qeverinë e deridjeshme, por duhet të reflektojnë mbi vetveten e të marrin fajin mbi vete përse votuesit nuk gjetën perspektivën e ndryshimit tek ato.

Mendoj se numri i vogël i votave si për partitë në qeverinë e deridjeshme ashtu dhe për ato opozitare, tregon se kosovarët nuk ishin të kënaqur me udhëheqjen e deritanishme, dhe e deshën ndryshim, por atë nuk e gjetën, madje as tek partitë në opozitë.

 

Sprovat e qeverisë së re

Nëse, megjithkëtë opozitës së deridjeshme i pëlqen të besojë se këto vota nuk janë vetëm vota kundër qeverisë së kaluar, por për opozitën, tani që duan ta udhëheqin shtetin, atëherë ajo nuk duhet të lejë përshtypjen se vetëm po synon pushtetin me çdo kusht, por duhet t’i bindë qytetarët se ka program alternativ që ka me e nxjerrë vendin prej varfërisë e mjerimit, me e përmirësu shërbimin shëndetësor publik, me kriju sistem arsimor cilësor e konkurrent.

Por, para kësaj, qeveria e re duhet të ristrukturojë radhët e veta dhe të dëshmojë punë konkrete në dy mënyra, dhe jo vetëm fjalë:

Para së gjithash, në mënyrë që qytetarëve t’iu dërgohet një sinjal se politika po dekriminalizohet, ishte dashtë që të largonin nga udhëheqja dhe radhët e saja njerëzit me biografi të dyshimtë kriminale. Gjithë kjo ndërmarrje do të vlerësohej e sukseshme nëse institucionet dhe administrata publike e kapur nga struktruat e kaluara partiake do të çlirohej përfundimisht. Përndryshe, jetëgjatësia e koalicionit qeverisës nuk do të jetë e sigurt, e madje do t’i mundësojnë partisë në opozitë (PDK-së) që më shpejt e me kredibilitet më të madh të rikthehet në pushtet. Natyrisht, se një rikthim i tillë do të ishte, përsëri, në saje të votës kundër të votuesve të zemëruar, e jo si rezultat i votës për diçka a dikë. Mendoj se modeli i parë, dmth “vota kundër”, është më larg idealit të demokracisë përfaqësuese, ndërsa i dyti, “vota për”, është më afër tij, sepse pasqyron pritshmërinë qytetare se zëri tyre do të dëgjohet në sallat vendimmarrëse e ekzekutive.

Veç kësaj, partitë në fjalë ishte dashtë të dëshmojnë një standard më të lartë të kulturës demokratike duke mos shpërblyer udhëheqësit jokompetentë e të korruptuar dhe duke u dhënë shansin anëtarëve të rinj të shquhen. Kjo domethënë se duhet rishikuar strukturat e këtyre partive me qëllim të instalimit të një sistemi më demokratik, ku vendimet do të merreshin me këshillim më të gjerë partiak, e jo në mënyrë autoritare nga lideri dhe grupi i ngushtë i tij, dhe më meritokratik, ku liderët e deritanishëm do të merrnin përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve (se humbje është) e madje edhe të shkarkoheshin nga udhëheqja e partisë, ku postet dhe përgjegjësitë do t’iu jepnin njerëve që janë dëshmuar më kompetentë në punë e veprimtari.

Për të qenë më bindëse në realizimin e këtyre dy standardeve, partitë në koalicionin e ri qeverisës të cilat kryesojnë komunat në nivel të pushtetit lokal kanë pasur kohë të mjaftueshme për të dëshmuar interesin dhe vullnetin për të ofruar qeverisje të pakorruptuar e të pakriminalizuar me udhëheqës e përgjegjës kompetentë dhe të dëshmojnë punë konkrete që ndihet drejtpërsëdrejti nga ana e qytetarëve.

Serioziteti i premtimit të opozitës së deritanishme se koalicioni është në të mirë të qytetarit do të sprovohet që nga dita e parë në rast të formimit të qeverisë. Testet që do të provojnë sinqeritetin e premtimit të qeverisë së re për qeverisje në të mirë të qytetarit janë të shumta, që nga barikada në urën mbi Ibër e deri te protestat e punëtorëve përpara qeverisë.

Pyetjet që presin përgjigje të ngutshme janë të shumta, e disa kanë të bëjnë me gabimet e qeverisë së kaluar që duhen ndrequr: barra buxhetore pas marrëveshjes së diskutueshme me konsorciumit amerikano-turk Bechtel-Enka që shpenzon 60 përqind të buxhetit të shtetit (mbi 800 milion euro) për ndërtimin e autorrugës 60 kilometërshe në drejtim të Shkupit[iv], rrezikimi i autonomisë dhe cilësisë (edhe ashtu të pakta) si rezultat i uljes së të hyrave pasi qeveria i përgjysmoi tarifat për studime në universitet, marrëveshja e arritur me Serbinë në Prill 2013 që mund të rezultojë në dobësimin e shtetit dhe forcimin e ndikimit të Serbisë brenda Kosovës… Testi me të cilin do të vlerësohet qeveria e re ka të bëjë me pyetjen se çfarë do të bëjë ajo për t’iu adresuar këtyre problemeve, e të tjerave, dhe si do t’i zgjidhë ato?

[i] Lexo këtu për dyshimet e ngritura në lidhje me saktësinë e listës së votuesve: http://gazetajnk.com/?cid=1,3,5653

[ii] Krahaso të dhënat e përgjithshme të votave të vitit 2010 http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/statistikat_e_pergjithshme_pjlirfjomf.pdf me ato të vitit 2014: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/Statistikat%20-%2020140625%20Statistics%20-%20Kosovo%20Level_jrfqfpwjwy.pdf

[iii] Krahaso numrin e votave, perqindjet dhe mandatet në Kuvend në zgjedhjet e vitit 2010: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/rezultatet_e_pergjithshme_eyeodbpohj.pdf me ato në zgjedhjet e vitit 2014: http://www.kqz-ks.org/Uploads/Documents/Ndarja%20e%20uleseve%20-20140625%20Seats%20Allocation%20with%20Parties%20Votes%20and%20Number%20of%20Seats_afqvaqzvod.pdf

[iv] Një kontratë e diskutueshme sidomos pasi u kuptuan këto: http://www.balkaninsight.com/en/article/bechtel-hires-us-diplomat-amid-kosovo-contract-controversy

Botuar në Shenja, tetor 2014 me titull: E deshën ndryshimin, por nuk e gjetën

Përtej kutive të votimit: mungesa e legjitimitetit demokratik në Kosovë

In Politikë on 29 December, 2009 at 16:16

Gëzim SELACI

Pikëpamjet që legjitimitetin e kufizojnë si çështje besimi të subjekteve dhe për pasojë e matin atë me numrin e ‘krerëve’ që votojnë apo besojnë tek institucionet qeverisëse, injorojnë faktorët që ndikojnë dhe e përcaktojnë legjitimitetin e që nuk kanë të bëjnë fare me besimin. Legjitimiteti demokratik provohet në sferën publike dhe jo me numrin e votuesve as në mendimet private të individëve në anketa.

 

Legjitimiteti dhe pushteti

‘I forti kurrë nuk është aq i fortë sa të bëhet sundimtar’ shkruante filozofi Zhan Zhak Ruso, ‘po nuk e shndërroi fuqinë e tij në të drejtë dhe bindjen në detyrë.’

Ky formulim është tejet domethënës për rëndësinë e të legjitimuarit të pushtetit politik. Në mënyrë që të qëndrojë, një sundimi politik i duhet që pushtetin e fituar ta kthejë në autoritet të drejtë, apo me fjalë të tjera, legjitim. Pra, që pushteti të njihet si i drejtë dhe i pranueshëm apo legjitim, nuk është vetëm një privilegj për klasën pushtuese, por parakusht i qeverisjes të qëndrueshme të vendit.

Pushteti vendës dhe ndërkombëtar në Kosovë, secili prej tyre kanë telashet e veta me legjitimitetin e sundimit të tyre. Klasa aktuale e pushtetit në Kosovë legjitimitetin e saj e bazon në arritjet e kaluara (rezistenca kundër okupimit serb dhe lufta për çlirim) dhe në premtimet për integrim në Bashkimin Europian në të ardhmen. Mirëpo, kujtimet e së kaluarës dhe premtimet për të ardhmen janë të pamjaftueshme për të krijuar një themel të fortë që do të legjitimonte vendimet e marra në emër të popullit. Përveç ndjenjës së interesit të përbashkët, njerëzit veprojnë dhe sillen edhe si subjekte racionale, të shtyrë nga interesat e tyre vetjakë për leverdi dhe dobi të prekshme në të tashmen.

Për sa i përket pushtetit ndërkombëtar, dita ditës po duket se ai po e udhëheq vendin pa e pasur të qartë qëllimin dhe pa raporte legjitime me popullin, përveç nëse bazë të legjitimitetit të tyre e konsiderojmë ruajtjen e paqes, shtet-ndërtimin dhe integrimet në Bashkimin Europian. Mirëpo, kjo bazë është duke u rrënuar në saje të dështimeve për të ndërtuar institucione funksionale të shtetit dhe zhvillimeve të fundit në rajon ku Kosova mbetet vendi më i izoluar, ndërsa perspektiva për integrime është e dyshimtë për shkak të qëndrimit të disa vendeve të Bashkimit Europian kundër pavarësisë së Kosovës, por edhe për vetë ngecjet e vendit drejt integrimit europian.

Sidoqoftë, nuk do të ndalem për të diskutuar këtë. Në cilindo rast, ky legjitimitet nuk vjen nga ndonjë përpjekje për të angazhuar dhe përfshirë popullin e Kosovës në vendimmarrje, e që është baza e legjitimitetit demokratik, por nga premtimi për të udhëhequr një shtet politikisht të dobët, ku sundon kushdo përpos ligjit dhe ekononomikisht të pazhvilluar drejt ‘parajsës së bollëkut, mirëqenies, e sundimit të ligjit’ që ‘vjen me anëtarësimin e Kosovës në Europën e bashkuar’!

Prandaj, duhet bërë dallim ndërmjet ‘legjitimimit’ që ka për qëllim të bëjë të pranueshme qeverisjen (dhe keqqeverisjen) e pushtetit në sytë e popullit dhe marrëdhënies legjitime që justifikohet në saje të respektimit të normave dhe ligjeve të themeluara. Është pikërisht kjo marrëdhënie legjitimite ndërmjet qeverisë dhe të qeverisurve që garanton përgjegjshmërinë e pushtetit ndaj popullit.

Veç kësaj, legjitimiteti i një regjimi politik ndikon edhe sjelljen e të qeverisurve, dhe jo vetëm të qeverisë. Rregulli i shtuar, stabiliteti dhe efikasiteti janë nga përparësitë që një sistem legjitim pashmangshëm i gëzon, si rezultat i bindjes së qytetarëve që buron nga ndjenja dhe identifikimit të tyre me sistemin përkatës politik.

Nëse kjo nuk ndodh në zgjedhjet e radhës, Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbajë ‘zgjedhje të lira dhe demokratike’ dhe të kënaqet me duartrokitje nga jashtë e brenda, por kjo nuk do të garantojë cilësinë e sistemit politik, shërbimeve publike dhe sundimin e ligjit në vend. Këto të fundit janë të lidhura ngushtë me shoqërinë dhe nuk mund të pritet që ato të vijnë nga Brukseli apo Uashingtoni, para se të zhvillohet përgjegjshmëria demokratike në vend.

Miratimi publik

Ngritja e lehtë e përqindjes së votuesve nga numri i përgjithshëm i elektoratit mund të jetë një shenjë optimiste nëse niveli i daljes në zgjedhje merret si tregues i legjitimitetit duke supozuar se përmes daljes për të votuar qytetarët njohin autoritetin dhe politikat përkatëse të klasës politike. Sidoqoftë, kjo do të ishte e vlefshme për dimensionin sociologjik të legjitimitetit, domethënë asaj çfarë njerëzit besojnë të jetë legjitime. Sipas këtij kuptimi, legjitimiteti është sinonim i miratimit publik, dhe studiohet përmes hulumtimeve të opinionit publik.

Megjithatë, aftësia e një regjimi për të mbjellë dhe ruajtur miratimin e popullatës, nuk është e mjaftueshme për të studiuar çështjen e legjitimitetit normativ demokratik. Me rëndësi thelbësore është edhe mënyra se si arrihet miratimi popullor: me mashtrim, detyrim, apo në bazë të parimeve të sovranitetit popullor.

Megjithëse një klasë politike mund të gëzojë mbështetje të gjerë popullore, kjo nuk e bën atë detyrimisht demokratike në kuptimin liberal (që nënkupton të drejta dhe liri të caktuara qytetare) e as kushtetuese (që nënkupton se ajo klasë duhet t’i përmbahet rregullave dhe ligjeve të vëna). Ilustrime ekstreme të kësaj janë mbështetja e gjerë popullore në autokraci për diktatorë, si Hitleri dhe Millosheviqi. Natyrisht këta kishin arritur të siguronin këtë mbështetje duke demobilizuar opozitën, apo me fjalë të tjera duke dobësuar apo përjashtuar shoqërinë civile dhe partitë opozitare nga sfera publike dhe duke minimizuar angazhimin qytetar.

Legjitimiteti demokratik

Që një qeveri të ketë të drejtë të krijojë institucione dhe të vë ligje për një popullatë, ajo duhet të gëzojë legjitimitet jo vetëm në kuptimin sociologjik, por edhe normativ, pra të plotësojë kushtet apo normat që kanë të bëjnë me kualitetin e institucioneve dhe përmbajtjen e ligjeve: që ato të jenë të drejta dhe që diskutimi për to të jetë i paanshëm e i hapur, e kështu me radhë.

Pra, ideja e përhapur se zgjedhjet demokratike mund të jenë të mjaftueshme për të ndërtuar legjitimitetin politik mund të sfidohet lehtë. Ka praktika të tjera politike të cilat ndërtojnë ose rrënojnë legjitimitetin politik. ‘Zgjedhjet e lira dhe demokratike’ që rezultojnë në vendosjen e një qeverie të caktuar e cila më pas pretendon të flasë dhe të marrë vendime në emër të ‘vullnetit të popullit’ nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar se ajo qeveri gëzon legjitimitet pavarësisht nga cilësia e qeverisjes dhe e procesit të zgjedhjeve. Kjo është sidomos e vërtetë në kontekst të nivelit tejet të ulët të demokracisë brenda partiake dhe mungesës së ofertave për politika alternative.

Zgjedhjet janë të mira jo për shkak se agregojnë apo bashkojnë preferencat dhe vullnetin e votuesve, por ngase atyre iu paraprin (ose së paku duhet t’iu paraprijë) një diskutim i përgjithshëm politik gjatë të cilit qytetarët informohen dhe marrin njohuri mbi çështjet me interes publik. Politikanët duhet të paraqesin alternativa dhe të argumentojnë pse dhe si politikat e propozuara prej tyre janë më të mira se ato të kundërshtarëve politikë.

Funksioni i medias masive në këtë proces është t’ua sqarojë qytetarëve se sa janë të logjikshme dhe të realizueshme alternativat e propozuara. Sidoqoftë, vështirë se mund të thuhet se mediat e kanë luajtur këtë rol gjatë fushatës zgjedhore. Ato më shumë janë pozicionuar pro partive të caktuara dhe kanë mbështetur e promovuar pa kusht atë apo këtë kandidat për poste të politikës lokale.

Ndërsa faktorët ndërkombëtarë dhe vendës i vlerësuan si të suksesshme zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, ata e bënë këtë duke i parë ato thjesht si një instrument përmes të cilit preferencat e qytetarëve agregohen në kutitë e votimeve, pavarësisht mungesës së procesit të argumentimit e debatit racional që duhet t’i paraprijë vendimmarrjes demokratike gjatë së cilës partitë dhe shoqëria civile nuk përjashtohen dhe kanë shanse të barabarta për të shprehur alternativat, qëndrimet dhe mospajtimet e tyre. Vetëm pasi ky proces i diskutimit publik të jetë kryer zgjedhjet kanë kuptimin e grumbullimit të vullnetit të qytetarëve të informuar, dhe jo të votuesve që zgjedhjet e tyre i bazojnë në parapëlqime rajonale e personale.

Demokracia, si sistem qeverisës i popullit, legjitimitetin e bazon në parimin e sovranitetit popullor që ushtrohet përmes formave të demokracisë përfaqësuese (zgjedhjet) dhe që garantohet përmes lirive formale të besimit, shprehjes dhe organizimit, ashtu që rezultati i zgjedhjeve me të vërtetë të reflektojë vullnetin e popullit.

Një sistem mund të thuhet se ka krizë legjitimiteti atëherë kur rregullat mbi të cilat bazohet sistemi rrezikohen ose sfidohen. Demokracia liberale, si sistem që bazohet në zgjedhje dhe liritë përkatëse, kërcënohet nga kriza e legjitimitetit atëherë kur këto tipare legjitimuese të saj vihen në rrezik. Në Kosovë, ku patëm zgjedhje jo dhe aq të lira (liria për t’u shprehur nuk u garantua sa duhet) dhe jo dhe aq të drejta (pati manipulime me vota), mund të flitet për pretendime ‘demokratike’ por zor se mund të dëshmohet niveli i duhur i demokracisë së vërtetë.

Sido që të jetë, të manipuluara apo jo, legjitimiteti i vërtetë demokratik shkon përtej kutive të votimit. Ajo që ka rëndësi për këtë formë legjitimiteti është që politikat e propozuara t’i nënshtrohen shqyrtimit të kujdesshëm gjatë një procesi gjithëpërfshirës të diskutimit publik para zgjedhjeve. Përndryshe, votimi nuk do të ishte i domosdoshëm për zgjedhje. Në vend se me votu, zgjedhja e personave për poste politike do të mund të bëhej në forma shumë më praktike dhe më pak të kushtueshme, siç është heqja e shortit, për shembull.

(Botuar në Trendet.net dhe në Kosova Sot me ndryshime të vogla më 30 dhjetor 2009)

Zgjedhjet ‘historike’, (keq)kuptimet e tyre dhe kriza e legjitimitetit

In Kosova, Politikë on 17 November, 2009 at 10:38

Gëzim Selaci

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit u vlerësuan si “historike” dhe një “test i madh i demokracisë”. Në një mesazh para zgjedhjeve, Presidenti i vendit theksoi se ato janë test edhe për proceset e integrimit në Bashkimin Europian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Zyrat ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen se nga ato varet reputacioni i Kosovës në afat të gjatë.

Natyrisht krejt kjo histeri u transmetua tek votuesit potencialë me anë të një fushate të fuqishme, por të pashije mediale. Fushata elektorale kaloi me zhurmë të madhe me qëllim për t’ua mbushur veshët popullit me premtime përmes reklamave agresive në ‘billbordat’ e mëdha rrugëve plot zdralë dhe në televizion e gazeta krahas reklamave të produkteve konsumuese dhe shërbimeve komerciale.

Sfera publike u pushtua nga të njëjtat fytyra të politikanëve që konkurronin për pushtet. Debatet televizive bëheshin kryesisht ndërmjet kandidatëve dhe politikanëve, ndërsa zërat e pavarur mungonin.  Zhurma e madhe e reklamave dhe debateve ndërmjet kandidatëve për pushtetin lokal, nuk la mundësi për të dëgjuar edhe kritikën e paanshme. Madje, gazetat u ngulfatën me raportime për fushatën zgjedhore, dhe ato faqe që në kohëra normale rezervohen për opinione dhe komente nga lexuesit, u mbushën plot reklama shumëngjyrëshe dhe reportazhe për filan kandidatin që vizitoi këtë apo atë lagje për të ‘biseduar me qytetarët’.

Pavarësisht nga kjo, kësaj radhe është për t’u mirëpritur dalja më e lartë e votuesve për zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e fundit në 2007. Megjithatë, trendi i votuesve është në rënie që nga zgjedhjet e para në 2000. Vala histerike e zgjedhjeve ‘historike’ nuk e preku gjysmën e elektoratit të Kosovës. Niveli i ulët i daljes në zgjedhje tregoi më së miri për mossuksesin e këtyre fushatave farse të cilat nuk bindën masat për të votuar. Nuk i bindën, se dështuan t’u ofronin atë që qytetarët e kërkojnë tash e një dekadë.

Nëse vërtet këto zgjedhje ishin provime të integrimit në BE, demokracisë dhe reputacionit, atëherë vështirë se i kemi kaluar të gjitha provimet. Falë parregullsive që nisën me fillimin e parakohshëm të fushatës, incidentet me armë nga fundi i fushatës zgjedhore, e deri te incidente e parregullsi të vogla të raportuara nga vëzhguesit gjatë procesit  të votimit, kemi huqur rrugën e BE-së. Raportimet e hershme të vëzhguesve shpallin se votimi i ka plotësuar standardet ndërkombëtare. Pa mëdyshje se kjo do të përmirësojë imazhin e Kosovës në botë në këtë periudhë kritike kur pritet vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar për ligjshmërinë e Kosovës së pavarur. Por, ajo çfarë është më me rëndësi të diskutohet është nëse e kemi kaluar provimin e demokracisë.

Abstenimi si tregues i demokratizimit të elektoratit?

Teoria demokratike e votimit ka dy shpjegime kryesore përse votojnë njerëzit. Njëra thotë se njerëzit votojnë për të zgjedhur ato parti që besojnë se do t’u ndihmojnë të arrijnë qëllimet e tyre personale. Kjo quhet zgjedhje racionale, ngase supozon se votuesit zgjedhin duke u bazuar në një logjikë racionale; pra, zgjedhin ata që besojnë se do të prodhojnë rezultate që votuesit i duan.

Sidoqoftë, ka edhe arsye të tjera ‘irracionale’ që i shtyjnë njerëzit të votojnë. ‘Irracionale’ në kuptimin që nuk motivohen nga besimi se vota e tyre ndikon në rezultatet e politikave, por më shumë bazohen në shtytës të tjerë, si ‘detyra’ qytetare për të votuar, etj.

Për të shpjeguar nivelin e lartë të abstenimit mund të bazohemi në këto dy teori. Pikëpamja racionale do të thoshte se kalkulimet racionale të elektoratit nuk u kanë dhënë arsye të fortë atyre të besojnë se një votë e tyre do të çojë peshë në rezultatet e politikave lokale. Ky mosbesim vjen nga perceptimi se partitë nuk po iu adresohen interesave të qytetarëve, apo se nuk kanë kompetencë e aftësi të menaxhojnë çështjet me rëndësi. Pikëpamja irracionale do të thoshte se elektorati nuk e ka ndjerë votimin si obligim qytetar, apo akt patriotik.

Cilido qoftë shpjegimi më i përshtatshëm për zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, politikanët, zyrat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe fushata mediale dështuan të zgjojnë cilëndo prej motiveve tek masat për të votuar. Me fjalë të tjera, ata dështuan të bindin subjektet racionale se vota e tyre ia vlen, apo të ngrehin vetëdijen e tyre mbi kalkulimet racionale, që eventualisht të dalin për të zgjedhur.

Niveli më i lartë i daljes në zgjedhje në fillim të viteve pas çlirimit mund të shpjegohet si inerci e besimit të popullit tek elitat që rezistuan, luftuan dhe arritën të fitojnë përkrahjen e vendeve perëndimore për t’u çliruar nga terrori serb, dhe si një akt që shprehte patriotizmin në periudhën e entuziazmit të çlirimit. Pra, një shpjegim më i afërt me teorinë e zgjedhjes irracionale.

Mirëpo, trendi i rënies së votuesve nga zgjedhjet në zgjedhje, mund të jetë tregues se shoqëria kosovare po bën zgjedhje racionale për pushtet. Si duket, gjithnjë e më pak kosovarë votojnë ngase e ndjejnë si një të detyrë, apo për t’ia përmirësuar prestigjin vendit të vet. Motivi i tyre për të votuar është shumë i thjeshtë: ata votojnë sepse kanë interes personal nga kjo. Me fjalë të tjera, votojnë për të zgjedhë ata që besojnë se do t’i përfaqësojnë interesat e tyre në pushtet. Rrjedhimisht, nuk votojnë nëse nuk kanë kujt t’ia besojnë përfaqësimin e atyre interesave. Është aq e thjeshtë! Po. Edhe militantët partiakë votojnë për këtë, madje ata kanë arsye më shumë për të besuar se do të përfitojnë nga zgjedhja e tyre. Edhe serbët e Kosovës nuk dalin në zgjedhje, ngase besojnë se strukturat paralele të përkrahura nga Serbia u shërbejnë më shumë interesave të tyre, sesa institucionet e Kosovës, përkundër rregullimeve kushtetuese që janë në favor të tyrin. Njëjtë, dalja e serbëve në zgjedhje është tregues se ata po humbin besimin tek ‘mbrojtja’ e Beogradit.

Kur njerëzit të votojnë për motive që kanë të bëjnë me realizimin e interesave të tyre, këtu lind kultura demokratike. Prandaj, trendi i rënies së votuesve tregon demokratizimin e popullit të Kosovës, nëse supozojmë se rënia e votuesve shpjegohet me abstenimin e votës irracionale dhe përforcimin e votës racionale. Dhe kjo është një arsye për optimizëm. Zhgënjyese është se partitë dhe politikanët dështuan të ofrojnë garanci se i kuptojnë, i ndjejnë interesat e nevojat e tyre dhe se do të punojnë për t’i realizuar ato. Në këtë situatë, nuk është e habitshme se populli nuk nënshkruan një kontratë, zbatimi i së cilës nuk garantohet.

Kriza e legjitimitetit

Niveli i lartë i abstenimit në zgjedhjet e para të Kosovës së pavarur flet për rënie të besimit të votuesve tek liderët dhe institucionet dhe për një krizë të legjitimitetit në të cilën gjendet regjimi i ri. Duke abstenuar nga e drejta për të votuar, qytetarët shprehën mosbesimin e tyre në sinqeritetin dhe kompetencën e politikanëve që garuan për poste të pushtetit lokal.

Dhe nuk është pritur ndryshe, ngaqë njerëzit kanë pritur shumë prej pavarësisë. Fajësohej statusi i pazgjidhur dhe UNMIK-u për gjithçka, por tani që këto probleme nuk i kemi (sic!), megjithatë shumë pak është bërë për të bindur votuesin potencial se ia vlen t’ia fal besimin politikanëve. Regjimi demokratik që mbaron tek vota dhe trajtimi i qytetarëve vetëm si vota në kuti nuk kalon pa u vërejtur; dhe reagimi i tyre ndaj kësaj shprehet në mungesën e gjysmës së elektoratit në zgjedhjen e pushtetit.

Dhe për fund, një gjë është e sigurt: kur partitë e mëdha nuk janë në gjendje të mobilizojnë shumicën e votuesve, ndërsa partitë e vogla dhe iniciativat nuk mund të marrin besimin e mjaftueshëm për të garuar me partitë e mëdha, atëherë legjitimiteti i tërë elitës politike është në rrezik.

Kështu, në vend që politikanët t’u mbajnë derse popullit për obligueshmërinë e zgjedhjeve, do të ishte më e udhës që për zgjedhjet e radhës politikanët të marrin vetë leksion nga ky abstenim masiv nga zgjedhjet, nëse duan ta legjitimojnë pushtetin e tyre në sytë e popullit.

Botuar te Kosova Sot më 17 nëntor 2009.