gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘kushtetuta’

Dilema të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

In Shteti dhe pushteti on 25 December, 2011 at 22:32

Gëzim Selaci

Pas dështimit apo rënies së një regjimi, paraqitet nevojë urgjente për të ndërtuar regjim të ri nga fillimi. Pritet që këtë detyrë ta formalizojë hartimi i kushtetutës së re si baza e të gjitha ligjeve dhe grup rregullash për marrjen e vendimeve kolektive.  Mirëpo, çfarë domethënë të krijohet një kushtetutë për një “polity” të re pas rënies së regjimit të vjetër? Nga buron kushtetuta? Cilat funksione pritet t’i ketë ajo dhe çfarë qëllimesh synon t’i realizojë ajo?

Burimet

Për sa i përket çështjes se nga buron Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është e ditur se ajo në të vërtetë është përkthim i dispozitave të Planit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës (i ashtuquajturi “Plani i Ahtisarit”) me ndonjë ndikim josubstancial nga aktorë vendës. Sado që ka pasur një fushatë, por jo përpjekje të sinqertë, për ta shtruar në forume publike për diskutim draftin e Kushtetutës, ajo është hartuar pa ndonjë kontroll të procesit a substancës nga ana e përfaqësuesve zyrtarë dhe pa konsultim substancial me popullsinë dhe komunitetet.

Fakti i mospjesëmarrjes popullore në hartimin e Kushtetutës së Kosovës nuk përbën një përjashtim nga mënyra se si rëndom hartohen kushtetutat. Kushtetutat nuk rezultojnë drejtpërdrejt nga diskutimet a debatet publike, por janë produkte të një grupi elitash politike dhe projeksione të vizioneve të tyre në lidhje me atë se si duan ta shohin shoqërinë dhe shtetin që po krijohet, e që më pak apo më shumë pasqyrojnë aspiratat popullore.

Madje, në shtetet e pushtuara pas luftërave ky proces një njëfarë mënyrë kontrollohej nga aktorë të jashtëm duke u diktuar kushte që duheshin plotësuar me rastin e hartimit të kushtetutave. I tillë ishte rasti me Japoninë e me Gjermaninë pas Luftës së dytë botërore, si dy shembuj të suksesshëm të tranzicionit demokratik.

Kosova është shembull i një lloji tjetër të imponimit të strukturave kushtetuese tek popullsia vendëse. Kushtetuta e Republikës së Kosovës mbështetet gati kryekëput në dispozitat e “Planit të Ahtisarit” e që ky i fundit në të vërtetë është një plan i jashtëm për Kosovën i hartuar nga teknokratë në krye me Marti Ahtisarin, të cilët besonin se propozimi i tyre ishte më i pranueshmi për palët në konflikt. Kështu, Kushtetuta jonë, që në shumë aspekte është kopje e modeleve të gatshme, nuk ka parasysh tiparet e veçanta dhe rrethanat shoqërore e politike në Kosovë. Ndjeshmëria minimale e teknokratëve ndaj traditave lokale, vështirësive dhe përvojave të mëparshme, i bën këto modele të gatshme pothuajse të gjykuara për dështim. Në vend të kësaj, ishte dashtë me mendu mundësi apo opsione më të shumta me rastin e hartimit të Kushtetutës që do të kishin për qëllim përshtatjen e parimeve të përgjithshme të hartimit të kushtetutave në rastin e Kosovës.

Funksionet autorizuese dhe legjitimuese

Funksionet autorizuese janë ato të cilat kanë për qëllim të krijojnë institucionet e shtetit dhe vetë shtetin, si dhe të legjitimojnë ato. Në shoqëri të caktuara, ku institucione të caktuara i paraprijnë formimit të shtetit, nuk ka nevojë për disa nga këto garanci. Kështu, një numër i institucioneve i kanë paraprirë Kushtetutës së Kosovës, si për shembull, prona private e garantuar me nenet 46 dhe 159.1 të Kushtetutës,  pluralizmi politik, partitë politike të cilat Kushtetuta i garanton në Nenin 7.1, e kështu me radhë. Pluralizmi pra është efekt i ushtrimit të së drejtës qytetare në liri politike e jo krijim i Kushtetutës.

Në literaturën e bërjes së kushtetutave në vendet pas konflikteve etnike, vëmendje e madhe i kushtohet ndërtimit të institucioneve të shtetit, çështjes se si të organizohen strukturat e pushtetit; nëse shteti duhet të jetë federal apo unitar, mënyrës së decentralizimit të pushtetit, ndarjes së pushtetit ndërmjet komuniteteve dhe nëse duhet të ketë president me kompetenca të gjera ekzekutive. Këto janë çështje me rëndësi, por më me rëndësi se struktura e pushtetit dhe forma e institucioneve të shtetit është legjitimimi i tyre.

Për sa i përket legjitimimit të institucioneve, duke pasur parasysh llojin e sistemit politik që po synohet të krijohet në Kosovë, sovraniteti i popullit është parimi legjitimues dhe themeli i shtetit të ri. Sipas kësaj filozofie politike, populli është jo vetëm shuma e qytetarëve që i nënshtrohen pushtetit dhe vendimeve të sunduesve, por duhet të kenë ndikim të pamohueshëm në qeverisje si anëtarë aktivë.

Duke qenë se në rastin e Kosovës është menduar se shoqëria priret nga konflikti, në mënyrë që të mundësohet një klimë besimi dhe sigurie, përfaqësuesit e komuniteteve janë përjashtuar nga procesi i hartimit të kushtetutës. Sistemi kushtetues nuk ka dalë si rezultat i debateve publike politike ndërmjet grupeve dhe komuniteteve në Kosovë. Në të vërtetë, Kushtetuta është hartuar duke u bazuar në planet e jashtme për Kosovën, për të cilat teknokratët besonin se ishin zgjidhje të pranuara kompromisi.

Mirëpo,  për zbatimin e këtyre planeve të jashtme duheshin krijuar misione administruese ose mbikëqyrëse për të garantuar ato. Pashmangshëm, kjo rezultoi në një sistem qeverisjeje në të cilën pushteti dhe autoriteti u shpërnda në njësi të shumta, megjithatë duke lënë pushtetin më të lartë në duart e Përfaqësuesit civil ndërkombëtar si autoriteti kryesor për të interpretuar aspektet civile të “Planit të Ahtisarit”, që është dokumenti kryesor i pavarësisë së mbikëqyrur (Propozimi gjithëpërfshirës: IX,2.1 dhe Kushtetuta: Neni 147) dhe të cilit autoritetet e Kosovës detyrohen t’i përmbahen (Kushtetuta: Neni 143), ndërsa Eulexit i njihet e drejta për të anuluar vendimet e autoriteteve kompetente të Kosovës (Propozimi gjithëpërfshirës: IX, 2.3.e dhe f). Shkurt, autoriteti final i cili vendos nëse ligjet e nxjerra nga organet ligjvënëse dhe nëse aktet e qeverisë janë në pajtim me këto plane e propozime të jashtme u është besuar përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend.

Kështu, kushtetuta që do të duhej të mishëronte revolucionin demokratik duke konfirmuar në mënyrë solemne se populli ka marrë në duar pushtetin kushtetues, prapëseprapë nuk fuqizon popullin mbi pushtetin ndërkombëtar në vend. Duke pretenduar funksione që, sipas ligjit ndërkombëtar dhe praktikës, janë funksione të shtetit, administrata apo mbikëqyrja ndërkombëtare po e përjetëson sundimin e përkohshëm ndërkombëtar, duke rrezikuar dhe vetë kalimin në demokraci.

Jam i vetëdijshëm për kontekstin specifik të ndërtimit të shtetit në Kosovë dhe vlerësoj argumentin se, në këtë fazë, rendi demokratik nuk mund të ndërtohet përmes rrugëve demokratike, por ky vlerësim i rrethanave dhe kushteve nuk e arsyeton injorimin e peshës normative të miratimit popullor. Besoj se roli i kushtetutës është të legjitimojë përfaqësuesit e popullit. Nëse në një fazë të hershme justifikohet uzurpimi i së drejtës për të folur në emër të popullit nga ana e vendimmarrësve të vetemëruar, ajo duhet që sa më parë të pasohet nga një fazë e re në të cilën të përfaqësuesit e përzgjedhur me procedura demokratike duhet të fuqizohen që të flasin në emër të qytetarëve duke ua transferuar strukturave vendëse pushtetin. Uzurpimi për një kohë të gjatë i strukturave më të fuqishme dhe supreme të pushtetit nga ana e autoriteteve ndërkombëtare është jolegjitime.

Probleme të reja që sjell Kushtetuta e Kosovës

Siç u tha, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është kryekëput e bazuar në kërkesat e “Planit të Ahtisarit” si dokumenti që i hapi rrugë pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës ku parashiheshin në mënyrë jo pak të detajuara natyra dhe funksioni i institucioneve të shtetit e pushtetit që duheshin krijuar si dhe karakteri i sistemit politik që duhej krijuar në Kosovë.

Mirëpo, këto rregullime kushtetuese në vend se të zgjidhin problemet ekzistuese krijojnë probleme të reja. Së pari, kushtetutat të cilat përcaktojnë qëllime të shumta dhe në detaje të politikave dhe të drejta sociale në detaje, nuk u lënë shumë hapësirë degës së pushtetit ligjvënës. Ky është rasti me Kushtetutën e Kosovës që bazohet në Planin e Ahtisart që në hollësi parasheh shumë rregullime të shtetit të ri. Në anën tjetër, synimet e parapara në detaje prishin baraspeshën e pushtetit ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit, duke fuqizuar ekzekutivin në dëm të pushtetit ligjvënës (gjë që e bën gjithnjë e më të vështirë mbikëqyrjen e punës së qeverisë nga ana e kuvendit, si një tipar i demokracive të arrira, e që është një kërkesë e BE-së për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në këtë bashkim).

Së dyti, këto zgjidhje kanë krijuar sisteme pushteti të komplikuara dhe marrëdhënie të pazakonshme ndërmjet pushtetit ndërkombëtar dhe popullatës vendëse. Në këtë sistem të krijuar, strukturat e pushtetit ndërkombëtar nuk janë formalisht përgjegjës ndaj popullit ose përfaqësuesve të tyre, ndërsa vendimet dhe veprimet e tyre nuk i nënshtrohen revizionit të asnjë organi vendës, gjyqësor, ligjvënës, etj. Kështu, ky sistem kushtetues huq në tërësi synimin e kushtetutshmërisë, e që është të pamundësohet çdo formë e arbitraritetit dhe subjektivitetit tekanjoz të sundimtarit ose elitës sunduese. Në të vërtetë, ky është kuptimi më bazik i sundimit kushtetues. Një regjim që nuk i përmbush kushtet dhe standardet e sundimit kushtetues, mund të qëndroj për një kohë ose për një kohë më të gjatë, por meqë është jolegjitim dhe ngrihet vetëm mbi pushtetin, degjeneron në depostizëm.

Botuar në: Shenja, dhjetor 2011.

Advertisements

Ne, komunitetet e Kosovës…

In Identiteti on 10 November, 2011 at 14:35

Gëzim Selaci

“Ne, Populli i Kosovës…” hapet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por kjo nuk domethënë se  ekziston një popull i Kosovës. Plani ndërkombëtar për bërjen e shtetit të Kosovës e sheh politikën si sferë që reflekton aktet individuale dhe strukturën shoqërore duke theksuar komunitetet. Kjo qasje ndaj politikës automatikisht pasqyron ndarjen shqiptar-serb. Në vend të kësaj, politika duhet të shikohet si një moment krijues që mund ta tejkalojë këtë ndarje për të (ri)themeluar një identitet qytetar kosovar. Ndërsa Kushtetuta ka dështuar të krijojë popullin, ajo dhe politika ndërkombëtare e shtetbërjes në Kosovë ka copëzuar shoqërinë kosovare në komunitete të shumta.

Jemi në prag të amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe kompetencave të tij/saj. Ndërsa këto janë çështje me rëndësi për strukturat kushtetuese të një shteti sovran, megjithatë, ato nuk janë më të rëndësishmet. Më tepër se sa kjo, më e rëndësishme është se si të legjitimohen këto struktura dhe, më me rëndësi, si të krijohet vetë populli nga i cili buron sovraniteti i shtetit.

Pyetja se përse i duhet një njësie shtetërore një kushtetutë ka rezultuar në përgjigje të ndryshme dhe ka prodhuar një numër teorish. Janë theksuar disa funksione që pritet t’i kryejë një kushtetutë, ndër të cilat më themeloret janë: funksionet autorizuese, e kufizimit dhe ndarjes së pushtetit, funksionet legjitimuese dhe ato integruese. Me fjalë të tjera, një kushtetutë duhet të krijojë një strukturë të pushtetit apo autoritetit dhe të legjitimojë atë. Për më tepër, kushtetuta duhet të krijojë një identitet të përbashkët shoqëror e politik që do të ishte burimi i sovranitetit të shtetit të ri, e që mund të mos ekzistojë para kushtetutës. Nga shumë kushtetuta pritet që të kryejnë këtë funksion integrues. Ato i kontribuojnë integrimit të shoqërisë nëse mishërojnë qëllimet, aspiratat, vlerat dhe besimet themelore të anëtarëve të shoqërisë që i lidh dhe i mban bashkë ata.

Në rastin e Kosovës, Kushtetuta duhet të ndërtojë dhe të legjitimojë institucionet demokratike që kanë për qëllim tranzicionin në një regjim demokratik dhe të krijojë kolektivin e popullit të shtetit të ri. Në këtë artikull do të diskutoj funksionin integrues të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ka për qëllim krijimin e popullit.

Nevoja e shtetit për popullin

Ne, Populli i Kosovës […] miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, hapet Kushtetuta. Mirëpo, kjo nuk nënkupton me automatizëm se populli i Kosovës ekziston apo duhet të ekzistojë para miratimit të Kushtetutës. Në këtë rast, është Kushtetuta ajo që krijon popullin e Kosovës. Aty ku koncepti abstrakt i popullit nuk ekziston, Kushtetuta duhet ta konkretizojë atë.

Por, çfarë është populli? Në kuptim minimal, populli emërton të gjithë njerëzit që i nënshtrohen një autoriteti apo juridiksioni, pavarësisht statusit, përkatësisë klasore, etnike, fetare a racore të tyre. Megjithëkëtë, populli është sovran, që domethënë se ndonëse ai qeveriset nga një strukturë e pushtetit, populli megjithatë, jo vetëm që ndikon, por ushtron kontroll final mbi qeveritarët.

Populli është koncept sociologjik, por edhe juridik. Përgjatë disa dekadave të fundit, e drejta për vetëvendosje, si parim i ligjit ndërkombëtar, i është njohur popujve. Sidoqoftë, zor se ka një përkufizim ligjor të “popullit”, ndërsa e drejta e popujve për vetëvendosje është e diskutueshme në shumë aspekte. Për këtë, shpeshherë e drejta ndërkombëtare i drejtohet për ndihmë konceptit sociologjik të popullit, që nënkupton një vetëdije apo ndjenjë e identitetit të përbashkët e rrënjosur në kushtet objektive të një bashkësie njerëzish (komuniteti) me fat të përbashkët që i lidh prejardhja e përbashkët, kultura apo fati politik. Në kuptimin ligjor, populli duhet të ketë mundësinë të realizojë të drejtën për vetëvendosje, domethënë të vendos për statusin e vet politik  (Neni 1 i Konventës ndërkombëtare për të drejta civile dhe politike), e në veçanti për të themeluar shtetin e vet sovran, të bashkohet me një shtet tjetër, ose të zgjedh çfarëdo statusi tjetër politik (Rezoluta 2625 (XXV) e Asamblesë së përgjithshme).

Rëndom, populli, si njësi legjitime shtetformuese, është konkretizuar te kombi. Pra, identiteti i përbashkët kombëtar ishte populli i shtetit të ri. Kushtetuta shërben si një marrëveshje dhe forcë bashkuese me anë të së cilës një grup njerëzish, që nuk kanë të përbashkëta shumë vlera morale e shoqërore, shndërrohen në komb që përbën popullin e shtetit apo polity-së së re. Kushtetuta është edhe aspiratë drejt këtij qëllimi. Ajo ka kapacitetin të krijojë kolektivitetin e popullit që mund të mos ekzistojë më përpara. Kur kushtetutat flasin në preambula për ‘popullin”, kjo nuk nënkupton se më parë kishte një shoqëri unike, apo një komb unik, porse atë duhej formuar. Në raste të tilla kur kombi nuk ekziston, për të krijuar shtetin e kombit, së pari duhet formuar një identitet kombëtar që do të formonte popullin e shtetit të ri. Megjithatë, që të lidhet një marrëveshje në emër të kolektivit, paraprakisht individët duhet të kenë njëfarë identiteti të përbashkët si popull. Kështu, ideja se kushtetuta është marrëveshje më tepër e konfirmon se sa që e krijon një entitet, pra ajo formalizon një lidhje të mëparshme në një bashkim më të plotë.

Kombi, si koncept ideologjik dhe politik, është vështirë për t’u definuar. Ekzistojnë dy kuptime të kundërta të kombit: kombi qytetar dhe ai kulturor. I pari është karakteristikë e të kuptuarit të kombit në traditën perëndimore dhe sidomos ango-amerikane, sipas së cilës kombin e përbëjnë grupe diverse etnish, kulturash e racash, që pranojnë një kredo politike. Koncepti i dytë, ndërkaq, ka mbizëtëruar në Europën lindore dhe qendrore deri në ditët e sotme dhe bazohet në kritere si kultura, gjuha, prejardhja, historia e përbashkët, e kështu me radhë. Ndërsa në kushtetutat e Europës Qendrore mbizotëron koncepti komunitar ose kulturor i kombësisë, kushtetutat të cilat bazohen në logjikën e kombit qytetar, që ka zanafillën nga Revolucioni Francez, kombin e përfytyrojnë si kolektivitet të të gjithë individëve të cilët i nënshtrohen një qeverie të përbashkët dhe ligjeve të njëjta. Kombi qytetar i adresohet çështjes së të mirës së përbashkët, pra çfarë është e mirë dhe e drejtë për tërë kombin në kuptim politik, e jo çështjes se çfarë është e mirë vetëm për një grup të caktuar, duke ruajtur një qëndrim neutral ndaj vlerave kulturore të bashkësive të ndryshme.

Shteti i komuniteteve

Një lexim më optimist i Kushtetutës së Kosovës vë në pah se ajo synon të krijojë një ndjenjë të përbashkët identiteti të bazuar në vlera të qytetarisë, e jo në vlera kulturore ose etnike. Natyrisht kjo nuk është gjithaq në frymë të Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës (“Plani i Ahtisarit) që thekson njësitë etnike të shoqërisë (Propozimi gjithëpërfshirës, Neni 1.1, etj.), e i cili dokument është burimi kryesor i Kushtetutës së Kosovës. Përveç kësaj, ky synimin për krijimin e qytetarisë kosovare nuk është në pajtim as me nenet e tjera dhe strukturat kushtetuese që ndërtojnë një sistem konsociativ të ndarjes së pushtetit ndërmjet komuniteteve të shoqërisë. Sido që të jetë, sipas Kushtetutës qytetaria e Kosovës (Neni 1.2) përbëhet nga bashkësi të shumëllojshme etnike, kulturore dhe fetare në vend që i nënshtrohen një qeverie të përbashkët dhe ligjeve të njëjta, por gjithashtu,  Kushtetuta qartazi aludon në njohjen e kombeve në Kosovë si entitete të dallueshme nga qytetaria (Neni 6.2).

(Parapëlqimi i konceptit qytetar ndaj atij kulturor ose etnik të popullit në Kushtetutën e Kosovës bazohet mbi idenë e krijimit të një qytetarie bazuar në koncepte politike dhe që shtyp ambiciet kombëtare të popullsisë aty për të cilat supozohet se kanë shkaktuar luftën në Kosovë. Mirëpo, një druajtje e tillë bazohet në pikëpamje të gabuara për luftën në Kosovë, sipas së cilës konflikti i përgjakur përfaqëson shpalosje të urrejtjeve të lashta ndëretnike, të ambicieve nacionaliste, pas rënies së regjimit komunist në një eksperiment të pasuksesshëm demokratik ku liderët arritën të mobilizojnë masat për një dhunë ndëretnike. Në të vërtetë, konflikti etnik nuk e ka burimin në ndjenjat historike dhe demokratizimin e shoqërisë, por në luftën e elitave serbe për pushtet në një mjedis kuazi-demokratik, të cilat nxitën urrejtje në mesin e popullatave në mënyrë që t’i përdorin ato ndjenja për të marrë pushtetin, gjendje e cila u përkeqësua nga ngritja e grupeve kriminale dhe ndikimi i tyre në ekonominë e vendit, ndërkohë që nevojat e popullatës po mbetnin të paplotësuara.)

Mirëpo, përkundër preambulës së saj “Ne, Populli”, Kushtetuta e Kosovës ka dështuar të krijojë popullin e shtetit të ri. Masat dhe rregullimet konsociative dhe karakteri shumetnik i Kosovës që e parasheh Kushtetuta nuk e fuqizon shumicën shqiptare si popull ose komb konstituiv në shtetin e ri, por as që ka arritur të krijojë identitet të përbashkët politik qytetar, siç e do Neni 1.2 i Kushtetutës, që kishte me i sheshu dallimet e konfliktet ndëretnike në vend e kishte me kriju shoqërinë e shtetit të ri.

Sa për sqarim, mendoj se në rastin e Kosovës nuk do të duhej pritur krijimin e njëfarë kombi në kuptim të fortë të fjalës, ngase është e pamohueshme që ekzistojnë ndarje të thella dhe populli nuk është i unifikuar, ndërsa jo të gjitha komunitetet janë të pajtimit që të jetojnë në të njëjtin shtet. Andaj, ndoshta më e drejtë kishte me qene nëse flasim po popullin si një përkushtim i lirë për një identitet të përbashkët qytetar.

Edhe më parë, strukturat politike të krijuara qysh nga koha e UNMIK-ut dhe përmes Kornizës kushtetuese të vitit 2001, sipas së cilës qeveria që duhej të kishte së paku një ministër serb dhe një jo-serb nga mesi i komuniteteve pakicë, etj., jo vetëm që pasqyronin faktin se politika në Kosovë bëhej rreptësishtë në linja etnike, por po e institucionalizonin këtë duke e formalizuar me themelim të strukturave e rregulloreve. Qysh atëherë, partitë politike u formuan rreptësishtë të pastra në kuptimin e përbërjes etnike.

Shkrimi i kushtetutave në stilin “copy, paste” nga kushtetutat e shoqërive të tjera, duke huazuar modele konsociative të cilat janë provuar diku dhe merren si modele standarde për t’u zbatuar në raste të tjera që duken të njëjta, si për shembull në shoqëritë pas konfliktit, jo domosdoshmërish prodhojnë rezultate të pritura. Të merret ideja e qytetarisë shumetnike që mund të funksionojë mirë në demokracitë e etabluara si zgjidhje për Kosovën pa ndonjë përpjekje serioze për të gjetur zgjidhje kreative, në vend se të tejkalojë ndarjet ndëretnike, vetëm institucionalizon ato ndarje përmes krijimit të institucioneve që funksionojnë ekskluzivisht në bazë të përkatësisë etnike të popullsisë në vend.

Në vend se të kenë funksionin integrues që ka për qëllim t’i shndërrojë individët dhe komunitetet në një popull të njësuar, domethënë në një trup politik unik, aranzhimet kushtetuese në Kosovë po bëjnë të kundërtën; demokracia konsociative dhe masat që synojnë garantimin e të drejtave politike të komuniteteve pakicë, në vend se të zbutin ndarjet ndëretnike, ato vetëm po i legjitimojnë e thellojnë ato, duke qenë se në emër të këtyre qëllimeve po themelohen institucione politike e shtetërore që po funksionojnë ekskluzivisht në bazë të përkatësisë etnike të popullsisë. Për shembull, me qëllim që të garantohet përfaqësimit politik i pakicave në kuvendin republikan dhe në poste ekzekutive janë paraparë vende të rezervuara për përfaqësues të pakicave në këto poste. Si rrjedhojë, për të zënë më lehtë këto poste, është stimuluar regjistrimi i partive politike si “parti minoritare” duke u bazuar kryekëput në përkatësinë dhe karakterin etnik (Neni 64.2 si dhe Propozimi Gjithpërfshirës, Shtojca I, Neni 3).  Më tutje, me qëllim të decentralizimit të pushtetit, janë krijuar komuna, si njësi themelore të qeverisë lokale, duke u bazuar në ndarjet etnike të popullsisë (Neni 124 i Kushtetutës dhe Shtojca III, Neni 12 i Propozimit gjithëpërfshirës). Për pasojë, sistemi zgjedhor dhe organizatat politike janë “etnicizuar” dhe popullsia gjithnjë e më shumë po mësohet të sillet e funksionojë në rrafshin politik në varësi të plotë nga përkatësia etnike e tyre, duke “etnicizuar” kështu edhe vetë shoqërinë e Kosovës. Nuk do mend se kjo nuk lë vend për krijimin e identiteteve politike demokratike bazuar në qytetari të përbashkët që do të ngriheshin përmbi etninë.

Si rezultat, populli i Kosovës nuk ka arritur të bëhet. Në Kosovë nuk ka popull, por komunitete etnike e fetare. Që nga fillimi i angazhimit ndërkombëtar në Kosovë, duke nisë nga Unmiku e deri tash Zyra civile ndërkombëtare dhe Euleksi ndërtojnë politikat e tyre mbi idenë se në Kosovë nuk ka një shoqëri, por grupe të ndryshme komunitetesh: shqiptarë, serbë, romë, ashkali, egjiptian, turqë, boshnjakë, malazezë, kroatë… Politika ndërkombëtare e shtetbërjes në Kosovë sheh vetëm komunitete, e jo popull, dhe mbi këtë ide ndërton planin për Kosovën që po copëzon shoqërinë dhe territorin e saj bashkë.

Botuar në: Shenja, nëntor 2011.