gselaci.wordpress.com

Përplasja dhe përputhja e ortodoksive rreth Islamit

In Fe on 23 August, 2013 at 01:11

Gëzim Selaci

Diskutimi që herë pas here shfaqet në publik në lidhje me rolin e identitetit islam dhe vendin e Fesë islame në shoqëri në të vërtetë është debat që ndodh ndërmjet pozicioneve të polarizuara. Megjithëkëtë, ato kanë të përbashkët një pikëpamje të gabuar për Islamin: të dyjave u puqen idetë se Islami është i njëtrajtshëm dhe i pandryshueshëm dhe nuk mund të modifikohet. Kështu, qëndrimi i këtyre palëve nuk mund të kapërcejë mendimin mbizotërues (ortodoks) në shoqërinë tonë e që supozon se fetë janë sisteme dogmatike të ngurta që nuk mund të ndryshohen. Kjo premisë e pasaktë po rezulton në konkluzione e “zgjidhje” të gabuara në lidhje me komponentin islam në kulturën dhe traditën tonë.

Sipas pikëpamjes ortodokse (qoftë ajo fetare ose laike), Feja islame, domethënë kozmologjia, etika dhe ligji islam, është sistem i mbyllur i dijes dogmatike dhe nuk mund të modifikohet. Kjo pikëpamje mbështetet në tri argumente: konceptual, historik dhe metodologjik. Sipas argumentit konceptual, Islami është i pandryshueshëm, sepse ai ka burim hyjnor, pra (besohet se) kozmologjia islame, pikëpamja islame për jetën, moralin e ligjin janë direktiva prej Zotit dhe janë absolute. Së dyti, sipas argumentit historik, Islami është i pandryshueshëm, sepse teologjia dhe mendimi islam ka lindur dhe është formuar në një periudhë dhe rrethana specifike nga brezat e parë të myslimanëve që kanë njëfarë privilegji gati hyjnor për të interpretuar tekstin e shenjtë islam (Kuranin). Dhe, së treti, sipas argumentit metodologjik, Islami nuk ka zhvilluar një metodologji të duhur që do t’i mundësonte t’u përshtatet sfidave e kërkesave moderne. Mirëpo, që të tri këto argumente janë të paqëndrueshme. Të diskutojmë në vijim secilën prej tyre me radhë.

 

Argumenti konceptual: Islami ka burim hyjnor

Së pari, koncepti i Islamit si besim, praktikë, ligj e moral absolut dhe në tërësi me prejardhje hyjnore është i pasaktë. Asnjë nga autoritetet intelektuale islame nuk lë të kuptohet se krejt ajo që emërtohet si Islam ka burim të drejtpërdrejt prej Zotit. Pavarësisht parimeve universale që i përmban, ajo që sot merret e besohet si Fe islame është produkt i mendimit teologjik i cili, si çdo mendim tjetër njerëzor, determinohet nga vlerat, kultura e botëkuptimet mbizotëruese të kohës, nga niveli e lloji i dijes, si dhe nga shija estetike e shoqërive në të cilat është zhvilluar ai. Ky mendim ka prodhuar modele të ndryshme të islamit dhe të organizimit të shoqërisë a komunitetit sipas parimeve islame. Sheriati është kuptuar si Ligj hyjnor, por në praktikë Ligji islam/jurisprudenca islame (fikh) në shoqëritë myslimane ka rezultuar nga arsyetimi ose interpretimi (ixhtihad) i juristëve, myftinjve, e kadinjve të shkollave të ndryshme juridike, ndonjëherë duke kundërshtuar dhe vetë tekstet e shenjta burimore që sipas mendimit dominues janë Kurani dhe Sunneti – praktika ligjore e Profetit Muhammed). Empirikisht besimet, praktikat, e ligjet islame gjithmonë kanë qenë të shumëllojshme dhe nuk ka vlerësim të pranuar nga të gjithë se vetëm njëri apo disa nga modelet janë legjitime.

Është evidente se asnjë shkollë a rrymë e mendimit në Islam, as ato që këmbëngulin në respektimin të rreptë të traditës (ehlu el-hadith), nuk e pranon Kuranin as traditën e Profetit (të shënuar në Hadith) si autoritete ligjore në tërësi dhe pa dallim. Në praktikë, jo gjithçka që përmban Kurani dhe Hadithi përbën normë ligjore apo etike. Shkollat e jurisprudencës kanë zhvilluar metodologji për të përjashtuar një pjesë të teksteve të Kuranit dhe Hadithit nga Ligji dhe për të dalluar tekstet që duhet të merren si parime normative nga ato që nuk duhet të merren si të tilla. Ky aktivitet intelektual ka rezultuar në formimin e koncepteve, si: “Kurani i Mekkës” dhe “Kurani i Medinës”, “e përgjithshmja” dhe “e veçanta” (am ue khas), “universalja dhe partikularja”, “abrogimi” (nasikh ue mensukh), e të tjera. Është propozuar, për shembull, se Kurani i Medinës (së paku ai që ka të bëjë drejtpërdrejt me udhëzime morale e ligjore) dhe Sunneti është interpretim dhe jetësim i parimeve universale të Kuranit (të mishëruara në Kuranin e Mekkës) për nevojat e posaçme të komunitetit të lashtë mysliman në Medinë. Sipas kësaj pikëpamjeje, Hadithi dhe Kurani i Medinës përbëjnë një të kuptuar ose një interpretim (fikh) të parimeve kuranike në rrethana të veçanta. Në këtë mënyrë, është argumentuar se Islamit i sigurohet një dinamizëm i nevojshëm për t’iu përshtatur nevojave dhe rrethanave të ndryshme të shoqërive të ndryshme.

Veç kësaj, dekadave të fundit po merr formë një lëvizje intelektuale myslimanë që po e rimendon natyrën e tekstit të Kuranit duke bërë përpjekje për të përdorë metodën hermeneutike në leximin e tekstit të Kuranit. Të tillë janë autorët Fazlur Rahman, Nasr Hamid Abu Zayd, Muhammad Arkoun, etj. Ideja është që të zbulohet e të njihet karakteri historik i Kuranit dhe të dallohen mesazhet universale të tekstit nga ato të posaçme që u janë përshtatur situatave konkrete të komunitetit të parë të myslimanëve. Disa nga këta autorë e shohin këtë si një hap të madh drejt leximit të tekstit të shenjtë në atë mënyrë që të ketë kuptim për besimtarët e epokës tonë.

 

Argumenti historik: Islami i brezave të parë

Së dyti, sado që një pjesë e ortodoksisë islame ia ka besuar një a dy brezave të parë të myslimanëve që ta shpjegojnë botën dhe jetën e të vendosin për shumë çështje fetare, autoriteti absolut i atyre brezave në definimin e Islamit është vënë në dyshim nga rryma të ndryshme të mendimit islam, jo vetëm në periudha të mëvonshme nga filozofët e mistikët myslimanë. Ky dyshim është i pranishëm qysh në periudha të hershme të formimit të mendimit teologjik islam, si për shembull nga shkolla racionaliste në teologjinë islame – mutezila dhe nga shkolla racionaliste në jurisprudencën islame – ehlu el-re’j (përfshirë këtu juristin Ebu Hanife shkolla juridike e të cilit është mbizotëruese tek myslimanët e Ballkanit). Madje, përveç shkollës tradicionaliste, askush nga autoritetet e dijes fetare nuk ka thënë se interpretimi i tekstit të Kuranit është e drejtë e veçantë hyjnore që është mishëruar veçanërisht në të kuptuarit e brezit të parë të myslimanëve dhe se interpretimet e tekstit duhet të kufizohen vetëm në të kuptuarit e myslimanëve të parë.

Përveç se kjo pikëpamje është sfiduar në traditën klasike të mendimit islam, kjo është duke u sfiduar përsëri nga këndvështrime të reja edhe nga ana e mendimtarëve bashkëkohorë myslimanë. Këta të fundit po analizojnë raportin e dijetarëve të kohës me pushtetin ose pushtetet, raporti ky që ka rezultuar në krijimin e ortodoksisë. Po kështu, ata po hetojnë marrëdhëniet e diturisë islame të prodhuar në periudhën klasike të hershme me ideologjinë ose ideologjitë mbizotëruese të kohës si dhe ndikimin e konflikteve ideologjike dhe luftërave për pushtet ndërmjet grupeve të kohës në prodhimin e kësaj diturie. Emërues i përbashkët i kësaj ndërmarrjeje intelektuale është leximi kritik i teksteve dhe traditës klasike islame sipas një metodologjie më të pasur  që përfshin edhe metodat e shkencave shoqërore e humanistike të zhvilluara në Perëndim. Në këtë mënyrë, kjo lëvizje intelektuale po e vë në diskutim karakterin hyjnor që u atribuohet interpretimeve të brezave të parë të tekstit të Kuranit. Ka mundësi që një kritikë e tillë e trashëgimisë intelektuale islame të ketë efekt çlirues nga mendimi dogmatik tradicional dhe t’i hapë rrugë një reforme të mundshme.

 

Argumenti metodologjik: Islamit i mungon metoda për t’u zhvilluar

Në fund, përkrahësit e idesë se Feja islame dhe mësimet e saj morale, ligjore, etj. janë të pandryshueshme, ngase Islami nuk ka zhvilluar metoda përmes të cilave do të mund të modifikohej, janë të mendimit se duke qenë se burimet e pikëpamjeve islame për kozmologjinë, ligjin e moralin janë hyjnore, fikse dhe të ngurta (Kurani, tradita e Profetit, konsensusi i dijetarëve, etj. ), atëherë nuk ka mundësi që mësimet islame të ndryshohen për t’iu përshtatur rrethanave të reja. Përderisa njëra palë niset nga supozimi se Islami nuk ka mundur të zhvillojë metoda të këtilla, ngase duke u bazuar në tekste të vjetra e të ngurta nuk mund t’u përshtatet rrethanave të reja, pala tjetër niset nga supozimi se Islami nuk ka pasur nevojë të zhvillojë metoda të këtilla, ngase duke pasur burim hyjnor është i përsosur, për të konkluduar se janë rrethanat ato që duhet t’i përshtaten Islamit, dhe jo anasjelltas.

Ky argument mund të jetë i vërtetë, së paku deri diku. Them e vërtetë, ngase mendimi islam nuk ka zhvilluar një metodologji dhe i mungon bagazhi intelektual për t’iu përgjigjur shumë problematikave që kanë lindur sidomos në modernitet, për shembull çështja e drejtësisë, çështja e të drejtave të njeriut, çështja e minoriteteve, çështja e gruas, çështja e parimeve të legjitimitetit të autoriteteve politike, e kështu me radhë. Mendimi islam është mjedis i vobektë dhe i cekët ose i pavlefshëm për t’iu adresuar këtyre çështjeve. Megjithatë, në filozofinë e moralit, teologjinë skolastike e jurisprudencën islame ka koncepte e parime të cilat mund të përdoren për të zhvilluar metoda që kishin me i përfshi ndryshimet shoqërore në ligjin islam dhe teologjinë bashkëkohore. Kështu, parimet e istihsan, istislah, maslaha (preferenca, dobia, utiliteti, interesi) dhe sijaseh sher’ijje (administrimi i drejtësisë sipas frymës së Ligjit Islam) ndoshta në fillim janë zhvilluar për të interpretuar dhe justifikuar gjendjen ekzistuese të ligjeve të Sheriatit, për të legjitimuar status quo-në ose për të zhvilluar mendimin islam në rrethana të ndryshme nga të sotmes, por kjo nuk domethënë se këto parime nuk mund të përdoren për të zhvilluar metoda që kishin me e dinamizu mendimin islam.

 

Përfundim

Për të përfunduar, kur herë pas herë në debatet publike hahen këto dy grupe, në të vërtetë zënka është ndërmjet dy ortodoksive që besojnë se fetë janë sisteme të mbyllura të dijes dogmatike. Bazuar mbi këtë premisë të pasaktë, secila palë ofron konkluzionet e “zgjidhjet” e tyre të gabuara që lëkunden ndërmjet dy ekstremeve, domethënë thirrjes për braktisje të vlerave e praktikave fetare në publik, madje ndonjëherë edhe në jetën private, nga njëra anë, dhe thirrjes për rikthim të modelit të myslimanëve të lashtë, nga ana tjetër. Besimet e praktikat fetare janë dukuri të gjalla që zhvillohen e ndryshojnë si rezultat i rimendimit të kuptimit të teksteve e traditës fetare, por që kushtëzohen sa nga dinamika sociale aq edhe nga faktorë të veçantë ekonomikë, politikë e kulturorë…

Botuar në Shenja, korrik 2013

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: