gselaci.wordpress.com

Archive for the ‘Politikë ndërkombëtare’ Category

Sfidat e demokracisë arabe

In Politikë ndërkombëtare on 22 February, 2011 at 16:07

Gëzim SELACI

Një numër të regjimeve autoritare në shtetet arabe po u vjen fundi. Por, a do të zëvendësohen ato me regjime demokratike, kjo nuk është e sigurt. Jo për ndonjë predispozitë kundër-demokratike të kulturës arabo-islame, siç kishte me thënë ndonjë dritëshkurtër, por për shkak se demokracia parakupton kapacitete që diktaturat në këto vende e kanë mbytur me dekada të tëra, dhe që nuk ngjallen dot vetëm me zgjedhje, qofshin edhe të lira e të ndershme. Revolucionin demokratik  e ngatërron edhe më natyra e ndërhyrjes nga shtete të jashtme në këto vende, të cilat në emër të paqes e stabilitetit, mbështesin regjime autoritare në rajon. Demokracia nuk është diçka që ndodh përnjëherë. Sfida e shoqërive arabe drejt demokracisë mbetet ndërtimi i këtyre kapaciteteve dhe çlirimi nga paternalizmi politik që vjen nga jashtë këtyre shoqërive.

1

‘Liderëve Arabë’ dhe ‘heronjve të paqes’ iu lëkund toka nën këmbë vetëm atëherë kur populli i hidhëruar u ngre dhe me ngulm kërkoi heqjen e maskës së tyre dhe më në fund edhe heqjen e tyre. Mirëpo, përkundër thirrjeve të protestuesve për liri e drejtësi sociale, derisa kjo pakënaqësi e turmave të përkthehet në aksion të organizuar dhe të orientuar politik, këto do të mbesin vetëm kryengritje dhe assesi lëvizje revolucionare.

E, shteteve arabe nuk u duhen kryengritje që do të trazonin jetën shoqërore, ekonomike e politike, edhe ashtu të brishtë. Kryengritje të tilla të turmave që as vetë nuk e dinë se çfarë do të ndodhë më pas, më së shumti që mund të arrijnë është  ndërrimi i liderëve dhe ndryshimi i raportit të forcave politike në vend, me fjalë të tjera të zëvendësohet një tiran me një tjetër.

Më parë, revolucionet të shekullit XX nëpër këtë pjesë të globit kanë rrëzuar monariktë, por kanë zëvendësuar ato me diktatura dinastike apo presidentë të zgjedhur nga populli, për të degjeneruar më pas në monarki presidenciale dhe shfuqizuar sundimin e ligjit e imponuar gjendje të jashtëzakonshme, siç është rasti me Mubarakun për 30 vite me radhë. Ato revolucione kanë qenë nacionaliste, por kjo mund të ndodhë përsëri, qoftë edhe nëse pushtetin e marrin ‘liberalët’, ‘sekularistët’, ‘islamistët’, apo të gjithë së bashku. Kryengritjet e tanishme në Tunizi, Egjipt dhe ato të mëparshmet në Liban e Iran vërtet janë thirrje të një klase të mesme të pakënaqur me gjendjen e punësimit, lirisë e demokracisë. Mirëpo, se a do të ndodhë që kësaj radhe ato të rezultojnë në demokraci, kjo është një çështje tjetër. Duke pasur parasysh se demokracia nuk është vetëm votime, por sundim i ligjit, liri politike dhe e shprehjes, fuqizim i shoqërisë civile, e kështu me radhë, këto nuk arrihen vetvetiu vetëm pse turma dëshiron.

2

Është propozuar që çlirimi nga tirania e Mubarakut dhe Ben Alisë mund dhe duhet të bëhet përmes ‘zgjedhjeve të lira’. Thuhet se zgjedhjet rezultojnë në qeveri legjitime dhe të përgjegjëse ndaj popullatës. Por, ky mbetet një supozim, ngase në realitet nuk ndodh kështu. Faktet dëshmojnë se të zgjedhurit e popullit kollaj mund të shndërrohen në diktatorë. Me fjalë, të tjera, zgjedhjet në kushte të caktuara krijojnë jo autoritete që kanë mandat të qeverisin në të mirë të publikut, por diktatorë e tiranë që sundojnë në interes vetëm të tyrin. Ky dallim besoj se është i qartë.

Por, përse zgjedhjet, ky tipar i demokracisë, vazhdojnë të prodhojnë qeveri të papërgjegjshme dhe jolegjitime nëpër shtetet e Botës arabe? Përgjigja është e thjeshtë: zgjedhjet nuk mjaftojë. Funksionin e legjitimimit të qeverisë dhe bërjen e saj të jetë e përgjegjshme ndaj popullit zgjedhjet mund t’i kryejnë vetëm në një kontekst ku plotësohen edhe disa kushte të tjera që nënkupton një sistem demokratik. Më e pakta që kërkon një sistem demokratik është që qytetarët të informohen për vendimet politike, në mënyrë që të bëjnë gjykime të informuara politike dhe kur të vendosin për të dinë mirë se për kë po votojnë. Në shumicën e vendeve të rajonit në fjalë elita mbizëtoruese politike për një kohë të gjatë ka shtypur format alternative të informacionit dhe hulumtimet e pavarura për politikat shtetërore. Atëherë, pa media dhe institute të pavarura, zor se qytetarët apo votuesit do të mund të bëjnë zgjedhje të informuara në ditën e votimit.  Për më keq, në vende si Egjipti ku shkalla e analfabetizmit është e lartë (afër 30% të popullatës) është ëndërruese të shpresohet në zgjedhje të informuara. Tërheqja e Ben Alive dhe Mubarakave nuk janë garanci se demokracia do të lulëzojë në shtetet arabe. Prandaj, parakusht për zgjedhje të vërteta e të kuptimta janë liria e shprehjes dhe ajo intelektuale, si dhe arsimimi i qytetarëve. Fundja, qytetarët duhet të fuqizohen që të ndikojnë në qeverisje jo vetëm përmes votimit, por edhe kanaleve të tjera të pjesëmarrjes demokratike, përtej kutive të votimit.

3

Veç kësaj, janë institucionet e kontrollit, frenimit dhe balancimit të pushtetit të autoriteteve që i japin kuptim zgjedhjeve në demokraci. Natyrisht, këto institucione duhet të ndërtohen gradualisht. Në mungesë të tyre, partia në pushtet specializohet në taktika të vjedhjes së votave dhe në manipulime të votimeve duke i siguruar që në t’i fitojnë përsëri zgjedhjet. Është e natyrshme që më pas një qeveri e dalë nga votime të parregullta dhe në saje të taktikave të paligjshme të mos jetë e përgjegjshme ndaj votuesve dhe qytetarëve. Nga qeveri të tilla as që pritet se do të mërziten për performancën e tyre ekonomike apo politike. Arsyeja është e thjeshtë: ngase zgjedhjet i kanë fituar me manipulime dhe nuk janë ndëshkuar për këtë, prandaj mundësia që prapë do të fitojnë në atë mënyrë nuk nxit në përmbushjen e premtimeve elektorale. Prandaj, krahas zgjedhjeve duhen edhe institucione funksionale të kontrollit, frenimit dhe balancimit të pushtetit që do të siguronin që zgjedhjet të jenë të pastra dhe të ndershme. Vetëm atëherë zgjedhjet do të kryenin funksionin e tyre demokratik dhe do të rezultonin në qeveri që do të bënte politika në të mirë të popullatës.

4

Duke pasur parasysh se partitë në pushtet dhe elita mbizotëruese sistematikisht i kanë shtypur partitë dhe grupet opozitare të interesit, opozita nuk ka ndonjë përvojë të mjaftueshme në veprimtari politike, në organizim të zgjedhjeve, studim e vlerësim të politikave, ose të bëjë kompromise politike. Andaj, ajo, pa kapacitete të këtilla, e ka të vështirë të mobilizojë dhe të sigurojë burime për të krijuar grupe efikase të interesit. Dorëheqja apo shkarkimi i liderëve tiranë nuk domethënë se do të rrënojë ngrehinën e regjimit të vjetër autoritar. Institucionet dhe aktorët e shtetit të vjetër mund të mbesin dhe të riorganizohen, sidomos duke qenë se një numër i madh i tyre gjatë dekadave të fundit kanë krijuar pasuri dhe ndikim të madh në shtet. Nuk duhet harruar se marrja e pushtetit nga ana e armatës në Egjipt, nëse nuk është puç ushtarak, së paku tregon se transferi i pushtetit ende nuk është kryer, por është akoma në duar të forcave jodemokratike. Përndryshe, armata e Egjiptit, për shembull, është lejuar që të udhëheqë biznese të ndryshme për të financuar vetveten. Prandaj, kryengritësit e suksesshëm në rrëzimin e diktatorëve, duhet patjetër të gjejnë mënyra efikase për kalim në fazën e dytë të tranzicionit demokratik për të ndërtuar institucione demokratike dhe për të ndërruar vetë sistemin dhe të mos kënaqen vetëm me ndryshime sipërfaqësore në sistemin autoritar. Siç tregon përvoja e Kinës në vitin 1989, vetëm kryengritja në rrugë nuk mjafton. Lëvizjet demokratike në Botën arabe kanë çfarë të mësojnë nga transferimi i patrazuar i pushtetit nga komunistët tek qeveritë e reja demokratike nëpër Europën lindore të vitit 1989.

5

As sistemi i krijuar ekonomik në këto vende nuk është i favorshëm për një revolucion progresiv. Këto shoqëri varen në masë të madhe nga ndihmat e donatorëve të jashtëm, sidomos Egjipti. Ndihmat dhe paratë që pranojnë këto vende nga shtetet e zhvilluara, sidomos nga ShBA, shkaktojë problem serioz, ngase ato donacione nuk përcillen me procese të pastra buxhetore. Paratë shfrytëzohen nga kriminelë të cilët më pas ndërtojë sisteme të patronazhit politik dhe korrupsion në qeveri. Marrëdhënia patron klient shkel liritë e përmendura më lartë, ngase aksesi i njerëzve në burime të pasurisë varet dhe determinohet nga këto lidhje. Mbi këtë bazë më pas formohen partitë politike dhe besnikëritë politike. Padronët të cilët bëhen politikanë dhe përmes zgjedhjeve fitojnë autoritet shfrytëzojnë lidhjet e tyre klienteliste për të siguruar vota, ani pse sistematikisht grabisin burimet nga njerëzit dhe janë të zhytur në korrupcion për të cilin flitet vazhdimisht. Klientët (ndërmarrës, biznesmenë, intelektualë, gazetarë, gjyqtarë e prokurorë, hoxhallarë e priftërinj, artistë, akademikë, shkrimtarë e deri te njerëz të rëndomtë) ua shesin shpirtin patronëve të cilët si shpërblim përmes mitos dhe korrupcionit u gjejnë punë, poste, e përfitime të ndryshme nga prona publike klientëve të dëgjueshëm të tyre. Korrupsioni nuk zgjidhet me thirrje morale. Në të vërtetë ai është në funksion të sistemit ekonomik të krijuar në saje të patronazhit politik.

6

Mirëpo, veç këtyre sfidave të brendshme, ajo çfarë e bën edhe më të zorshëm tranzicionin në demokraci liberale në këto shtete janë edhe interesat ekonomike të shteteve dhe grupeve të huaja në rajon. Kujtojmë se para disa ditëve Frank Wisner, diplomati veteran i dërguar nga Obama për t’u marrë me regjimin në Egjipt, kohë më parë deklaroi se Mubaraku duhet të qëndrojë në pushtet në mënyrë që tranzicioni të jetë i ligjshëm (thua se regjimi i Mubarakut ka qenë i ligjshëm!).  Një deklaratë kjo që ishte e ndryshme nga qëndimi i presidentit Obama në lidhje me qëndrimin e Mubarakut në pushtet. U kuptua se ai punon për një firmë ligjore që të lidhur me egjiptas të pasur dhe me vetë presidentin Mubarak. Kjo tregon se deri në ç’masë dhe në çfarë mënyre politika zyrtare e faktorëve ndërkombëtar mund të ndikohet nga interesa të ngushtë ekonomikë të shteteve të huaja.

Për më keq, kompani nga shtetet e zhvilluara që kanë interesa ekonomike në këto vende jo gjithmonë janë të pastra dhe janë të përfshirë në dallavere me batakçi në mesin e zyrtarëve qeveritarë të cilët ndërtojnë një sistem të patronazhit politik dhe për shkak se janë, apo vijnë më vonë në autoritet (ministra, etj.) edhe gjyqet janë të pafuqishëm ndaj tyre. Si rrjedhojë, kur të kesh kriminelë në pushtet, çdo përpjekje apo rrugë për demokratizimin vendit bëhet më e komplikuar.

7

Veç faktorit ekonomik, ndërhyrja nga shtete të jashtme për të siguruar që në pushtet të vijnë njerëz që do të ‘ruanin paqen’ në rajon dhe ‘stabilitetin’ brenda vendit (një mënyrë politikisht korrekte për të emërtuar politikanë që u binden atyre), shpërfill forcat progresive në vend dhe mund të rezultojë përsëri në sundime autoritare. Anti-semitizmi dhe ‘fundamentalizmi’ dhe ‘radikalizmi islamik’ janë frika përmes të cilave diktatorët në ‘Lindjen e Mesme’ legjitimojnë pushtetin e tyre, si ‘e keqja më e vogël e mundshme’. Por, është e diskutueshme nëse ndërrimi i regjimeve autokratike në këto vende domosdoshmërisht do të rezultonte në armiqësi kundër Izraelit apo në regjime ‘fundamentale’. Partia pro-islamike e cila qeveris në Turqi e dëshmon të kundërtën. Fundja, në kryengritjet popullore në Tunizi dhe Egjipt grupet islamiste nuk kanë luajtur rol qendror. Prandaj, nuk ka nevoje për panik dhe reagime të ashpra kundër kujtdo që krijon qeveritë e ardhshme në vendet e rajonit. Në të vërtetë, radikalizmi provokohet pikërisht nga mosshpërblimi i veprimtarive të lëvizjeve demokratike dhe paqësore dhe nga ashpërsia e reagimit të shtetit ndaj kërkesave popullore.

Ndryshe nga Franca që kishte mbështetur puçin ushtarak në zgjedhjet në Algjeri në vitin 1991 për të rrëzuar një parti islamike që kishte fituar në një proces të ndershëm të zgjedhjeve, Amerika e cila nuk njohu Hamasin që fitoi në zgjedhjet e viti 2001 në Palestinë dhe i dërguari i OKB-së në Lindje të Mesme Tony Blair që ditë më parë kishte lavdëruar regjimin autokratik të Mubarakut, presidenti Obama e kaloi testin e Egjiptit kur u rreshtuat në anën e popullit kundër Mubarakut. Sidoqoftë, kjo është vetëm pyetja e parë e testit të përkrahjes së demokracisë. Pyetje më të vështira po vijnë. Ato kanë të bëjnë me çështje të tilla si do të ndikojë Amerika në politikën e brendshme të Egjiptit, sa e si do të ndihmojë demokratizimin e këtyre vendeve, e kështu me radhë.

Por, me sa duket efekti domino ka marrë hov të madh. Ndërsa, Amerika do të ketë edhe teste të tjera me diktatorët në shtetet e rajonit, qëndrimet e diktatorëve të tjerë në rajon janë pak shpresëdhënëse: raportohet se mbreti i Arabisë Saudite  në një bisedë telefonike me Obaman ka kërkuar nga ky i fundit që Shtëpia e Bardhë të përkrahte Mubarakun të qëndrojë në pushtet. Në anën tjetër, Izraeli është i brengosur për mundësinë e ardhjes në pushtet të ‘Vëllezërve Muslimanë’ me qëndrime armiqësore ndaj Izraelit dhe të afërt me Hamasin palestinez.

8

Për të përmbledhur, kur flitet për tranzicion demokratik, atë nuk duhet kufizuar në kuptimin e ngushtë procedural të demokracisë që nënkupton zgjedhje me vota. Për tranzicion të suksesshëm duhen zgjedhje të çliruara nga marrëdhëniet e patronazhit, si dhe mekanizma të llogaridhënies, ndarje të gjyqësorit nga politika, politikën nga policitë e partive, garantimin e lirive fundamentale që i nënkupton një sistem demokratik liberal, si liria ekonomike e sipërmarrjes e çliruar nga marrëdhëniet klienteliste, liria e shprehjes, liria intelektuale, liria e shtypit që parakupton jo vetëm të jesh i sigurt nga ndëshkimi për fjalën e lirë, por edhe mundësi për të qenë i informuar drejt për punën dhe vendimet e autoriteteve, për të zbuluar materiale ‘sekrete’, e kështu me radhë.

Andaj, pa një vizion dhe proces të emancipimit që do të çlironte shoqëritë nga varësitë e brendshme të armatës, torturës së policisë sekrete, marrëdhënieve të patronazhit, korrupsionit qeveritar dhe shtypjes së lirisë së shprehjes, por edhe nga varësitë e jashtme të paternalizmit politik, revolucionet demokratike janë pothuaj të pamundshme.

Botuar në: Trendet më 14 shkurt 2011 dhe version i shkurtuar në Zëri më 22 shkurt 2011.

‘Gjashtë pikat’ vs politikës deklaruese të Prishtinës

In Kosova, Politikë, Politikë ndërkombëtare on 28 December, 2008 at 19:13

Gëzim Selaci

A e kanë përnjëmend autoritetet e Kosovës kur deklarojnë se nuk e pranojnë planin gjashtë pikësh dhe se ai është i padetyrueshëm dhe i pazbatueshëm në Kosovë? Si është gjendja në terren, a po zbatohet ky plan, dhe a ka mundësi reale qeveria ta ndalojë zbatimin e tij?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeje, do të tejkaloj atë që është e njohur një lidhje me mungesën e pushtetit të autoriteteve vendëse në Kosovës, për të analizuar rrjedhën e ngjarjeve që sfidon politikën deklaruese të autoriteteve të Kosovës.

Është e njohur se Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Lamberto Zannier, për një kohë ka udhëhequr një dialog dhe konsultime me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë. Ky dialog ose konsultime rezultuan me gjashtë pikat e përfshira në Raportin mbi Kosovën të 24 nëntorit (S 2008/692) e i cili u diskutua dy ditë më pas në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gjithashtu, është zbuluar se Brukseli i ka informuar autoritetet e Kosovës me secilën fazë të rrjedhës së ngjarjeve që çuan deri te miratimi i planit gjashtë pikësh. Pra, justifikimi i autoriteteve të Kosovës se nuk kanë qenë në dijeni përkitazi me këtë është i kotë.

Si popull që kemi provuar mostransparencë nga ana e autoriteteve tona dhe injorim nga ana e ‘bashkësisë ndërkombëtare’, nuk do të na ishte zënë për të madhe nëse dyshojmë se edhe në këto çaste, ndërsa ne po merremi me të kryerën, diçka po ndodh… Por çfarë mund të  mund të ndodhë tani?

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dhe përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Përbashkët së Jashtme dhe të Sigurisë, Javier Solana e quajnë sukses që kanë arritur të bindin Beogradin për gjashtë pikat, ngase kjo i ka siguruar një bazë ligjore Eulex-it për të filluar nga puna. Andaj, ata nuk do ta rrezikonin këtë arritje. Sa për Prishtinën, me të ia bëjnë lehtë: një raund negociatash a konsultimesh ndërmjet Solanës dhe Prishtinës për t’i bindur autoritetet e Kosovës të pranojnë Eulex-in bashkë me gjashtë pikat në ato zona ku edhe ashtu pushtetit të Kosovës nuk iu është ndjerë pesha asnjëherë pas luftës. Dhe nuk është larg mendsh që Prishtina ta pranojë këtë nëse përkundër kësaj Solana garanton integritetin territorial të Kosovës.

Kështu, kryeministri dhe kryetari i Kosovës do të dilnin faqebardhë dhe të lumtur, sepse do të shkonte në vend premtimi i tyre se gjashtë pikat janë të parealizueshme dhe të jodetyruese, por do t’i shtoja unë: vetëm në zonat e banuara me shqiptarë e pakica të tjera, por jo edhe në ato të banuara me serb. Kështu, ngase Eulex-i mund të ketë dy forma: neutral ndaj pavarësisë dhe kushtetutës në zonat e banuara me serb, ndërsa një tjetër formë në zonat e tjera.

Natyrisht, kjo pikëpamje mbi rrjedhën e ngjarjeve është optimiste, ngase mund të ndodhë edhe ndryshe, ashtu siç parashihet në paragrafin 50 të raportit në fjalë (S 2008/692) që e detyron Eulex-in të respektojë në tërësi Rezolutën 1244 dhe të operojë nën autoritetin dhe qëndrimin asnjanës ndaj statusit të OKB-së.

Kështu flet Raporti i famshëm dhe gjendja faktike, ndryshe nga deklaratat e autoriteteve tona. Gjashtë pikat e këtij Raporti, që janë radhitur nën rubrikën Dialogu me Beogradin përfshijnë gjashtë fusha: Policinë, Doganat, Gjyqësinë, Transporti dhe infrastruktura, Kufijtë, Trashëgimia serbe. Në cilat nga këto fusha nëpër enklava Prishtina ka shtrirë pushtetin? Gati në asnjërën! Raportimet që e dëshmojnë këtë janë të përditshme dhe të shumta.

Ndërsa kryeministri dhe kryetari në vend se të na e këndojnë psalmin se gjashtë pikat janë të pazbatueshme, atyre do t’u kërkohej të na zbulojnë planin (nëse ka) se si ato janë të padetyrueshme dhe si mund të ndalojnë zbatimin e tyre në hapësirën që kurrë nuk është vënë nën juridiksionin e Kosovës dhe as që është pranuar legjitimiteti i autoriteteve në Prishtinë.

A është kjo diçka e re në realitetin e Kosovës? Në realitetin faktik, jo; edhe ashtu pushteti ndërkombëtar e vendës në Kosovës asnjëherë nuk është shtrirë në enklavat serbe. Mirëpo, kjo përbën një zhvillim në realitetin ligjor, ngase po krijohet një bazë ligjore për ndarjen e Kosovës në dy entitete ligjore, ku në secilën vlen një kod i ndryshëm ligjor: në zonat e banuara me serb rregulloret e UNMIK-ut, ndërsa në pjesën tjetër ligji i Republikës së Kosovës. (Kuptohet, sipas pikëpamjes optimiste.)

Nuk ka qenë e zorshme që nga gjendja e ndarjes faktike në terren të kalohet në një gjendje të ndarjes së ligjshme. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ne kosovarët e kemi përjetuar se sa me lehtësi gjendja faktike mund të përkthehet në realitet ligjor, pavarësisht deklaratave të politikanëve.

Se në çfarë dyshimi e vë kjo ndarje ligjore tërësinë territoriale të Kosovës, është e qartë kur të kihet parasysh rëndësia qendrore e territorialitetit në përkufizimet e shtetit sipas ligjit ndërkombëtar dhe praktikës shtetërore.

[Botuar te Gazeta Express,  Prishtinë, 28 dhjetor 2008]

Recension: Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit, Francis Fukuyama

In Politikë ndërkombëtare, Recensione, Teori politike on 23 December, 2008 at 16:12

Gëzim Selaci

PËRMBLEDHJE E LIBRIT

 Francis Fukuyama, Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit (Prishtinë: Zenith 2006)

Teza e Francis Fukuyamas mbi Fundin e Historisë e ka origjinën tek një artikull i botuar në revistën The National Interest në verën e vitit 1989, ku autori argumentonte se gjatë viteve të fundit në botë është shfaqur një konsensus i jashtëzakonshëm lidhur me legjitimitetin e demokracisë liberale si sistem qeverisës, sidomos pasi që ideologjitë rivale, si monarkia, fashizmi dhe komunizmi, ishin mposhtur. 

Teoria e Fundit të historisë është teori evolutive dhe përpjekje për të rigjetur telosin e historisë, me qëllim për të rikthyer leximin teleologjik të saj. Duke lajmëruar Fundin e Historisë, Fukuyama argumenton se ajo të cilës i kishte ardhur fundi nuk ishte zhvillimi i ngjarjeve, po historisë ‘e kuptuar si një proces më vete, koherent dhe evolutiv, kur merret parasysh përvoja e të gjithë popujve në të gjitha kohërat.’ (Fukuyama 2006:8) Ky libër provokues thur fije të ndryshme të filozofisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, antropologjisë, historisë dhe skenës politike, duke përdor dhe zhvillon idetë e Platonit, Hegelit, Hobsit, Lokut dhe Niçes dhe mendimtarëve të tjerë, për të elaboruar e ndërtuar një argument të shkëlqyer që pushton kritikën e thjeshtëzuar. 

Sipas Fukuyamas, historia është drejtimore, me fjalë të tjera çon kah një drejtim, dhe pikësynimi i saj është demokracia liberale. Sipas filozofisë politike të tij, janë dy motorë apo forca që i shtyjnë të gjitha shoqëritë në historinë universale dhe të vetme drejtë këtij synimi evolutiv. Forca e parë është shkenca natyrore moderne dhe teknologjia, e cila krijon kultura homogjene. Shfaqja e shkencave natyrore përgjatë shekujve të fundit i ka dhënë historisë një drejtim të caktuar. Motori i dytë i historisë është dëshira për pranim, një koncept i huazuar nga Hegeli por që i ka rrënjët më thellë tek koncepti i thymos-it i propozuar nga Platoni. Argumenti i tij thotë se pasi që natyra njerëzore udhëhiqet nga dëshira për pranim, është vetëm demokracia liberale ajo që siguron një rrugë për të kënaqur këtë nevojë për pranim. Atëherë, vetëm demokracia liberale siguron pikësynimin e fundit të Historisë, prandaj ngadhënjimi i liberalizmit politik dhe ekonomik është i pashmangshëm. 

Optimizmi i tij përkitazi me evoluimin e lirisë njerëzore i shprehur në idenë e Fundit të Historisë përmbyllet me një përfundim pesimist mbi Njeriun e Fundit, i cili shfaqet në fundin Historisë: ‘njerëz që krejtësisht përbëhen nga dëshira dhe arsyeja, por që krejtësisht u mungon vetëpohimi krenar që disi ishte në zemër të humanizmit në epokat e kaluara.’ (Fukuyama 2006:207) Fukuyaman e frikëson mërzia e këtij njeriu, e shkaktuar nga racionalizimi i botës dhe mungesa e luftërave për pranim (ngase njerëzit e fundit të demokracisë liberale nuk e luftojnë njëri-tjetrin) dhe mungesa e vullnetit, kurajës e imagjinatës për të rrezikuar jetën e tij në luftëra ideologjike. Njeriu i Fundit këto do t’i zëvendësojë me kalkulime ekonomike, zgjidhje të pafund të problemeve teknike, brengave rreth mjedisit dhe kënaqjes së kërkesave konsumatoriste të tij. Në periudhën pas-historike nuk ka art as filozofi, andaj ndihet një nostalgji për kohën para se historia të arrinte fundin e saj. (Fukuyama 1989: 18)

Ja ky është paradoksi i fundit të historisë. Por Fukuyama shtron pyetjen nëse thymos-i është fshirë nga shpirti i njeriut, apo transformuar në formë të dëshirës për t’u pranuar si i barabartë me të tjerët (isothymia), apo ndoshta përsëri do të ngrehet si feniks në formë të dëshirës për t’u pranuar më i lartë se të tjerët (megalothymia-s). (Fukuyama 2006:201) Ajo që e merakos autorin përkitazi me ‘njeriut të fundit’, është se ai mund të rikthehet në ‘njeri të parë’ dhe duke dashur të tregojnë veten në mënyra të reja dhe të papara, të përfshihen në luftëra të përgjakshme dhe të pakuptimta. (Fukuyama 2006:19)

 

KONCEPTET KYÇE

Historia drejtimore. Historia çon drejt një synimi. Sipas filozofisë së historisë së Hegelit, kuptimi i historisë, domethënia e saj dhe drejtimi i saj, qëndrojnë te progresi i shpirtit që gjithnjë e më tepër fiton ndërgjegjen e lirisë së tij, nëpërmjet organizimit të një shteti të mbështetur tek pjesëmarrja e qytetarëve.

Thymosi, Lufta për pranim, Zotëria dhe skllavi. Duke mos zhvlerësuar shpjegimet utilitariste apo ekonomike të fenomenit politik dhe historik, Fukuyama fut koncetin e thymos-it, apo dëshirës për pranim. Ai beson se si ekonomia, ashtu dhe politika presupozojnë një gjendje autonome të vetëdijes që i bën të mundshme ato. Në fillim të historisë ‘njeriu i parë’ i shtyrë nga dëshira për pranim, apo thymos-i, luftoi për të marrë pushtetin. Si rezultat i këtyre luftërave, bota u nda në dy klasa: zotërinj të lirë dhe skllevër të robëruar. 

Historia universale: Të konceptuarit e Historisë së njerëzimit si tërësi koherente. Interpretimi i historisë së qytetërimit si uniforme, që kalon nëpër faza për të përfunduar në gjendjen ku realizohet shoqëria universale njerëzore. Hegeli e kuptonte historinë si histori e mendjes ndërsa ajo synon të kuptojë vetveten dhe raportin e saj me botën. Andaj, historia është histori e arsyes. Historia universale është prodhim i mendjes apo mendimit racional. Historia është lëvizje lineare dhe e drejtueshme që në fund të saj realizon shoqërinë universale ku mbretëron pranimi i ndërsjellë. 

Shteti universal dhe homogjen, dhe Fundi i Historisë. Aristokracia është krijuar nga njerëz që kanë vënë jetët e tyre në rrezik për prestigj dhe i kanë skllavëruar të tjerët. Demokracia liberale e zgjidh tensionin në mes skllavit dhe zotërisë duke i bërë skllevërit zotërinj të vetes së tyre. Shteti që paraqitet në fund të historisë është liberal për aq sa pranon dhe mbron të drejtat universale të lirisë, përmes një sistemi ligjesh, dhe demokratik për aq sa ekziston vetëm në miratim me të qeverisurit. Për Kojeve, ky i ashtuquajtur “shtet universal dhe homogjen” ka gjetur zbatim në vendet e Europës Perëndimore në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Progresi i historisë universale njerëzore ka kulmuar dhe përfunduar te demokracia liberale.

Njeriu i fundit. Nocion i Niçes që emërton një tip njeriu i cili shfaqet në Fundin e Historisë. Jeta e Njeriut të Fundit është e zbrazët dhe pa kuptim, duke qenë se të gjithë njerëzit e pranojnë njëri-tjetrin si të barabartë dhe nuk luftojnë mes vete, andaj ju mbetet vetëm të punojnë për arritje të pafund të të mirave materiale. 

 

ORIGJINA FILOZOFIKE E TEZËS

Trashëgimia e Hegelit: lufta për pranim dhe historia evolutive 

Origjina e kësaj teze buron nga filozofi i madh gjerman G.W.F. Hegeli, historicizmi i të cilit është bërë pjesë e pandashme e të menduarit dhe përfytyruarit tonë të historisë së njerëzimit. Si filozof historicist që ishte, Hegeli historinë njerëzore e kuptonte si një proces koherent evolucionar. Sipas tij, ky evolucion ishte përparim i mendjes njerëzore nga faza primitive të vetëdijes që përfundimisht çon në përhapjen e lirisë në botë. Teza e Fukuyamas e fundit të historisë ka rrënjët në dialektikën e zotërisë dhe skllavit të shktruar nga Hegeli dhe të interpretuar nga Alexandre Kojeve, një emigrant rus në Francë.

Tek ne vepra e Hegelit njihet më shumë përmes interpretimit, dhe atë atij materialist dhe marksist. Një interpretim alternativ është interpretimi i Kojeve, ndikimi i të cilit ndihet fort në filozofinë franceze. Sipas Hegelit, të lexuar nga një prizëm idealist, të gjitha sjelljet njerëzore në botën materiale, dhe prandaj e gjithë historia, i ka rrënjët në një gjendje të caktuar të vetëdijes. Kjo vetëdije mund të mos jetë eksplicite dhe e vetëvetëdijshme, siç janë doktrinat moderne politike, por mund të marrë formën e fesë ose zakoneve kulturore apo morale. Kjo mbretëri e vetëdijes në afat të gjatë patjetër manifestohet në botën materiale, në të vërtet e krijon botën materiale. Vetëdija është shkak dhe jo efekt, dhe mund të zhvillohet pavarësisht nga bota materiale. Së këndejmi, baza reale që qëndron nën rrjedhën e ngjarjeve është historia e ideologjive. 

Kështu, Fukuyama nuk pajtohet me Marksin se bota jonë politike dhe shoqërore ka fill në dallimet ekonomike dhe klasore. Ai beson se konflikti, sipas teorisë së Hegelit, buron nga gatishmëria e disa njerëzve që të rrezikojnë jetët për prestigj ose pranim. Sipas Hegelit, në fillim të historisë ‘njeriu i parë’ i shtyrë nga dëshira për pranim, apo thymos-i (virtu-ja Platonike e pjesës zemërake të shpirit), luftoi për të marrë pushtetin. Si rezultat i këtyre luftërave, bota u nda në dy klasa: zotërinj të lirë dhe skllevër të robëruar. Gjithë historia e njerëzimit është histori e zotërisë dhe skllavit: zotërinjtë gëzonin lirinë, ndërsa skllevërit vazhdimisht luftonin për të. Meqenëse historia ka fillim, ajo ka edhe fund. Historia mbaron atëherë kur skllevërit, pas luftërave të mëdha për pranim, arrijnë të barazohen me zotërinjtë. Ky barazim, sipas Fukuyamas, ka mundur të ndodhte vetëm në sistemin demokratik liberal: ‘Sipas Hegelit, shteti universal dhe homogjen plotësisht pajton kundërshtinë që ekziston në marrëdhëniet e zotërisë dhe skllavit duke i bërë ish skllevërit zotërinj të vetvetes…’ (Fukuyama 2006:316)

Hobsi dhe Loku, idetë politike të të cilëve janë bazë për kushtetutat e shteteve liberale perëndimore, u përpoqën të shmangin dëshirën për pranim, motorin e historisë sipas Hegelit, duke theksuar dëshirën dhe arsyen. Ata të dy fajësonin këtë pasion për superioritet si  burim të tiranive, dhunës dhe imperializmit. Mirëpo, Fukuyama bën një dallim ndërmjet dëshirës për pranim (thymos me gjuhën e Platonit) dhe dëshirës për t’u pranuar më i lartë se të tjerët (megalothymia  në greqishten antike) (Fukuyama 2006:201) 

Sidoqoftë, Alexandre Kojeve e konsideron të dështuar përpjekjen e tyre dhe të demokracisë liberale për të tejkaluar megalothymia-n duke injoruar dëshirën e natyrshme të njeriut për pranim, thymos. Në të vërtetë, ajo që e bën të suksesshme demokracinë është pikërisht se arriti të barazojë thymos-in, ngase gjithçka kishte kërkuar njeriu gjatë historisë dhe ajo që e kishte lëvizur historinë ishte dëshira e njeriut për pranim. Andaj, thymosi nuk është diçka që demokracia do shtypur, por ky pasion duhet të plotësohet duke pranuar njerëzit të si të barabartë.

Siç është e dukshme pra, mund të thuhet se Fukuyama e mbështet tezën e tij në interpretimin e interpretimit: Platoni është themeli, filozofia e historisë së Hegelit është zhvillimi pikëpamjes së tij, ndërsa Kojeve është interpretues i historicizmit të Hegelit.

Paqja demokratike

Pikëpamjes optimiste të Fukuyamas se demokracia liberale është telosi-i i Historisë, ngaqë kënaq në mënyrë të përkryer dëshirën e njeriut për pranim, këtë motor të historisë, mund të shtohet edhe argumenti i Kantit se demokracia liberale krijon paqe në botë, pasi që shtetet demokratike, në saje të lidhjeve të tyre ekonomike dhe ideologjike, nuk luftojnë mes vete. Natyrisht, Fukuyama nuk është aq naiv sa të mohojë fundamentalizmin dhe nacionalizmin si forca reale në botë, por ai i konsideron ato si forca reaksionare dhe më shumë reaksione ndaj dukurive të ndryshme shoqërore, ekonomike e politike, por me pak fuqi në vete për të gjeneruar alternativa solide të demokracisë liberale. 

Njeriu i fundit

Njeriun e Fundit e kishte profetizuar Niçe si i antidot i ‘bishës me fytyrë të skuqur’. (Fukuyama 2006:190) Njeriu i Fundit është i barabartë me të tjerët, prandaj i mungon dëshira për pranim (thymos-i), ky pasion që ishte motor i historisë dhe i cili e drejtoi historinë kah pikësynimi (telos) përfundimtar. Ndryshe nga njeriu bishë, Njeriu i Fundit është pa gjoks, pa zemër dhe pa pjesën zemërake të shpirtit, ose thymos siç e quan Platoni. 

 

KRITIKA

A kemi arritur në të vërtetë tek fundi i historisë? A ka historia pikësynim dhe nëse po, a është demokracia liberale stacioni i fundit e saj? A i zgjidh të gjitha kontradiktat e jetës njerëzore vetëm e vetëm demokracia liberale dhe asnjë sistem tjetër politiko-ekonomik? Dëshira për pranim dhe zhvillimi i shkencave natyrore, a çon domosdoshmërisht në një apo në disa drejtime? Këtyre pyetjeve do t’i përgjigjemi duke diskutuar argumentet spekulative në sferë të ideologjisë dhe vetëdijes, si dhe empirike, në sferë të zhvillimit të ngjarjeve në marrëdhëniet ndërkomëbtare, të paraqitura nga vetë Fukuyama dhe filofozitë tek të cilat ai bazon argumentin e tij.

Teza e Fukuyamas mbi fundin e Historisë ka shkaktuar reagime të shumta nga studiues të ndryshëm në botë dhe argumenti i tij është kritikuar nga disiplina të ndryshme, si historia, antropologjia, shkencat politike, sociologjia, filozofia, studimet e Lindjes së Mesme, nga më kryesoret. Vetë autori vlerëson se shumë kritika të drejtuara janë rezultat i keqkuptimit të tezës së tij, dhe është e vërtetë se teza e tij shpeshherë është kuptuar në mënyrë të thjeshtëzuar duke mos kuptuar thelbin e saj.

Pesimizmi i madh përkitazi me tezat pro fundit të historisë ka diskredituar idetë për Historitë Universale. Koncepti i Marksit mbi historinë ishte përdorur për të justifikuar terrorin në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Shqipëri, Jugosllavi dhe vende të tjera komuniste, gjë që këtij termi i ka dhënë një kuptim tepër cinik në sytë e shumicës së intelektualëve. Andaj, nocioni se historia është drejtimore, kuptimplote, progresive, ose e kuptueshme nuk është i pranueshëm për rrymat kryesore të mendimit Perëndimor sot. Të flasësh për Historinë e Botës, ashtu siç bënte Hegeli, ndjell tallje nga intelektualët që të përçmojnë si dikë që e mashtron veten duke besuar se po e përthekon botën me gjithë ndërlikueshmërinë e saj. 

Autorë të shumtë, e kanë kritikuar idenë e Fundit të historisë, duke argumentuar se historia njerëzore ka një qëllim apo telos, dhe një Histori Universale e Njerëzimit është e mundur të shkruhet vetëm nëse bazohet në supozime fetare, siç është ideja e Providencës dhe eskatologjia e Krishterë. Sidoqoftë, këtu nuk do të flitet për pozicionet filozofike dhe argumentet përkatëse në lidhje me debatin mbi filozofinë e historisë dhe se a ka një histori universale, a ecën ajo në një drejtim, e kështu me radhë. Diskutimi në vazhdim mbështetet mbi prova empirike në nivel të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe se çfarë thonë ato përkitazi me tezën e Fundit të historisë.

1. 

Sipas tezës së fundit të historisë, mekanizmi që e lëviz historinë drejt qëllimit është dëshira për pranim dhe shkenca natyrore. Por, si mund të jemi të sigurt se motorët e historisë çojnë popujt dhe kulturat e ndryshme në një qëllim të vetëm? Hegeli kësaj pyetjeje iu ka përgjigjur në një mënyrë evolucionare duke theksuar se shoqëritë europiane mishërojë ‘llojin’ e atyre që përshtaten dhe mbijetojnë gjatë evoluimit të shoqërive. 

Në kohën kur bota bipolare po shthurej dhe e ardhmja po dukej më e hapur dhe pafund, teza e Fukuyamas për Fundin e Historisë trumbetonte se të gjitha konfliktet ideologjike kishin mbaruar dhe historisë i kishte ardhur fundi me ngadhënjimin e demokracisë liberale siç njihet në Perëndim. Në vitin 1989 kur Fukuyama botoi për herë të parë tezën e fundit të historisë në Europë e Amerikë mbretëronte një eufori pas rënies së Murit të Berlinit, si simbol i ngadhënjimit të demokracisë liberale të Perëndimit kundër rivalit të fundit të tij: komunizmit lindor. Mirëpo, rënia e komunizmit nuk e la demokracinë kapitaliste pa armiq të tjerë që  dolën në pah. Teza e Fundit të Historisë është përgënjeshtruar nga ngjarje faktike nëpër botë, të cilat nuk shkonim me analizat e Fukuyamas dhe nuk zhvilloheshin sipas parashikimeve të tij. Koha nuk ishte ndalur te demokracia liberale, historia po vazhdonte: ish-marksistët nuk u konvertuan në liberalë. Popujt e bllokut lindor nuk nxituan të gjithë të përqafojnë demokracinë liberale, por shumë prej tyre iu kthyen identiteteve të tyre etnike, kulturore e fetare, duke u futur në luftëra ndërmjet fqinjëve kundër armiqve shekullorë. Ndryshe nga ajo çfarë kishte përfunduar Fukuyama, njeriu post komunist nuk u bë njeri i fundit, i barabartë e konsumatorit, por drejtoi thymos-in e tij në kërkesa për njohje të kombësisë dhe identitetit fetar. Në tezën e Fukuyamas nacionalizmi dhe feja mungonin. 

Duke e parë gjallërinë dhe ndikimin e nacionalizmit dhe të fesë në ish-republikat e BRSS, Azi Qendrore dhe Ballkan, mësuesi i Fukuyamas, Samuel Huntington propozoi një tezë tjetër për t’i dhënë kuptim botës pas sistemit bipolar të saj: përplasja e qytetërimeve. Ky autor argumenton se konflikti ideologjik që mbizotëronte në botën bipolare po zëvendësohet me konflikt ndërmjet qytetërimeve të mëdha të botës. Ai hedh poshtë, idetë e Fukuyamas për historinë universale e cila mbaron tek demokracia liberale që pashmangshëm do të pranohet nga të gjithë shoqëritë. Janë qytetërimet ato që përcaktojnë formën e qeverisjes së një shoqërie apo shteti, që nënkupton se qytetërime të ndryshme do të prodhojnë forma të ndryshme të qeverisjes. Po, historia marshon drejt demokracisë liberale, por – do të shtonte Hungtington – vetëm historia e Krishterë.

Ndërsa mund të thuhet se demokracia (në kuptimin e ngushtë të saj: zgjedhje të lira dhe të drejta) po përhapet nëpër botë, jo të gjitha shoqëritë kjo po i shpie nga ideali Perëndimor i liberalizmit të tregut dhe individit, sundimit të ligjit, kontrollit dhe ndarjes së pushtetit. Zgjedhjet popullore, në shumë shoqëri po prodhojnë atë që Fareed Zakaria e ka quajtur: demokraci joliberale ose elektorale.  

Shumë autorë të tjerë e kanë ndjekur Huntingtonin, por vetëm deri në gjysmë të tij, duke pohuar se determinizmi i shprehur në teorinë e tij moderniste të Fukuyamas nuk është i vlefshëm për të gjitha shoqëritë në botë, por kjo nuk çon domosdoshmërisht në përplasje të qytetërimeve. Kohëve të fundit, drejtimit të historisë njerëzore i është dhënë një shpjegim që vlerëson pluralitetin e zhvillimit të ndryshëm të shoqërive dhe sistemeve politike, duke respektuar ‘ngritjen e të tjerëve’ në një botë ku hegjemonia amerikane nuk do të mbizotërojë ekonominë globale, nuk do të orkestrojë gjeopolitika, dhe nuk do të imponojë kulturën .  (Zakaria, The post-American World).

Autorë, si Laclau dhe Mouffe, shfaqjen e nacionalizmave dhe fundamentalizmave e shohin pikërisht si rezultat i hegjemonisë liberale që bazohen në idenë për fundin e konflikteve ideologjike, ndërsa Derrida e ka kritikuar Fukuyaman përse po i aplaudon hegjemonisë liberale. 

Por, ndikimi i fesë nuk është i dukshëm vetëm në shtetet historike, por edhe në ato pas-historike, sipas konceptimit të Fukuyamas. Liberalizmi nuk e zhduki fenë madje as në Europë; ndoshta mund të thuhet se ndikimi i fesë në jetën publike e politike është më i zbehtë në Angli e gjetiu, por ky konstatim nuk vlen për Irlandën e Veriut, për SHBA, madje as për Gjermaninë e të tjera. 

2. 

Kohëve të fundit, është folur se fundamentalizmat fetarë (veçanërisht ai islam) është një alternativë e Demokracisë liberale (për shembull, Huntington). Huntington dhe të tjerë si ai, mendojnë se ekstremizmi islamik ka rrënjët në vetë doktrinën Islame, dhe se ai nuk do të mund të mund të zhvillohet në drejtim të synimit të historisë: modernizimit ekonomik dhe demokracisë liberale. 

Sidoqoftë, Oliver Roy mendon se teza e Fukuyamas është një argument i mirë kudër idesë së ‘përplasjes së qytetërimeve’. Ai supozon se ndërtimi i demokracisë në një shoqëri nuk domethënë domosdoshmërisht se ajo shoqëri duhet të kalojë në procesin e njëjtë historik dhe kulturor që Perëndimi ka kaluar. Çështja është se si të lidhen vlerat universale të demokracisë me kulturat e tjera. 

Huntington beson se kulturat bazohen në një masë të madhe te fetë dhe fetë ndikojnë tek kulturat e ndryshme politike. Sidoqoftë, Roy beson tek një trend i ndarjes në mes të traditës kulturore dhe fesë që po ndodh në botë. Si pasojë, pikëpamjet dhe normave fetare po riformulohen përtej kulturës specifike. Në fakt, ndarja e fesë nga kultura dhe riformulimi i vlerave fetare të pandikuara nga kultura e bën të mundshme që komunitetet e ndryshme fetare të pranojnë sistemin demokratik, siç po bën partia AK (dikur) islamiste në pushtet në Turqi. Gjithashtu, myslimanët në Europë po dëshmojnë se identiteti fetar (i ndryshëm nga Krishterimi) dhe qytetaria në demokraci mund të bashkëjetojnë. Andaj, myslimanët nuk bëjnë përjashtim nga logjika e modernizimit. 

3. 

 

Për më tepër, Fukuyama pohon se demokracia liberale gjeneron paqe në botë, pasi që (sipas Kantit) shtetet demokratike, në saje të lidhjeve të tyre ekonomike dhe ideologjike, nuk luftojnë mes vete. 

Vlerat dhe institucionet demokratike kanë një karakter dhe rëndësi universale. Megjithatë, kush do të mohonte se përhapja e demokracisë liberale në botë nuk ka ndodhur duke iu falënderuar kulturës hegjemone dhe ndikimit të forcës imponuese ushtarake dhe ekonomike të SHBA-ve, por vetëm në saje të një force gati mistike të dëshirës për pranim? Çfarë implikimi do të kishte ky fakt empirik për ‘historinë universale’? 

Disa kritikë e kanë vlerësuar sjelljen prej perandoraku të SHBA si argument kundër tezës së Fukuyamas. Sidoqoftë, kjo kritikë është bazuar në keqkuptim të tezës origjinale të tij, ngase dhe vetë Fukuyama vërteton se ideali i demokracisë liberale më tepër është mishëruar tek BE se sa SHBA (Fukuyama, 2006:420) dhe ka kritikuar mënyrën se si forca po përdoret aktualisht nga Amerika për të përhapur demokracisë, duke dashur të çlirojë tezën e tij nga rrëmbimi i administratës së presidentit G.W. Bush që shfrytëzoi atë për të përligjur politika të cilat vetë Fukuyama i dënoi. (Fukuyama, 2006b)

Në fund, tezën e Fukuyamas do ta vërtetojë apo përgënjeshtrojë koha e cila do të tregojë më së miri se si po zhvillohen ngjarjet. 

 

BIBLIOGRAFI

Fukuyama, Francis (1989) National Interests. The End of History?’ 16 (Summer 1989)

Fukuyama, Francis (2006) Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit. Prishtinë: Zenith.

Fukuyama, Francis (2006b) America at the Crossroads: Democracy, Power, and the Neoconservative Legacy. Routledge.

Shteti i Kosovës në mes politikës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare

In Kosova, Ligji ndërkombëtar, Politikë ndërkombëtare on 12 October, 2008 at 16:51

Gëzim Selaci

Tani kur çështja e pavarësisë së Kosovës do të hapet në Gjyqin Ndërkombëtar për mendim këshillues, mendoj se është e nevojshme të bëhet një dallim në mes logjikës së politikës ndërkombëtare, në njërën anë, dhe logjikës së drejtësisë ndërkombëtare, në anën tjetër. Me fjalë të tjera, ka një dallim ndërmjet mënyrës se si funksionon politika ndërkombëtare dhe si e drejta ndërkombëtare; se si lidhen, ose nuk lidhen në mënyrë të ndërsjellë dhe se sa kushtëzohen, ose nuk kushtëzohen njëra nga tjetra. Sidoqoftë, nuk është korrekte që drejtësia ndërkombëtare të shihet me sytë e politikës ndërkombëtare, ngase mendoj se janë relativisht të ndryshme.

Në rastin e Kosovës shqyrtim i këtij dallimi do të rezultonte në të kuptuarit se pavarësimi i Kosovës më shumë është meritë e rrethanave të reja në politikën ndërkombëtare të krijuara pas fundit të Luftës së Ftohtë (zhvendosjes së balancës së fuqisë, ndryshimi në kuptimin e sovranitetit, roli i të drejtave të njeriut etj.), se sa çështje e drejtësisë ndërkombëtare. Jo pse ndoshta kjo e fundit nuk do ta justifikonte pavarësinë, por më shumë sepse vetë drejtësia ndërkombëtare nuk është ndonjë institucion autonom dhe Gjykata Ndërkombëtare nuk ka pushtet për të imponuar vendimet e saja. Natyrisht, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, Kosova do të vazhdojë të jetë e pavarur. Por, shqyrtimi i pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare nuk është një sukses i Kosovës, siç mundohet të na e shesë Ministria e Punëve të Jashtme duke e lavdëruar veten me turnetë ‘e suksesshme’ diplomatike në selinë e OKB-së dhe aty-këtu nëpër botë! Vendimi nuk do ta prekë statusin ligjor të Kosovës, por do të ndikojë në rrjedhat shtetformuese të Republikës së Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me jashtë. Sidoqoftë, do të ishte në interes të dëgjojmë sa më shumë se cili është mendimi i ekspertëve në lidhje me këtë, dhe të analizohet se ku gaboi diplomacia kosovare.

Mendoj se është e rëndësishme të diskutohet në lidhje me pavarësimin e Kosovës në dritë të rrethanave në politikën ndërkombëtare, që të dallohet miti nga realiteti, duke analizuar argumentin që është përdorur pro-pavarësisë dhe duke shqyrtuar pohimin se Kosova është sui-generis. Përkundër se përsëritet me gjuhën e papagallit nga udhëheqja vendore e Kosovës se Kosova është rast unik (sui-generis), fare pak reflektohet mbi atë se në çfarë kuptimi është Kosova rast i veçantë nga rajonet e tjera që aspirojnë shkëputje? Prania ndërkombëtare nuk është dukuri e veçantë për Kosovën, spastrimi etnik dhe gjenocidi nuk është i papërsëritshëm në glob, lëvizja për vetëvendosje nuk është e veçantë për Kosovën, e as statusi i paqartë. Argumenti i theksuar nga faktorë ndërkombëtarë që e ka legjitimuar pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës është se intervenimi i NATO-s, tetë vjet administrimi nga OKB, plani për pavarësinë e kushtëzuar, të gjitha këto janë që Kosovën e bëjnë rast të veçantë. Domethënë, të gjithë këto argumente më shumë kushtëzohen nga rrethanat në politikën ndërkombëtare se sa nga proceset e brendshme të shoqërisë së Kosovës.

Veç tjerash, dallimi i mitit nga realiteti do të ishte e dobishme edhe për procesin e njohjes së Kosovës, ngase me pikëpamjet që burojnë nga të kuptuarit e mitizuar zor se mund t’i bindim shtetet të na njohin. Miti është se pavarësia e tanishme e Kosovës lidhet me një aspiratë që jeton me dekada (madje me shekuj!) ndër shqiptarët e Kosovës, e deri te Lufta Çlirimtare e UÇK-së. Mendoj se çdokush që sheh më thellë se sa një rrëfenjë e sajuar nga autoritete jo më të vogla se sa vetë partitë mbizotëruese në sferën politike dhe e reflektuar në propagandën e mediave të rrymës qendrore në Kosovë, e ka të qartë se ky shtet nuk është projekt i liderëve politikë a ushtarakë të Kosovës, por plan i një ekipi teknokratësh të udhëhequr nga Marti Ahtisari. Kjo rrëfenjë është aq e pushtetshme (sepse ‘dija është fuqi’), sa që kushdo që shpreh nevojën të diskutojë atë apo ta vënë në dyshim i mbyllet goja duke u shigjetuar me akuzën e tradhtisë kombëtare. Kështu, jo pa qëllim, analizat objektive dhe zërat kritikë mbahen në heshtje, dhe përjetësohet miti i përdorimit të fjalëve ‘pavarësi’ dhe ‘sovranitet’ që do ta bënte krenar vetë Xhorxh Oruellin. Mu për këtë ka nevojë që rastin e Kosovës ta shohim nga prizmi i politikës ndërkombëtare, që ta njohim si erdhëm këtu, dhe si mund të shkojmë, ose të mos shkojmë, tutje.

Atëherë, argumenti pro-pavarësisë së Kosovës është bazuar në etikën e shkëputjes që përdorë qasjen e kauzës së drejtë (just cause approach), domethënë se shkëputja justifikohet vetëm nëse parandalon dëme dhe padrejtë të rënda (natyrisht me kushtet e tjera plotësuese, si p.sh. se vendi që ndahet duhet të respektojë të drejtat e pakicave, të jetë i aftë për të mbajtur veten në kuptim ekonomik etj., pra garanci që të mos jetë një shtet i dështuar). Pavarësia e Kosovës nuk është bazuar në argumentin se një popull i një territori i cili konsiderohet komb ka të drejtë, që përmes zgjedhjes kolektive (referendum), të vendosë se në cilin regjim dhe shtet duan të jetojnë, që në etikën e shkëputjes quhet qasja e zgjedhjes (choice approach) (me kushtet plotësuese që janë afërsisht të njëjta me ato të qasjes së kauzës së drejtë).

Natyrisht se për shtetet e Perëndimit ishte më e lehtë të përdorej qasja e kauzës së drejtë se sa ajo e zgjedhjes në rastin e Kosovës. Ka një konsensus ndërkombëtar se Kosova nuk ka pasur të njëjtin status sikurse republikat jugosllave të cilat u pavarësuan nga Jugosllavia. Mbështetësit e pavarësisë së Kosovës vendosën që në rastin e Kosovës as autonomia as federalizmi nuk ishte garanci e mjaftueshme për të drejtat e pakicave, për zhvillim të ekonomisë e të tjera dhe prandaj u vendos që vetëm pavarësia do të ishte garanci për të shmangur përsëritjen e asaj çfarë kishte ndodhur në 1999, diskriminimin dhe spastrimit etnik nga ana e serbëve në dëm të shqiptarëve.

Por, meqenëse njohja ndërkombëtare e shkëputjes së një krahine që rezulton nga konflikti i brendshëm (thënë me gjuhën e drejtësisë ndërkombëtare) nuk është aq e zakonshme, u vendos për një pavarësi të mbikëqyrur, ose me fjalë të tjera pavarësi jo e menjëhershme dhe jo e plotë. Siç po shihet, Kosova ka pranuar kushtet e pavarësimit të saj dhe nuk ka tension në marrëdhëniet ndërmjet pranisë ndërkombëtare dhe udhëheqjes politike shqiptare, siç ndodhi viteve të fundit me UNMIK-un dhe liderët politikë shqiptarë në Kosovë. Nuk pajtohem me thënien se nuk ka pavarësi të paplotë; ose je i pavarur (dhe anëtar i OKB) ose jo. Ky pohim ndoshta mund të ishte i vlefshëm gjykuar sipas logjikës së ligjit ndërkombëtar, mirëpo jo në praktikën e realitetit politik. Natyrisht, pajtohemi se secili shtet në botë nuk është plotësisht i pavarur, por çështja është se sa pavarësi (në kuptim të sasisë) dhe çfarë pavarësie (në kuptim të cilësisë) bën që një entitet të funksionojë dhe të njihet si shtet.

Në fund, rasti i pavarësisë së Kosovës në Gjyqin Ndërkombëtar do të jetë i vështirë. E drejta ndërkombëtare nuk ka një kornizë të qartë apo përvojë sipas të cilës do ta zgjidhte rastin e Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë shumë për të ndikuar në vendimin e Gjyqit Ndërkombëtar, por ajo mund të udhëheqë më me vendosmëri procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës; që nga zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, ruajtja e integritetit territorial, e deri te këmbëngulja për kompetenca më të mëdha në vendimmarrje dhe qeverisje. Ky do të ishte argument i fortë për pavarësinë, i cili aq shumë iu duhet shteteve që po e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Vetëm kështu, dhe me një diplomaci më të menduar e më aktive, vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar, cilido qoftë ai, do të ishte më pak i rëndësishëm, ndërsa dëmet që ky proces gjyqësor pashmangshëm i shkakton, do të ishin më të vogla.

6 tetor 2008

Botuar tek: Gazeta Java, 23 tetor, 2008

LËNDË STUDIMI: POLITIKA E SHTETNDËRTIMIT NDËRKOMBËTAR DHE KOSOVA

In Kosova, Politikë ndërkombëtare, Shteti dhe pushteti on 6 October, 2008 at 10:50

Ndërkombëtarizimi i shtetndërtimit dhe angazhimi i ‘Bashkësisë ndërkombëtare’ në pjesë të ndryshme të globit në projekte që kanë për qëllim ndërtimin e institucioneve shtetërore është i lidhur ngushtë me trendet botërore të qeverisjes globale si dhe trende të tjera globale, që pasuan ndryshimet në politikën ndërkombëtare pas fundit të Luftës së Ftohtë.

Analiza e ngjarjeve dhe rrjedhave të procesit të ndërtimit të shtetit në Kosovë e sistemuar në bazë të një metodologjie shkencore është më se e nevojshme dhe e dobishme për opinionin publik dhe për diskursin akademik në Kosovë. Ky program studimi do të ishte një perspektivë alternative e rrymës qendrore që reflektohet në shpjegimin zyrtar në njërën anë, dhe në diskursin popullor e gazetaresk, në anën tjetër.

Analizat e dala nga ky studim ndihmojnë opinionin publik për të kuptuar më drejtë proceset shtetformuese nëpër të cilat po kalon Kosova, por edhe ndihmon që vendimmarrja në instancat e larta shtetërore të bëhet në dritë të zbulimeve dhe prurjeve të këtij studimi.

Lexo këtu hollësitë në lidhje me lëndën.