gselaci.wordpress.com

Për një kontratë të re politike!

In Politikë on 8 March, 2016 at 18:15

Gëzim Selaci

Vendit i duhet një kontratë e re politike mbi të cilën kishte me u ngritë një marrëdhënie e re legjitime ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve. Ajo opozitë që arrin me i bind qytetarët se ka vullnet e forcë me e ndërtu një marrëdhënie të këtillë, ka një kauzë me të cilën arsyeton opozitarizmin e saj dhe mund të shpresojë në përkrahjen popullore.

Kur tensionet ndërmjet qeverisë dhe opozitës ngriten në këtë shkallë, retorika politike i përdor më së tepërmi togfjalëshat “në të mirë të qytetarit”, “në emër të popullit” dhe “në interes të republikës” për të arsyetuar qëndrimet e tyre politike dhe me synimin që konfliktin politik ta paraqesin si betejë ndërmjet“të keqes”, e “të mirës”, “të patriotëve” e “tradhëtarëve”, të bardhës e të zezës, engjëjve e djajve. Mirëpo, kur politikanët polarizohen deri në këtë shkallë që po e shohim tani, atëherë shqetësimi për qytetarin e republikën lihet nën hijen e shqetësimit për mbijetesën e liderëve partiakë ose namin e partisë.

Mirëpo, ideali i republikës së Kosovës nuk po realizohet pikërisht për shkak të “kapjes së shtetit” në radhë të parë, siç e ka quajtur me të drejtë opozita gjendjen e shtetit në të cilën partitë politike, liderët e tyre dhe politikanët kanë shtënë në dorë institucionet dhe agjencitë e pavarura të shtetit.

Tutje, ideali i Republikës shkon poshtë kur gjyqësori e policia prioritet faktik e kanë ndjekjen e opozitës në shtetin më të kriminalizuar; kur retorika e tëgjitha qeverive ka qenë “integrimi euro-atlantik” i shoqërisë më të varfër e më të paarsimuar me ndarje të thella etnike e sociale; kur liderët e partive dhe politikanët më të pushtetshëm dyshohen për krim e korrupsion, e “bashkësia ndërkombëtare” mbështet këta politikanë ose hesht ndaj krejt këtyre, ndërkohë që ajo jorradhëherë cakton agjendën politike në vend. Dhe, ironikisht, në mes të kësaj gjendjeje, zori ma i madh i opozitës është anulimi i marrëveshjeve me shtetet fqinje!

Nuk do fort mend për të kuptuar se ka mjaft çështje në interes urgjent të publikut e të shtetit që opozita mund t’i mbrojë dhe avancojë. Kështu, një kauzë e atillë e opozitës do të mund të legjitimonte forma të caktuara radikale të veprimit politik e do të përkrahej edhe më tepër nga një numër më i madh i qytetarëve, ndonëse asesi nuk do me thënë se kjo është rrugë më e lehtë a më e shkurtër.

Për fat të keq, duket se partitë opozitare AAK e Nisma, kështu si janë, nuk kanë gjasë të avancojnë kauza të këtilla. Edhe Vetëvendosja në diskursin e retorikën e saj politike këto tema i qet në rend të dytë dhe preokupohet me thirrje e sllogane nacionaliste. Për ma keq, duke u lidhur me politikanë e parti të cilat kanë qenë në shënjestër të kritikave të saja, ajo po rrezikon ta humbë kredibilitetin që e ka. Kjo, fundja, elektoratin e saj aktual e potencial mund ta befasojë, pasi që prej një partie që prezantohet si social-demokrate e që pretendon të përçojë zërin e të diskriminuarve e të angazhohet për barazi, nuk pritet ta pezullojë kundërshtimin dhe demaskimin e politikanëve që kanë marrë drejtim të kundërt.

Në periudhën para pavarësisë politikanët kanë legjitimuar marrëdhëniet me qytetarët në bazë të meritave të tyre nga e kaluara dhe premtimeve për të pavarësuar vendin dhe kanë bërë aq sa kanë bërë për shtetin dhe qytetarët e saj. Mirëpo, potenciali i strukturve të vjetra të partive dhe orientimeve të tyre ka shterë. Atyre iu ka kaluar koha. Premtimet dhe poritshmëritë nga shteti nuk janë realizuar, andaj në vazhdimësi besimi tek shteti po bie e pakënaqësitë me të po rriten. Nëse vazhdon kështu, shoqëria mund të mbarojë në një gjendje të pashpresë e të prodhojë të papritura të shumta të dëmshme.

Mirëpo, pakënaqësitë qytetare duhet të transformohen në forca për një lëvizje shoqërore që bashkon e jo që ndan qytetarët në baza rajonale, etnike, a çfarëdo lloji tjetër. Vendit i duhet një kontratë e re politike ndërmjet qytetarëve dhe politikanëve si bazë për legjitimimin e marrëdhënies ndërmjet tyre. Kontratë që iu adresohet brengave e interesave ma të ngutshme të qytetarëve: që premton dinjitet në jetë e punë, obligon zhvillimin ekonomik e shpëndarje më të barabartë të të mirave, përmirësimin e arsimit e shëndetësisë. Kontratë që sanksionon barazinë e të gjithëve para ligjit e që garanton trajtim të drejtë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht, që votuesve ua mundëson të marrin në llogari politikanët e votuar. Një kontratë demokratike që vë bazat për një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë ndërmjet popullit e udhëheqësve politikë, të pandërmjetësuar nga forca jodemokratike që aspak nuk kontrollohen nga qytetarët, si militantë, kapitalistë e ambasadorë.

Cila nga partitë ekzistuese politike, në qeveri a në opozitë, e ka ofruar këtë kontratë ose së paku ka dhënë shenja të qarta e të sinqerta të gatishmërisë për të ndërtuar marrëdhënie të këtillë me qytetarët? – është pyetje vlefshme që me padurim lyp përgjigje, por tash për tash mbetet veç pyetje retorike. Fatkeqësisht!

Botuar në Sbunker.net më 29 shkurt 2016

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: