gselaci.wordpress.com

Dilema të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

In Shteti dhe pushteti on 25 December, 2011 at 22:32

Gëzim Selaci

Pas dështimit apo rënies së një regjimi, paraqitet nevojë urgjente për të ndërtuar regjim të ri nga fillimi. Pritet që këtë detyrë ta formalizojë hartimi i kushtetutës së re si baza e të gjitha ligjeve dhe grup rregullash për marrjen e vendimeve kolektive.  Mirëpo, çfarë domethënë të krijohet një kushtetutë për një “polity” të re pas rënies së regjimit të vjetër? Nga buron kushtetuta? Cilat funksione pritet t’i ketë ajo dhe çfarë qëllimesh synon t’i realizojë ajo?

Burimet

Për sa i përket çështjes se nga buron Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është e ditur se ajo në të vërtetë është përkthim i dispozitave të Planit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës (i ashtuquajturi “Plani i Ahtisarit”) me ndonjë ndikim josubstancial nga aktorë vendës. Sado që ka pasur një fushatë, por jo përpjekje të sinqertë, për ta shtruar në forume publike për diskutim draftin e Kushtetutës, ajo është hartuar pa ndonjë kontroll të procesit a substancës nga ana e përfaqësuesve zyrtarë dhe pa konsultim substancial me popullsinë dhe komunitetet.

Fakti i mospjesëmarrjes popullore në hartimin e Kushtetutës së Kosovës nuk përbën një përjashtim nga mënyra se si rëndom hartohen kushtetutat. Kushtetutat nuk rezultojnë drejtpërdrejt nga diskutimet a debatet publike, por janë produkte të një grupi elitash politike dhe projeksione të vizioneve të tyre në lidhje me atë se si duan ta shohin shoqërinë dhe shtetin që po krijohet, e që më pak apo më shumë pasqyrojnë aspiratat popullore.

Madje, në shtetet e pushtuara pas luftërave ky proces një njëfarë mënyrë kontrollohej nga aktorë të jashtëm duke u diktuar kushte që duheshin plotësuar me rastin e hartimit të kushtetutave. I tillë ishte rasti me Japoninë e me Gjermaninë pas Luftës së dytë botërore, si dy shembuj të suksesshëm të tranzicionit demokratik.

Kosova është shembull i një lloji tjetër të imponimit të strukturave kushtetuese tek popullsia vendëse. Kushtetuta e Republikës së Kosovës mbështetet gati kryekëput në dispozitat e “Planit të Ahtisarit” e që ky i fundit në të vërtetë është një plan i jashtëm për Kosovën i hartuar nga teknokratë në krye me Marti Ahtisarin, të cilët besonin se propozimi i tyre ishte më i pranueshmi për palët në konflikt. Kështu, Kushtetuta jonë, që në shumë aspekte është kopje e modeleve të gatshme, nuk ka parasysh tiparet e veçanta dhe rrethanat shoqërore e politike në Kosovë. Ndjeshmëria minimale e teknokratëve ndaj traditave lokale, vështirësive dhe përvojave të mëparshme, i bën këto modele të gatshme pothuajse të gjykuara për dështim. Në vend të kësaj, ishte dashtë me mendu mundësi apo opsione më të shumta me rastin e hartimit të Kushtetutës që do të kishin për qëllim përshtatjen e parimeve të përgjithshme të hartimit të kushtetutave në rastin e Kosovës.

Funksionet autorizuese dhe legjitimuese

Funksionet autorizuese janë ato të cilat kanë për qëllim të krijojnë institucionet e shtetit dhe vetë shtetin, si dhe të legjitimojnë ato. Në shoqëri të caktuara, ku institucione të caktuara i paraprijnë formimit të shtetit, nuk ka nevojë për disa nga këto garanci. Kështu, një numër i institucioneve i kanë paraprirë Kushtetutës së Kosovës, si për shembull, prona private e garantuar me nenet 46 dhe 159.1 të Kushtetutës,  pluralizmi politik, partitë politike të cilat Kushtetuta i garanton në Nenin 7.1, e kështu me radhë. Pluralizmi pra është efekt i ushtrimit të së drejtës qytetare në liri politike e jo krijim i Kushtetutës.

Në literaturën e bërjes së kushtetutave në vendet pas konflikteve etnike, vëmendje e madhe i kushtohet ndërtimit të institucioneve të shtetit, çështjes se si të organizohen strukturat e pushtetit; nëse shteti duhet të jetë federal apo unitar, mënyrës së decentralizimit të pushtetit, ndarjes së pushtetit ndërmjet komuniteteve dhe nëse duhet të ketë president me kompetenca të gjera ekzekutive. Këto janë çështje me rëndësi, por më me rëndësi se struktura e pushtetit dhe forma e institucioneve të shtetit është legjitimimi i tyre.

Për sa i përket legjitimimit të institucioneve, duke pasur parasysh llojin e sistemit politik që po synohet të krijohet në Kosovë, sovraniteti i popullit është parimi legjitimues dhe themeli i shtetit të ri. Sipas kësaj filozofie politike, populli është jo vetëm shuma e qytetarëve që i nënshtrohen pushtetit dhe vendimeve të sunduesve, por duhet të kenë ndikim të pamohueshëm në qeverisje si anëtarë aktivë.

Duke qenë se në rastin e Kosovës është menduar se shoqëria priret nga konflikti, në mënyrë që të mundësohet një klimë besimi dhe sigurie, përfaqësuesit e komuniteteve janë përjashtuar nga procesi i hartimit të kushtetutës. Sistemi kushtetues nuk ka dalë si rezultat i debateve publike politike ndërmjet grupeve dhe komuniteteve në Kosovë. Në të vërtetë, Kushtetuta është hartuar duke u bazuar në planet e jashtme për Kosovën, për të cilat teknokratët besonin se ishin zgjidhje të pranuara kompromisi.

Mirëpo,  për zbatimin e këtyre planeve të jashtme duheshin krijuar misione administruese ose mbikëqyrëse për të garantuar ato. Pashmangshëm, kjo rezultoi në një sistem qeverisjeje në të cilën pushteti dhe autoriteti u shpërnda në njësi të shumta, megjithatë duke lënë pushtetin më të lartë në duart e Përfaqësuesit civil ndërkombëtar si autoriteti kryesor për të interpretuar aspektet civile të “Planit të Ahtisarit”, që është dokumenti kryesor i pavarësisë së mbikëqyrur (Propozimi gjithëpërfshirës: IX,2.1 dhe Kushtetuta: Neni 147) dhe të cilit autoritetet e Kosovës detyrohen t’i përmbahen (Kushtetuta: Neni 143), ndërsa Eulexit i njihet e drejta për të anuluar vendimet e autoriteteve kompetente të Kosovës (Propozimi gjithëpërfshirës: IX, 2.3.e dhe f). Shkurt, autoriteti final i cili vendos nëse ligjet e nxjerra nga organet ligjvënëse dhe nëse aktet e qeverisë janë në pajtim me këto plane e propozime të jashtme u është besuar përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend.

Kështu, kushtetuta që do të duhej të mishëronte revolucionin demokratik duke konfirmuar në mënyrë solemne se populli ka marrë në duar pushtetin kushtetues, prapëseprapë nuk fuqizon popullin mbi pushtetin ndërkombëtar në vend. Duke pretenduar funksione që, sipas ligjit ndërkombëtar dhe praktikës, janë funksione të shtetit, administrata apo mbikëqyrja ndërkombëtare po e përjetëson sundimin e përkohshëm ndërkombëtar, duke rrezikuar dhe vetë kalimin në demokraci.

Jam i vetëdijshëm për kontekstin specifik të ndërtimit të shtetit në Kosovë dhe vlerësoj argumentin se, në këtë fazë, rendi demokratik nuk mund të ndërtohet përmes rrugëve demokratike, por ky vlerësim i rrethanave dhe kushteve nuk e arsyeton injorimin e peshës normative të miratimit popullor. Besoj se roli i kushtetutës është të legjitimojë përfaqësuesit e popullit. Nëse në një fazë të hershme justifikohet uzurpimi i së drejtës për të folur në emër të popullit nga ana e vendimmarrësve të vetemëruar, ajo duhet që sa më parë të pasohet nga një fazë e re në të cilën të përfaqësuesit e përzgjedhur me procedura demokratike duhet të fuqizohen që të flasin në emër të qytetarëve duke ua transferuar strukturave vendëse pushtetin. Uzurpimi për një kohë të gjatë i strukturave më të fuqishme dhe supreme të pushtetit nga ana e autoriteteve ndërkombëtare është jolegjitime.

Probleme të reja që sjell Kushtetuta e Kosovës

Siç u tha, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është kryekëput e bazuar në kërkesat e “Planit të Ahtisarit” si dokumenti që i hapi rrugë pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës ku parashiheshin në mënyrë jo pak të detajuara natyra dhe funksioni i institucioneve të shtetit e pushtetit që duheshin krijuar si dhe karakteri i sistemit politik që duhej krijuar në Kosovë.

Mirëpo, këto rregullime kushtetuese në vend se të zgjidhin problemet ekzistuese krijojnë probleme të reja. Së pari, kushtetutat të cilat përcaktojnë qëllime të shumta dhe në detaje të politikave dhe të drejta sociale në detaje, nuk u lënë shumë hapësirë degës së pushtetit ligjvënës. Ky është rasti me Kushtetutën e Kosovës që bazohet në Planin e Ahtisart që në hollësi parasheh shumë rregullime të shtetit të ri. Në anën tjetër, synimet e parapara në detaje prishin baraspeshën e pushtetit ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit, duke fuqizuar ekzekutivin në dëm të pushtetit ligjvënës (gjë që e bën gjithnjë e më të vështirë mbikëqyrjen e punës së qeverisë nga ana e kuvendit, si një tipar i demokracive të arrira, e që është një kërkesë e BE-së për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në këtë bashkim).

Së dyti, këto zgjidhje kanë krijuar sisteme pushteti të komplikuara dhe marrëdhënie të pazakonshme ndërmjet pushtetit ndërkombëtar dhe popullatës vendëse. Në këtë sistem të krijuar, strukturat e pushtetit ndërkombëtar nuk janë formalisht përgjegjës ndaj popullit ose përfaqësuesve të tyre, ndërsa vendimet dhe veprimet e tyre nuk i nënshtrohen revizionit të asnjë organi vendës, gjyqësor, ligjvënës, etj. Kështu, ky sistem kushtetues huq në tërësi synimin e kushtetutshmërisë, e që është të pamundësohet çdo formë e arbitraritetit dhe subjektivitetit tekanjoz të sundimtarit ose elitës sunduese. Në të vërtetë, ky është kuptimi më bazik i sundimit kushtetues. Një regjim që nuk i përmbush kushtet dhe standardet e sundimit kushtetues, mund të qëndroj për një kohë ose për një kohë më të gjatë, por meqë është jolegjitim dhe ngrihet vetëm mbi pushtetin, degjeneron në depostizëm.

Botuar në: Shenja, dhjetor 2011.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: