gselaci.wordpress.com

Shtetndërtimi ndërkombëtar – perspektiva teorike dhe raste studimi

POLITIKA E SHTETNDËRTIMIT NDËRKOMBËTAR – ME THEKS TË VEÇANTË NË RASTIN E KOSOVËS

Gëzim Selaci

Njoftim me përmbajtjen e lëndës

Ndërkombëtarizimi i shtetndërtimit dhe angazhimi i ‘Bashkësisë ndërkombëtare’ në pjesë të ndryshme të globit në projekte që kanë për qëllim ndërtimin e institucioneve shtetërore është i lidhur ngushtë me trendet botërore të qeverisjes globale si dhe trende të tjera globale, që pasuan ndryshimet në politikën ndërkombëtare pas fundit të Luftës së Ftohtë.

Projekti i ndërtimit të shtetit në territoret pas konfliktit i përket në një masë të madhe aktorëve ndërkombëtarë, si Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe organizmave të tij, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe shteteve më të fuqishme të Perëndimit. Këta kanë kontribuar dhe po kontribuojnë në aspektet e ndërtimit të shtetit, siç janë ndërtimi i paqes, ndërtimi i institucioneve, demokratizimi, sundimi ligjit, zhvillimi, e kështu me radhë. Por, cilat janë rezultatet dhe ndikimi i këtyre politikave në proceset shtetformuese në vendet të cilat u nënshtrohen atyre dhe cili është raporti i këtyre organizatave dhe organizmave ndërkombëtarë me aktorët vendore, d.m.th. me institucionet e qeverisjes vendore, dhe institucione e tjera shtetërore e demokratike? Pikërisht ky është subjekti i studimit dhe analizës kritike i kësaj lënde.

Lënda i njofton studentët me teoritë dhe praktikat e shtetndërtimit ndërkombëtar, një dukuri në politikën ndërkombëtare e pranishme sidomos që prej viteve 1990-ta. Lënda vë theksin në çështjet e politikës ndërkombëtare që lidhen me këtë dukuri, veçanërisht në sigurinë ndërkombëtare, zhvillim, demokraci, të drejtat e njeriut dhe rindërtimin pas konfliktit. Fokusi është në proceset shtetformuese në Kosovë,  por do të vështrohet edhe më gjerë në mënyrë që të njihet konteksti dhe rastet e tjera të shtetformimit.

Kursi është një studim shumëdisiplinor që inkorporon njohuritë e nxëna nga një mori lëndësh të tjera, si teoria dhe praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacia, organizatat ndërkombëtare, integrimet euro-atlantike, teoria dhe praktika politike, si teoria e shtetit, e demokracisë, e të tjera.

Qëllimi dhe rëndësia e lëndës

Kjo lëndë u ndihmon studentëve të njihen me debatin akademik dhe atë politik përkitazi me shtetndërtimin ndërkombëtar pas ndryshimeve në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare që filluan me fundin e Luftës së Ftohtë. Diskutimi në këtë lëndë zhvillohet nëpërmjet temave vijuese: siguria, ndërtimi i paqes, themelimi i institucioneve, zhvillimi, demokracia dhe të drejtat e njeriut. Shqyrtohen disa nga qasjet teorike që janë zhvilluar për shtetndërimin duke përfshirë: shtetndërtimi pas konfliktit, ndalimi i dështimit të shtetit dhe praktika e zgjerimit të BE-së. Në fund, përmbyllet me një diskutim të implikimeve të shtetndërtimit ndërkombëtar në teorinë dhe praktikën politike.

Ligjëratat përmes diskutimeve dhe ushtrimet përmes punëve seminarike duhet t’u japin studentëve njohuritë themelore mbi këtë disiplinë dhe teoritë e saja, si dhe të nxisin diskutime mbi to e të zhvillojnë aftësitë e studentëve për kërkime dhe analiza të pavarura, duke i njohur me metodat dhe burimet e kësaj lënde.

Kjo u jep studentëve një ide të qartë mbi procesin e ndërtimit të shtetit; konkretisht  me rrjedhën dhe problematikën e ndërtimit të institucioneve të qeverisjes, zhvillimit ekonomik, integrimit euro-atlantik, si dhe mbi aktorët e përfshirë në shtetndërimin e Kosovës dhe politikat e tyre përkitazi me proceset e shtetndërtimit. Studimit analitik dhe kritik i të kaluarës dhe të tashmes të këtij procesi do të dhe ndriçonte edhe pikëpamjen për të ardhmen e tij.

Analiza e ngjarjeve dhe rrjedhave të procesit të ndërtimit të shtetit në Kosovë e sistemuar në bazë të një metodologjie shkencore është më se e nevojshme dhe e dobishme për opinionin publik dhe për diskursin akademik në Kosovë. Ky program studimi do të ishte një perspektivë alternative e rrymës qendrore që reflektohet në shpjegimin zyrtar në njërën anë, dhe e në diskursin popullor e gazetaresk, në anën tjetër.

Analizat e dala nga ky studim ndihmojnë opinionin publik për të kuptuar më drejtë proceset shtetformuese nëpër të cilat po kalon Kosova, por edhe ndihmon që vendimmarrja në instancat e larta shtetërore të bëhet në dritë të zbulimeve dhe prurjeve të këtij studimi.

Rezultatet e studimit

Në fund të lëndës, studentët do të jenë kompetent të:

  1. vlerësojnë në mënyrë kritike një varg teorish të shtetit dhe sovranitetit që mund të zbatohen në studimin e shetndërtimit ndërkombëtar;
  2. analizojnë se si shtetndërtimi dhe politika e brendshme zhvillohet dhe mbështetet  nga mandatet e rolet e reja të institucioneve ndërkombëtare;
  3. vlerësojnë në mënyrë kritike se si praktika e shtetndërtimit ndërkombëtar është zhvilluar në një kontekstit specifik politik si reagim ndaj ndryshimeve të pikëpamjeve përkitazi me rolin e shtetit;
  4. vlerësojnë në mënyrë kritike një varg teorish mbi demokracinë, përmbajtjen dhe praktikat e saj dhe se si këto lidhen me kontekstin e rregullimit ndërkombëtar.

Temat

Shtetndërtimi ndëkombëtar si lëndë akademike studion çdo dukuri joshoqërore-politike në procesin e ndërtimit të institucioneve të shtetit, të paqes, të zhvillimit si dhe lidhjen e tyre me marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, temat kryesore të shtetndërtimit janë:

  • Çfarë nënkupton shtetndërtimi ndërkombëtar?
  • Çfarë çështje problematike ngre shtetndërimi ndërkombëtar?
  • Pse shtetndërtimi ka marrë karakter ndërkombëtar?
  • Lidhjet ndërmjet sigurisë dhe shtetndërimit.
  • Si dhe pse po ndryshon pikëpamja mbi shtetin, d.m.th, rolin dhe pozitën e tij si faktor ndërkombëtar?
  • Si po ndërron kuptimi i konceptit të sovranitetit?
  • Sovraniteti si përgjegjësi dhe sovraniteti si e drejtë.
  • Teoria e demokracisë, demokratizimi dhe shtetndërtimi.
  • Shtetndërtimi pas konfliktit (Kosovë, Bosnje, Timor Lindor, Afganistan, Irak).
  • Ruajtja dhe ndërtimi i paqes.
  • Ndërtimi i institucioneve.
  • Shtetndërtimi dhe integrimi në BE: shtetet anëtare dhe shtetet e ardhme.
  • Qeverisja globale dhe shtetndërtimi.

Metoda e mësimdhënies dhe studimit

Shtetndërtimi do të mund të studiohej në disa mënyra. Ai do të mund të studiohej duke këqyrë në rastet e ndërtimit të shtet-kombeve në Europën perëndimore, por Kosova nuk bën pjesë në këtë kategori. Ai do të mund të studiohej si proces i ndërtimit të kombeve pas periudhës së kolonializmit në fillim të shekullit XX, por rasti i Kosovës nuk bëj pjesë as në këtë kategori. Të dyja këto do të jenë objekt studimi, por jo qendror, porse më tepër si hyrje dhe për hir të krahasimit. Shtetndërtimi gjithashtu do të mund të studiohej përmes analizës së angazhimit të ‘Bashkësisë ndërkombëtare’ në projektet shtetformuese në vendet pas konfliktit, dhe pikërisht kjo është fusha më e rëndësishme e kësaj lënde, sepse shtetndërtimi i Republikës së Kosovës radhitet nën këtë kategori. Veç kësaj, studentët janë më shumë të interesuar për këtë të fundit, duke qenë se kjo i bën ata kompetent për t’u angazhuar në veprimtari të ndryshme akademike, vendimmarrëse e ekzekutive në institucionet vendore por edhe ndërkombëtare dhe i përgatit ata për tregun e punës në nivel vendor dhe global.

Kliko këtu për hollësi në lidhje me temat, literaturë dhe materiale për studim. (Kërkohet paswordi…)

%d bloggers like this: