gselaci.wordpress.com

Militantizmi i opozitës në shtetin e depolitizuar

In Shtetndërtimi ndërkombëtar on 6 November, 2015 at 20:45

Gëzim Selaci

 

Militantizmi i opozitës nuk mund të shihet i izoluar nga historia politike e Kosovës së pasluftës, por si një rrjedhë e pritur e opozitarizmit në shtetin e depolitizuar të mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Këmbëngulja e opozitës për ta penguar “me të gjitha mënyrat” (edhe të dhunshme) punën e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të detyrohet kryeministri i vendit të tërhiqet nga marrëveshja për Asocioacionin e Komunave Serbe nuk mund të shihet e izoluar nga historia politike e Kosovës së pasluftës. Ky militantizëm është një veprim opozitar që vjen pothuajse pashmangshëm (ndonëse jo medoemos i justifikueshëm) në kontekstin politik të shtetit të mbikëqyrur. Cili është ky kontekst që çon pashmangshëm në militantizëm partiak? Në vijim po ofroj një shpjegim përmes një historie.

Ndihma (a)politike ndërkombëtare

Ndihma e Bashkimit Europian, SHBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, si OKB, NATO, OSBE për ta ndërtuar shtetin dhe sidomos për ta ndërtuar paqen ndërmjet komuniteteve, ka degraduar rolin e zyrtarëve politikë të shtetit në kukulla që legjitimojnë dhe zbatojnë vendimet e jashtme për Kosovën.

Kështu, kjo politikë ndërkombëtare, përmes misioneve dhe intervenimit, ka depolitizuar jetën politike në Kosovë dhe institucionet demokratike të saj. Kjo domethënë se nga hapësirat vendimmarrëse e ekzekutive, zgjedhjet qytetare, etj., ka dashur të përjashtojë qëndrimet që përplasen e kërkesat që bien ndesh me njëra-tjetrën përkitazi me shumë çështje. E këtij lloji ka qenë edhe marrëveshja për krijimin e “Asociacionit të Komunave Serbe” e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe e mbështetur nga SHBA-ja, që vjen tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Këta aktorë ndërkombëtarë pretendojnë se janë apolitikë, pra të painteresuar për pushtet dhe vijnë me misione për të “ndërtuar paqen”, “pajtuar komunitetet etnike”, e “ndërtuar institucionet e shtetit”. Në këto përpjekje, duan të depolitizojnë çdo proces që në thelb është politik, për aq sa ato janë, apo duhet të jenë, hapësira të përplasjes dhe negocimit. Këta aktorë ndërkombëtarë, në të vërtetë, duan të depolitizojnë jetën politike që të imponohen si agjentë të vetëm politikë në vend, por me maskën e udhëheqjes teknokratike.

Konflikti (i supozuar) etnik

Bashkësia ndërkombëtare niset nga ideja se në thelb të marrëdhënieve ndëretnike qëndron konflikti, i cili pritet që në çdo çast të shpërthejë, përpos nëse kontrollohet dhe menaxhohet nga jashtë. Duke e parë politikën si të dëmshme për këto marrëdhënie, bashkësia ndërkombëtare ka provuar zgjidhje të depolitizuar duke supozuar se ushtrimi i lirë i politikës mund të çojë përsëri në shpërthimin e antagonizmave ndër-etnike.

Mirëpo, qasje të tilla që i adresohen “problemeve etnike” dhe shpërfillin natyrën politike të ndarjeve ndërmjet komuniteteve etnike janë vetë problemi. Në thelb, nuk bëhet fjalë për ndarje etnike, por për ndarje politike në luftën për pushtet që instrumentalizojnë e antagonizojnë komunitetet etnike. Andaj, më drejt, këto duhet të shihen si konflikte “etno-politike”, nëse duam t’i shmangemi qasjes primordialiste që konfliktin ndërmjet komuniteteve etnike e gjen tek dallimet etnike, dhe duam të theksojmë instrumentalizimin e ndjenjave etnike për qëllime të pushtetit politik.

(Drejt fundit të historisë?)

 Qëndrimi dyshues i politikës ndërkombëtare në Kosovë ndaj procesit të brendshëm politik është pasojë e përvojës së keqe që shoqëria ka pasë nën pushtimin serb në fund të shekullit të njëzetë.

Në një artikull të mëparshëm, braktisjen e “zgjidhjes etnike” të problemeve që në thelb kanë për bazë motive të pushtetit politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve politike për to, e pata parë si test të pavarësisë faktike të Kosovës. Nëse ky test kalohet, besoj se do të jetë dëshmi e emancipimit të shoqërisë që guxon të marrë vetë vendime për çështjet e veta. Në fund, mbase ky kishte me qenë një hap i rëndësishëm që kishte me e ndërru kursin e normalizimit të gjendjes së mbikëqyrur të shtetit, që druaj se po shndërrohet nga një masë transitore në gjendje të përhershme të vendit.

Në këtë adresim të çështjeve ndër-etnike, na duhet të braktisim si opsione edhe elementet më të fshehura të politikës millosheviqiane që antagonizon dhe instrumentalizon komunitetet etnike për qëllime të pushtetit politik në emër të “historisë” e “gjakut”. Mirëpo, ato elemente nuk duhet të harrohen. Na duhen për të na përkujtuar se politikat antagoniste dhe shtypëse janë të dëmshme në çdo rrethanë.

Rrënimi i besueshmërisë

Jo për herë të parë, Bashkësia ndërkombëtare po e korrë atë që e ka mbjellë në Kosovë. Ajo e ka ngritur shtetin duke penguar politizimin e asaj që është politike. Me fjalë të tjera, ka themeluar institucionet e shtetit si ndërmarrje teknokratike të ndërtimit institucional dhe ka sunduar sipas logjikës së inxhinieringut politik, duke u thirë në “konsensus e unanimitet” të spektrit mbarë-politik, e jo si art të negocimit të kërkesave konfliktuale dhe pajtimit të interesave të ndryshme.

Në këto rrethana, demokracia është veç eufemizëm për një regjim që popullit ia heq të drejtën për të sunduar në çfarëdo mënyre. Tani kur shoqëria politike don të bëhet subjekt politik, pra kërkon të vendosë vetë për vete, ngrehina e këtij shteti ndërkombëtar gati nuk ka lënë hapësirë institucionale ku do të realizohej ky subjektivitet.

Një qasje e tillë e projektit ndërkombëtar të ndërtimit të shtetit të Kosovës që pengon zhvillimin e lirë të politikës demokratike nuk është pa çmim. Institucionet shtetërore të themeluara nga ky proces depolitizues nuk gëzojnë legjitimitetin e mjaftueshëm demokratik dhe besimin qytetar, andaj ato me lehtësi mund të injorohen si nga opozita, ashtu edhe nga grupe me prirje militante brenda shoqërisë. Kështu, këto institucione zor se mund të mbahen pa mbështjetje nga jashtë shoqërisë për të cilën janë themeluar.

Epilog

Andaj, në këtë kontekst politik, partitë e ngutshme opozitare zgjedhin rrugën më të shkurtër, e mbase më të lehtë, domethënë atë të bllokimit e kundërvimit të institucioneve të shtetit të cilat, së paku përkitazi me disa aspekte të rëndësishe të shtetbërjes, janë degraduar në pranuese e zbatuese të vendimeve të jashtme për Kosovën. Delegjitimimi i institucioneve politike të shtetit dhe militantizmi janë pasoja të deficitit të politikës demokratike. Prandaj, sa më shumë politikë, aq më mirë.

 

Botuar në Shenja në dhjetor 2015

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: