gselaci.wordpress.com

Archive for the ‘Kosova’ Category

Kosova, dhjetë vjet shtet: premtimi dhe realiteti

In Kosova, Uncategorized on 12 February, 2018 at 19:00

Botuar më 1 Shkurt 2018 në “Shenja”

Dhjetë vjet më parë, Kosova u shpall shtet me premtimin për pavarësi, sovranitet, demokraci, barazi para ligjit dhe anëtarësim në Bashkimin Europian (sipas Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës). Përvjetori i dhjetë i shpalljes së republikës është moment për të reflektuar se a dhe sa janë realizuar këto premtime.

Shtetësia e kontestuar

Mirëpo, në të vëretë shtetësia e Kosovës ende nuk është punë e kryer, përderisa ende kontestohet nga Serbia dhe aleati i saj Rusia, si edhe një numër shtetesh anëtarë të Bashkimit Europian. Shtetësia mbetet e kontestuar përderisa nuk sigurohen njohje të mjaftueshme për t’u pranuar në bashkësinë e shteteve të botës. Shtetësia e Kosovës është e kushtëzuar nga Serbia. Dialogu i mëtutjeshëm i Kosovës me Serbinë ka kuptim të plotë vetëm nëse mbaron me një marrëveshje për njohje të shtetit nga Serbia.

Read the rest of this entry »

E keqja më e vogël nuk është ajo që na duhet

In Kosova on 19 June, 2014 at 07:50

Gëzim Selaci

 

Lajm i mirë, lajm i keq

E mira e demokracisë përfaqësuese është se mundëson ndërrimin e qeverisë herë pas here, duke mos lejuar aq gjatë të njëjtit njerëz në krye të vendit sa të mund të shndërroheshin në despotë. Në këtë kuptim, mendoj se është gjë e mirë që pozita e deridjeshme në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti 2014 nuk ka marr mbështetje aq të gjerë sa të mund të formojë qeverinë për herë të tretë pa kurrfarë vështirëse e të qeverisë vendin edhe për një mandat duke mos çarë kokën për qytetarët, hallet dhe kërkesat e tyre.

Mirëpo, nuk mund të them se u gëzova që koalicioni opozitar po pretendon të formojë qeverinë e re. Kjo, jo për arsye se e fut vendin në një aventurë të pasigurt shtyrjesh politike nga e cila nuk do të kursehet as interpretimi zyrtar i Kushtetutës së Republikës. Kjo do të karakterizohet kryekëput me luftë për pushtet ndërmjet partive, e aspak nuk do të preokupohet me ofrimin e qeverisjes alternative në të mirë të qytetarëve dhe demokracisë. As, sepse, po që se koalicioni do t’ia dilte, do të krijohej një mishmash koalicion që do të rezultonte në qeveri të paqëndrueshme e që vështirë se do të funksiononte, për arsye të ndryshme…

Në të vërtetë, përse nuk gjeta arsye të pres me gëzim këtë koalicion është se, nëse rezulton i suksesshëm, partitë opozitare do të futen në një gjendje vetëmashtruese e ta gënjejnë vetveten se kanë legjitimitetin demokratik për të udhëhequr vendin edhe kështu si janë, pa pasur nevojë të reformohen vetë dhe të rishikojnë e zhvillojnë programet  e tyre. Veç kësaj, kjo do t’i jepte sinjal të rrezikshëm krijimit të qeverive në të ardhmen sipas këtij modeli që mbledh disa parti me numër të vogël votash për të krijuar një koalicion pas zgjedhjeve, që jo medoemos i bashkon një filozofi politike a ngjashmëritë në programe, por dakordimi i tyre për të ndarë postet qeveritare.

Sado që më trishton nëse një parti (cilado qoftë ajo), fiton mandatin e tretë për të udhëhequr vendin, në të njëjtën kohë mendoj se as opozita që e kemi tash për tash nuk është e gatshme të na ofrojë një alternativë qeverisëse. Dhe ka disa arsye për të besuar këtë. Së pari, disa parti që po vetëquhen opozitë, në të vërtetë, nuk përbëjnë opozitë reale, por dallimi i vetëm ndërmjet tyre dhe pozitës është se nuk janë në pushtet. Këtë e kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve të fundit duke mos kryer as për së afërmi rolin që pritet ta kryejnë partitë opozitare në demokraci. Së dyti, koalicioni i opozitës nuk bazohet mbi një marrëveshje ku specifikohet se për çfarë programi qeverisës janë, por i kemi parë se qysh nga fillimi kanë negocuar vetëm për poste politike. Ky është pra një koalicion që ngritet mbi ndarjen e posteve, e jo mbi një filozofi apo program alternativ qeverisjeje.

Një pjesë tjetër e partive që do të mund të quheshin opozitë reale, kanë nevojë të mendojnë se ku dështuan dhe si të rrisin elektoratin e tyre. Por, jo vetëm të krijojnë strategji propaganduese, por të përshtatin pozicionimet dhe programet e tyre, sikurse dhe përbërjen e tyre, për t’i kthyer dinjitetin qytetarëve dhe për të nxjerrë vendin nga krizat që po shtresëzohen njëra-mbi tjetrën.

Ku është e keqja më e vogël?

Komentues të ndryshëm e kanë pritë me entuziazëm krijimin e koalicionit opozitar që synon të formojë qeverinë e ardhshme, jo për tjetër, por se ky koalicion po e pamundëson vazhdimin në pushtet të një partie e cila për dy mandate e ka çuar vendin në mjerim ekonomik, coptuar shtetin në entitete etnike, forcuar autoritarizmin dhe shtënë nën kontrollin e saj institucionet kyçe publike duke minuar kështu autonominë e shoqërisë civile përmes një rrjeti klientelist e formave të ndryshme të detyrimeve.

I kuptoj arsyet e zemërimit në qeverinë e deritanishme dhe druajtjes që kjo qeveri të vazhdojë. Mirëpo, dua të theksoj se në plan më afatgjatë kjo nuk është në të mirë të demokracisë në vend. Shpresë nuk ka as te partitë opozitare. Ka arsye për të t’u merakosur nëse kjo qeveri do të ndërrohej me një tjetër e cila nuk është se ndryshon gjithaç nga paraprakja. Kjo do t’ia ulte vlerën idesë së ndërrimit të pushtetit, ngase ajo që do të ndërronte nuk do të ishte diçka thelbësore, domethënë qasja qeversisëse, programi politik, por vetëm emrat e partive dhe njerëzit në to. Kjo nuk është e dobishme as për partitë opozitare, ngase iu lejon me lehtësi të vijnë në pushtet pa pasur nevojë të punojnë shumë për të fituar përkrahjen e votuese dhe qytetarëve në përgjithësi.

Për qeverisje ndryshe, na duhet paguar një çmim 

Nuk mund të thuhet me aq lehtësi se kjo qeverisje do të ishte më pak e keqe se e mëparshmja, siç u bë e modës të besohet pa menduar, tash në këtë ambient të ndezjes së ndjenjave. Për më tepër, siç u përpoqa të arsyetoj, ka mundësi të madhe që kjo vetëm të fusë opozitën në një rrugë vetëmashtruese në të cilën nuk do ta ndienjë nevojën për të ndryshuar, rinuar e reformuar. Në vend të kësaj, mendoj se më së miri do të ishte që opozita të pranojë humbjen e të reflektojë për të me qëllim që të reformohet e të kthehet për të ofruar udhëheqje alternative.

Dua të the se për opozitën vetëdijësimi për humbjen e dështimin është më i mirë se sa të kaplohet nga vetëmashtrimi ngadhnjimtar që do ta verbojë para mangësive të dukshme që i ka. Kur e them këtë, jam i vetëdijshëm se vazhdimi i qeverisjes së njëjtë me partinë e njëjtë në krye e ka çmimin e vet për shoqërinë dhe vendin, por po them se nuk gjej ndonjë arsye të qëndrueshme për të besu se qeverisja e koalicionit opozitar do të jetë më pak e keqe.

Për një qeverisja ndryshe, na duhet paguar një çmim, se ajo nuk vjen falas. Ndonjëherë njeriu, që të dalë prej ujit, duhet të zhytet aq fort në ujë e ta prekë tokën që t’i jap përpjetë. Ndoshta jemi në një situatë kur na duhet e keqja më e madhe, në mënyrë që mund të presim më të mirën më të madhe në afat më të gjatë. Me qasjen “zgjidh të keqen më të vogël” të votës, ndërrimi i pushtetit nuk do të ketë kuptimin e plotë në shtetin tonë të ri.

Si të radikalizosh grupet fetare: udhëzime për një shoqëri të polarizuar

In Kosova on 20 September, 2011 at 09:13

Gëzim Selaci

Vorbulla e pro-et- kontra-ve në debatin e kohëve të fundit në lidhje me vendin dhe funksionin e fesë në sferën publike ka marrë me vete shumë njerëz. Krejt ndryshe, kjo është një përpjekje për të analizuar efektet e vendimeve ligjore dhe diskurseve përkatëse në kohezionin shoqëror në Kosovë, të cilat mendoj se ligjvënësit tanë ishte dashtë me i pasë parasysh kur bëjnë ligjet dhe flasin nga foltorja e Kuvendit të Republikës. Shamia dhe lënda fetare në shkolla publike mund të jenë probleme të paqena, por gjithsesi me efekte reale.

Problematizimi, madje me urgjencë, i çështjeve për shaminë dhe lëndën fetare në shkolla mund të jetë një debat i panevojshëm për çështje të paqena (apo i nevojshëm vetëm për ata që duan të shpërqendrojnë publikun nga problemet më të mëdha si dhe për ata që duan ta përdorin për t’u vetëlegjitimuar si liderë të ”kauzave islame”) por efektet e vendimeve përkitazi me këto probleme janë gjithsesi reale mbi të cilat duhet reflektuar.

Tashti jemi para një akti të kryer ligjor që ndalon bartjen e shamisë në shkolla publike dhe në zyra të administratës publike dhe refuzon kërkesën për lëndën e “edukatës fetare e morale” (siç u propozua) në shkollat publike të vendit. Pavarësisht arsyeve për refuzimin e këtyre kërkesave, sipas një ligji fundamental (fizik dhe) shoqëror të aksionit dhe kundëraksionit, kjo i shtyn ata qytetarë që përkrahnin këtë kërkesë të organizohen si grup i veçantë i shoqërisë më të gjerë për t’u angazhuar për të drejtat (apo “të drejtat”) e tyre tashmë jo individuale, por kolektive. Për pasojë, mohimi i së drejtës së njeriut për t’u veshur si të dëshirojë i shtyn ata që kanë të njëjtin preokupim të sillen si grup ku ata bëhen një, së paku në këtë çështje, dhe faktorizohen edhe si forcë elektorale. Kështu, ky grup i xhematit që nuk kanë votuar më parë ose votat e tyre kanë qenë të shpërndara, po homogjenizohet dhe formohet si forcë unike elektorale.

Më pas, me gjasë, votat e këtij elektorati do t’u shkojnë subjekteve politike që iu adresohen kërkesave të tyre të veçanta. Tani për tani, duket se Partia e Drejtësisë është adresë e tyre por, pas dështimit të këtij subjekti për të realizuar premtimin elektoratit të tyre, mund të ketë edhe ndonjë subjekt tjetër politik që do të synojë këtë elektorat. Ky subjekt mund të iniciohet pikërisht nga personat që e kanë agjendë me prioritet shaminë dhe mësimin e fesë në shkolla dhe po i prijnë angazhimeve dhe presioneve për këto kërkesa. Në fakt, ka indikacione se kjo agjendë po përdoret për të mobilizuar dhe identifikuar votuesit potencialë, duke e bërë kështu një agjendë për përfitime politike. Ndoshta, ai subjekt do të jetë edhe më radikal dhe më këmbëngulës për realizimin e kësaj agjende. Madje, ka mundësi që të ngacmojë edhe liderët fetarë jo vetëm në përkrahjen e këtyre agjendave, por edhe në pjesëmarrjen të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këto subjekte. Ky përqendrim i pushtetit politik dhe autoritetit fetar në një njeri ose grup njerëzish është arsye e mjaftueshme për t’u brengosë. Tradicionalisht Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka anuar nga asnjëra parti politike dhe nuk ka përdorur xhamitë për të ujdisur ndjenjat e xhematit me qëllim që ta përdorin atë si forcë elektorale, por precedani tashmë është vendosur në zgjedhjet e fundit të përgjithshme (në vitin 2010) kur imamët gjithandej xhamive të Kosovës thërrisnin për të votuar Koalicionin Kosova e Re ku bënte pjesë Partia e Drejtësisë. Nuk ka gjë më të rrezikshme se sa përqendrimi i disa pushteteve tek një njeri ose grup njerëzish. Shoqëria jonë tashmë është e dërrmuar nga liderë me pushtet politik, fuqi ekonomike e karizëm personale së bashku që sillen si mbretër. Na mungon edhe pajisja e autoritetit fetar me pushtet politik për të lindur një klasë politike e mbretërve profetë.

Politizimi i një bashkësie fetare shqiptare apo përputhja e përkatësisë fetare me një rrymë a forcë të caktuar politike duke u identifikuar përkatësia fetare me një drejtim apo parti të caktuar politike, është një gjë që ideologët e parë të nacionalizmit shqiptar e kanë kundërshtuar ashpër. Etosi i nacionalizmit shqiptar asnjëherë nuk ka funksionuar mbi bazën e përkatësisë ekskluzive fetare. As shoqëria e Kosovës që po ndërtohet nuk duhet të pasqyrojë përkatësitë e veçanta fetare në ideologji të veçanta politike. Në të vërtetë kjo po ndodh me bashkësinë serbe në Kosovë në saje të një mendësie të formuar me kohë që identitetin dhe nacionalizmin serb e lidh ekskluzivisht me Fenë ortodokse. Duke qenë se nuk e imagjinojnë përkatësinë kombëtare dhe nacionalizmin pa një përkatësi të veçantë fetare, serbët nuk reshtin së provuari për të vënë shenjën e barazimit të shqiptarëve në Kosovë me myslimanë, madje “fundamentalistë” e “terroristë”. Fatmirësisht, shqiptarët që ishin mësuar se fetë nuk duhet të përçajnë kombin i shpëtuan kësaj kurthe, dhe kjo propagandë nuk ka pirë ujë në opinionin ndërkombëtar. Tash shqiptarët e Kosovës, si shumicë në shtetin e ri, duhet të orientojnë përpjekjet e tyre nga çrrënjosja e kësaj mendësie tek bashkësia serbe, e jo të përvetësojnë këtë mendësi duke bërë politika që çojnë në drejtim të politizimit të feve.

Megjithëse politizimi i bashkësive fetare paraqet një tendencë për kërcënim të kohezionit shoqëror, ky reagim i mundshëm i grupeve të caktuara të xhematit mbetet në suazat demokratike, përderisa zgjidhjen e kërkon brenda institucioneve shtetërore dhe sjelljeve të lejuara në demokraci, si protesta, etj. Më shumë se sa politizimi i grupeve fetare do të duhej të na brengoste nëse reagimi i tyre do të çonte në një drejtim anti-demokratik si rezultat i humbjes së besimit tek institucionet e shtetit, procedurat demokratike dhe politikanët e organizatat (si Bashkësia Islame, për shembull) të cilët megjithatë zgjidhjen e problemeve kërkojnë ta gjejnë brenda institucioneve të shtetit dhe rrugët tjera joinstitucionale demokratike. Rrjedhimisht, shpresat do të vareshin tek subjekte politike dhe organizata që thërrasin për mënyra radikale të zgjidhjes. Ky është shans që lakmues të ndryshëm për lidership nuk e lejojnë t’iu ikë. Ujë në mulli të tyre çon edhe injorimi e margjinalizimi, madje demonizimi i zërave të moderuar që do të ishin si alternativë më e mirë e ekstremistëve.

Paralelisht, por jo paradoksalisht, shmangia e indoktrinimit fetar si pasojë e mësimit të feve në lëndë të veçanta në shkolla publike (argument pro ndalimit të mësimit fetar në shkolla), forcon edhe më ndikimin dhe autoritetin e predikuesve fetarë duke hapur më gjerë dyert e mënyrave të pafundme të indoktrinimit fetar e sektar si dhe mostolerancës për fetë dhe filozofitë e tjera jetësore përmes mediave propaganduese, që nga predikimet nëpër xhamia e kisha e deri tek ato nëpër platforma interneti. Njerëz të bindur që nuk mendojnë me kokat e tyre, por janë kurdoherë të prirë të pranojnë “të vërtetat” e gatshme e militantë që kurdoherë janë të gatshëm të çohen për të mbrojtur “të vërtetën” ka më shumë gjasë të krijohen nëpër mexhlise e kongregacione fetare se sa nëpër shkolla. Në seancën kur u sollën këto vendime, u kuvendu për pro-et-kontra dhe për “rrezikun” e “përparësitë” e lëndës së “edukatës fetare” në shkolla, por jo edhe për efektet e mundshme që mund të pasojnë si rezultat i refuzimit të kësaj kërkese, ose për zgjidhjet më të mira në kontekstin tonë. Ishte dashtë që ligjvënësit tanë të mendojnë edhe për këtë efekt të mundshëm, se kërcënimi i “fundamentalizmit islamik” për shtetin e Kosovës dhe unitetin kombëtar mund të bëhet një profeci vetëpërmbushëse.

Dhe kulmi i gjithë absurdit në këtë vorbull telashesh është të shohësh se si debati publik rreth këtyre çështjeve nuk po udhëhiqet me arsyetime gjakftohta dhe intelektuale, por me tone patetike. Debat që të duket se nuk po synon negocimin e dallimeve përmes diskutimit racional me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira, por vetëm të qesë barut në zjarr. Mendoj se çështja është shumë serioze për t’u lënë në mëshirë të thirrjeve histerike që transmetohen nëpër televizione e shtypen nëpër gazeta. Kjo mënyrë e të debatuarit po e nxeh gjithnjë e më tepër debatin, dhe me të edhe shoqërinë kosovare. Kështu, opinioni publik po krijohet në këtë klimë të polarizuar ku hapësira e diskutimit po bëhet mejdan grindjesh ndërmjet dy pikëpamjeve të kundërta. Aty zihen vetëm këto dy pikëpamje duke mos lejuar mundësi për një pozicion të tretë më kritik.

Botuar në Shenja, tetor 2011 dhe në version të shkurtuar në Zëri më 23 shtator 2011.

Mbi Veriun, sovranitetin dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare

In Kosova on 17 September, 2011 at 08:03

Gëzim Selaci

Intervenimi i Prishtinës zyrtare në veriun e vendit për të kontrolluar pikat doganore atje zgjoi një ndjenjë të shkurtër krenarie tek qytetarët e Kosovës. Propaganda shkrepi iluzioni se më në fund do të jemi zot në tokën tonë. Mirëpo, në radhë të parë, intervenimi në fjalë nuk kishte për qëllim imponimin e plotë të sovranitetit shtetëror në veri, por një fushë të ngushtë, domethënë zbatimin e sistemit doganor të shtetit të Kosovës në dy pika të kufirit verior të Kosovës. Për funksionalizimin e plotë të sistemit administrativ, policor dhe të drejtësisë, as që bëhet fjalë. Sidoqoftë, intervenimi në fjalë rezultoi me një mjegullim e  të cilën qeverisë tonë po i pëlqen ta quajë “Marrëveshje” që zor mund të thuhet se po gjen zbatim në praktikë. Për momentin, në ato pika kufitare veriore të shpallura si “zona të sigurta ushtarake” nuk u vendos dogana e Kosovës dhe ato nuk funksionojnë si pika normale kufitare. Kjo gjendje me gjasë ka me zgjatë deri në vazhdimin e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Komentuesit me të drejtë kanë tërhequr vëmendjen ndaj imponimit të Serbisë si palë në negociatat për çështjen e veriut.

Kredencialet “veriore”

Pavarësisht se “miqve ndërkombëtar” – të cilët nuk janë mësuar të shohin Kosovën të sillet si sovran – nuk ua ka pëlqyer intervenimi policor i urdhëruar nga Qeveria, ai ishte një spektakël që u përcoll me kujdes me fotografi e raportime nga vendi i ngjarjes nga mediat që lanë mbresa jo të dobëta tek publiku. Kryeministri u rishfaq në skenën politike duke rikthyer përkrahjen e publikut si një lider i fortë dhe i pakompromis në përpjekjet e tij për interesin e shtetit. Nuk do mend se kjo e ka shpëtuar kryeministrin atë nga akuzat që i bëhen vazhdimisht dhe për një kohë relativisht të gjatë nga opozita për keqqeverisje, hajni e tradhti, por edhe ai ia doli të largojë vëmendjen ndaj tensioneve brenda partisë së tij që janë shkaktuar nga telashet me menaxhimitn e ekonomisë, hetimet ndaj pjesëtarëve të lartë të partisë së tij, e kështu me radhë.

Kjo nuk është hera e parë që problemi i veriut përdoret si kartë nga politikanë për kredenciale shtetbërëse e patriotike, por pa një vullnet të dëshmuar, vendosmëri e plan bindës për zgjidhjen e tij. Pavarësisht se kjo ka mundur t’ia rikthejë përkrahjen publike të kryeministrit dhe qeverisë së tanishme, del se intervenimi në veri ishte i suksesshëm në kuptim të efektit medial dhe rikthimit të përkrahjes publike, por i pamenduar mirë dhe një hop i rrëmbyeshëm jocilësor e i pasuksesshëm drejt integrimit të pjesës veriore të vendit.

Natyra e vërtetë e problemit në veri

Problemin e veriut nuk duhet nënvlerësuar duke ndërmarrë kësi aksione të pamenduara mirë dhe për të cilat shteti nuk ka takat. Veriu është një problem më i vjetër se sa vetë shteti i Kosovës. Dështimi dymbëdhjetëvjeçar për të përfshirë atë pjesë brenda kufijve të juridiksionit kosovar dhe për të integruar bashkësitë në shoqërinë më të gjerë kosovare, nuk mund të zgjidhet me një akt të vetëm politik që ngërthen një aksion policor, por me strategji më të plotë që do t’iu adresohej edhe çështjeve të tjera të kompleksitetit të problemit të veriut. Të mos harrojmë se vendimi për formën e pavarësisë së Kosovës dhe natyrën e pranisë ndërkombëtare në të ka qenë shumë i ndikuar nga pasojat që Kosova e pavarur do të mund të kishte për pakicat e saj. Shoqëria e gjerë kosovare ka dështuar të integrojë pakicën etnike serbe të kësaj pjese të vendit. Derisa të mos e bëjë këtë, Kosova do të vazhdojë të përballet me pasojat e përdorimit të pakicave të saja si mashë e atyre që nuk ia duan të mirën asaj.

Rezistenca serbe atje duhet të na vetëdijësojë, jo për ndonjë problem etnik apo nacionalist serb, por për shkallën e kontrollit të ekonomisë dhe mjeteve të detyrimit nga bandat e krimit që operojnë atje me leje a përkrahje nga Beogradi dhe bekim nga Kisha serbe. Çështja e veriut nuk është nacionale, por e mungesës së shtetit dhe sundimit të bandave kriminale serbe në të cilat janë të përfshirë edhe kriminelë shqiptarë. Në thelb, problemi nuk është nacionalist, nëse këqyret konteksti më i gjerë i strukturave të pushtetit në atë pjesë të vendit, por është problem i motiveve politike dhe luftërave për pushtet ndërmjet elitave politike e ekonomike në atë pjesë, por edhe në Serbi. Të mësuar nga shkolla e Millosheviqit, kriminelët atje u fryjnë ndjenjave nacionaliste sa herë që dikush provon të imponojë sundimin e ligjit dhe kërcënon interesat e tyre.

Andaj, problemit duhet qasur jo nga një perspektivë patriotike apo nacionaliste drejtuar kundër “nacionalistëve serbë”, e ndoshta as nga një qasje që ndërmerr masa të ndërsjella ndaj Serbisë duke e bërë kështu një problem politik midis dy shteteve, por nga një perspektivë që këmbëngul në shtrirjen e sundimit të ligjit në atë pjesë të vendit dhe lufton bandat e krimin i cili është shumetnik. Kjo e dyta do të mund të funksionalizohet menjëherë duke kap e ndëshkuar vrasësit e zyrtarit të policisë speciale gjatë këtij aksioni.

Sovranitet pa garanci

Ndoshta puna e parë që duhet të mendohet para se t’i hyhet çfarëdo përpjekjeje të dhunshme për imponimin e autoriteteve të Prishtinës në veri të vendit është se kush do ta garantojë sovranitetin atje? Kush do t’i sigurojë doganierët për të kryer punën e tyre, në kësi raste? Sa për autorizimet dhe mundësitë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, u pa… Në anën tjetër, sado që retorika politike dhe folklori jonë bashkëkohor e quan Forcën e Sigurisë së Kosovës (sikurse Trupat e Mbrojtjes së Kosovës më parë) “ushtri të ardhshme”, ajo mbetet një forcë civile për intervenime emergjente.

Këtu hyjnë lojtarë të tjerë në skenë. Por, ata nuk janë të Kosovës, sado që janë për Kosovën:  Eulexi dhe Kfori. Nga xhirimet prej terrenit është parë se si zyrtarët e Euleksit iknin me vrap nga rebelët. Kfori në anën tjetër si një forcë për Kosovën e udhëhequr nga Nato, ka një mision që respekton Rezolutën 1244 dhe qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës (me fjalë të tjera nuk e njeh shtetin e Kosovës), është i interesuar që të mos ketë vrasje dhe përleshje në rrugë, jo më shumë. Ai nuk është aty për të garantuar sovranitetin e asnjë shteti.

Në mungesë të instrumenteve shtetërore që mundësojnë shtrirjen e sovranitetit, në të vërtetë, atje status quo-ja po vazhdon dhe territori është i kërcënuar nga rebelë të cilët në çdo kohë janë të gatshëm për të bllokuar rrugë, djegur objekte shtetërore dhe vrarë zyrtarë policorë. Natyrisht këta rebelë janë të udhëhequr nga bandat kriminale dhe Serbia që orë e çast shkel integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo nuk domethënë që në pjesët e tjera të Kosovës nuk ka krim dhe atë ndoshta në majat e administratës publike edhe klasës politike, porse – së paku – në këtë pjesë krimi i konkurron organeve shtetërore (pra de jure krimi nuk pranohet), ndërsa krimi në veri të vendit është vetë “ligji” dhe vetë “shteti”.

Mirëpo, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë edhe gjatë dhe, nëse Prishtina nuk ka sukses në zbatimin Kushtetutës atje, në bisedimet e nisura me Serbinë do të flitet edhe për veriun, ndërsa Kosova do të detyrohet që serbëve t’ua pranojë një autonomi shumë më të gjerë seç parasheh Plani i Ahtisarit.

Deri në pasjen e një plani më të mirë, mbetet që shtrirjen dhe ruajtjen e sovranitetit në veri të vendit ta garantojë retorika që zë vend në maje të gjuhëve të politikanëve, si dhe këngët e zjarrta folklorit tonë bashkëkohor të llojit “with or frends sajd baj sajd, tudej kosova iz sovran”.

Shteti i mbikëqyrjes ndërkombëtare

Kjo përpjekje për kontrollin e kufirit verior duhet të vazhdojë drejt shtrirjes së sovranitetit në tërë e territorin e vendit. Nëse kjo rezulton e dështuar, do të provonte (edhe njëherë) se shoqëria e Kosovës është e paaftë për të qenë zot në shtëpinë e saj (apo sovran siç quhet). Nuk duhet harruar se shteti i Kosovës është i kushtëzuar. Edhe pse sovraniteti legal/juridik i është dhënë Kosovës, megjithatë, shkalla e autoritetit dhe forma e mbikëqyrjes së pushtetit ndërkombëtar në vend varet nga ajo se sa Kosova do të jetë e aftë të ndërtojë sovranitetin empirik duke ndërtuar institucione politike legjitime, efektive dhe të qëndrueshme që do të mund të kryejë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të vet.

Nëse vlerësojmë sipas përkufizimit të shtetit modern të dhënë nga teoria e shtetit (për shembull Max Weber thoshte se e veçanta e shtetit është pasja e monopolit të ushtrimit legjitim të dhunës dhe detyrimit brenda territorit të caktuar), Kosova  nuk është një shtet në kuptim të plotë të fjalës. Sado që shteti i Kosovës është një projekt ndërkombëtar (lexo: perëndimor) dhe një pjesë e problemeve aty nuk zgjidhen dot pa vullnetin e “bashkësisë ndërkombëtare”, e ndër to – mund të argumentohet – edhe problemi i veriut, nëse shtetit të Kosovës i shtohet epiteti “në dështim” apo “i dështuar”, gishti fajësues ndoshta do të drejtohet nga ne, ndoshta nga aktorët ndërkombëtarë, por pasojat e të jetuarit në atë shtet do të rëndojnë vetëm mbi ne.

Natyrisht, pasoja e menjëhershme e klasifikimit të shtetit të Kosovës si i dështuar do të jetë pretekst për shtimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndërkombëtar në saje të diskursit të “shtetit të dështuar apo në dështim” që përligj aktorë ndërkombëtarë të trajtojnë ato shtete si fëmijë që duhet dëgjuar këshillat e më të mëdhenjve dhe më të mençurve. Në shërbim të kësaj marrëdhënieje paternaliste krijohen administratat ndërkombëtare që marrin përsipër misionin e mbikëqyrjes së shteteve në fjalë. Dhe, shpresoj, se ne kosovarët e dimë se cili është ndikimi i këtyre  politikave ndërkombëtare në projektin e ndërtimit të shtetit që ulin rolin e qytetarëve në pranues pasivë të planeve të jashtme për vendin tonë…

Botuar në Kosova Sot më 17 shtator 2011.

Kriza e ideve dhe ‘heronjtë shpëtimtarë’

In Kosova on 19 August, 2011 at 15:20

Gëzim Selaci

Mungesa e reflektimeve, debatit të ideve, analizave e propozimeve për zgjidhje të problemeve të thella ekonomike, sociale e politike është plotësuar me brohoritje sloganesh, ngritje flamujsh e simbolesh, sharje e akuza të ndërsjella dhe veprime të pamenduara. Për më tepër, mospasja e ideve mund të zgjojë edhe shpresa të kota tek ‘heronj shpëtimtarë’ më parë se sa të provokojë ndonjë kryengritje popullore.

Është e qartë se skenës politike kosovare nuk i mungojnë partitë. Mirëpo, ajo për një kohë të gjatë është e mbizotëruar nga parti të njëjta që ideologjikisht nuk dallojnë ndërmjet vete. Prandaj, përkundër numrit jo të vogël të partive kjo nuk përbën larmi qëndrimesh, ideologjish e programesh.

Fushatat parazgjedhore dhe debatet ndërpartiake publike përshkohen, në njërën anë, nga turri i partive opozitare kundër partive në pushtet (që shpeshherë marrin karakter neveritës ndërpersonal), dhe, në anën tjetër, nga pozicioni (me çdo kusht) mbrojtës i partive në pushtet. Mirëpo, përveç sloganeve, partitë në pushtet nuk ofrojnë ide konkrete e programe të hollësishme bindëse për t’iu adresuar problemeve të shtetit tonë të ri dhe çështjeve të cilat i rëndojnë qytetarët e vendit. Më mirë nuk qëndrojnë as partitë në opozitë të cilat dështuan të propozonin një person për president dhe tash kemi një presidente që u zgjodh ashtu si u zgjodh, të mos flasim për formulime të propozimeve e planeve alternative.

Që të dy grupet e partive, në pushtet apo në opozitë qofshin, qëndrojnë në njërën prej dy skajeve: nga njëra anë ka parti që kanë humbur çdo ideal udhëheqës, e në anën tjetër, parti që me lehtësi shpërfillin hendekun e madh ndërmjet idealeve dhe realitetit. Të parët, të ngulfatur nga mbizotërimi i liderëve dhe të kurthuar në lëmshe korruptuese, interesa personale e grupore, më shumë i preokupon zhvillimi i rrjetave të patronazhit politik (militantë, votues e biznesmenë) e të nepotizmit dhe krijimi i organizatave parapolitike (media e OJQ partizane, etj) dhe kështu më shumë i përngjajnë grupimeve klanore se sa ndonjë organizate që promovon politika të caktuara apo përfaqëson ndonjë zë qytetar. Ndërkaq, kategoria tjetër që nuk ndalet për të reflektuar në qetësi shpeshherë hidhet në veprime të cilat në rastin më të mirë janë qesharake, por edhe të rrezikshme kur kanë për qëllim ikjen prej problemeve reale. Këtë e ilustron shembulli që për dikë, zgjidhja e ‘çështjes kombëtare’, përmes bashkimit të kombit në një shtet, i bëka çare pothuaj të gjitha halleve të Kosovës, ndërkohë që, së paku tash për tash, është një ide e vështirë, mos me thënë e pamundur, apo e pasigurt për t’u jetësuar, për arsye të ndryshme.

Kryengritjet e pashpresa

Disi besohet, sado që jo së shpejti, se pakënaqësia e qytetarëve me atë që u ofron shteti, humbja e besimit tek politika dhe zhgënjimi i tyre me liderët politikë do të shpërthejë në kryengritje. Kjo është ajo që pritet, sado që me durim, nga një numër komentuesish politikë e shoqërorë.

Është e qartë gjendja e vështirësuar ekonomike e popullsisë, papunësia e lartë, veçimi i rinisë nga pjesa tjetër e botës, numri i nxënësve dhe studentëve jokompetentë që prodhon sistemi jonë arsimor… Të gjitha këto nuk i mohon njeri, mirëpo se kjo disi me automatizëm do të nxjerrë njerëzit në rrugë për t’u rebeluar kundër autoriteteve, kjo është e pasigurt. Duket se ne kosovarët kemi një marrëdhënie të tillë me autoritetin që zor se e kundërshtojmë edhe kur të na hipin në qafë pamëshirshëm. Paralelet që dikush mund t’i bëjë me ‘Pranverën arabe’, jo që nuk po vërtetohen në praktikë, por as janë të sakta konceptualisht: vendet e ‘Lindjes së Mesme’ në të cilat pati kryengritje kanë ekonomi me rritje vjetore minimum 5-6% të prodhimit bruto shoqëror, ndërsa ato shoqëri përbëhen nga klasa të mesme të konsoliduara ose në krijim. Dhe kur të kesh një klasë të mesme që ka të ardhura sa për të jetuar një jetë të dinjitetshme, atëherë edhe pritshmëritë e kësaj shtrese të popullatës janë më të mëdha nga shteti: për arsim cilësor, shanse pune, të ardhura më të larta, dhe mbase për më shumë demokraci. Ekonomia e Kosovës nuk ka rritje; papunësia po shtohet; ndërsa, falë sistemit klientalist, paraja merret nga duart e shumicës për të shkruar tek një pakicë që po pasurohet gjithnjë e më shumë në dëm të të tjerëve dhe po pamundëson krijimin e klasës së mesme. Nëse duhet besuar teorizimeve të shoqërisë, në këto kushte të privimit të lartë social, kryengritjet nuk kanë me ndodhë. Vetëm atëherë kur njerëzit besojnë se mund të arrijnë në shumë se sa që shteti u lejon, ata priren më shumë për kryengritje.

Mundësia për kryengritje sociale ose politike në Kosovë jo që nuk mund të pritet në një të ardhme të afërt, por ajo mund të jetë e kotë pa vizion për një tranzicion të vërtetë demokratik: çlirim nga paternalizmi i jashtëm dhe patronazhi politik vendës, liri intelektuale, llogaridhënie e pushtetarëve ndaj qytetarëve, ekonomi e çliruar nga marrëdhëniet klienteliste, e kështu me radhë.

Toka e heronjve

Pra, ajo që i mungon shoqërisë kosovare janë zhvillimi i ideve që do të ishin hapi i parë drejt adresimit dhe zgjidhjes së problemeve të grumbulluara me vite në Kosovë. Dhe, meqë mungojnë reflektimet, analizat,  planet e programet të cilat do të shërbenin si platformë politike për çdo njeri të zgjuar e të vullnetshëm për t’i implementuar ato, qytetarët (në mesin e të cilëve nuk ka gatishmëri për kryengritje, siç provova me argumentu) mund të ngatërrohen dhe shpresat t’i varin tek ‘heroi’ i pritur i cili si me magji ka me i zgjidhë problemet e grumbulluara. Duke qenë se shumë liderë politikë nuk kanë dhënë provimin e të qenit për qytetarë dhe shpresat tek ata janë venitur, njerëzit mund të gjejnë ‘heroin’ e pritur tek liderët e rinj. Kjo tek ne – dhe në cilëndo shoqëri që ka sado pak procedura formale demokratike të zgjedhjes së pushtetarëve, por jo edhe kulturë të qytetarisë aktive – është një shans që persona me ambicie politike nuk e lëshojnë t’ju ikë; të atillë që në mënyrë të shkëlqyer flasin për degjenerimin e politikanëve (rivalëve të tyre) në njërën anë, dhe për qëllimet e tyre të mira, në anën tjetër, dhe për atë se si ju bën për popullin dhe hallet e tyre.

Mirëpo, për këto nuk kemi nevojë dhe kështu nuk zgjidhen problemet. Përkundrazi, kur të zënë vend në gojë të demagogëve, ato veç i thellojnë problemet. Të kujtojmë se në këtë mënyrë kanë marrë pushtetin shumë liderë që më vonë janë shndërruar autoritarë, autokratë e diktatorë. Pa garanci institucionale se liderët e partitë do të përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe sidomos votuesve të tyre dhe se nuk do të degjenerohen në organizata që i shërbejnë vetëm vetvetes, ‘heronjtë’ munden me qenë të rrezikshëm. Andaj, nuk na duhen ‘heronj’, por mekanizma të cilat partitë dhe përfaqësuesit e popullit do t’i bënin të ndjeshëm ndaj kërkesave dhe kritikës së votueseve.

Përfundim

Për të përfunduar, në vend të heronjve dhe përpara lëvizjeve e aksioneve, mendoj se nga inteligjencia e shoqërisë dhe specialistët e fushave përkatëse kërkohet të vrasin mendjen e të reflektojë më shumë mbi atë se në kontekst të pavarësisë së mbikëqyrur, rregullimit të ndërlikuar të pushteteve, shoqërisë së ndarë mbi baza etnike, si është e mundur veprimtaria politike në të mirë të qytetarit; përse liderët po korruptohen dhe cilat munden me qenë zgjidhjet; si të dilet nga kriza e thellë ekonomike dhe si të rritet punësia; cili duhet të jetë raporti i autoritetit vendës politik me atë ndërkombëtar; si të kapërcehet Plani i Ahtisarit dhe të bëhet Republika; si të jetësohet shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit dhe çfarë probleme ka kultura dhe shoqëria jonë me ligjin; përse e si është politizuar e pronësuar shërbimi civil në administratën shtetërore e publike, e kështu me radhë. Natyrisht, që inteligjencia dhe specialistët të kryejnë këtë detyrë, shoqëria nuk duhet ndëshkuar mendimin jokonforumues dhe shprehjen e lirë, por duhet krijuar atyre mundësi për reflektime e analiza, të lejojë dhe promovojë një ambient të volitshëm për debat demokratik të ideve dhe formulim të propozimeve. Më pas, mbi këto do të hartoheshin modele të veprimit të informuar institucional e joinstitucional.

Botuar në Kosova Sot më 20 gusht 2011.