gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘mbikëqyrja ndërkombëtare’

Legjitimiteti politik në kohën e krizës europiane

In Integrimi europian on 31 July, 2016 at 01:25

Gëzim Selaci

Botuar në: Gazeta Jeta në Kosovë më 24 qershor 2016

Periudha e zymtë që po kalon BE-ja përmes dezertimit të anëtarëve dhe gremisjes së vlerave nga shtetet brenda saj, vë në pikëpyetje vazhdimësinë e premtimit të integrimit dhe modelit të saj politikëbërës në Kosovë.

 

Misionet ndërkombëtare dhe politikanët e pasluftës në Kosovë kanë përdorë levën e projektit të integrimit në Bashkimin Europian për të legjitimuar pushtetin e tyre. Anëtarësimi në këtë bashkësi shtetesh u bë ideali kah synon shteti i ri, së paku në nivel retorike. Dështimet dhe mospuna e qeverisë si dhe papërgjegjësia e politikanëve u kompenzuan me premtime për integrim në Bashkimin Europian. Mirëpo, kur rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit europian është i pasigurtë dhe kur vetë ideja e Europës së bashkuar po kalon nëpër një krizë që po e vë në dyshim këtë ndërmarrje, çfarë do ta zëvendësojë këtë bazë të pashpresë legjitimuese dhe si do të legjitimohen politikanët e politikat e ardhshme në shoqëri, është një çështje që bart edhe rrezik për të ardhmen e shoqërisë dhe shtetit.

Read the rest of this entry »

Republika e mbikëqyrjes ndërkombëtare

In Politikë on 1 November, 2012 at 12:48

Gëzim Selaci

“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë” ekziston vetëm në propagandën zyrtare. Misionet mbikëqyrëse në vend si dhe kultura e varësisë që është zhvilluar viteve të fundit, siç po duket do të na përcjellin, së paku, edhe për një kohë. Politika ndërkombëtare karshi Kosovës ende nuk është e gatshme të heq dorë nga marrëdhënia paternaliste që ka krijuar me politikanët e Kosovës, por as shoqëria e saj është e gatshme për pavarësi.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ZCN) kishte mandatin të mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës, domethënë të kujdesej që Plani i Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës të zbatohej në tërë territorin e vendit i cili duhej integruar në sistemin juridik të shtetit ahtisarian. Kjo detyrë e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka mbetur e pakryer për aq sa Plani i Ahtisarit mbeti i pazbatuar në veri të vendit. Sidoqoftë, ish-përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Peter Feith, mbylli mandatin e tij, jo duke reflektuar për trashëgiminë e tij se çfarë po linte prapa, por duke moralizuar klasën politike për qeverisje etike e fjalë të tjera boshe[i].

Mbyllja e këtij misioni u shoqërua me një fushatë propagandistike të drejtuar nga klasa politike në pushtet që kishte për qëllim t’ua mbushte mendjen qytetarëve se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i erdhi fundi. Propaganda na paraqiti një tablo të thjeshtëzuar që shprehej me fraza të shkurta e që lehtësisht u transmetuan për pak minuta në termine televizive dhe artikuj e kolumne të holla të gazetave ku të qenët konciz është standard i domosdoshëm. Mjafton të thuhet se Kosova nuk është më e mbikëqyrur, pa pasur nevojë të shpjegosh qysh e tek, dhe për këtë nuk të duhet të përballesh me pyetje të vështira nga gazetarët, e ndoshta as të duhen prova për t’u pranuar nga publiku.

Edhe pas mbikëqyrjes, mbikëqyrje

Edhe pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, një mision tjetër që ka të bëjë me fushën e drejtësisë dhe policisë, Eulexi (tashmë i ftuar nga Kuvendi i Kosovës), do të vazhdojë t’i ruajë kompetencat e rezervuara ekzekutive e korrigjuese. Baza ligjore e këtij misioni ishte një vendim i një organi të Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (Akti i Përbashkët i Këshillit të Europës). Prania ushtarake në formën e Kforit, si dhe Unmiku do të jenë këtu sipas një dokumenti që njeh sovranitetin e një shteti tashmë joekzistent (Republikës Federative të Jugosllavisë) mbi Kosovën, të miratuar nga një organ në të cilin nuk është arritur konsensus për të njohur Kosovën shtet (Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e ashtuquajtura Marrëveshje e Kumanovës). Veç kësaj, faktori ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë i pranishëm në forma e mandate të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë e të tërthortë në vendimet politike të Kosovës, si për shembull Përfaqësuesi Special i të Bashkimit Europian, ambasadorët e shteteve të kuintit, etj.

Gjithashtu, qeveria thotë se amendamentet kushtetuese i japin kushtetutës prioritet ndaj Planit të Ahtisarit, duke e bërë kështu Kushtetutën dokumentin më të lartë në vend, mirëpo nenet e Kushtetutës mbështeten në Planin e Ahtisarit dhe vazhdojnë të respektojë dispozitat e planit në fjalë, i cili ka treguar të ketë të meta në shumë aspekte. Kjo mund të jetë e justifikueshme për një periudhë kalimtare, mirëpo derisa të ketë një plan të jashtëm për Kosovën, siç është ky i Ahtisarit, Kosova nuk mund të jetë e pavarur.

Komentues mendjehollë me të drejtë vërejtën se në të vërtetë mbikëqyrja e pavarësisë vetëm ndërroi formë dhe nuk mbaroi. Më saktësisht, mandati mbikëqyrës iu hoq një trupi ndërkombëtar (ZCN-së) që e njihte shtetin e pavarur të Kosovës sipas dispozitave të Planit të Ahtisarit dhe ky mandat iu besua një organizate tjetër europiane që mban qëndrim asnjanës në raport me shtetin e pavarur të Kosovës, domethënë Eulexit si një mision që ka për detyrë të mbështesë autoritetet e Kosovës në fushë të sundimit të ligjit. Ndonëse, në radhë të parë, ky mision është paraparë të ketë karakter teknik që të udhëheqë, vëzhgojë dhe këshillojë autoritetet e Kosovës, ai ruan një numër të kompetencave ekzekutive pavarësisht autoriteteve të Kosovës të përcaktuara në Planin e Ahtisarit (Shtojca ix.2.3.e.), madje edhe autoritetin të anulojë vendimet e autoriteteve të Kosovës me qëllim të garantimit të ruajtjes dhe promovimit të sundimit të ligjit, rendin publik dhe sigurinë (Shtojca ix.2.3.f.).

Domethënë, është thjeshtuar pak sistemi i autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, duke hequr Zyrën Civile Ndërkombëtare e bashkë me të edhe mbikëqyrjen nga vende që njohin Kosovën shtet, por prapëseprapë punën e mbikëqyrësit e kryen një mision tjetër me kompetenca të shtuara të mbikëqyrjes. Kështu, Kosova do të vazhdojë të zbatojë direktivat e jashtme, ndërsa të jashtmit do të mbesin në Kosovë për t’u siguruar se ato direktiva po zbatohen. Kjo tregon se politika ndërkombëtare karshi Kosovës ende nuk është e gatshme të heq dorë nga marrëdhënia paternaliste që ka krijuar me politikanët e Kosovës.

Drejt varësisë së përhershme?

Atëherë, për çfarë fundi të mbikëqyrjes së pavarësisë don me na mbushë mendjen qeveria duke na përsëritur slogane të thjeshtëzuara e duke festuar për këtë “arritje historike” të Kosovës?! “Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë” ekziston vetëm në propagandën zyrtare. Misionet mbikëqyrëse në vend si dhe kultura e varësisë që është zhvilluar viteve të fundit, siç po duket do të na përcjellë, së paku, edhe për një kohë. Politikanët tanë nuk janë të sigurt ose të gatshëm të marrin vendime vetë e të veprojnë vetë pa kthyer shikimin kah aktorë të caktuar amerikanë e europianë në vend e jashtë vendit, që propagandës i shkon për shtati t’i quajë “miq ndërkombëtarë.” Me fjalë të tjera, klasa jonë politike assesi nuk po sillet  si zot në vendin e vet, apo si sovrane, siç thuhet. Por, as shoqëria e Kosovës është e gatshme për hapin vendimtar drejt pavarësisë reale, pasi që nuk ka ndërtuar një shtet të së drejtës të cilin nuk do ta udhëhiqnin klane e banda vetëm për interesa të tyre të ngushta.

Nuk e besoj se dikush që sado pak ka menduar me kokën e tij/saj të jetë bindur se mbikëqyrja e pavarësisë ka përfunduar. Por, ndoshta propaganda ka arritur të përçojë mesazhin e shtrembër që ky ishte hapi i parë apo hap i rëndësishëm drejt pavarësisë reale. Mendoj se ky nuk është hap i parë, por gjithsesi i rëndësishëm, drejt krijimit të një iluzioni që Kosova po ecë me të sigurt drejt pavarësisë, ndërkohë që në të vërtetë mbikëqyrja e jashtme po bëhet gjendje normale dhe e përhershme e shtetit tonë. Vendi nuk ka me u pavarësu duke kriju iluzione për të mashtruar qytetarët, por duke vlerësu me saktësi se ku jemi e kah mund të shkojmë.

Mbi Veriun, sovranitetin dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare

In Kosova on 17 September, 2011 at 08:03

Gëzim Selaci

Intervenimi i Prishtinës zyrtare në veriun e vendit për të kontrolluar pikat doganore atje zgjoi një ndjenjë të shkurtër krenarie tek qytetarët e Kosovës. Propaganda shkrepi iluzioni se më në fund do të jemi zot në tokën tonë. Mirëpo, në radhë të parë, intervenimi në fjalë nuk kishte për qëllim imponimin e plotë të sovranitetit shtetëror në veri, por një fushë të ngushtë, domethënë zbatimin e sistemit doganor të shtetit të Kosovës në dy pika të kufirit verior të Kosovës. Për funksionalizimin e plotë të sistemit administrativ, policor dhe të drejtësisë, as që bëhet fjalë. Sidoqoftë, intervenimi në fjalë rezultoi me një mjegullim e  të cilën qeverisë tonë po i pëlqen ta quajë “Marrëveshje” që zor mund të thuhet se po gjen zbatim në praktikë. Për momentin, në ato pika kufitare veriore të shpallura si “zona të sigurta ushtarake” nuk u vendos dogana e Kosovës dhe ato nuk funksionojnë si pika normale kufitare. Kjo gjendje me gjasë ka me zgjatë deri në vazhdimin e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Komentuesit me të drejtë kanë tërhequr vëmendjen ndaj imponimit të Serbisë si palë në negociatat për çështjen e veriut.

Kredencialet “veriore”

Pavarësisht se “miqve ndërkombëtar” – të cilët nuk janë mësuar të shohin Kosovën të sillet si sovran – nuk ua ka pëlqyer intervenimi policor i urdhëruar nga Qeveria, ai ishte një spektakël që u përcoll me kujdes me fotografi e raportime nga vendi i ngjarjes nga mediat që lanë mbresa jo të dobëta tek publiku. Kryeministri u rishfaq në skenën politike duke rikthyer përkrahjen e publikut si një lider i fortë dhe i pakompromis në përpjekjet e tij për interesin e shtetit. Nuk do mend se kjo e ka shpëtuar kryeministrin atë nga akuzat që i bëhen vazhdimisht dhe për një kohë relativisht të gjatë nga opozita për keqqeverisje, hajni e tradhti, por edhe ai ia doli të largojë vëmendjen ndaj tensioneve brenda partisë së tij që janë shkaktuar nga telashet me menaxhimitn e ekonomisë, hetimet ndaj pjesëtarëve të lartë të partisë së tij, e kështu me radhë.

Kjo nuk është hera e parë që problemi i veriut përdoret si kartë nga politikanë për kredenciale shtetbërëse e patriotike, por pa një vullnet të dëshmuar, vendosmëri e plan bindës për zgjidhjen e tij. Pavarësisht se kjo ka mundur t’ia rikthejë përkrahjen publike të kryeministrit dhe qeverisë së tanishme, del se intervenimi në veri ishte i suksesshëm në kuptim të efektit medial dhe rikthimit të përkrahjes publike, por i pamenduar mirë dhe një hop i rrëmbyeshëm jocilësor e i pasuksesshëm drejt integrimit të pjesës veriore të vendit.

Natyra e vërtetë e problemit në veri

Problemin e veriut nuk duhet nënvlerësuar duke ndërmarrë kësi aksione të pamenduara mirë dhe për të cilat shteti nuk ka takat. Veriu është një problem më i vjetër se sa vetë shteti i Kosovës. Dështimi dymbëdhjetëvjeçar për të përfshirë atë pjesë brenda kufijve të juridiksionit kosovar dhe për të integruar bashkësitë në shoqërinë më të gjerë kosovare, nuk mund të zgjidhet me një akt të vetëm politik që ngërthen një aksion policor, por me strategji më të plotë që do t’iu adresohej edhe çështjeve të tjera të kompleksitetit të problemit të veriut. Të mos harrojmë se vendimi për formën e pavarësisë së Kosovës dhe natyrën e pranisë ndërkombëtare në të ka qenë shumë i ndikuar nga pasojat që Kosova e pavarur do të mund të kishte për pakicat e saj. Shoqëria e gjerë kosovare ka dështuar të integrojë pakicën etnike serbe të kësaj pjese të vendit. Derisa të mos e bëjë këtë, Kosova do të vazhdojë të përballet me pasojat e përdorimit të pakicave të saja si mashë e atyre që nuk ia duan të mirën asaj.

Rezistenca serbe atje duhet të na vetëdijësojë, jo për ndonjë problem etnik apo nacionalist serb, por për shkallën e kontrollit të ekonomisë dhe mjeteve të detyrimit nga bandat e krimit që operojnë atje me leje a përkrahje nga Beogradi dhe bekim nga Kisha serbe. Çështja e veriut nuk është nacionale, por e mungesës së shtetit dhe sundimit të bandave kriminale serbe në të cilat janë të përfshirë edhe kriminelë shqiptarë. Në thelb, problemi nuk është nacionalist, nëse këqyret konteksti më i gjerë i strukturave të pushtetit në atë pjesë të vendit, por është problem i motiveve politike dhe luftërave për pushtet ndërmjet elitave politike e ekonomike në atë pjesë, por edhe në Serbi. Të mësuar nga shkolla e Millosheviqit, kriminelët atje u fryjnë ndjenjave nacionaliste sa herë që dikush provon të imponojë sundimin e ligjit dhe kërcënon interesat e tyre.

Andaj, problemit duhet qasur jo nga një perspektivë patriotike apo nacionaliste drejtuar kundër “nacionalistëve serbë”, e ndoshta as nga një qasje që ndërmerr masa të ndërsjella ndaj Serbisë duke e bërë kështu një problem politik midis dy shteteve, por nga një perspektivë që këmbëngul në shtrirjen e sundimit të ligjit në atë pjesë të vendit dhe lufton bandat e krimin i cili është shumetnik. Kjo e dyta do të mund të funksionalizohet menjëherë duke kap e ndëshkuar vrasësit e zyrtarit të policisë speciale gjatë këtij aksioni.

Sovranitet pa garanci

Ndoshta puna e parë që duhet të mendohet para se t’i hyhet çfarëdo përpjekjeje të dhunshme për imponimin e autoriteteve të Prishtinës në veri të vendit është se kush do ta garantojë sovranitetin atje? Kush do t’i sigurojë doganierët për të kryer punën e tyre, në kësi raste? Sa për autorizimet dhe mundësitë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, u pa… Në anën tjetër, sado që retorika politike dhe folklori jonë bashkëkohor e quan Forcën e Sigurisë së Kosovës (sikurse Trupat e Mbrojtjes së Kosovës më parë) “ushtri të ardhshme”, ajo mbetet një forcë civile për intervenime emergjente.

Këtu hyjnë lojtarë të tjerë në skenë. Por, ata nuk janë të Kosovës, sado që janë për Kosovën:  Eulexi dhe Kfori. Nga xhirimet prej terrenit është parë se si zyrtarët e Euleksit iknin me vrap nga rebelët. Kfori në anën tjetër si një forcë për Kosovën e udhëhequr nga Nato, ka një mision që respekton Rezolutën 1244 dhe qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës (me fjalë të tjera nuk e njeh shtetin e Kosovës), është i interesuar që të mos ketë vrasje dhe përleshje në rrugë, jo më shumë. Ai nuk është aty për të garantuar sovranitetin e asnjë shteti.

Në mungesë të instrumenteve shtetërore që mundësojnë shtrirjen e sovranitetit, në të vërtetë, atje status quo-ja po vazhdon dhe territori është i kërcënuar nga rebelë të cilët në çdo kohë janë të gatshëm për të bllokuar rrugë, djegur objekte shtetërore dhe vrarë zyrtarë policorë. Natyrisht këta rebelë janë të udhëhequr nga bandat kriminale dhe Serbia që orë e çast shkel integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo nuk domethënë që në pjesët e tjera të Kosovës nuk ka krim dhe atë ndoshta në majat e administratës publike edhe klasës politike, porse – së paku – në këtë pjesë krimi i konkurron organeve shtetërore (pra de jure krimi nuk pranohet), ndërsa krimi në veri të vendit është vetë “ligji” dhe vetë “shteti”.

Mirëpo, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë edhe gjatë dhe, nëse Prishtina nuk ka sukses në zbatimin Kushtetutës atje, në bisedimet e nisura me Serbinë do të flitet edhe për veriun, ndërsa Kosova do të detyrohet që serbëve t’ua pranojë një autonomi shumë më të gjerë seç parasheh Plani i Ahtisarit.

Deri në pasjen e një plani më të mirë, mbetet që shtrirjen dhe ruajtjen e sovranitetit në veri të vendit ta garantojë retorika që zë vend në maje të gjuhëve të politikanëve, si dhe këngët e zjarrta folklorit tonë bashkëkohor të llojit “with or frends sajd baj sajd, tudej kosova iz sovran”.

Shteti i mbikëqyrjes ndërkombëtare

Kjo përpjekje për kontrollin e kufirit verior duhet të vazhdojë drejt shtrirjes së sovranitetit në tërë e territorin e vendit. Nëse kjo rezulton e dështuar, do të provonte (edhe njëherë) se shoqëria e Kosovës është e paaftë për të qenë zot në shtëpinë e saj (apo sovran siç quhet). Nuk duhet harruar se shteti i Kosovës është i kushtëzuar. Edhe pse sovraniteti legal/juridik i është dhënë Kosovës, megjithatë, shkalla e autoritetit dhe forma e mbikëqyrjes së pushtetit ndërkombëtar në vend varet nga ajo se sa Kosova do të jetë e aftë të ndërtojë sovranitetin empirik duke ndërtuar institucione politike legjitime, efektive dhe të qëndrueshme që do të mund të kryejë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të vet.

Nëse vlerësojmë sipas përkufizimit të shtetit modern të dhënë nga teoria e shtetit (për shembull Max Weber thoshte se e veçanta e shtetit është pasja e monopolit të ushtrimit legjitim të dhunës dhe detyrimit brenda territorit të caktuar), Kosova  nuk është një shtet në kuptim të plotë të fjalës. Sado që shteti i Kosovës është një projekt ndërkombëtar (lexo: perëndimor) dhe një pjesë e problemeve aty nuk zgjidhen dot pa vullnetin e “bashkësisë ndërkombëtare”, e ndër to – mund të argumentohet – edhe problemi i veriut, nëse shtetit të Kosovës i shtohet epiteti “në dështim” apo “i dështuar”, gishti fajësues ndoshta do të drejtohet nga ne, ndoshta nga aktorët ndërkombëtarë, por pasojat e të jetuarit në atë shtet do të rëndojnë vetëm mbi ne.

Natyrisht, pasoja e menjëhershme e klasifikimit të shtetit të Kosovës si i dështuar do të jetë pretekst për shtimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndërkombëtar në saje të diskursit të “shtetit të dështuar apo në dështim” që përligj aktorë ndërkombëtarë të trajtojnë ato shtete si fëmijë që duhet dëgjuar këshillat e më të mëdhenjve dhe më të mençurve. Në shërbim të kësaj marrëdhënieje paternaliste krijohen administratat ndërkombëtare që marrin përsipër misionin e mbikëqyrjes së shteteve në fjalë. Dhe, shpresoj, se ne kosovarët e dimë se cili është ndikimi i këtyre  politikave ndërkombëtare në projektin e ndërtimit të shtetit që ulin rolin e qytetarëve në pranues pasivë të planeve të jashtme për vendin tonë…

Botuar në Kosova Sot më 17 shtator 2011.

Pushtet pa përgjegjësi: Rregullimi i pushtetit ndërkombëtar në Kosovë dhe shtimi i përgjegjshmërisë

In Kosova, Shteti dhe pushteti, Shtetndërtimi ndërkombëtar on 2 February, 2009 at 16:23

Gëzim Selaci

Abstrakt. Administrimi dhe mbikëqyrja ndërkombëtare janë në kundërshtim të qartë me një tipar jetik të demokracisë, ngase nuk lejojnë një rregullim të sistemit në të cilin pushtetarët dhe vendimmarrësit ndërkombëtarë do të ishin më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në të mirë të të cilëve supozohet se merren vendimet përkatëse. Natyrisht, administrata ndërkombëtare është e krijuar dhe e mbështetur nga procese ndërkombëtare dhe ka mandatin nga organizata ndërkombëtare dhe jo nga populli vendës, prandaj, nuk pritet që ajo të sillet si një regjim demokratik përfaqësues. Mirëpo, që të sigurohet një shkallë më e lartë e përgjegjshmërisë, duhet të krijohet një sistem që e bën administratën ndërkombëtare më të përgjegjshme ndaj popullit vendës, për shembull duke kontrolluar pushtetin e saj përmes revizionit të juridiksionit të Kosovës dhe ombudspersonit, nëse vendimet dhe ushtrimi i pushtetit të tyre duket të jetë në kundërshtim me legjislacionin vendës.

Hyrje

Në përpjekjen për të përcaktuar rolet përkatëse të aktorëve ndërkombëtarë dhe autoriteteve vendëse, administratës së përkohshme ndërkombëtare  (APN) i është dashur të përshtatë rolin e saj në një kontekst ku institucionet vendase duhej ndërtuar, prapëseprapë duke i lënë autoritetin më të lartë APN-së. Kjo ka rezultuar në krijimin e një sistemi kompleks dhe të komplikuar të rregullimit të pushtetit ndërkombëtar, dhe raporte të pazakonshme të tij me pushtetin vendës. Ngulmimi për të mbajtur nën mbikëqyrje strukturat politike vendëse dhe qasja teknokratike ndaj ndërtimit të institucioneve, duke kufizuar apo përjashtuar vullnetin e qytetarëve, medoemos degradon këtë vullnet në rol të pranuesit pasiv. Ndonëse, ky sistem siguron disa forma të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë të strukturave ndërkombëtare ndërmjet, ai assesi nuk garanton përgjegjshmëri formale të këtyre strukturave ndaj popullit. Sidoqoftë, ndërtimi i institucioneve të shtetit duke mos përfshirë vullnetin e popullit është në kundërshtim me një tipar vital të demokracisë, ngase demokracia është sundim i demos-it, dhe është e mundur vetëm nëse buron nga populli ose qytetarët.

Eseja është ndarë në dy sesione: e para përshkruan bazën ligjore të pranisë ndërkombëtare në Kosovë; UNMIK-ut të riformuar si dhe strukturave të reja (GDN, PCN, ZCN, PSBE dhe Eulex). Sesioni i dytë zbulon se si është rregulluar sistemi i përgjegjshmërisë apo llogaridhënies dhe kontrollit të këtij pushteti ndërkombëtar cili është raporti ndërmjet strukturave ndërkombëtare dhe vendëse të pushtetit. Eseja përfundon duke propozuar perspektiva të mundshme për rritjen e përgjegjshmërisë së pushtetit ndërkombëtar në Kosovë.

Vazhdon…

Eseja e plotë e botuar te: Revista Shkencore “Trendi Global”, Nr.2.

Lexo artikullin e plotë KËTU!