gselaci.wordpress.com

Rruga e pakrye e “zgjidhjeve kombëtare”

In Politikat etnike on 21 June, 2016 at 12:35

Gëzim Selaci,

Botuar më 30 maj në Sbunker

 

Nëse historia e dekadave të fundit në Kosovë na ka mësuar diçka, ajo është se “zgjidhjet e çështjeve kombëtare” janë përdorë si vegël për arritjen dhe forcimin e pushtetit nga politikanë të vjetër e të rinj. Kjo nuk domethënë se në shoqëri nuk ka ndarje etnike a kombëtare, por se ato duhet të adresohen në mënyra që nuk lejojnë instrumentalizimin e komuniteteve për qëllime të pushtetit politik.

 

Në të kaluarën, dallimet e grupeve etnike në shoqërinë kosovare janë transformuar në konflikt ndër-etnik në një kontekst politik kur elitat politike në Serbi duhej të forconin bazën e tyre legjitimuese dhe elektorale në kohën kur regjimi i vjetër monist dukej se do të zëvendësohej me regjim të ri pluralist ku në pushtet nuk të sjell Partia, por vota popullore.

 

Natyrshëm që rezistenca shqiptare në Kosovën e pushtuar ka marrë formë të theksuar nacionaliste, si kundër-reagim ndaj politikave anti-shqiptare serbe. Në një kohë kur regjimi i vjetër po binte dhe me të edhe ideologjia zyrtare e saj, mobilizimi rezistencës shqiptare gjithnjë e më tepër pashmangshëm po merrte kahje nacionaliste. Kështu nga një rezistencë që zgjidhjen e shihte brenda kuadrit institucional jugosllav dhe ideologjisë së vëllazërim-bashkimit të kombeve, për pak vite u kalua në rezistencë me retorikë e ambicie gjithnjë e më të qarta nacionaliste shqiptare.

 

Pas luftës dhe pushtimit serb, politika ndërkombëtare në Kosovë ka mbështetur “zgjidhjet etnike” për të adresuar problemet e ndarjeve ndër-etnike. Në vend se të mbështesë krijimin e hapësirave ekonomike, tregtare, arsimore e kulturore për ndërveprim të komuniteteve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, politika ndërkombëtare ka pranuar gjendjen faktike të ndarjeve etnike, e madje i ka formalizuar ato me kushtetutë e ligje duke ngurtësuar këto ndarje së paku edhe për një kohë të gjatë.

 

Derisa politika zyrtare serbe pas-millosheviqiane nuk e ka bërë një ndarje të qartë nga nacionalizmi shovinist si opsioni mbizotërues në Serbinë e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, serbët e Kosovës, sidomos në veri të vendit, vazhdojnë të përdoren si vegël e politikanëve serbë për qëllime të forcimit të pushtetit të tyre.

 

Politika kosovare e ka pranuar rregullimin institucional që pasqyron ndarjet etnike në shoqëri. Nga ana tjetër, as shqiptarët nuk po mund të përfytyrojnë një rrugë alternative. Të tjerët që i kanë parë të metat e këtij rregullimi, nuk po mendojnë për rrugë të tjera, përpos që nacionalizmit serb t’i kundërvihen me ligjërim nacionalist shqiptar. Mendoj se në këtë mënyrë po përdoret edhe kundërshtimi opozitar i “Zajednicës” e “faljes së hektarëve Malit të Zi”.

 

Natyrisht, nacionalizmi i opozitës është më tepër retorikë se sa vizion që drejton sjelljen dhe punën e tyre. Çështja është se retorika, sado pa përmbajtje kuptimplote, nuk është pa qëllim. Nëse qëllimi është që me atë të fitojë përkrahje popullore duke përdorur sentimentet nacionaliste e instrumentalizuar ndarjet etnike, kjo është rrugë e pasigurtë. E sigurtë është vetëm se kjo çon drejt antagonizimit të komuniteteve etnike. Nëse ky është çmimi i forcimit të pushtetit politik të politikanëve e partive të caktuara, atëherë qytetarët nuk ishte dashtë të paguajnë aq lartë për këtë.

 

Historia na ka mësuar se politikat antagonizuese janë rrugë drejt dhunës. Retorika nacionaliste e një komuniteti etnik e shtyn komunitetin tjetër që të mobilizohet për të mbrojtur identitetin e tyre që u kërcënohet ose që e perceptojnë se u kërcënohet.

 

Kur retorika nacionaliste e shqiptarëve të Kosovës si shumicë në shoqëri merr hov, kjo e tremb pakicën serbe dhe të tjerët për të ardhmen e tyre në një “Kosovë të shqiptarizuar” ose “shtet të bashkuar shqiptar”. Pastaj edhe ata kundërpërgjigjen me nacionalizëm të shtuar. Kështu formohet një rreth i mbyllur i “zgjidhjeve kombëtare”; shqiptarët për vete, e serbët për vete, ku interesat e shqetësimet e etnive të tjera nuk janë të rëndësishme. Mirëpo, problemi i nacionalizmit është se ai ngopet vetëm me kërkesa të papajtueshme irredentiste…

 

Shqiptarëve, si shumicë dhe forcë më e madhe politike, dhe serbëve, si pakicë e privilegjuar, iu bie detyra e çarjes së rrethit tonë të “zgjidhjeve kombëtare” dhe përfytyrimit të një alternative ndaj “zgjidhjeve etnike” të të jashtëmve. Natyrisht, kjo vlen nëse e duam ekzistencën e shtetit të ri. E shteti duhet ta ketë shoqërinë e tij, një komunitet qytetar që e përjeton atë si të vetin dhe jo shumicë dominuese, pakicë të privilegjuar, e të tjerë të parëndësishëm.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: