gselaci.wordpress.com

Histori e shkurtër e “Kuranit”

In Përkthime on 29 July, 2012 at 22:24

Burimi: McAuliffe, Jane Dammen (Ed.). (2001). Collection of the Qur’an. In Encyclopedia of the Qurʾan (Vol. 1, pp. 351-61). Leiden: Brill. Përshtati dhe përktheu: Gëzim Selaci. Për artikullin dhe referencat e plota, të shihet burimi.

Ndërmjet viteve 610-632, Profeti Muhammed në Mekke e më vonë në Jethrib/Medinë u recitonte shoqëruesve të tij vargje që ai dhe ithtarët e tij  besonin të jenë fjalë të Zotit të cilat i shpalleshin atij dhe të cilat të tjerët i mësonin përmendësh dhe i shkruanin nëpër fletë, lëkura e kocka kafshësh. Kjo “Fjalë e Zotit”, që u quajt Kuran, i referohet idesë së të folurit hyjnor përmes Profetit Muhammed, e jo një objekti fizik, si për shembull fletëve apo më vonë librit në të cilin ishte shkruar Fjala e Zotit (Kurani).

Shënohet se disa ithtarë të rrethit të Profetit gjatë jetës së tyre kanë përgatitur shënime personale të shpalljeve të Kuranit, rëndësia e të cilave u pa vetëm pas vdekjes së Profetit Muhammed. Këto tekste, që quheshin muṣḥaf, kanë pasur dallime ndërmjet vete që konsistonin në mënyrat e ndryshme të leximit dhe në vëllimin e pabarabartë të tekstit. Ato gjithashtu ndryshonin prej tekstit zyrtar të muṣḥaf-it të Uthmanit që është vendosur si rezultat i një aksioni shtetëror disa vite pas vdekjes së Profetit dhe që shërbeu si bazë për të përgatitur librin që gjendet sot nëpër biblioteka e xhami të titulluar “Kuran”.

Koleksionimi i Kuranit

Koleksionimi i Kuranit nënkupton shënimin dhe radhitjen e asaj që Profeti u recitonte në emër të Kuranit në tekst të shkruar. Objekti tekstual ose shënimet nëpër fleta që u prodhuan si rezultat i kësaj ndërmarrjeje u quajtën muṣḥaf.

Komentuesit më me ndikim dhe shumica e juristëve mendojnë se asnjëherë nuk është koleksionuar i tërë Kurani. El-Sujuti në shekullin XV shënon raporte të hershme nga brezat e parë të muslimanëve që e provojnë këtë (GS).[i] Kjo pikëpamje është pranuar edhe nga shumë studiues perëndimorë që nga Nöldeke në Geschichte të vitit 1860.

Shënohet se vendimi i parë për të koleksionuar Kuranin në fleta ishte marrë në kohën e sundimit të kalifit të parë Ebu Bekrit vetëm pak vite pas vdekjes së Profetit (vdiq në vitin 11 sipas kalendarit hixhrik ose 632 e.r.) nga frika se pjesë nga Kurani kanë humbur dhe të tjera mund të humbasin si pasojë e rënies së shumë muslimanëve që memorizonin Kuranin në luftën civile ndërmjet muslimanëve që shpërtheu pak vite pas vdekjes së tij. Detyra iu kishte ngarkuar një bashkëkohësit të ri në moshë të Profetit i cili quhej Zejd ibn Thabit (v. rreth 34-5/655). Ai mblodhi citate nga Kurani prej shënimeve të ndryshme të tekstit nëpër fleta, rrasa e lëkura kafshësh dhe prej asaj që mbanin në kujtesë bashkëkohësit e tjerë të Profetit.

Vite më vonë, Kalifi Uthman (sundoi ndërmjet viteve 23-35/644-656) kishte themeluar një komision përsëri në krye me Zejd ibn Thabit-in, për të prodhuar një kodik të Kuranit. Detyra e komisionit ishte të shkruante në fleta (ṣuḥuf) pjesët nga Kurani që i gjenin të shkruara e në kujtesën e njerëzve që kishin shoqëruar Profetin.

Arsyetimi për vendimin e dytë të mbledhjes së Kuranit në kohën e kalifit të tretë, Uthmanit, ishte druajtja se muslimanët mund të përçaheshin si pasojë e mënyrave të ndryshme të leximit të Kuranit. Nëpër vende të ndryshme të kalifatit kishte hyrë sherri ndërmjet pasuesve të leximeve të Ibn Mesudit, Ebu Musait e të tjerëve. Për të parandaluar përçarjen e muslimanëve, kalifi Uthman kishte marrë vendim që të prodhojë një tekst të standardizuar të Kuranit.

Muṣḥaf-i standard

Mirëpo, meqenëse mënyrat e ndryshme të leximit të Kuranit nuk mund të shkruheshin në një tekst të vetëm, u vendos që të miratohej vetëm njëri version. Kështu, u redaktua një tekst që përbënte vetëm njërën nga mënyrat e leximit të Kuranit i cili u shkrua dhe u përgatit në formë të librit brenda dy kopertinave dhe u imponua si kodik standard e zyrtare që u quajt muṣḥaf-i i Uthmanit. Si autoriteti më i lartë shtetëror që ishte, Uthmani vendosi që zyrtarisht ta mbështeste atë me ç’rast bëri disa kopje për t’i dërguar nëpër qendrat e kalifatit dhe vendosi të merrte një qëndrim të ashpër ndaj muṣḥaf-ëve të ithtarëve të tjerë të Profetit. Redaktimet e tjera që ishin shkruar nga shoqëruesit e tjerë të Profetit (si ajo e Abdullah ibn Mesudit, Ali ibn Ebu Talibit, Aisha bint Ebu Bekr) së bashku me kopjet private që ishin përshkruar prej tyre e të cilat nuk ishin në përputhje me atë të Uthmanit u urdhërua të digjeshin apo të griseshin (GS).

Sidoqoftë, shkrimi specifik i Kodikut të Uthmanit (muṣḥaf-it zyrtar), në të vërtetë, në shumë vargje (aja) lejonte më shumë se një mënyrë leximi. Kjo mundësohej në saje të mungesës së shenjave diakritike (shenjave për bashkëtingëllore që në arabishte shënohen me një, dy a tre pika mbi apo nën shkronja) dhe shenjave të zanoreve në shkrim (që shënohem me vija të shkurtëra mbi apo nën shkronja). Shkrimit të kodiku të Uthmanit mund t’i i viheshin shenja për bashkëtingëllore e zanore mbi dhe nën germa duke mos i ndryshuar fare shkronjat origjinale që ishin shkruar në kodik për ta lexuar në më shumë se një mënyrë. Për shembull, në vargun 9:128 të Kuranit fjala enfusikum (nga gjiri i juaj) mund të lexohej edhe si enfesikum (më fisniku prej jush). (Zamakhsheri, Keshshaf).

Besohet se Uthmani e kishte shkruar Kuranin me një shkrim të zhveshur nga shenjat diakritike dhe shenjave për zanore me qëllim që t’ju bëjë vend “shtatë leximeve” në të cilat Profeti e kishte diktuar Kuranin. Mirëpo, sado që kjo lejonte disa mënyra alternative të të lexuarit, megjithatë pranoheshin vetëm ato lexime që mund të bazoheshin në shkrimin origjinal të Uthmanit. Për shembull, në 2:132 shkrimi në muṣḥaf-in e Uthmanit nuk mund të pranonte leximin evṣā, por vetëm veṣṣā. Në raste të këtilla kur nuk ishte e mundur që të shkruhej një formë e të lexohej në disa mënyra, atëherë në njërën kopje të muṣḥaf-it të Uthmanit shkruhej një formë e në tjetrën kopje një formë tjetër (GS).[ii]

Si u prit muṣḥaf-i zyrtar

Kur një kopje zyrtare e muṣḥaf-it të Uthmanit arriti në Basra, Ebu Musa deklaroi se çdo gjë që gjendet në tekstin e Uthmanit, por mungon në të tijin duhet të shtohet dhe se çfarëdo që gjendet në tekstin e tij, por mungon në të Uthmanit nuk duhet të hiqet. Madje, Hudhejfe kishte deklaruar: “Çfarë do të arrini me këtë? Askush në këtë krahinë nuk do të braktis leximin e Abdullahut [domethënë të Ibn Mesudit] dhe askush nga Jemeni nuk do të braktis leximin e Ebu Musait” (Jeffrey, Materials, 35). Kur urdhëri i Uthmanit për të shkatërruar kopjet e muṣḥaf-ëve kishte mbërri në Irak, Abdullah bin Mesud i kishte këshilluar ithtarët e tij ta fshehnin muṣḥaf-­in e tyre për ta ruajtur (Ṭajālisī, Musned, ii, 150-1; Jeffrey, Materials, 15; Taberi, Tefsir, i, 28). Përkrahësit e muṣḥaf-it të Ibn Mesudit thireshin në autoritetin e Profetit për ta mbrojtur atë që sipas një raportimi ai kishte thënë: “Kushdo që do ta recitojë Kuranin në formën e tij më të pastër, ashtu siç është shpallur, duhet të pranojë leximin e Abdullahut” (Ṭajālisī, Musned, ii, 150-1). Po kështu Abdullah bin Mesudi kishte protestuar: “Si mund të urdhërohem të pranoj leximin e Zejdit, ndërsa i kam recituar shtatëdhjetë kaptina prej gojës së Profetit? A duhet të përjashtohem nga mbledhja [e Kuranit] e detyra t’i ngarkohet një njeriu që ka qenë i pafe në ijë të babait të tij kur unë u bëra musliman?!” (Jeffrey, Materials, 15, 17).

Dallimet në lexim të Kuranit që u përballën me kundërshti dëshmojnë se nisma e Uthmanit për të unifikuar muslimanët mbi bazën e një teksti standard të Kuranit kishte dështuar. Sido që të jetë, këto dallime vazhduan të shënohen nëpër libra të ndryshëm të kohës, një pjesë e të cilave si lexime të pranueshme dhe pjesa tjetër si të papranueshme.

Parapëlqimi i raportuesve të rinj

Përkundër zemërimit të Ibn Mesudit që shprehet në raportin e lartpërmendur dhe faktit se muṣḥaf-i i tij i kishte paraprirë atij të Zejdit, duket se ka pasur një parapëlqim të raportimeve të ithtarëve të rinj ndaj ithtarëve të moshuar. Arsyeja e kësaj preference është se duke parë që raportimet nga Profeti vazhdonin të ishin kundërthënëse dhe të paqarta (edhe përkundër kritereve që ishin vënë përkitazi me atë se prej kujt duhej të pranoheshin raportimet e prej kujt jo), juristi El-Shafi kishte propozuar zbatimin e parimit të abrogimit si metodë për të pajtuar raportimet kundërthënëse nga Profeti. Abrogimi pandeh se disa vendime ligjore ishin shfuqizuar me vendime të tjera më të vonshme. Në këtë mënyrë, preferoheshin raportimet për periudhat më të vonshme të jetës së Profetit. Natyrshëm, parapëlqeheshin raportime nga shoqëruesit më të rinj të Profetit. Kjo e shpjegon edhe arsyen që, përkundër pranisë së ithtarëve të tjerë më të moshuar që kishin mësuar Kuranin nga Profeti, detyra e mbledhjes së parë dhe të dytë të Kuranit iu besua një ithtari shumë më të ri, Zejd ibn Thabitit.

Ndërsa ithtarët e muṣḥaf-it të Ibn Mesudit i referohen një raporti sipas të cilit Ibn Abbasi kishte pohuar se leximi i Ibn Mesudit bazohej në rishkimin e fundit të Kuranit që Profeti e kishte kryer me engjullin Xhibril në vitin e fundit të jetës së tij ku kishte qenë i pranishëm edhe Ibn Mesudi (Ibn Haxher, Fetḥ, ix, 35-6). Po kështu, ithtarët e muṣḥaf-it të Uthmanit pohojnë të njëjën gjë për Zejdin (Sujuti, El-Itḳan, i, 51). Sido që të jetë, asnjë muṣḥaf nuk i është atribuuar Profetit Muhammed.

Çfarë lë jashtë muṣḥaf­­-i i Uthmanit

Musḥaf-i i Uthmanit lë jashtë pjesë nga Kurani të cilat mund të klasifikohen në tre lloje, plus pjesë të tjera që gjenden në muṣḥaf-ët e tjerë të ithtarëve të tjerë të Profetit.

1) Lënia jashtë e tekstit, por jo edhe vendimit ligjor që buron prej tij. Ekziston një numër i vendimeve ligjore që nuk kanë bazë në muṣḥaf-in e Uthmanit, por që burojnë nga tradita profetike dhe e brezit të parë të muslimanëve (sunna) ose nga pjesë të Kuranit që kanë qenë në Kuran por që nuk janë përfshirë në muṣḥaf-in e Uthmanit. Për shembull, në tekstet e hershme gjejmë pajtim gati të plotë se ndëshkimi për shkelje të kurorës është ekzekutimi me gurëzim, një vendim ky që nuk është në pajtim me urdhrin në vargun 24:2 të Kuranit: “Lavirin dhe laviren – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje.” Ndëshkimi me gurëzim nuk është pranuar nga disa pikërisht për arsye se ky vendim nuk mund të gjendet në muṣḥaf (Malik [v.179/798], Muwaṭṭa, Kitāb el-Hudūd). Mirëpo, shumica e juristëve e kanë pranuar këtë ndëshkim pasi që ndëshkimi i paraparë në muṣḥaf është shfuqizuar nga ndëshkimi i paraparë në sunna teksti i të cilit ishte i pranishëm edhe në disa versione të muṣḥaf-ëve: Ubejj ibn Kab (v.21/642) kishte njoftuar se “vargun e gurëzimit e lexonim në Kaptinën 33.” (Burton, Collection, 80-2, Sujuti, El-Itḳan, ii, 26).

2) Lënia jashtë e vendimit ligjor, por jo dhe tekstit në të cilin bazohet vendimi. Përfshierja e një teksti në muṣḥaf nuk ka implikime pozitive për vazhdimësinë ose plotfuqishmërinë e vendimit ligjor që buron prej atij teksti. Për shembull vendimi ligjor në Kuran 2:240 parashesh që gruaja e divorcuar e cila nuk mund të lidh kurorë para 12 muajve gëzon të drejtën të mbahet (t’i sigurohet jetesa) nga ish-burri i saj brenda kësaj periudhe. Sidoqoftë, Kurani 2:234 e ul këtë periudhë në katër muaj dhe dhjetë netë. Është thënë se ky vendim i fundit (2:234) e ka shfuqizuar vendimin e 2:240, ndonëse që të dy formulimet tekstuale janë përfshirë në muṣḥaf (Taberi, Tefsir, f.250-62).

3) Lënia jashtë e teksit dhe e vendimit përkatës ligjor. Kjo mundësi bazohet në supozimet e hershme të ekzegjezës në lidhje me interpretimin e vargjeve 87:6-7 të Kuranit: “Ne do të bëjmë ty të lexosh, kështu që nuk ke për të harruar, përveç asaj që do Allahu” që e interpreton në këtë mënyrë: përveç asaj që Zoti do që ti, o Muhammed, të harrosh nga shpallja ose Kurani. Nga shembujt që shënohen në literaturë, përmendim: Ubejj ibn Kab (v.21/642) kishte njoftuar se Kaptina 33 e Kuranit ishte e gjatë sa Kaptina 2 e Kuranit dhe se “vargun e gurëzimit e lexonim në Kaptinën 33.” Ngjashëm kishte raportuar edhe Ebu Musa el-Eshari (v. Rreth 42.662) se Kaptina 33 ishte e gjatë sa ajo 9, por se e kishte harruar – përveç një vargu. Hudhejfe pati deklaruar, “Sot nuk e recitoni qerekun e Kaptinës 9”, ndërsa Aisha bint Ebu Bekr për Kaptitën 33 kishte dëshmuar se kjo kaptinë kishte dyqind vargje (në muṣḥaf-in e Uthmanit i ka shtatëdhjetë e tre). (Burton, Collection, 80-2, Sujuti, El-Itḳan, ii, 26f.). Raportime të këtilla i ka shtyer disa të besojnë se tekste dhe vendime ligjore janë harruar.

4) Muṣḥaf-ët e ithtarëve të Profetit. Nga literatura bëhet e ditur se bashkëkohësit e Profetit kishin regjistruar versione të ndryshme të Kuranit që dallojnë ndërmjet vete dhe që janë pak a shumë të ndryshëm prej muṣḥaf-it zyrtar të Uthmanit. Si shembull përmendim mënyrat e ndryshme të leximit të vargut 5:89 të Kuranit që ka të bëjë me shlyerjen e mëktatit të thyerjes së betimit: “Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është […] të agjërojë tri ditë” që sipas Ibn Mesudit është “tri ditë të njëpasnjëshme”. Juristi Ebu Hanife (v.150/767) këtë shtesë të Ibn Mesudit e ka pranuar vetëm si ḥadīth (thëniet, praktikat e miratimet që i atribuohen Profetit Muhammed, ngjarjet që supozohet se kanë ndodhur gjatë jetës së tij si dhe zhanri letrar që ka koleksionuar këto) (El-Gazali, Musteṣfā, i, 102, Buron, Collection, 335, 128).  Kjo shtesë, ndonëse njihej në kohën e Ebu Hanifes, nuk pranohej në mënyrë universale si tekst definitiv i Kuranit. Mirëpo, pasi që askush nuk e vinte në dyshim besueshmërinë e Ibn Mesudit si transmetues, autoritetet e hershme nuk kishin alternativë tjetër veç të supozonin se ky lexim ka qenë në tekstin origjinal të Kuranit, por është harruar (sipas interpretimit të vargut 87:6-7 të lartëpërmendur) nga të gjithë me përjashtim të Ibn Mesudit (El-Serakhsi, Uṣūl, ii, 81).

Dallimet ndërmjet versioneve të muṣḥaf-ëve janë të natyrave të ndryshme: përveç që ishin më të gjatë se muṣḥaf-i i Uthmanit, mendohej se radhitja e Kaptinave (sura) të muṣḥaf-it të Ibn Mesudit ose Ubejjit ishte e ndryshme nga radhitja e Uthmanit. Mund të ketë ndodhur që komisioni i formuar për muṣḥaf-in e Uthmanit ka radhitur tekstin e Kuranit që ishte shkruar në fleta të marrë prej koleksionit të Kuranit në kohën e Kalifit të parë, Ebu Bekrit. Shënohet se Ibn Mesudi nuk i kishte konsideruar Kaptinën e parë dhe dy kaptinat e fundit të muṣḥaf-it të Uthmanit si pjesë të Kuranit, por vetëm si lutje (El-Taberi, Tefsir, i, 38). Mendohet se në koleksionin e tij, Aliu kishte radhitur kaptinat e Kuranit sipas radhës kronologjike të tyre, mirëpo nuk shënohet se është gjetur kopja e këtij muṣḥaf-i (El-Sujuti, El-Itḳan, i. 58).

Kur leximet e izoluara të ithtarëve të tjerë të Profetit diskutoheshin, shumica e studiuesve i përmendnin ato si kuriozitet, si metodë për të nxjerrë ligje dhe për të krahasuar e sqaruar kuptimin e tekstit të muḥaf-it të Uthmanit, pra, me një fjalë, si tekste sekondare pas tekstit të Uthmanit që ishte pranuar në përgjithësi.

Për të mbrojtur legjitimitetin e muṣḥaf-ëve të tjerë janë shënuar raporte të ndryshme, prej të cilave edhe ky kur një njeri ankohet tek Profeti: “Ibn Mesudi më ka mësuar një fragment të Kuranit; Zejdi më ka mësuar të njëjtin fragment, e po kështu edhe Ubejj. Të tretë e lexojnë ndryshe atë, atëherë cilin lexim ta pranojë?” (Taberi, Tefsir, i, 24). Njëra prej përgjigjeve të Profetit është shënuar të jetë kjo: “Recito ashtu siç të është mësuar”; “të gjitha leximet e tyre janë të vlefshme” (Taberi, Tefsir, i, 26, 30, 32).

Duke gjykuar një situatë të ngjashme kur Umeri ishte zënë me një mekkas tjetër ose Ubejji me një musliman tjetër në lidhje me format e ndryshme të leximit, Profeti kishte deklaruar: “Kurani është shpallur në shtatë forma, andaj recitoni cilëndo që t’ju vijë më lehtë” (Taberi, Tefsir, i, 24-5; 32). Përpjekjet për të shpjeguar dallimet në mënyrat apo format e leximit që kanë qenë të pranishme në mesin e ithtarëve të Profetit kanë rezultuar në disa teza. Njëra prej tyre dallimet në fjalë i shpjegon si dialekte lokale dhe supozon se Kurani recitohej në disa mënyra të cilat përkonin me dialektet e fiseve arabe të kohës. Mirëpo, kjo tezë bie poshtë me faktin se në rastin e lartpërmendur Umeri, vetë mekkas, ishte zënë me një mekkas tjetër. Prej kësaj kuptohet se ka pasur dallime në të lexuar edhe brenda një dialekti. Mbase secili përdorte fjalë të ndryshme. Teza tjetër citon ngjarjen vijuese: Duke recituar vargjet e Kuranit 73:6, hije esheddu vaṭ’an ve aṣvabu kīlen, Enes ibn Malikun e kishte korrigjuar dikush duke i thënë “Është aḳvamu kīlen.”, ndërsa ai ishte përgjigjur: “aḳvamu, aṣvabu, aḥja’u – të gjitha kanë të njëjtin kuptim” (Taberi, Tefsir, 1, 52). Mirëpo, edhe ky shpjegim që pranon sinonimet është i paqëndrueshëm, ngase në asnjë fazë të mbledhjes së Kuranit nuk është miratuar transmetimi i Kuranit vetëm sipas kuptimit, por vetëm transmetimet e fjalë-për-fjalëshme (verbatim). Është besuar se teksti i Kuranit është i paimitueshëm dhe unik (iʿxhāz) në kuptimin e rreptë literal. Pasi që këto dy shpjegime, pra shpjegimi që dallimet kanë të bëjnë me dallimet e dialekteve ose janë sinonime, bien poshtë, është propozuar një shpjegim i tretë sipas të cilit, “Umeri, si i konvertuar i hershëm, e ka memorizuar Kuranin më përpara. Bashkatdhetari i tij, Hishami, i cili është konvertuar pas pushtimit të Mekkës, me gjasë i ka memorizuar shtesat e mëvonshme në tekst të cilat, në kohën e zënies, Umeri nuk i kishte dëgjuar ende (Ibn Haxher, Fet-ḥ, ix, 21).

Përfundim: Shenjtërimi i tekstit të muṣḥaf-it të Uthmanit

Pavarësisht qëllimit të Uthmanit nga vendimi për të prodhuar një muṣḥaf standard (ai e kishte bërë këtë nga dëshira për të unifikuar tërë muslimanët rreth një libri të vetëm të shenjtë), imponimi i vetëm një versioni të leximit dhe ndalimi i muṣḥaf-ëvetë tjerë e kishte varfëruar atë që mbeti e shkruar prej Kuranit. Ndonëse Uthmani kishte bërë përpjekje që me anë të një shkrimi specifik t’u bënte vend leximeve të ndryshme të Kuranit, megjithatë, shumë mënyra të leximeve të tjera nuk mund të shënoheshin në muṣḥaf-in e tij.

Sidoqoftë, tradita gojore e transmetimit të Kuranit vazhdonte dhe me gjasë dominonte. Kjo traditë bartej tek brezi i ri dhe mënyrat e ndryshme të leximit të Kuranit ishin të pranishme dhe të përhapura. Kështu, për shembull, shkrimi i muṣḥaf-it të Uthmanit mundësonte që njëra nga fjalët në vargun në 2:259 të Kuranit të lexohej në dy mënyra, konkretisht: nunshizuha (bashkojmë) ose nunshiruha (ringjallim) (GS).[iii] Mirëpo, kur rreth shekullit VII u vendos që tekstit të redaktuar të Uthmanit t’i viheshin shenjat diakritike për bashkëtingëllore, ngase njerëzit (sidomos joarabët), kishin vështirësi të lexonin tekstin e paprecizuar, mundësia e leximit të muṣḥaf-it të Uthmanit u kufizua shumë. Vënia e shenjave diakritike nënkuptonte që fjala nga shembulli i lartpërmendur në Kuran 2:258 të lexohej vetëm në njërën prej dy mënyrave: nunshizuha (bashkojmë).

Më vonë, kur në shekullin XI tekstit të muṣḥaf-it të Uthmanit iu shtuan edhe shenjat për zanore, leximi u bë edhe më i ngurtë dhe më përjashtues i leximeve alternative që ishin të pranishme gjatë shpalljes së Kuranit të cilat u lanë në harresë. Nga shembulli i përmendur në këtë artikull, në Kuran 9:128 fjala enfusikum (nga gjiri i juaj) mund të lexohej edhe si enfesikum (më fisniku prej jush), mirëpo me vënien e shenjave për zanore, kjo u vendos të lexohej vetëm si enfusikum (nga gjiri i juaj).

Ajo që sot gjendet nëpër librari, xhami, biblioteka e shtëpi e që quhet “Kuran” në të vërtetë është një redaktim i Kuranit dhe atë sipas një leximi të caktuar të tij. Me fjalë të tjera: një lexim i caktuar i një redaktimi të caktuar të Kuranit. Më saktësisht, redaktimi që përdoret sot është ai i Uthmanit sipas leximit të ʿAsim ibn Abī l-Najūd (dijetar i Kufes, vdiq 127 ose 128 H /744-6) i transmetuar nga nxënësi i tij Hafs ibn Sulejman (vdiq rreth 190 H / 805-806). Botimi i shtypur i këtij libri që më së shpeshti përdoret është Kurani i Egjiptit (ose Kurani mbretëror i Egjiptit) që është në qarkullim qysh prej vitit 1923.


[i] El-Sujuti, Abdurrahman bin Ebi Bekr (1426 H). El-Itḳān fī ʿulūm el-Kur’ān. El-Medina l-Munevvara: Wizara l-shuun l-islamije ve l–evkaf ve l-dava ve l-irshad: v.IV, f.1455-7. Shih gjithashtu Kitab Fadail el-Kur’an, Bab el-kurra min ashab el-nebijji salall-llahu alejhi ve sel-lem, në: Saḥīḥ l-Bukhārī, (4719), në internet: http://hadith.al-islam.com/Page.aspx?pageid=192&TOCID=2772&BookID=24&PID=4815.

[ii] El-Zerḳani, Muhammed Abd l-Adhim (1996). Menāhil el-ʿirfān. Bejrut: Dar l-kutub l-ilmijje: I, 258

[iii] El-Zerḳani, Muhammed Abd l-Adhim (1996). Menāhil el-ʿirfān. Bejrut: Dar l-kutub l-ilmijje: I, 258.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: