gselaci.wordpress.com

Legjitimiteti politik në kohën e krizës europiane

In Integrimi europian on 31 July, 2016 at 01:25

Gëzim Selaci

Botuar në: Gazeta Jeta në Kosovë më 24 qershor 2016

Periudha e zymtë që po kalon BE-ja përmes dezertimit të anëtarëve dhe gremisjes së vlerave nga shtetet brenda saj, vë në pikëpyetje vazhdimësinë e premtimit të integrimit dhe modelit të saj politikëbërës në Kosovë.

 

Misionet ndërkombëtare dhe politikanët e pasluftës në Kosovë kanë përdorë levën e projektit të integrimit në Bashkimin Europian për të legjitimuar pushtetin e tyre. Anëtarësimi në këtë bashkësi shtetesh u bë ideali kah synon shteti i ri, së paku në nivel retorike. Dështimet dhe mospuna e qeverisë si dhe papërgjegjësia e politikanëve u kompenzuan me premtime për integrim në Bashkimin Europian. Mirëpo, kur rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit europian është i pasigurtë dhe kur vetë ideja e Europës së bashkuar po kalon nëpër një krizë që po e vë në dyshim këtë ndërmarrje, çfarë do ta zëvendësojë këtë bazë të pashpresë legjitimuese dhe si do të legjitimohen politikanët e politikat e ardhshme në shoqëri, është një çështje që bart edhe rrezik për të ardhmen e shoqërisë dhe shtetit.

 

Integrimi europian si ideologji legjitimuese

 

Kur administrata e përkohshme Kombeve të Bashkuara u vendos në Kosovë (UNMIK-u), që në të vërtetë ishte qeveri jodemokratike ndërkombëtare, nuk dihej se çfarë të bëhej me vendin. Shqiptarët kërkonin statusin e shtetit. Serbët donin të qëndronin në Serbi. Për vite me radhë çështja e zgjidhjes së statusit u shty. Administrimi ndërkombëtar i Kosovës kishte vështirësi të legjitimohej në kontekst të këtyre aspiratave të kundërta të forcave politike vendëse për të marrë kompetencat e udhëheqjes së shoqërisë drejt shtetit të pavarur, në njërën anë, si dhe të vazhdimit të sovranitetit serb, nga ana tjetër. Por, që një vend të qeverisej në mënyrë jodemokratike nga një mision i Kombeve të Bashkuara, duhej të kishte një arsyetim të pranuar si për shoqërinë e qeverisur, ashtu edhe për kontekstin politik bashkëkohor ndërkombëtar.

 

Kështu, qasja më ndërhyrëse e “bashkësisë ndërkombëtare” në rajon, më në fund, siguroi një burim të legjitimitetit të misioneve mbikëqyrëse e administruese ndërkombëtare në vend. Ndonëse, shpallja e shtetit të pavarur, më në fund, u lejua, shteti i ri “sui-generis” duhej të mbikëqyrej nga të jashtmit, sepse shoqërisë së përçarë kosovare nuk i besohej ndërtimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sidoqoftë, legjitimiteti nuk do të vijë nga një përpjekje për të angazhuar apo përfshirë popullin e Kosovës si entitet konstitutiv, por nga premtimet për të çuar një shtet të ri e të varfër me plot të meta në sundimin e ligjit dhe shtetësi të të papranuar tek stacioni i fundit përmes integrimit në grupin e shteteve të Bashkimit Europian. Kështu, u krijua edhe një mision për të udhëhequr shtetin drejt kësaj utopie, kësaj radhe i Bashkimit Europian, EULEX-i. Këtë narrativ legjitimues të pushtetit të jashtëm e miratuan edhe politikanët vendës për të legjitimuar veten dhe politikat e tyre. Si rezultat u krijua një ministri, e shumë dikastere qeveritare qendrore e lokale që do ta mundësonin këtë rrugëtim të Kosovës.

(vazhdon…)

Lexo artikullin e plotë në: Gazeta Jeta në Kosovë

 

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: