gselaci.wordpress.com

Shehërli e katun’arë – një analizë e çarjes shoqërore

In Sociologji on 11 February, 2016 at 23:32

Gëzim Selaci

Si në çdo vend, edhe te ne ka dallime ndërmjet pjesëve të ndryshme përbërëse të shoqërisë. Këto segmente shoqërore formojnë kategori duke u bazuar në karakteristika të përbashkëta dhe duke u dalluar nga segmentet e tjera që i shohin si të ndryshëm. Disa prej këtyre dallimeve përbëjnë çarje më të thella shoqërore, që domethënë se grupe e komunitete jetojnë në tension mes vete ose në konflikte të fjetura që shfaqen herëpasherë. Konfliktet në shoqëri nodhin sa herë që grupe e kategori të ndryshme shoqërore garojnë për lloje të ndryshme të kapitalit, qoftë ai ekonomik, politik, a kulturor dhe legjitimim të kontrollit të këtyre llojeve të kapitalit.

Një çarje e këtillë shoqërore është edhe ajo ndërmjet “shehërlive” ose “qytetarëve” dhe “katundarëve”. Kjo çarje, ku më shumë e ku më pak, është e dukshme dhe besoj se kjo dukuri është e njohur. Më poshtë do të ofroj një shpjegim të arsyeve dhe zanafillës së kësaj çarjeje duke diskutuar rrethanat e mundshme që kanë ndikur në të sidomos në periudhat më të vonshme të historisë. Por, së pari këqyrim se si shfaqet ajo në të sotmen.

Çarjet qytetarë e katundarë

Sot, këtë ndarje e bëjnë pjesëtarët e kategorive me qëllim të ruajtjes së aksesit të privilegjuar në llojet e sipërpërmendura të kapitalit. Rëndom këtë e bëjnë ata që veten e përfytyrojnë se i përkasin shtresës së supozuar qytetare. Mirëpo, në kohën tonë kur kemi kaluar një shekull plot tranzicione politike e transformime shoqërore, tiparet thelbësore të “qytetarit” zor se janë të dallueshme dhe vështirë se mund të flitet për “qytetarin” në njëjës si një emër përmbledhës i të gjithë qytetarëve. Prandaj, për ta ndërtuar “bashkësinë e tyre të përfytyruar” (B. Anderson), “qytetarët” definojnë “katundarin” si “tjetrin” e tyre. Duke ndërtuar identitetin e tyre në mënyrë negative (si të ndryshëm nga “tjetri” “katundar”), “qytetari” kompenzon mungesën e themeleve të qëndrueshme të identitetit qytetar.

Kjo çarje manifestohet në hapësira e çështje të ndryshme të jetës shoqërore, si për shembull në dallimet e mënyrës së të jetuarit e të shijes, si në rastet kur profesione të caktuara, kalimi i caktuar i kohës së lirë, konsumi i caktuar material a kulturor rezervohen për “katundarë” dhe të tjera për “qytetarë”. Kjo në të vërtetë është përpjekje e “qytetarëve” që ta ruajnë dominimin e tyre mbi shijen legjitime (P. Bourdieu).

Por, çarja merr trajta më serioze, si për shembull në konkurrencën e këtyre kategorive për legjitimitet politik, kulturor, etj. Kjo mund të vërehet, për shembull, edhe pas luftës në Kosovë ku konkurrojnë dy tradita ose forca, njëra me sfond katundar e tjetra qytetar, për të monopolizuar rezistencën kundër shtypjes serbe në vend. Derisa forca qytetare ka tendencë që meritat e rezistencës t’ia atribuojë organizimin e rezistencës intelektualëve urbanë, tjetra atë ia atribuon luftës të udhëhequr e të kryer kryesisht nga njerëz me sfond rural. E para ka ndërtuar mitin e rezistencës paqësore të udhëhequr nga LDK-ja në krye me heroin Ibrahim Rugova dhe udhëheqës të tjerë nga qytetet (kryesisht Prishtina), ndërsa e dyta ka ndërtuar mitin e luftës heroike të UÇK-së në krye me heroin Ademi Jashari e heronj të tjerë nga fshatërat. Kjo garë është kryer në terrenin e dominimit mbi simbolet e luftës dhe rezistencës kundër Serbisë pushtuese. Prandaj, dallimet në orientime politike të pasluftës kanë edhe këtë dimension të ndarjes katundarë e qytetarë (O. J. Schmitt).

Shehri dhe katundi në të kaluarën

T’ia lëshojmë sytë pak të kaluarës për të parë dallimet ndërmjet qytetit dhe fshatit në shoqëritë tona dhe se si këto ato përbënin edhe dallime në përqëndrimin e llojeve të kapitalit dhe raportin e forcave, në mëyrën e jetesës, etj. Ky vështrim i shkurtër do të kufizohet në të kaluarën e vonshme për aq sa mund t’i referohemi asaj të kaluare përmes kujtesës kolektive.

Mund të argumentohet se ekonomia e qyteteve nuk ka dalluar fort nga ekonomia e fshatrave, përderisa veprimtaria kryesore ekonomike ka qenë bujqësia (B. Pula). Sidoqoftë, së paku në aspektin kulturor e demografik, qyteti ka dalluar dukshëm nga fshati. Dhe këtu e kam fjalën për qytetet me një traditë të jetesës së përzier me shumëllojshmëri etnike, fetare, e gjuhësore të banorëve, me administratën, institucionet arsimore e fetare, si dhe institucionet e tjera tjera socializuese, si kafenetë, hamamet, pastaj llojet e dallueshme të shtëpive, rrugëve, lagjeve, etj., pa përmendur këtu edhe institucione e veprimtari ekonomike karakteristike për qytetin, si tregu, zejet, mullinjtë, e të ngjashme.

Nuk mund të mos vërehet se këto karakteristika zhvilluan një model proto-urban të këtyre vendbanimeve që quheshin shehër ose kasaba. Në to ka lindur nevoja dhe është mundësuar zhvillimi i një kulture e etosi të dallueshëm të banorëve për të ndërvepruar e rregulluar/organizuar marrëdhëniet dhe rendin në këto vendbanime jo vetëm më të mëdha e më të dendura demografikisht, por më diverse e më komplekse. Këto kanë qenë qendra administrative, tregtare, e kulturore ku përqëndrohej kapitali politik, social, kulturor e simbolik (D. Harvey) që ushtronin kontroll politik dhe ndikim kulturor në rrethet e tyre, pra fshatrat përreth.

Fshatërat, ndërkaq, ishin vendbanime më homogjene për nga përbërja e popullsisë, mungonin institucionet politike e kulturore dhe ekonomia ishte familjare në të cilën veprimtaria e vetme ekonomike ishte bujqësia. Organizimi i jetës në familje e fise që bazoheshin në kodin e nderit e të ngjashme, përbënte një alternativë të dominimit kulturor, e ndonjëherë edhe sfidë të kontrollit politik të elitave në qytete.

Qyteti dhe fshati nuk kishin të bënin vetëm me dallime ekonomike, sociale e kulturore, por përbënin një sistem shtresëzues, ku fshatarët dominoheshin politikisht dhe kulturalisht nga elitat e qyteteve.

Fillet e ndarjes shehërli e katundarë

Ndarjet “qytetarë e katundarë” në shoqërinë tonë mund ta ketë zanafillën, së paku, qysh prej rënies së sistemit agrar osman dhe reformave agrare në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene të vitit 1919 si dhe politikave të tjera gjatë Jugosllavisë së parë, por edhe në dy dekadat e para të Jugosllavisë socialiste. Këto reforma, më tepër kanë synuar zhbërjen e elitave shqiptare e myslimane, dëbimin e popullatës jo-serbe dhe kolonizimin e Kosovës, Maqedonisë, e Bosnjes me serbë, se sa që ka qenë një strategji për vendosjen e drejtësisë sociale.

Me reformat agrare bujaria qytetare e Kosovës humb privilegjet e saja përkitazi me pronësinë mbi tokat e patundshmëritë, pra çifligjet e tyre të cilat u jepen në pronë kolonëve. Kështu, bejlerët të cilët deri atëherë i zotëronin këto toka, humbasin privilegjet e tyre, pra pronësinë mbi këto toka, dhe me këtë pothuajse rrënohet një forcë ekonomike e politike e shoqërisë. Megjithkëtë, duket se ish-bujaria qytetare vazhdojnë ta ruajnë njëfarë statusi më të lartë në zona urbane, tashmë jo si posedues të tokave bujqësore, por në saje të prestigjit/namit që ua njihte sistemi vleror i kohës (M. Weber). Siç dihet, një numër i madh i këtyre familjeve shpërngulen nga Kosova, ndërsa gradualisht, një numër i famijeve nga fshati zhvendosen nëpër qytete.

Mirëpo, me transformimet shoqërore që ndodhin në sistemin e mëvonshëm politik dhe ekonomik në Jugosllavinë e dytë, fshatarët nisin që ngadalë të përmirësojnë jo vetëm gjendjen ekonomike në fshatra, por edhe statusin e tyre edhe në qytete. Një pjesë, sado e kufizuar, e tokës u ishte shpërndarë fshatarëve dhe një pjesë tjetër që ishte pronë kolektive e koperativave bujqësore punohej nga fshatarët. Një kohë pas përfundimit të luftës së dytë botërore, gjatë sistemit komunist kur u zhvillua një proces më gjithpërfshirës modernizues e emancipues, popullsia nga fshatërat patën shanse të paprecedanë për t’u arsimuar dhe për të ndjekur karrierë në poste që më parë ishin të “rezervuara” për popullsinë qytetare. Pra, edhe ata donin hisen e tyre dhe privilegjet që ofronin qytetet. Përhapja e arsimit dhe hyrja e fshatarëve në profesione të reja industriale e tregtare që u zhvilluan gjatë sistemit komunist jugosllav, këtë popullatë e bëri më mobile dhe fshatarët u zhvendosën nëpër qytete për të banuar duke e diversifikuar edhe më përbërjen e popullsisë në qytete.

Në këtë kontekst, banorët tradicionalë të qyteteve, të ashtuquajturit “qytetarë”, ndihen se privilegjet e tyre po u kërcënohen nga “katundarët” të cilët nuk ishin më vetëm punëtorë bujqësorë, zakonisht më të varfër dhe me status të ulët social që në qytet zbritnin vetëm për nevoja tregtare, por njerëz të shkolluar e me karrierë që kishin zënë poste në fabrikat, administratën, shkollat dhe organizatat e institucionet e kohës që ishin të përqëndruara në qytete. Kështu, sidomos në atë kohë kur gara për arsimim, karrierë e poste po bëhej më e ashpër, nis ose intensifikohet konflikti ndërmjet “qytetarëve” dhe “katundarëve” ku secila nga këto kategori të përfytyruara formojnë stereotipe për “tjetrin” e tyre dhe stigmatizojnë ata.

Për shembull, meqenëse në qytetet më të vjetra të vendit banorët flisnin ose e njihnin turqishten në familje dhe ndërmjet veti, si gjuhë të dytë, si një mbetje nga periudha perandorake, “kredencialet” kombëtariste të qytetarëve viheshin në dyshim nga fshatarët të cilët identifikoheshin si “tamon shqiptarë” në saje të elementeve “të pastra” kombëtare të traditës dhe etosit fshatar, si tiparet e personalitetit, veshja (plisi, tirqit…), gjuha, etj. Pikërisht në këto elemente të traditës dhe idilikës së fshatit (“ku i fryen bariu xhuarsë”), nacionalizmi gjen kulturën e supozuar autentike të popullit. Kombi deri atëherë ishte sunduar nga një elitë me kulturë të huaj dhe tani ajo kulturë duhej të zëvendësohej me një kulturë “autentike” të popullit që përfaqësohej më së miri në etosin fshatar (E. Gellner).

Qytetari dhe katun’ari sot

Në të kaluarën ka mundur të ketë qenë më lehtë të bëhet dallimi ndërmjet “katundarit” dhe “qytetarit” në bazë të stereotipeve, si vendbanimi (fshat a qytet), profesioni, kultura, shija estetike që ka kultivuar, e të tjera.

Mirëpo, kohëve të fundit është vështirë të bëhet ky dallim sipas këtyre stereotipeve. Çfarë është një banor i qytetit që mban lopë në ahur brenda oborrit të shtëpisë së tij në qytet, në shpi pi çaj të zi “rusi” nën foton e një këngëtareje në kalendar të varur në mur, teksa shikon vetë i shtati në familje serial turk në televizion, ndërsa del në kambë në kafe dhe pi lëng pjeshke? Në anën tjetër, çfarë është një banor i fshatit që nuk ka lopë, as e punon tokën, në shpi pi çaj jeshil nën një pikturë të një artisti, teksa shikon vetë i treti muzikë të lehtë qytetare në televizion, ndëra del me veturë në kafe dhe pi venë? Prandaj, edhe dallimi (P. Bourdieu) është vështirë të bëhet derisa transformimet e mënyrës së jetesës dhe shijes po ndodhin me shpejtësi.

Fundja, kush n’in për këto ndarje në një kohë kur gara për resurse dhe llojet e kapitalit po zhvillohen më tepër ndërmjet rajoneve dhe partive, se sa ndërmjet qytetit e fshatit?!

(Botuar në Sbunker.net më 9 shkurt 2016)

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: