gselaci.wordpress.com

Politika është lojë

In Politikë, Uncategorized on 16 December, 2015 at 20:37

Gëzim Selaci

Në demokraci, partitë mund të kenë shumë qëndrime politike për një çështje. Mirëpo, qëndrimi i tyre përkitazi me pranimin e institucioneve politike të shtetit është një: ato pranohen si hapësira kryesore ku bëhet politika demokratike, me qëllim të avancimit të qëndrimeve të tyre, por edhe me qëllim që të transformohen ato institucione. Në këtë artikull argumentoj se ka dallim ndërmjet qëndrimit politik dhe qëndrimit ndaj institucioneve politike, pra hapësirave dhe rregullave të bërjes së politikës. Opozita e tanishme kosovare nuk po e bën këtë dallim.

Tash e tre muaj, në Kosovë, partitë opozitare kanë formuar një bllok kundër “Marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe marrëveshjes për demarkacion të kufirit me një shtet fqinj. Për të kundërshtuar këto, blloku opozitar ka zgjedhur taktikën e pengimit të përgjithshëm të punëve të zakonshme të Kuvendit republikan me mjete të dhunshme.

Në këtë artikull nuk merrem me përmbajtjen e temave bosht të mospajtimit ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Aryeja është se, së pari, mendoj se kauza e opozitës nuk e justifikon bllokimin e institucioneve politike të shtetit. Së dyti, nuk janë shteruar të githa mundësitë politike, institucionale e jashtinstitucionale, për të shprehur e organizuar kundërshtimet ndaj marrëveshjeve ose aspekteve të tyre.

Dua të tërheq vëmendjen se ajo kundër të cilës argumentoj këtu është që partitë politike bllokojnë institucionet e shtetit, sidomos Kuvendit dhe për arsyet që i po i japin ato. Ndërkaq, tjetër gjë kishte me qenë nëse partitë kishin me dhënë arsye të tjera për të bojkotuar, e ndoshta edhe bllokuar institucionet. Po ashtu, tjetër gjë kishte me qenë nëse bllokimi a mosbindja kishte me buru e me u kry nga ana e qytetarëve të organizuar në forma të ndryshme të aktivizmit kolektiv jashtinstitucional, madje për të njëjtat çështje që po i ngrit opozita. Por, kjo është një temë tjetër për një diskutim tjetër…

Fusha dhe rregullat e lojës politike

Në mënyrë që partitë, si një formë specifike dhe kryesore e aktorëve politikë, të mund të bëjnë politikë, nevojitet një infrastrukturë politike, pra hapësira dhe procedura. Këto mundësojnë që gara politike të kufizohet e mbahet në formë paqësore dhe që ajo të mos kalojë në dhunë e luftë. Pra, politika është një farë loje që ka fushën dhe rregullt e saj. Vetëm duke i respektuar ato mundësohet politika.

Të mohosh fushën dhe rregullat ku kryhet loja politike dhe të pohosh se kjo është veprimtari politike është kundërthënëse. Sidoqoftë, ky imperativ nuk e përjashton përpjeken legjitime dhe të lavdëruar të partive që këto institucione dhe procedura të rimendohen e transformohen në vazhdimësi që të garantojnë më tepër përgjegjësi, llogaridhënie e demokraci.

Mendoj se për jetën politike të një shoqërie është e dëmshme që të pretendohet konsensus për çdo ose shumë çështje. Është plotësisht legjitime, madje e dëshirueshme që të ketë qëndrime politike alternative dhe që ato të jenë në konflikt me njëra-tjetrën. Kjo garanton që qëndrimet e interesat e ndryshme të segmenteve të ndryshme të shoqërisë do të përfaqësohen në jetën dhe institucionet politike të shtetit.

Megjithkëtë, janë vetëm dy gjëra për të cilat konsensusi është i domosdoshëm. Njëra është për parimet dhe vlerat themelore të cilat shteti duhet t’i avancojë (si liria, barazia, drejtësia), ndërsa tjetra për vendet ku interpretimet dhe propozimet e politikave për realizimin e këtyre parimeve ballafaqohen si dhe procedurat për marrjen e vendimeve që dalin nga ky proces. Në regjimet demokratike, ideali i këtyre vendese ose forumeve është i konkretizuar tek organet ligjvënëse, si parlamentet. Aty debatohet publikisht, argumentet shtjellohen e ballafaqohen dhe vendimet merren në bazë të forcës së numrit të votave të deputetëve gjithnjë duke respektuar parimet kushtetuese.

Mund të diskutohet nëse demokracia parlamentare është sistemi më i mirë i cili garanton që të merren vendimet më të mira në interes të publikut. Mirëpo, e kemi këtë sistem politik dhe e pranojmë si më të mirin që e njohim ose si më pak të keqin që na ofron një bazë procedurale përmes së cilës merren vendime, pavarësisht mospajtimieve në qëndrime.

Unë respektoj qëndrimet politike edhe kur nuk përkojnë me të mijat. Mirëpo, si qytetar i interesuar për demokraci, nuk mund të respektoj qëndrimin që me lehtësi arsyeton bllokimin e organit vendimmarës që më së paku mund të qortohet për mungesë të demokracisë, pra Kuvendin. Gjithsesi, më demokratik se institucionet e tjera, përderisa deputetët aty zënë vendet e tyre në saje të votës qytetare. Duke e pasë parasysh këtë, bllokimi i Kuvendit zor se mund të justifikohet. Natyrisht kjo vlen nëse klasa politike është për demokraci dhe don që këtë pak demokraci që e kemi ta zhvillojë e ta shtrijë. Andaj, nuk mund të quhet qëndrim politik pengimi i tërë punës së Kuvendit për të bllokuar procese caktuara.

Qëndrim politik mund të ketë ndaj çështjeve të caktuara, por jo kundër hapësirave ku shprehen e negociohen ato, e as procedurave për marrjen e vendimeve. Kur e them këtë, jam i vetëdishëm se ka probleme që lidhen me këto hapësira dhe procedura politike.

Mirëpo, duhet të besojmë se ka mënyra se si këto mund të korrigjohen duke e forcuar parlamentarizmin, e jo duke e cënuar vetë institucionin e parlamentit. Është detyrë e partive politike, si atyre në pushtet ashtu dhe në opozitë, të transformojnë institucionet në mënyrë që ato të funksionojnë në interes të publikut e të jenë më përgjegjëse ndaj qytetarëve, e jo t’i bllokojnë ato. Me këtë detyrë i ngarkon vota qytetare.

Politika si strategji

Për ta gjykuar vlefshmërinë e veprimeve të partive opozitare, t’ia nënshtrojmë ato testit vijues: nëse në të ardhmen këto parti kishin me qenë në qeveri, a kishin me e pranu ato bllokimin e Kuvendit nga ana e kundërshtarëve të tyre opozitarë? Nëse përgjigja është “po”, atëherë opozita e sotme kur të vijë në pushtet, krahapur pranon dështimin e saj, pasi që partitë kundërshtare me lehtësi do të mund të gjenin “arsye” për të justifikuar bllokimin e Kuvendit, pavarësisht qëndrimit të qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit. Kjo kishte me e pamundësu funksionalitetin e secilës qeveri. Nëse përgjigja ndaj pyetjes së testit është “jo”, atëherë qëndrimi i opozitës është joparimor, pra oportunist dhe egocentrik.

Ta lëmë anash oportunizmin e partive opozitare dhe shpekulimet për arsyet e këtij oportunizmi, dhe të përqëndrohemi tek pasojat e mundshme të qasjes së tyre. Veprimet bllokuese të partive opozitare janë të dëmshme dhe shkatërruese të kësaj tradite të re institucionale që e kemi. Besoj se këto parti e dinë këtë, por po zgjedhin rrugën e shkurtër, sepse nuk janë të afta për të bërë politikë. Domethënë nuk po munden ose dinë si të forcojnë pushtetin duke ofruar alternativa, zgjeruar bazën elektorale, ndërtuar strukturat partiake dhe fituar besimin e qytetarëve.

Të paafta për krijuar strategji politike dhe në mungesë të durimit për t’i hyrë rrugës më të gjatë, ato duan që shpejt e shpejtë të bëhen aktorë politikë me peshë. Me fjalë të tjera, opozita, pasi që nuk po arrin t’i bindë qytetarët me politikë, ajo do që këtë ta bëjë me gas e gurë. (Për shembull, peticioni ishte një mënyrë më e pranueshme për të mbështetur qëndrimin e tyre, mirëpo ai nuk mund të merret si referendum, e as si leje nga nënshkruesit e tij për ta bllokuar kuvendin me dhunë.)

Politika si luftë simbolike

Bllokimi i Kuvendit është në dëm të traditës së re dhe akoma të njomë të pluralizmit demokratik. Sido që të jetë, kjo sjellje oportuniste e partive opozitare do t’ju kthehet si bumerang, pasi që po rrënojnë legjitimitetin e bazave të lojës politike në të cilën ata vetë janë lojtarë: fushën dhe rregullat e kësaj loje, domethënë institucionet dhe procedurat politike.

Mungesa e një fushe të këtillë, lojën politike, që është një luftë simbolike ndërmjet kundërshtarëve politikë, e zhvendos në mejdan të luftës reale. Në këtë mejdan, kundërshtarët politikë nuk janë më veç kundërshtarë, por armiq të njëri-tjetrit, ndërsa gara nuk rregullohet me rregulla e me arbitër. Vështirë është me e parapa se ku mund të çojë kjo… Qysh, pas kësaj, munden me m’bind politikanët se kjo është të mirë të shtetit e qytetarit?!

Andaj, që politikanët të dijnë kufijtë e tyre dhe që qytetarët të mund të parashohin veprimet e politikanëve, gara e partive për pushtet kufizohet brenda një fushe dhe rregullave të caktuara. Aty partitë bëjnë strategji me qëllim të forcimit të pushtetit të tyre. Si në lojë.

(Botuar në Shenja në janar 2016)

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: