gselaci.wordpress.com

Mbi autoritetin tradicional dhe si të tejkalohet ai

In Sociologji on 5 April, 2016 at 14:42

Gëzim Selaci

Botuar në Sbunker më 29 mars 2016

 

Autoriteti përfshin marrëdhënie të pabarabartë pushteti ndërmjet njerëzve. Marrëdhënia e këtillë nuk është e natyrshme. Andaj, ajo duhet të justifikohet dhe të rimendohet në vazhdimësi. Përndryshe, krijohet krizë e autoritetit dhe zëvendësohet me forcë e dhunë. Një fushë në të cilën shfaqet kjo marrëdhënie e autoritetit është raporti ndërmjet brezit të ri dhe atij të vjetër. Ndërmjet shijeve e interesave të të rinjve dhe të moshuarve ka një tension që vështirë tejkalohet. Andaj, institucionet e shoqërisë, e sidomos universiteti duhet të luajë rolin e lehtësuesit të tejkalimit të autoritetit tradicional që të çelen rrugë të reja për brezin e ri.

 

Ta zëmë se një ditë prej ditësh një person i moshës së rritur ka dalë në mëngjes prej shtëpisë, por në vend se të shkojë në punë, siç është dashur, ai ka takuar me miqt e tij dhe me ta e ka kaluar ditën duke u zbavitur. Ta zëmë se fëmija e tij e kupton këtë dhe, për pasojë, e ndëshkon prindin për këtë, duke mos e lejuar atë të takohet me miqtë e tij gjatë tërë javës. Prindi nuk ka rrugëdalje tjetër veçse t’i bindet urdhërit të fëmijës së tij. Tingëllon absurde, apo jo? Edhe po edhe jo. Po, sepse fëmija nuk e bën këtë. Jo, sepse si fëmija, ashtu dhe prindi janë njerëz dhe të barabartë nga aspekti i të qenit njeri. Prindi, më përpara se të bëhet prind është njeri, siç është edhe fëmija. Nëse prindit ia heq përgjegjësinë që e ka për me e rritë dhe mbajtë fëmijën, ai zhveshet edhe nga autoriteti që e ushtron mbi fëmijën.

Në mënyrë analogjike, kjo mund të thuhet edhe për raportet e tjera të pabarabarta ndërmjet njerëzve dhe grupeve. Në ilustrimin e dhënë, zëvendëso, për shembull, “prindin” me “një polic”, “fëmijën” me “një qytetar” “mosshkuarjen në punë” me “shkelje të ligjit nga ana e qytetarit” dhe “ndëshkimin” me “arrest të qytetarit” dhe ke me gjetë se raportet e pushtetit mbesin, pavarësisht se kush janë aktorët.

 

Në rastin e policit dhe qytetarit, raportin e pabarabartë të pushtetit ndërmjet tyre e marrin si të mirëqenë dhe gati të natyrshëm, anipse nëse shohim më thellë, që të dytë, si qytetari, ashtu dhe polici kanë një tipar themelor të përbashkët: të qenit njeri, e së këndejmi janë të barabartë. Polici, më përpara se të bëhet polic është njeri. Nëse policit ia heq uniformën, ai mbetet veç njëri nga qytetarët. E kuptueshme, pra, që uniforma nuk është veç një komplet rrobash karakteristike, por simbolizon autorizimin që dikush (shteti) ia ka dhënë njërit nga qytetarëve të ushtrojë forcë legjitime që buron nga shteti. Uniforma, si me thënë, e vesh një qytetar të zakonshëm me pushtet të autorizuar, me autoritet. E bën polic, pra.

 

Pushteti ndërmjet forcës dhe justifikimit

 

Autoriteti nënkupton të drejtën për të ushtru pushtet, domethënë për të detyru ose komandu të tjerët e për t’u dhënë urdhëra atyre. Kësisoj, autoriteti i ka dy komponente: pushtetin dhe të drejtën. Pra mundësinë ose aftësinë për të komandu si edhe të drejtën për ta bërë atë. Mundësia për të ushtru pushtet ka të bëjë me aftësitë, mjetet, mekanizmat e instrumentet që mundësojnë ushtrimin e pushtetit, ndërkaq, e drejta për ta zbatuar këtë mundësi mund të ketë aq burime sa ka raporte të pushtetit. Në ilustrimet e mësipërme, e drejta e prindit për të komanduar fëmijën e tij ka një burim tjetër nga e drejta e policit për të komanduar qytetarin.

 

Kjo domethënë se pushteti lyp të justifikohet, përndryshe pushteti që ushtrohet vetëm pse një aktor mundet ta ushtrojë atë, është thjesht forcë për të ushtruar pushtet. Një filozof, këtë e ka thënë me këto fjalë: “Edhe më i forti nuk është aq i fortë sa të jetë përherë zot, po nuk e shndërroi forcën e tij në të drejtë dhe bindjen ndaj tij në obligim.” Për ta ilustruar, prindërit, pra brezi i vjetër don me e rujtë pushtetin e tij, por nëse nuk arrinë me e justifiku atë (dmth me e shndërru në të drejtë dhe obligim me u pranu prej të rinjve), pushtetin e ushtron në mënyrë autoritare, pra me zor e dhunë. Në raste të këtilla flasim për krizë të autoritetit që manifestohet për shembull te marrëdhëniet konfliktuale ndërmjet brezave.

 

Mirëpo, veç kësaj, autoriteti gjithmonë është i kufizuar. I kufizuar në kuptim të fushave ose çështjeve në të cilat ushtrohet ai. Nuk ka autoritet për të gjitha fushat ose çështjet, por për një ose disa sosh. Kur pushteti ushtrohet ose pretendon të shtrihet edhe në fushat në të cilat nuk ka aftësi ose të drejtë, atëherë ai nuk mund të legjitimohet. Kriza e autoritetit thellohet në raste kur brezi i vjetër don ta shtrijë autoritetin në ma shumë fusha duke pretenduar pushtet totalitar.

 

Për të përmbledhur, marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit nuk janë të natyrshme ose normale. Pra kur një individ a grup ushtron pushtet ndaj individëve ose grupeve të tjera, kjo është e panatyrshme. Prandaj kur njerëzit e pranojnë këtë marrëdhënie të pabarabartë e të panatyrshme, këtë e bëjnë veç me një arsye të fortë dhe duke e kufizuar në fusha të caktuara. Ndryshe pushteti është veç një formë e dhunës së kulluar.

 

Tradicionalizmi ndërmjet dogmës dhe kritikës

 

Brezi më i moshuar ushtron pushtet në raport me brezin më të ri e kjo është e pranishme në shumë raporte shoqërore, për shembull, prindërit në raport me fëmijët, arsimtarët në raport me nxënësit e studentët, elitat politike e kulturore në raport me juniorët në politikë, kulturë, shkencë e art, e kështu me radhë. Analiza e dinamikës dhe tensioneve ndërmjet këtyre marrëdhënieve të pabarabarta na ndihmon të kuptojmë shumë transformime strukturore dhe kulturore në shoqëri.

 

Pushteti që brezat më të moshuar e ushtrojnë në raport me të rinjtë nuk është një marrëdhënie që tenton të jetë e qëndrueshme, ngase konflikti ndërmjet kërkesave, shijeve e interesave të të moshuarve dhe atyre të rinjve është një forcë drejt destabilizimit dhe ndryshimit të këtij raporti josimetrik të pushtetit. Prandaj, që të mirëmbahet ky raport i dominimit të më të moshuarve ndaj më të rinjve, në vazhdimësi lyp që jo vetëm të riprodhohen bazat e justifkueshmërisë së këtij raporti, por edhe të rimendohen e ndryshohen ato. Pra, raportet e pushtetit ndërmjet të rinjve dhe më të moshuarve duhet të rishikohen në vazhdimësi.

 

Nëse njohim dhe vlerësojmë nevojën për tradicionalizëm (se kështu trashëgohen të arriturat njerëzore – dija, kultura, vlerat – nga një brez në tjetrin), nuk kemi se si të jemi kundër tradicionalizmit. Në kohën kur rebelimi ndaj autoritetit të të moshuarve është bërë modë në mesin e “bulevardierëve” të shoqërisë, e di se ma joshëse tingëllon me u pozicionu kundër traditës e tradicionalizmit. Mirëpo, nëse dojna me qenë real, tradita është forcë që na formëson ne si shoqëri (pra si entitet mbi-individual): pritshmëritë sociale, presioni social, çfarë presin prindërit që të bëhen fëmijët e tyre, si na formësojnë shkollat, etj., shumë prej këtyne kanë të bëjnë me traditën. Kjo është edhe në funksion të kohezionit shoqëror, ngase kështu e zhvillojnë njerëzit ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit, lidhjen me familjen, komunitetin, atdheun, shtetin, vlerat, kulturën, etj.

 

Siç është e ditur, tradita është e nevojshme nga njëra anë. Mirëpo, nga ana tjetër, pranimi gati absolut i autoritetit të traditës bëhet pengesë për progres në shumë drejtime, pasi që të rinjtë mbesin në “shejtnin e plakut” në famije, në shkolla e universitete, në vend të punës dhe nuk imagjinojnë dot perspektiva të reja. Pra, udha e moderuar është jo një tradicionalizëm dogmatik që pa kushte pranon autoritetin e brezave më të vjetër, por për një tradicionalizëm kritik që njeh mirë arritjet e vlefshme të brezave të shkuar, vlerëson ato me një qasje kritike, dhe tejkalon ato duke ndërtuar të renë mbi këtë përpunim të traditës.

 

Narracionet ndërmjet bindjes së verbër dhe emancipimit

 

Një shoqërie i duhen përshkrime e shpjegime përmes së cilave i jep kuptim jetës, historisë e aspiratave të kolektivit. Me një fjalë, i duhet një narrativ që të mbajë njëjësinë në shumëllojshmërinë e saj. Këto narrativa nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, pasi që shoqëritë ndryshojnë në varësi prej rrethanave. Edhe shoqëria jonë, përgjatë dekadave, e sidomos viteve të fundit, ka kaluar nëpër transformime të shumta e të shpejta. Kjo njerëzit i ka lënë në konfuzion.

 

Për të hequr dyshimet dhe shëruar frikën që vijnë me ndryshime, ka njerëz që u janë kthyer besimeve, vlerave e modeleve të vjetra të të menduarit. Mirëpo, narrativat nga e kaluara që ishin zhvilluar në kontekste të tjera politike e kulturore nuk janë të përshtatshme për nevojat e brezit të ri në të sotmen. Ne nuk kemi arritur t’i rimendojmë e t’i zëvendësojmë ato me një narrativ të ri të përshtatshëm për kushtet e sotme që do të pranohej gjerësisht edhe nga brezat e rinj dhe do të legjitimonte shoqërinë e re.

 

Pra kemi delegjitimim të narrativave të vjetër dhe boshllëku që po mbetet nuk po plotësohet nga një narrativ i ri. Brezat e rinj nuk po gjejnë kuptim tek të vjetrat dhe në mungesë të të rejave po mbesin të hutuar në gjendje anomie. Për pasojë, shfaqen ideologji që po sfidojnë normat tradicionale mbizotëruese në shoqëri, siç janë patriarkalizmi, nacionalizmi, familja e gjerë, kolektivizmi, por dhe ato të rejat që e kanë karakterizuar periudhën prej pas luftës, si demokracia, liberalizmi, pro-europianizmi, kapitalizmi, familja bërthamë, individualizmi, mobiliteti shoqëror, etj. Mirëpo, këto ideologji alternative janë partikulare mbi të cilat zor se mund të ngritet një narrativ që integron anëtarët e shoqërisë në një entitet shoqëror më gjithpërfshirës që duke pranuar dallimet, thekson të përbashkëtat mbarëshoqërore.

 

Rëndësia e narrativave, përveç tjerash, është se anëtarëve të kolektivit ua plotëson nevojën e përkatësisë dhe pranimit. Mungesa e një narrativi integrues e përçan shoqërinë, pasi që segmente të ndryshme të të rinjve nevojën për t’i përkitur një grupi identitar e plotësojnë në grupe e organizime segmentare. Kur kemi parasysh edhe gjendjen e pashpresë të rinisë, shkollimin e papërshtatshëm, papunësinë e varfërinë, atëherë të rinjtë e të rejat lehtë joshen nga predikues e ideologë sekularë e fetarë që ofrojnë përgjigje të gatshme për gjithçka si dhe premtime për utopi e shpëtim. Dhe këto dy oferta shkëmbehen me bindjen e verbër tek autoriteti i këtyre predikuesve e ideologëve dhe kërkesat e tyre. Kështu, fitojmë jo vetëm identitete përçarëse, por edhe ideologji robëruese.

 

Universiteti ndërmjet indoktrinimit dhe mendimit kritik

 

Besoj se secili brez ka nevojë t’i rimendojë narrativat e brezave të kaluar dhe t’i ndërtojë të tijat, duke zhvilluar shpjegime e interpretime për përvojat e tij dhe historinë e brezave paraardhës, për vlerat, për ngjarjet, për heronjtë, për luftërat, për marrëdhëniet shoqërore, e kështu me radhë. Kjo ndërmarrje kolektive pasohet nga përfytyrimi i vizionit për të ardhmen e brezit.

 

Natyrshëm që ka me pasë konflikt dhe nuk ka me qenë i lehtë ndërtimi i narrativave dhe vlerave të reja, pasi këto të rejat bien ndesh me ato të brezit më të vjetër dhe ky ka me i ndalu e pengu ato sa të mundet. Por, për të tejkalu këtë vështirësi, rol kyç luan sistemi arsimor, e sidomos niveli universitar, i cili duhet të organizohet e të funksionojë në atë mënyrë që kandari i tij të rëndojë përherë për një shkallë në krah të imagjinatës së brezit të ri që ta fuqizojë atë.

 

Prej universitetit pritet që të jetë jo vetëm në shërbim të pranimit dhe ripërsëritjes së dijes nga e kaluara, por edhe të mësojë të rinjtë të mendojnë vetë dhe të krijojnë vetë dije të reja. Mësimi i arritjeve intelekuale të të parëve pa i rimenduar ato është indoktrinim. Universiteti jonë studentëve u jep “të vërtetat” e nuk u hapë udhë për të gjetur ata vetë “të vërtetat” e veta. Mirëpo, në vend se të indoktrinohen, brezat e rinj duhet të edukohen, e kjo në radhë të parë nënkupton të rimendohet dija tradicionale e pranuar dhe të shkohet përtej saj. Kjo do të thotë – parasëgjithash – me i mësu të rinjtë se çfarëdo që thojnë profesorat, qëndrimi a priori i studentëve duhet të jetë dyshues, pra të dyshohet në dijen që merret. Por, ky është një proces dhe nuk mbaron këtu.

 

Dyshimi është veç hapi i parë që i lejon studentët që dijen e nxënë t’ia nënshtrojnë vlerësimit kritik dhe gjykimit të mendimit të tyre e të arrijnë vetë te konkluzionet, pra te dija e rimenduar. Kjo domethënë se studentët duhet me i inkuraju me mendu vetë, me e shpërbly këtë, mos me e kufizu horizontin e të menduarit dhe me i mësu jo çka e qysh me mendu, por me mendu vetë dhe për vete. Me fjalë të tjera me ua mësu mendimin kritik. Sepse, mendimi i mirëfilltë është mendim kritik, doemos!

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: