gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘Kosova’

Bazat legjitimuese të klasës politike

In Shteti dhe pushteti on 6 March, 2013 at 14:14

Gëzim Selaci

Na duhet të gjejmë baza të tjera për të legjitimuar klasat politike. Cilado qofshin ato, për të garantuar se politikanët do të udhëheqin me drejtësi, nevojitet kompetencë e etikë profesionale edhe sistem funksional i llogaridhënies, se këto nuk zëvendësohen as me pretendime për të kaluarën heroike në luftë a paqe, as me merita për pavarësimin e vendit, as me premtime për të ardhmen euro-atlantike të vendit.

Kohë më parë, kryeministri i Kosovës pati bërë të ditur “tri ëndrrat e tij” për publikun. Ato kishin të bënin me largimin e Serbisë nga Kosova, pavarësimin e vendit dhe integrimin në Nato e Bashkimin Europian. Këto tre ëndrra të kryeministrit mishërojnë tre bazat themelore mbi të cilat janë legjitimuar klasat politike në Kosovë. Ato nënvizojnë kredencialet nga e kaluara (pjesëmarrja në luftën çlirimtare), nga e tashmja (pavarësimi i vendit) dhe nga e ardhmja (orientimi pro-integrimit europian). Me fjalë të tjera, nëse ke marrë pjesë në luftë (ose së paku ke sukses t’i bindësh të tjerët që ke pasë një rol të rëndësishëm në luftë), nëse ke kontribuar në pavarësimin e vendit nga Serbia (ose pretendon se ke merita për pavarësinë) dhe, së fundi, nëse politika (në nivel programi ose vetëm si retorikë) është në drejtim të integrimit të vendit në BE, atëherë ke shanse të shtuara për t’u pranuar si politikan legjitim në Kosovë (qoftë nga qytetarët e vendit, qoftë nga përkrahja e jashtme).

Klasa politike e Kosovës së pasluftës është pranuar nga publiku për aq sa i plotëson këto standarde. Mirëpo, që të tri këto tipa të bazave legjitimuese janë të manipulueshme dhe, në të vërtetë, mashtrime nga më të ndryshmet janë përdorë për të fituar këto kredenciale pa të drejtë.

Kredenciale nga e kaluara mund të fitosh nëse ke në dorë ke aparatin propagandistik në shoqëri, duke përdorë mediat, madje institucionet kulturore, arsimore e akademike për këtë. E kaluara manipulohet duke krijuar një narrativ të thjeshtëzuar të luftës; mite e legjenda për “partitë e dala nga lufta” si dhe “partitë e vijës së Rugovës” krijohen njëanshëm pa u përfshirë publiku i gjerë. Më pas, përmes makinerisë propaganduese personalitetet shiten si “heronj të luftës” e “trashëgues besnikë të filozofisë rugoviste”. Pastaj, mbi këtë bazë caktohen dhe arrihen postet publike, që nga nëpunës të rangut më të ulët në institucione publike e deri te postet më me përgjegjësi në shtet.

Mirëpo, pavarësisht meritave nga e kaluara, të falsifikuara apo reale, ato nuk mjaftojnë për të pretenduar poste me përgjegjësi publike e politike. Heroizmi e sakrifikimi i dikujt në të kaluarën apo afërsia me ndonjë personalitet me merita nuk është garanci, e as që mjafton, për të besuar se ai/ajo do të udhëheqë mirë.

Për sa i përket kredencialeve nga e tashmja, ato kanë të bëjnë me pavarësinë e vendit. Ata që kanë pasur fatin të jenë në strukturat vendimmarrëse shtetërore kanë fituar kredenciale të të qenit meritorë për pavarësinë. (Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se fati i vendit tonë në masë të madhe varet nga aktorë ndërkombëtarë, të cilët – siç po shihet – kanë pasur ndikimin vendimtar për sa i përket kohës së shpalljes së pavarësisë, formës dhe përmbajtjes së saj.) Fundja, pavarësia nuk duhet të jetë qëllim në vete, por mjet për t’ia kthyer sovranitetin popullit, ndërsa udhëheqësit politikë t’i bëjë përgjegjës ndaj qytetarëve të vendit. Politikanët shpeshherë, për të mbuluar dështimin dhe të pahijshmet e tyre, na përkujtojnë arritjen e “aspiratës shekullore a shumëshekullore” për pavarësimin e Kosovës. Kjo bëhet përmes propagandës zyrtare që na paraqitet në ekrane televizive, nëpër ceremoni e kremtime të arritjeve e të përvjetorëve, si dhe nëpër përkujtimore të heronjve legjendarë të luftës e të paqes.

Përveç kësaj, klasa politike mëton të legjitimohet edhe me premtime për integrim në strukturat euro-atlantike. (Me përjashtim të forcave të pakta politike që të ardhmen e shohin në “bashkimin kombëtar” si aspiratë më e ngutshme dhe më e rëndësishme se sa integrimi ne Bashkimin Europian.) Një shtet, që nuk është tamam shtet, duhet integruar në një bashkësi (që nuk është tamam bashkësi) shtetesh sovrane. Një shtet që akoma nuk ka as ushtri duhet anëtarësuar në aleancën më të fortë ushtarake të kohës. Perspektiva e integrimit të Kosovës në BE dhe Nato duket të jetë një ndërmarrje e ndërlikuar, por gjithsesi përdoret për të legjitimuar një klasë politike që premton ecje drejt Europës e Natos.

Pavarësisht krizës nëpër të cilën po kalon Europa dhe qëndrimit të ftohur të disa shteteve anëtare të Bashkimit Europian ndaj shtetit të Kosovës, duket se integrimi në BE është ende një ide atraktive për shumicën e popullsisë në Kosovë. Aspirata për integrim në BE mund të jetë një motor për përmirësimin e aspekteve të legjislacionit e për funksionim të gjyqësorit për një shtet jo të vetëmjaftueshëm siç është Kosova. Mirëpo, kjo aspiratë është tregues i varfërisë institucionale për aq sa motivi kryesor i ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet integrimi në një grup shtetesh fati i të cilit, përndryshe, është i paqartë.  Sido që të jetë, “integrimi në BE” në gojët e politikanëve më shumë është retorikë sesa program bindës e përpjekje e vërtetë në atë drejtim.

Për të përfunduar, këto tri baza të legjitimimit kanë të bëjnë me pranimin e klasës politike nga ana e qytetarëve dhe (ç’është më me rëndësi në shtetin e mbikëqyrur ndërkombëtarisht) aktorëve ndërkombëtarë në Kosovë. Me fjalë të tjera, me atë që më lart iu referova me “legjitimim” dua të them besim popullor në legjitimitetin e një udhëheqjeje politike dhe pranim nga aktorët ndërkombëtarë, pavarësisht mënyrës se si arrihet pushteti politik dhe si veprohet pasi të jetë arritur ai. Po duket që në kushtet shoqërore dhe në kulturën tonë politike e kaluara heroike, meritat për pavarësimin e vendit nga Serbia, bashkë me premtimin për integrim në BE dhe Nato, përbën një pushtet simbolik që pi ujë në një popullatë e cila lirinë e ka kërkuar në krijimin e një shteti për vete, por e dëshpëruar në këtë shtet, shpëtimin e gjen në Bashkimin Europian.

Megjithatë, po del se këto baza legjitimuese, që mbështeten në kredenciale (reale apo të rreme) nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të sjellë në pushtet klasë politike që do të ndërtonte një shtet për qytetarë dhe në të mirë të qytetarëve. Këto baza legjitimuese mbesin problematike për aq sa në pushtet sjellin politikanë që jo domosdo janë të aftë apo të interesuar të kryejnë detyrat për të cilat mbajnë përgjegjësi. Na duhet të gjejmë baza të tjera për të legjitimuar klasat politike. Cilado qofshin ato, për të garantuar se politikanët do të udhëheqin me drejtësi, nevojitet kompetencë e etikë profesionale dhe sistem funksional i llogaridhënies, se këto nuk zëvendësohen as me pretendime për të kaluarën heroike në luftë a paqe, as me merita për pavarësimin e vendit, as me premtime për të ardhmen euro-atlantike të vendit.

Botuar në Zëri më 7 mars 2013.

Çfarë pranie ndërkombëtare na duhet në Kosovë?

In Politikë on 7 December, 2012 at 10:35

Gëzim Selaci

Misionet e jashtme nuk kanë me e demokratizu shoqërinë, por munden me e ndihmu kalimin në demokraci. Për këtë qëllim, prania ndërkombëtare – sidomos ajo europiane – do të duhej të braktiste fushatat e gërditshme propagandistike dhe pallavrat që nuk prekin thelbin e problemit dhe sa më parë të niste me gjithë mend të plotësojë mungesat në sistemin gjyqësor e policor të Kosovës për t’a çliruar, së bashku me qytetarët, vendin prej udhëheqësisë klanore e mafioze.

Misioneve dhe administratave të përkohshme të jashtme nuk po u dihet fundi. Ka rrezik që përkohshmëria dhe faza kalimtare të bëhet gjendje normale e shtetit tonë. Rrethanat që kanë çuar deri te kjo stërzgjatje e fazës tranzitore janë më komplekse dhe jo të gjitha varen prej nesh. Mirëpo, një pjesë jo të vogël të fajit e bart edhe shoqëria, e në veçanti klasa jonë politike që assesi nuk po sillet si zot në vendin e vet, apo, me fjalë të tjera, si sovrane.

Duhet kujtuar që sovraniteti i është dhënë Kosovës me kusht që ajo të krijojë një sistem demokratik ku do të respektoheshin të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e pakicave, dhe do të ndërtohej shteti i së drejtës apo sundimi i ligjit. Këto përgjegjësi duhet të merren seriozisht nga shoqëria e Kosovës. (Se a janë kryer këto detyra, mendoj se shenjat që tregojnë se klasa politike e Prishtinës është e paaftë të ndërtojë një shtet të së drejtës e të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës janë të mjaftueshme për atë që don me i pa ato.) Vendimi për formën e pavarësisë së Kosovës dhe natyrën e pranisë ndërkombëtare aty ka qenë shumë i ndikuar nga pasojat që Kosova e pavarur do të mund të kishte për qytetarët në përgjithësi, e në veçanti për pakicat e saj. Niveli dhe forma e mbikëqyrjes së shtetit ka ardhur edhe si rezultat i paaftësisë së shoqërisë tonë me ndërtu sovranitetin real dhe shtetin e së drejtës.

Natyrisht, duket që Kosova ende nuk është e gatshme të bëjë hapin vendimtar drejt pavarësisë së vërtetë. Institucionet e shtetit të së drejtës nuk bëjnë punën e vet, ndërsa vendi udhëhiqet nga grupe gati-klanore të organizuara sipas stilit të mafies që ngërthejnë interesa ekonomikë e politikë. Nëse provojmë të përfytyrojë një situatë në të cilën politika, gjyqësia e policia e Kosovës do të ishte pa mbikëqyrje ndërkombëtare, zor se do të mund të imagjinonim ndonjë alternativë optimiste. Pra, së paku në këtë fazë, ndoshta do të ishte naive ta merrnim me mend ndërtimin e shtetit pa faktorë ndërkombëtarë.

Por, mbetet problemore mënyra dhe forma e angazhimit të këtyre autoriteteve ndërkombëtare në vend. Ajo që deri më sot kanë bërë këto autoritete në Kosovë është më shumë pengim dhe vonim i transformimit demokratik, duke marrë kompetenca që në një vend demokratik i takojnë institucioneve demokratike dhe duke ulur rolin e përfaqësuesve demokratikë dhe institucioneve në zbatues të direktivave të jashtme. Pastaj, këtë rrugë të dëmshme për demokracinë në vend duan me ndreq me pallavra për “fuqizimin e shoqërisë civile”, “mbështetjen e medieve të pavarura”, “lirinë e lëvizjes”, e slogane të tjera boshe. Nuk është e mjaftueshme të kesh shoqëri civile e media të pavarura e të lira pa qeveri përfaqësuese, sundim të ligjit, e kështu me radhë. Shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare nuk mund t’i kompensojnë këto, e as që është ky funksioni i tyre. Vetëm përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës do të çlirohej jeta politike nga dominimi i klaneve e klikave, gazetarët do të flisnin lirshëm, organizatat joqeveritare do të bënin publike matrapazllëqet e politikanëve, me fjalë të tjera, do të demokratizohej shoqëria.

Mirëpo, faktorët ndërkombëtarë nuk kanë me e demokratizu shoqërinë, por kalimi në demokraci mund të ndihmohet nga jashtë. E, për të ndihmuar transformimin demokratik, prania ndërkombëtare – sidomos ajo europiane – do të mund të niste që me gjithë mend të plotësojë mungesat në sistemin gjyqësor e policor të Kosovës. Mirëpo, përveç do fushatave të gërditshme në media që dështimet don me i paraqitë si suksese, Euleksi nuk ka bërë diçka që kishe me ia kthy qytetarëve besimin tek ai si një institucion që po e ndihmon vendin duke bërë përpjekje serioze për të ndëshkuar krimin politik, si manipulimin e zgjedhjeve dhe vjedhjen e votave, krimin e organizuar ekonomik dhe korrupsionin qeveritar, nepotizmin, klientelizmin, e kështu me radhë.

Kur pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare dukej se ka një rast për të vlerësuar kontributin e këtij misioni të BE-së për sundim të ligjit dhe rimenduar pozitën e tij në vend, Kuvendi i Kosovës i zgjati mandatin atij. Ky rast nuk u shfrytëzua për të rimenduar autoritetin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij autoriteti ndërkombëtar dhe, megjithë kompetencat e shtuara edhe ekzekutive, Euleksi mbetet një autoritet jo përgjegjës ndaj shoqërisë dhe autoriteteve kosovare, duke qenë se nuk i jep llogari asnjë institucioni vendës. Natyrisht, kishte me qenë absurde që një misioni autoriteti i të cilit buron nga jashtë shoqëria dhe sistemi politik vendës t’i kërkohet llogaridhënie nga brenda. Mirëpo, duke qenë se Eulexi tash e sa vjet nuk ka qenë efikas në fushën në të cilën Kosova çalon më së keqi, domethënë atë të gjyqësorit,[i] është e nevojshme që t’i kërkohet transparencë e kontroll vendës mbi përdorimin e autorizimeve të tij. Kjo mbase do të ndihmonte edhe Eulexin që të përmirësonte performancën e tij.

Prandaj, në vend të një mbikëqyrjeje që misioneve ndërkombëtare u jep kompetenca të cilat në demokraci i përkasin përfaqësuesve të popullit dhe institucioneve shtetërore, misionet ndërkombëtare do të duhej të hiqnin dorë prej kompetencave e autorizimet që në një shtet demokratik duhet t’i kenë institucionet demokratike të vendit dhe të ndihmonin në fusha ku Kosova nuk mund t’i drejtojë vetë, sidomos në gjyqësi, për të çliruar institucionet e shtetit nga grupe klanore e banda dhe për të mundësuar ushtrimin e lirë të politikës. Vetëm kështu t’i jepej një energji praktikës demokratike që deri më tash po çalon në Kosovë, se demokracia nuk do të importohet e vendoset nga jashtë në shoqëri, por duhet të ndërtohet nga brenda.

Demokracia, e jo misionet jodemokratike të jashtme, do të mund të krijonte paqe e institucione të forta në afat të gjatë, ndërsa qytetarët dhe autoritetet demokratike të vendit do të merrnin rol më aktiv në vendimmarrje dhe zbatim të ligjeve si një hap drejt fundit të mentalitetit vartës të shoqërisë dhe klasës tonë politike, mentalitet ky i mbjellë nga trajtimi paternalist i ndërkombëtarëve ndaj shoqërisë së Kosovës.

Botuar në Shenja, dhjetor 2012 dhe Gazeta Jeta në Kosovë më 3 dhjetor 2012.

Republika e mbikëqyrjes ndërkombëtare

In Politikë on 1 November, 2012 at 12:48

Gëzim Selaci

“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë” ekziston vetëm në propagandën zyrtare. Misionet mbikëqyrëse në vend si dhe kultura e varësisë që është zhvilluar viteve të fundit, siç po duket do të na përcjellin, së paku, edhe për një kohë. Politika ndërkombëtare karshi Kosovës ende nuk është e gatshme të heq dorë nga marrëdhënia paternaliste që ka krijuar me politikanët e Kosovës, por as shoqëria e saj është e gatshme për pavarësi.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ZCN) kishte mandatin të mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës, domethënë të kujdesej që Plani i Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës të zbatohej në tërë territorin e vendit i cili duhej integruar në sistemin juridik të shtetit ahtisarian. Kjo detyrë e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka mbetur e pakryer për aq sa Plani i Ahtisarit mbeti i pazbatuar në veri të vendit. Sidoqoftë, ish-përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Peter Feith, mbylli mandatin e tij, jo duke reflektuar për trashëgiminë e tij se çfarë po linte prapa, por duke moralizuar klasën politike për qeverisje etike e fjalë të tjera boshe[i].

Mbyllja e këtij misioni u shoqërua me një fushatë propagandistike të drejtuar nga klasa politike në pushtet që kishte për qëllim t’ua mbushte mendjen qytetarëve se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i erdhi fundi. Propaganda na paraqiti një tablo të thjeshtëzuar që shprehej me fraza të shkurta e që lehtësisht u transmetuan për pak minuta në termine televizive dhe artikuj e kolumne të holla të gazetave ku të qenët konciz është standard i domosdoshëm. Mjafton të thuhet se Kosova nuk është më e mbikëqyrur, pa pasur nevojë të shpjegosh qysh e tek, dhe për këtë nuk të duhet të përballesh me pyetje të vështira nga gazetarët, e ndoshta as të duhen prova për t’u pranuar nga publiku.

Edhe pas mbikëqyrjes, mbikëqyrje

Edhe pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, një mision tjetër që ka të bëjë me fushën e drejtësisë dhe policisë, Eulexi (tashmë i ftuar nga Kuvendi i Kosovës), do të vazhdojë t’i ruajë kompetencat e rezervuara ekzekutive e korrigjuese. Baza ligjore e këtij misioni ishte një vendim i një organi të Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (Akti i Përbashkët i Këshillit të Europës). Prania ushtarake në formën e Kforit, si dhe Unmiku do të jenë këtu sipas një dokumenti që njeh sovranitetin e një shteti tashmë joekzistent (Republikës Federative të Jugosllavisë) mbi Kosovën, të miratuar nga një organ në të cilin nuk është arritur konsensus për të njohur Kosovën shtet (Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e ashtuquajtura Marrëveshje e Kumanovës). Veç kësaj, faktori ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë i pranishëm në forma e mandate të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë e të tërthortë në vendimet politike të Kosovës, si për shembull Përfaqësuesi Special i të Bashkimit Europian, ambasadorët e shteteve të kuintit, etj.

Gjithashtu, qeveria thotë se amendamentet kushtetuese i japin kushtetutës prioritet ndaj Planit të Ahtisarit, duke e bërë kështu Kushtetutën dokumentin më të lartë në vend, mirëpo nenet e Kushtetutës mbështeten në Planin e Ahtisarit dhe vazhdojnë të respektojë dispozitat e planit në fjalë, i cili ka treguar të ketë të meta në shumë aspekte. Kjo mund të jetë e justifikueshme për një periudhë kalimtare, mirëpo derisa të ketë një plan të jashtëm për Kosovën, siç është ky i Ahtisarit, Kosova nuk mund të jetë e pavarur.

Komentues mendjehollë me të drejtë vërejtën se në të vërtetë mbikëqyrja e pavarësisë vetëm ndërroi formë dhe nuk mbaroi. Më saktësisht, mandati mbikëqyrës iu hoq një trupi ndërkombëtar (ZCN-së) që e njihte shtetin e pavarur të Kosovës sipas dispozitave të Planit të Ahtisarit dhe ky mandat iu besua një organizate tjetër europiane që mban qëndrim asnjanës në raport me shtetin e pavarur të Kosovës, domethënë Eulexit si një mision që ka për detyrë të mbështesë autoritetet e Kosovës në fushë të sundimit të ligjit. Ndonëse, në radhë të parë, ky mision është paraparë të ketë karakter teknik që të udhëheqë, vëzhgojë dhe këshillojë autoritetet e Kosovës, ai ruan një numër të kompetencave ekzekutive pavarësisht autoriteteve të Kosovës të përcaktuara në Planin e Ahtisarit (Shtojca ix.2.3.e.), madje edhe autoritetin të anulojë vendimet e autoriteteve të Kosovës me qëllim të garantimit të ruajtjes dhe promovimit të sundimit të ligjit, rendin publik dhe sigurinë (Shtojca ix.2.3.f.).

Domethënë, është thjeshtuar pak sistemi i autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, duke hequr Zyrën Civile Ndërkombëtare e bashkë me të edhe mbikëqyrjen nga vende që njohin Kosovën shtet, por prapëseprapë punën e mbikëqyrësit e kryen një mision tjetër me kompetenca të shtuara të mbikëqyrjes. Kështu, Kosova do të vazhdojë të zbatojë direktivat e jashtme, ndërsa të jashtmit do të mbesin në Kosovë për t’u siguruar se ato direktiva po zbatohen. Kjo tregon se politika ndërkombëtare karshi Kosovës ende nuk është e gatshme të heq dorë nga marrëdhënia paternaliste që ka krijuar me politikanët e Kosovës.

Drejt varësisë së përhershme?

Atëherë, për çfarë fundi të mbikëqyrjes së pavarësisë don me na mbushë mendjen qeveria duke na përsëritur slogane të thjeshtëzuara e duke festuar për këtë “arritje historike” të Kosovës?! “Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë” ekziston vetëm në propagandën zyrtare. Misionet mbikëqyrëse në vend si dhe kultura e varësisë që është zhvilluar viteve të fundit, siç po duket do të na përcjellë, së paku, edhe për një kohë. Politikanët tanë nuk janë të sigurt ose të gatshëm të marrin vendime vetë e të veprojnë vetë pa kthyer shikimin kah aktorë të caktuar amerikanë e europianë në vend e jashtë vendit, që propagandës i shkon për shtati t’i quajë “miq ndërkombëtarë.” Me fjalë të tjera, klasa jonë politike assesi nuk po sillet  si zot në vendin e vet, apo si sovrane, siç thuhet. Por, as shoqëria e Kosovës është e gatshme për hapin vendimtar drejt pavarësisë reale, pasi që nuk ka ndërtuar një shtet të së drejtës të cilin nuk do ta udhëhiqnin klane e banda vetëm për interesa të tyre të ngushta.

Nuk e besoj se dikush që sado pak ka menduar me kokën e tij/saj të jetë bindur se mbikëqyrja e pavarësisë ka përfunduar. Por, ndoshta propaganda ka arritur të përçojë mesazhin e shtrembër që ky ishte hapi i parë apo hap i rëndësishëm drejt pavarësisë reale. Mendoj se ky nuk është hap i parë, por gjithsesi i rëndësishëm, drejt krijimit të një iluzioni që Kosova po ecë me të sigurt drejt pavarësisë, ndërkohë që në të vërtetë mbikëqyrja e jashtme po bëhet gjendje normale dhe e përhershme e shtetit tonë. Vendi nuk ka me u pavarësu duke kriju iluzione për të mashtruar qytetarët, por duke vlerësu me saktësi se ku jemi e kah mund të shkojmë.

Zgjidhje etnike për probleme politike?!

In Politikat etnike on 6 October, 2012 at 13:32

Gëzim Selaci

Qeveria e Kosovës po trumbeton se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi, po vendi vazhdon të ecën me inerci në trasenë e shtruar nga mbikëqyrësit e pavarësisë së tij. Nëse klasa politike mëton të çojnë shtetin drejt pavarësisë reale, ajo duhet të çlirohet vetë nga shtrëngesat e mbikëqyrjes së jashtme hallkë pas hallke. Në këtë drejtim, ajo duhet të braktisë qasjen që kërkon “zgjidhje etnike” për problemin e ndarjeve në shoqëri, për të gjetur zgjidhje politike për të. Ndarja e shoqërisë së Kosovës në baza etnike e ka burimin në kontekstin politik të Kosovës dhe të Serbisë në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, e më herët, andaj edhe zgjidhja që kërkohet duhet të jetë politike. 

Nga problemi i supozuar etnik…

Angazhimi ndërkombëtar në Kosovë gjatë luftës (ndërhyrja humanitare) udhëhiqet nga ideja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. E vërtetë, ndërhyrja ushtarake humanitare ka shpëtuar jetë dhe ka parandaluar gjenocid e spastrim etnik. Sidoqoftë, ajo mbetet problematike, duke qenë se ndërhyrja për të mbrojtur të drejtat e njeriut që mbështetet në bazë etike, nuk sheh fare karakterin politik të konfliktit që ka ndodhë në Kosovë dhe nuk kërkon zgjidhje politike të një problemi që në thelb është politik. Zanafilla e kësaj qasjeje ndaj problemit të ndarjeve etnike në vend është supozimi i bashkësisë ndërkombëtare se burimi i konfliktit motivohet etnikisht, domethënë gjendet në armiqësitë shekullore ndërmjet grupeve etnike në Kosovë. Vlerësimi i tillë i burimit të konfliktit ndikon në mënyrën e angazhimit ndërkombëtar në zgjidhjen e tij dhe pas luftës (misionet paqeruajtëse, shtetformuese e mbikëqyrëse), e për pasojë, në vend se zgjidhje politike, ajo propozon “zgjidhje etnike” për një problem që në thelb është politik.

Kjo hamendje është e verbër ndaj faktorëve politikë që kanë qenë vendimtare në shpërthimin e konfliktit në luftë të përgjakshme në Kosovë dhe njësi të tjera të ish-Jugosllavisë. Konteksti dhe agjenda politike ka bërë që kjo pjesë e Europës Lindore, në të cilën po ndodhnin ndryshime radikale nga fundi i viteve 1980-ta, të ketë më shumë tendencë për dhunë. Në atë kohë, në Jugosllavi elitat politike ofruan opsionet e tyre dhe ishin opsionet e dhunës dhe të luftës ato që mbizotëruan. Megjithëkëtë, shpjegimi i kësaj nuk mund të gjendet në urrejtjen e lashtë ndërmjet grupeve etnike, as në kulturën e dhunës së këtyre popujve, e as t’i vihet faji eksperimentimit me demokraci në kohën kur regjimi komunist po mbaronte. Shpjegim më i mbështetur më duket ai që konfliktin ndërmjet grupeve etno-politike në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi e sheh në kontekst më të gjerë të strukturës së pushtetit dhe si rezultat i motiveve politike në vend. Në periudhën në fjalë, pjesa nacionaliste e klasës politike në Serbi kërkoi të  shtrijë hegjemoninë në njësitë e tjera të federatës. Natyrshëm, kjo aspiratë arrogante hasi në rezistencë ku më të ashpër e ku më të butë nga njësitë e federatës. Edhe shqiptarët në Kosovë rezistuan këtë agresion. Kështu pra, konflikti në thelb ishte politik, sado që i veshur me petkun etnik.

Me këtë nuk dua të mohoj identifikimin etnik dhe kujtesën historike të grupeve etnike në Kosovë, që shpeshherë dëshmon për keqkuptime e paragjykime e për identitete konfliktuoze, por të theksoj rolin kyç dhe të drejtpërdrejtë të luftës për pushtet ndërmjet elitave politike në shpjegimin e rrethanave dhe shkaqeve që çuan në konflikt dhe luftë. Në luftën për pushtet në Serbi politikanët filluan ta përdorin Kosovën si mjet qendror në fushatat e tyre për marrje të pushtetit. Elitat politike keqpërdorën paragjykimet kundër shqiptarëve dhe së bashku me inteligjencien e anshme të përfaqësuar në Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve, kujtesën historike serbe e përzgjodhën në mënyrë tendencioze me qëllim që të ndërtojnë politika diskriminuese kundër shqiptarëve në Kosovë. Kjo arriti kulmin me Millosheviqin i cili përdori pretendimet serbe ndaj Kosovës dhe ndjenjat anti-shqiptare për të marrë pushtetin dhe të ndërtojë bazën e pushtetit të tij. Aty ai krijoi institucione diskriminuese të stilit të aparteidit për më se një dekadë dhe rekrutoi banda të ndryshme oportuniste të cilat ndezën zjarrin e shovinizmit që rrënuan shoqërinë kosovare edhe ashtu të brishtë e që përgatitën grupet etno-politike për luftë.

Të huajt dështuan të njohin marrëdhëniet e pushtetit dhe natyrën politike të konfliktit që u paraqit me maskën e konfliktit etnik. Duke e pandehur konfliktin e motivuar politikisht si konflikt etnik, supozuan se grupet etnike në këtë pjesë të Ballkanit nuk dijnë të jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit. Kjo damkë që iu vu popullsisë në Kosovë justifikoi turrin e gjithfarë organizatash ndërkombëtare që kishin marrë përsipër misione për të “pajtuar grupet etnike”, për të “ndërtuar paqen”, për të “fuqizuar komunitetet”, duke folur për qytetarët si pjesëtarë të komuniteteve e theksuar stereotipa të caktuara për ta që jo medoemos janë të vërteta. Politika e angazhimit ndërkombëtar gjatë dhe pas krizës së Kosovës u drejtua nga ky të kuptuar i konfliktit në Kosovë (si dhe në raste të ish-Jugosllavisë). Ndërhyrja humanitare dhe qasja pas ndërhyrjes që bazohet në idenë e “paqësimit ndëretnik”, qytetarët i sheh si grupe etnike që paragjykohet të kenë qenë në marrëdhënie antagoniste dhe armiqësi të vazhdueshme dhe që fajin për krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës ua vë barabar të gjithë palëve në konflikt: serbëve e shqiptarëve.

… tek administrimi i depolitizuar

Një qasje e tillë ndaj ndërtimit të shtetit në Kosovë, që niset nga ideja se konflikti ndër-etnik është i fshehur dhe mund të shpërthejë nëse nuk kontrollohet dhe menaxhohet nga jashtë, hap rrugë për të justifikuar rregullimin dhe administrimin e depolitizuar, ngase supozon se ushtrimi i lirë i politikës mund të çojë përsëri në shpërthimin e antagonizmave ndër-etnike. Duke u mbështetur në këtë kuptim të gabueshëm të natyrës së konfliktit në vend, qasja teknokratike ndërkombëtare ndërtimin e institucioneve shtetërore e sheh si proces që duhet të kryhet nga agjenci të jashtme e jo të rezultojë nga një proces politik vendës. Mirëpo, kjo qasje e depolitizuar e bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur problemet në Kosovë (e në raste të ngjashme) dhe për të ndërtuar shtetin është vetë problemi, për dy arsye të ndryshme. Së pari, qasja në fjalë justifikon mohimin e procedurave më demokratike dhe, së dyti, administrata ndërkombëtare legalizon ndarjet etnike duke ndërtuar institucione që operojnë mbi vlera të bazuara në përkatësi të veçanta e përjashtuese etnike përmes politikave si decentralizimi i njësive të reja administrative (komunave) të cilat janë krijuar mbi kriterin e përkatësisë etnike të popullsisë lokale, përmes rezervimit të ulëseve në Kuvend dhe posteve në qeveri për parti politike që janë regjistruar si “parti të minoriteteve”, e kështu me radhë.

Për shembull, decentralizimi i pushtetit që ngërthen idenë e ndarjes së tokës e që konkretizohet në krijimin e komunave për pakica etnike dhe të tjera për shumica etnike sjell më shumë probleme se sa që zgjidh. Nuk është decentralizimi i pushtetit per se i keq. Në shoqëri të ndryshme decentralizimi është treguar si mënyrë e efektshme për tejkalimin e luftërave dhe konflikteve të vazhdueshme ndërmjet komuniteteve etnike, kombëtare a fetare dhe mundësimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Mirëpo, në anën tjetër ka dhe raste kur decentralizimi nuk është treguar i dobishëm në të cilat raste përkundër niveleve të shumta të pushtetit është dështuar të unifikohen institucionet ndërsa ndarjet ndërmjet komuniteteve mbesin të pranishme. Zgjidhja e vetme e problemit të ndarjeve ndëretnike është të hiqet dorë prej idesë së posedimit ekskluziv të tokës ku territori ndahet në komuna të shumicës shqiptare dhe komuna të komuniteteve pakicë. Në mënyrë që të krijohet shoqëria e Kosovës, qytetarët e saj duhet të jetojnë të barabartë në një shtet e jo të dallohen e definohen për nga etnia, feja ose territori.

Po kështu, me politika konsociative të shpërndarjes së pushtetit ndërmjet grupeve etnike nuk realizohet as ideja e përfaqësimit demokratik. Këta të ashtuquajtur “përfaqësues” të komuniteteve pakicë në organe ligjvënëse dhe ekzekutive në të vërtetë nuk përfaqësojnë qytetarët të cilët pretendojnë se e përfaqësojnë, pasi që në ato poste nuk janë në saje të zgjedhjes me vota demokratike, por i kanë zënë si vende të rezervuara për ta në kuadër të masave konsociative. Kjo mënyrë e të operuarit përsëri është logjikë e të menduarit me kategori etnike.

Ky lloj i trajtimit të njerëzve dhe politikbërja në përputhje me trajtimin e shoqërisë vetëm si komunitete etnike, në një kuptim, është në frymë të politikës së Millosheviqit që theksonte dallimet ndëretnike për qëllime politike duke fshehur luftën politike me maskën etnike. Misionet paqeruajtëse dhe shtet-ndërtuese në vend përforcojnë supozimin e projekteve nacionaliste duke na shpëla trunin se jemi ose kemi qenë në konflikt sepse jemi të ndryshëm etnikisht! Pastaj çuditen se si komunitetet nuk mendojnë për qytetarinë, por për historinë, gjakun e etnicitetin dhe vazhdohet e vazhdohet me përpjekje të kota për “pajtim e tolerance ndëretnike”.

Ndërsa Kosova po pretendon të ecë drejt sovranitetit, duket se klasa politike nuk po mund të çlirojë vendin nga shtrëngesat e mbikëqyrjes së jashtme. Tregues i këtij pohimi është sjellja e institucioneve tona politike që nuk po duket se po ndreq gabimet që janë bërë në dëm të shoqërisë sonë nga ana e mbikëqyrësve të shtetit përkitazi me mënyrën e adresimit të problemit të ndarjeve etnike në Kosovë të cilat, në vend se të korrigjohen me qëllim të ndërtimit të shoqërisë kosovare, po ecin mbi trasenë e politikës ndërkombëtare në vend që qytetarët i trajton si komunitete etnike e fetare në thelb e që paragjykohet të kenë qenë në armiqësi të vazhdueshme. Mirëpo, nga sa kemi parë, politikat e zgjidhjes etnike nuk po çojnë me siguri drejt kapërcimit të ndarjeve në shoqëri. Ndarja e shoqërisë së Kosovës në baza etnike e ka burimin në kontekstin politik të Kosovës dhe të Serbisë në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, e më herët, andaj edhe zgjidhja që kërkohet duhet të jetë politike.

Botuar në Shenja në tetor 2012 dhe në version më të shkurtuar në Zëri më 7 tetor 2012.

Braktisja e politikës në boshllëk demokratik

In Politikë on 26 January, 2012 at 14:07

Gëzim Selaci

Protestat e thirura nga Vetëvendosja si ato të 14 dhe 22 shkurtit 2012 (me arsyetimin, formën dhe objektivat e deklaruara të saj) dëshmojnë për një tension ndërmjet kauzës pro-demokracisë e lirisë (çlirim nga prangat e udhëheqjes ndërkombëtare e qeversisjes së korruptuar, si dhe Serbisë që po e mban peng shtetin e Kosovës) dhe realizimit të kësaj kauze nëpërmjet rrugëve dialogut politik. Me fjalë të tjera, demokracia kosovare nuk lë mundësi që liria e vullneti i popullit të jetësohen përmes institucioneve të shtetit e politika të bëhet sipas standardeve demokratike.

Përkundër qejfit të sundimtarëve, sa herë që një regjim bëhet i pandjeshëm ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve e qeveria shkëput lidhjen me ta, ndërsa pjesëmarrja politike ulet në një nivel degradues, do të ketë parti, shoqata, lëvizje e grupe të tjera që do të kërkojnë rrugë për të hipur në pushtet, për të ndikuar në politikë, domethënë në vendimet me interes publik. Kushtetutat demokratike lejojnë edhe rrugë jasht-insitucionale për t’u dëgjuar zëri qytetar, si për shembull protesta që mundëson të dëgjohen zëra qytetarësh që ndryshe nuk arrijnë dot në sallat dhe korridoret vendimmarrëse.

Nëse këto përpjekje janë të suksesshme, konflikti ndërmjet partive dhe grupeve të tjera do të kanalizohet në drejtim të sferës publike, domethënë në forume ku mundësohet debati, si kuvendet, mediat, institutet hulumtuese, universitetet etj. Nëse regjimi apo teket qeveritare nuk lejojnë as këto forma ose demonizojnë kryerësit e tyre,  atëherë vullneti qytetar nuk ka me u frenu, por ka me gjetë shteg përmes formave të tjera e të ndryshme të veprimit kolektiv, si bojkoti, bllokimi i rrugëve, etj. Duhet pranuar se disa gjëra nuk lëvizim vetëm me rrugë institucionale, por me veprime jasht-institucioneve, në pajtim me ligjet në fuqi apo kundër tyre. Këto edhe justifikojnë ekzistencën shoqatave dhe lëvizjeve shoqërore, si alternativë e partive politike. Mirëpo, për më keq, kur  regjimi ngulfat aq shumë sferën publike dhe nuk lejon as format më demokratike të shprehjes së pakënaqësisë qytetare, alternativa është të qërohen hesapet me dhunë (në rastin e opozitës dhe kundërshtarëve) ose duke imponuar vullnetin me mekanizma autoritarë (në rastin e qeverisë).

Në Kosovë, Kuvendi merr vendime që jodomosdoshmërisht vihen në praktikë. Ekzekutivi nuk përfill vendimet e Kuvendit. Republika, që nominalisht është e tipit parlamentar, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një “Republike kryeministrore” (nëse mund të thuhet kështu) që udhëhiqet  në mënyrë autokratike. Në këtë boshllëk demokratik, çohet një lëvizje dhe parti politike për të marrë në duar zbatimin e ligjit. Natyrisht se asnjëra nuk është në rregull, por zanafilla e problemit është mungesa e demokracisë dhe kushtetuetshmërisë apo shtetit ligjor, prandaj barra e fajit i bie qeverisë, e jo qytetarëve të pabindur. Përdorimi i tepruar i dhunës shtetërore dhe propagandës qeveritare dëshmon se, jo vetëm qeveria, por i tërë regjimi apo sistemi politike në Kosovë është dobët i legjitimuar apo i palegjitimuar, prandaj mungesën e legjitimitetit popullor e kompenson me dhunë policore.

Reagimi i prerë ndërkombëtar kundër protestave që, së paku deklarativisht, kanë për qëllim të këmbëngulin në zbatimin e vendimeve të Kuvendit dhe të pretendojë sovranitetin shtetëror, nuk na habit. Politika ndërkombëtare ka një plan për Kosovën dhe Serbinë, dhe kushdo që e pengon realizimin e atij plani do të vazhdojë të jetë në shënjestër të kritikës ndërkombëtare. Bërja e shtetit dhe sovraniteti i Kosovës nuk është brengë e saj, por vetëm për aq sa instrumentalizohet për të jetësuar planet ndërkombëtare në rajon. (Kjo e shpjegon përse ata nuk janë  aq kritikë ndaj korrupsionit qeveritar dhe strukturave të paligjshme që i ka krijuar ajo, e që po e minojnë shtetin e Kosovës).

Format e veprimit të Vetëvendosjes duhet kundruar në këto kushte të ambientit politik kosovar ku klasa politike është korruptuar ndërsa institucionet shtetërore janë degjeneruar dhe të paefektshme. Duke qenë dëshmitarë të mendësisë nënshtruese të politikanëve ndaj ndëkombëtarëve; duke parë se Kuvendi i Kosovës është përplot deputetë që kanë zënë ulëse në saje të vjedhjes së votave, punojnë për interesa personalë, familjare e klanore; duke parë se vendimet e Kuvendit rrëzohen sakaq me vendime të tjera për t’ia ujdisur ligjin veprimeve të qeverisë; duke parë se Qeveria i trajton institucionet dhe pasurinë publike si një mbret mesjetar territorin e tij; dhe duke qenë dëshmitarë se mbi të gjithë këta vigjilon një amalgamë e ashtuquajtur “bashkësi ndërkombëtare”, e cila miraton me zë e me heshtje këto, Vetëvendosja drejtohet kah fusha të ndryshme të veprimit dhe lufton në më shumë se një front. Ajo e din se të qenët prezent në Kuvend si parti opozitare, nuk domethanë se të bën parti me ndonjë pushtet apo peshë vendimmarrëse ose se vendimet e organit ligjvënës do të respektohen e nuk do të hedhen poshtë nga organet ekzekutuese.

Veprimtaria opozitare e Vetëvendosjes e kombinuar me mosbindje qytetare, shkaktoi një panik të madh tek partia në pushtet. Jo pse pushteti nuk ishte mësuar të ketë opozitë, por i kishte mësuar aq mirë rregullat se si dhe çfarë mundet të bëjë opozita në këtë sistem politik, saqë me marifete të ndryshme (kontroll i mediave dhe administratës shtetërore, ndikim tek institucionet dhe faktorët ndërkombëtarë, etj.) kishin neutralizuar pothuajse çdo goditje të opozitës. Tash, Vetëvendosja vjen me një strategji tjetër veprimi që sfidon vetë rregullat e të bërit opozitë në vend. Duke mos qenë të gatshëm me u ballafaqu me rregullat e reja të lojës që Vetëvendosje do t’i shkruajë, qeveria s’ka se si të mos bëjë panikë. Natyrisht, kur flas për këtë panik të madh nuk e kam ndërmend nervozizmin që pasqyrohet në deklaratat e ashpra e fyese të shefit të qeverisë dhe vartësve të tij nga foltoret qeveritare dhe të kuvendit, forumet elektronike në internet e ekrane televizive (ato më tepër dëshmojnë për mungesë kulture dhe sofistikimi, por edhe karakterin servil të aparatçikëve partiakë), por për urdhërimin e policisë për mos me i lënë qytetarër me protestu, me çdo kusht, madje edhe duke i rrahur e arrestuar deputetët e popullit! Kjo është arsye e mjaftueshme për t’u merakosur për të ardhmen e demokracisë në vendin tonë.

Nga tërë këto elaborime, mund të përfundohet që regjimi ka pamundësuar bërjen e politikës, pra garën fer për pushtet ku konfliktet politike shprehen përmes debateve fer dhe negociatave, e vendimet merren sipas rregullave të paracaktuara që vlejnë për të gjithë njësoj. Në mungesë të debatit politik, si rrugë përmes së cilës institucionet krijohen dhe legjitimohen nga qytetarët të cilëve ato u shërbejnë dhe të cilat janë pasqyrim i konsensusit në lidhje me procedurat e vendimmmarrjes dhe zbatimit të vendimeve, tipi i debatit që po e shohim këto ditë më shumë po ngjan në grindje që po përcillet me akuza të ndërsjella nga më të rëndat dhe me një gjuhë që i thëret emocioneve më shumë se arsyes, nxehi gjakrat dhe polarizoi qëndrimet. Nuk do mend se në vlugun e ngritjes së nervave, njerëzit marrin vendime shumë të paarsyeshme. Vendimi për të shkuar në vendkalime kufitare e për të vendosë kush hyn e kush jo në territorin e Republikës nga grupe të paautorizuara, por edhe vendimi për të penguar të drejtën demokratike për të protestuar (qoftë edhe duke mbyllë rrugët) janë marrë në një ambient të nxehur si rezultat i polarizimit të partive.

Në pamundësi të artikulimit të alternativave për të zgjidhë lëmshin e krijuar, lufta po bëhet se kush po arrin ta mobilizojë  publikun duke trilluar turli teori konspiracionesh për të ndjellë frikë tek publiku. Ai që ka në dorë frikën më të tmerrshme, ka në dorë edhe publikun: ndërsa qeveria na frikëson se protestat e këtilla të Vetëvendosjes kanë për të na prishë punët me ndërkombëtarët (thua se një herë e përgjithmonë kemi hequr dorë nga vullneti për sovranitet), Vetëvendosje e quan kryeministrin aktual si njeri të Serbisë (thua se të ai është burimi i të gjitha të mbrapshtave tona dhe sikur të mos ishte ai do të ishte ma mirë). Kështu konflikti që do të duhej të manifestohej në formë të debatit mbi ide, zhvendoset në fushatë propagandistike kundër-njëri tjetrit duke u lënë anash argumentet racionale të ideve përkatëse.

Ky radikalizim i politikës dhe kjo ndarje e partive në kampe armiqësore si dhe shpërthimi  i protestave që duan të marrin ligjin në dorë tregon se në Kosovë ka shumë telashe me politikën dhe sistemin politik. Ndërsa klasa aktuale politike ka kohë që ka humbur lidhjen me qytetarë dhe sensin e qeverisjes kushtetuese, Vetëvendosje si alternativë e kësaj klase të korruptuar nuk po arrinë të gjejë zgjidhje politike. Në vend të kësaj, po pretendon të zaptojë kufijtë, por edhe nëse ia del, ajo nuk ka me mujtë me i administru ato pa gjetur zgjidhje politike. Dhe, përderisa vazhdon të jetë subjekt politik, prej saj pritet të ofrojë alternativa politike. Sidoqoftë, braktisja dhe refuzimi i politikës nga partitë kosovare është tregues se administrimi ndërkombëtar në Kosovë, duke marrë rolin që në demokraci do të duhej ta kryenin institucionet e vendit dhe përfaqësuesit legjitimë të popullit, nuk ka krijuar institucione legjitime e funksionale e as kushte që do të mundësonin ushtrimin normal të politikës.

Botuar në: Gazetajnk.com më 24 janar dhe Respublica.al, më 25 janar 2012.