gselaci.wordpress.com

Kombi i papërfytyrueshëm kosovar

In Kosova on 19 August, 2011 at 15:16

Gëzim Selaci

(Version i plotë)

Është e habitshme prirja e njeriut për të ngritur çështje të cilat nuk ekzistojnë dhe nuk janë të nevojshme. Një nga çështjet e këtilla në diskutimet publike është ‘kombi kosovar’. Debatet në lidhje me këtë kanë të bëjnë me pyetjen nëse duhet formuar ‘kombin kosovar’, si domosdoshmëri për suksesin e shtetit të Kosovës, ky i fundit ka me lindë ‘kombin kosovar’. Debate të nxehta janë bërë duke dashur t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje të panevojshme. Mirëpo, mendoj se përpjekja për t’i dhënë përgjigje kësaj nuk çon askund, ngase pyetja është e shtruar gabimisht.

Në opinionin publik garojnë dy ide të ndryshme dhe ndoshta të kundërta në lidhje me ‘çështjen’ e ‘kombit kosovar’. Njëra thotë se me qenë lojal ndaj shtetit të Kosovës duhet që në mënyrë të domosdoshme të përfytyrosh një komb të ri qytetar të quajtur ‘kosovar’ (duke mos pasur nevojë të heqësh dorë nga përkatësia shqiptare në kuptimin etnik), ndërsa tjetra – që kombin e kupton në sensin etnik – thotë se besnikëria ndaj idesë së ‘kombit qytetar kosovar’ dhe Kosovës multietnike paraqet braktisje të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Ideja e parë, që e kupton kombin në sensin qytetar dhe territorial, beson se, për të realizuar shtetin e ri, na duhet të përfytyrojmë ‘kombin qytetar kosovar’, ose se shteti i ri ka me kriju ‘kombin e ri kosovar’. Ideja e dytë, ndërkaq, që thotë se kombi (në kuptimin etnik) dhe shteti janë apo duhet të jenë një, është një pikëpamje tipike nacionaliste etnike-gjenealogjike që përdor nocionin e kombit kulturor ose etnik.

Si rrjedhojë, janë krijuar tre mite. Miti i parë thotë se ‘kombi kosovar’ është i domosdoshëm për suksesin e shtetit të Kosovës, ngase vetëm kështu arrihet uniteti shoqëror i nevojshëm për suksesin e shtetit. Miti i dytë thotë se suksesi i shtetit të Kosovës do të lindë doemos ‘kombin kosovar’. Miti i tretë, që këto ide i konsideron kërcënim për përkatësinë shqiptare, thotë se uniteti politik i tërë grupeve etnike në Kosovë është i pamundshëm apo i dëmshëm për aspiratat e shqiptarëve në Kosovë që gjithnjë kanë qenë për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Mirëpo, këto mite nuk qëndrojnë. Miti i parë harron se uniteti politik është i mundshëm edhe pa krijimin e ‘kombit kosovar’. I dyti përgënjeshtrohet nga ideja se shteti mund apo do të kapërcejë përçarjet ndërmjet etnive apo kombeve, por jo domosdoshmërisht duke rezultuar me lindjen e një kombi unik. Ndërsa miti i tretë është anakronik dhe me dashje harron se për shqiptarët e Kosovës kombi dhe shteti nuk janë njësoj.

Në vazhdim do të diskutoj të metat e këtij debati dhe mitet e dala prej tij duke dhënë propozimet e mia se çfarë na duhet për të siguruar unitetin shoqëror në Kosovë.

Uniteti politik pa një ‘komb kosovar’

Ndiej njëfarë simpatie për këtë debat, për aq sa ai reflekton nevojën për sajimin e një identiteti të përbashkët në Kosovën shtet. Për të tejkaluar ndarjet socio-ekonomike dhe kulturore dhe për të kultivuar një ndjenjë të përbashkët bashkësie, shtetet moderne ndërmarrin masa të ndryshme. Prej tyre më të zakonshmet janë qytetaria – që nënkupton se të gjithë qytetarët e një shteti janë të barabartë para ligjit – dhe kombësia – që nënkupton një ndjenjë solidariteti i bazuar në përkatësi kombëtare – apo së paku një unitet politik – që nënkupton një ndjenjë dhe përkushtim i përbashkët politik.

Në shoqërinë e re të Kosovës është e nevojshme të mendohet se si të arrihet uniteti politik në kontekst të përçarjeve ndër-etnike. Mirëpo, për t’iu adresuar këtij problemi duhet bërë pyetje të duhura, se pyetjet e gabueshme nuk çojnë askund. Përpjekja për t’i dhënë përgjigje ‘nevojës për kombin kosovar’ nuk çon askund, ngase pyetja është e shtruar gabimisht. Çështja nëse duhet shpikur apo jo një identitet kosovar në kuptim të identitetit kombëtar është e kotë në një kontekst ku kombi kuptohet si identitet etnik e kulturor. Madje, ajo as është nevojshme; askush nuk po kërkon që të bëhet një gjë e tillë. Ky nuk ka qenë kusht as për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës dhe pra nuk kërkohet as prej projektuesve të shtetit të Kosovës.

Andaj, në vend se të pyesim nëse duhet të shpikim një ‘komb kosovar’, pyetja duhet me qenë se çfarë uniteti na duhet për të formuar shoqërinë kosovare.

Mundësitë për një identitetit politik mbi-etnik

Mbroj qëndrimin se nuk është i domsodoshëm sajimi i një kombi unik për të arritur një shkallë uniteti në shoqëritë shumetnike apo shumëkombëshe që do të mundësonte funksionimin e shtetit. Mendoj se në vend na duhet një unitet politik dhe, për të arritur këtë, na duhet të sajojmë një identitet të përbashkët politik dhe jo domosdoshmërisht kombëtar. Për suksesin e një shteti të ri, është e mjaftueshme që popullata brenda territorit të atij shteti të jetë një në kuptimin politik, pavarësisht kombësisë së tyre. Kjo mund të bëhet përmes theksimit të disa vlerave të përbashkëta politike që mundësojnë kohezion shoqëror dhe ndjenja të identifikimit të përbashkët, por duke njohur e ruajtur diversitetin kombëtar e etnik. Zvicra, Britania dhe Kanada, si shtete shumëkombëshe, e kanë bërë këtë në mënyrën e tyre. Nëse ata kanë mundur të formojmë entitete unike politike që në gjirin e tyre përfshijnë kombe të ndryshme, mundemi edhe ne. Në Kosovë do të mund të theksoheshin dhe zhvilloheshin disa vlera të përbashkëta historike, politike, kulturore, e gjeografike, të grupeve kombëtare e etnike që janë krijuar për dekada me radhë, por edhe vlera të krijuara nga lufta e fundit kundër Millosheviqit që do të mund të krijonin ndjenja të forta të identitetit të përbashkët politik, si bazë për identitet mbi-etnik, por duke ruajtur dallimet kombëtare.

Një mënyrë se si do të mund të bëhej kjo është përmes rikrijimit të simboleve mitike. Serbia, Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare ka humbur shansin që arrestimi dhe gjykimi i Millosheviqit të përdoret si simbol i përfundimit të epokës shoviniste në Kosovë, dhe që personaliteteve, shqiptare dhe serbe, që kundërshtuan regjimin e tij t’u jepet një kuptim që simbolizon kryengritjen dhe luftën kundër çdo shovinizmi e shtypje të cilitdo grupi etnik në shoqërinë kosovare. Për shembull, Adem Jashari si ‘komandant legjendar’ i UÇK-së që ka luftuar për ‘Kosovën shqiptare’, natyrisht, është i papajtueshëm me mitin serb për Kosovën ‘zemër të Serbisë’. Së këndejmi, për këto dy diskurse nacionaliste, Adem Jashari është figurë e diskutueshme. Kështu, ai, por edhe personalitete të tjerë shqiptarë e serbë në Kosovë e Serbi që kundërshtuan regjimin e Millosheviqit, të gjithë njësoj, do të mund të quheshin heronj të luftës dhe politikës anti-shoviniste. Një shkrim i tillë i historisë do të krijonte një bazë të fortë për një identitet të përbashkët mbi-etnik, për bashkëjetesë të të barabartëve në Kosovë dhe shteti i Kosovës nuk do të perceptohej nga grupet joshqiptare vetëm ndërrim i raportit të forcave në këtë shtet të ri.

Pengesat e qytetarisë në Kosovë

Shpresa se shteti i Kosovës ka me lindë ‘kombin qytetar kosovar’ është e kotë në një kontekst kulturor ku ndjenjat kombëtare më tepër kanë qenë të lidhura me elemente etno-kulturore (si gjuha e përbashkët, për shembull, mitet e prejardhjes së përbashkët – ‘gjaku’, e të ngjashme) dhe as që është e parashikueshme se do të ndërrojë kjo. Arroganca e disa individëve ‘të iluminuar’ e të vetëshpalur pararojë e ‘kombit kosovar’, nuk ka me ndryshu këtë mendësi.

Mendoj se në shoqërinë e re të Kosovës është e nevojshme të mendohet se si të arrihet uniteti politik në kontekst të përçarjeve ndër-etnike e që mund të bëhet edhe pa idenë e formimit të një ‘kombi kosovar’. Strategjia ndërkombëtare angazhohet që identiteti i përbashkët politik të arrihet përmes krijimit të një shoqërie ku sundon ligji (Eulex-i është krijuar për këtë), respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave (të detyrueshme me Planin e Ahtisarit dhe të integruara në Kushtetutë), aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Europian (si devizë për legjitimimin e qeverive në vend), e kështu me radhë. Ndonëse, kjo strategji duket e përshtatshme, sukseset e janë tejet të pakta. Por, pavarësisht nga mossuksesi i politikave, qëllimet (apo së paku disa prej tyre) mbesin të justifikueshme.

Megjithatë, procesi i krijimit të identiteti unik politik dhe qytetarisë kosovare po duket të jetë i vështirë. Sfida është të zbatohet sundimi i ligjit në tërë territorin dhe segmentet e shoqërisë, në mënyrë që vendi të bëhet një shtet ku entitetet etnike do të formojnë një shoqëri unike në të cilën do të jetojnë dhe prosperojnë. Fuqizimi i institucioneve vetëqeverisëse në Kosovë mund të lehtësojë kapërcimin e përçarjeve kombëtare/etnike, apo së paku t’i vë në rend të dytë këto dallime. Nëse Kosova do të funksionojë si shtet i suksesshëm, forca e shtetit për të krijuar një identitet mbi-etnik, i bazuar në një ide të qytetarisë së përbashkët, apo në një “patriotizëm kushtetues”, nuk duhet të nënvlerësohet.

Vështirësitë e identitetit mbi-etnik

Mirëpo, përveç rrethanave objektive politike dhe shoqërore, në procesin e krijimit të unitetit politik dhe qytetarisë, ndikim të pamohueshëm ka edhe klasa politike. Ajo, së bashku me inteligjencinë e shoqërisë mund të caktojnë drejtimin e politikave identitare drejt nacionalizmit etnik-kulturor apo drejt qytetarisë së përbashkët. Pra, mundësia e arritjes së një uniteti politik, përmes krijimi të një identiti të bazuar në qytetarinë e përbashkët, varet edhe prej elitave politike e kulturore të shoqërisë të cilat mund ta promovojnë atë apo ta paraqesin si kërcënim për identitetin kombëtar a etnik të grupeve përkatëse.

Të motivuar politikisht, klasa politike mund të përdorë ndjenjat nacionaliste për motive politike, si për shembull për të arritur në pushtet dhe për të legjitimuar atë. Ndoshta klasa politike në Kosovë, e shtyer nga pasioni për pushtet dhe nevoja për ta legjitimuar atë, ka anuar nga ligjërimi etno-nacionalist për të përkthyer ndenjat nacionaliste në mbështetje të masave. Prandaj, deri sa diskursi pro ‘kombit shqiptar’ dhe ai pro ‘kombit serb’ janë leva që ndihmojnë me fitu vota nga qytetarët si dhe përkrahje nga Serbia përkatësisht, askujt prej politikanëve në Kosovë nuk i levërdis me promovu sinqerisht idenë e qytetarisë së përbashkët (aq më pak ‘kombit kosovar’). Natyrisht, kjo nuk nënkupton se klasa politike kosovare shqiptare ka një projekt nacionalist shqiptar, por se ligjërimi nacionalist mbetet në nivel të retorikës.

Veç kësaj, kapërcimi i politikave etno-nacionaliste dhe mundësia për një identitet të përbashkët qytetar apo unitet politik në Kosovë ka vështirësi serioze. Së pari, përkundër faktit historik se shqiptarët, serbët dhe grupet e tjera etnike në Kosovë kanë njëfarë tradite të përbashkët, mundësia e lindjes së një identiteti mbi-etnik pengohet nga vlera ose karakteri që i është dhënë çështjes së statusit të Kosovës, ashtu që statusi është lidhur me identitetin e grupeve etnike që jetojnë aty. Dua të them se statusi i caktuar politik i Kosovës kuptohet si kërcënimin për njërin nga identitetet e dy grupeve kryesore etnike që jetojnë në të.

Së dyti, angazhimi ndërkombëtar në vend ka efektin e dëmshëm në dhënien e shansit për formimin e unitetit politik në shoqërinë kosovare. Për shembull, në emër të rregullimit të sistemit politik përmes masave që nga aktorë dhe agjenci ndërkombëtare vlerësohen si zgjidhje më e mirë për Kosovën, debati dhe dialogu politik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe sjellja e pikëpamjeve të ndryshme politike për diskutim në sferën publike është penguar. Si pasojë, nuk i është dhënë rast krijimit të identiteteve të ndryshme politike që nuk do të bazoheshin ekskluzivisht në elemente etnike dhe antidemokratike.

Veç kësaj, ka një problem me politikat e ndërmarra me qëllim të garantimit të të drejtave për përfaqësim politik të grupeve pakicë në vend të cilat janë në pozitë të paprivilegjuar apo të diskriminuar, si decentralizmi i pushtetit, postet e rezervuara në Kuvend, qeveri, etj. Ato mund të justifikohen si një mekanizëm i përshtatshëm që grupe të ndryshme të përfaqësohen në kushte të caktuara. Mirëpo, një efekt i padëshirueshëm i tyre është se ato po legalizojnë ndarjet ekzistuese ndër-etnike dhe nuk po u japin shans zhvillimit të identiteve politike që i tejkalojnë ato etnike. Sidoqoftë, ndoshta këto të drejta për përfaqësim të garantuar në struktura të pushtetit të vendit nuk kërcënojnë unitetin politik, sa kërcënojnë nëse këto të drejta shtrihen aq larg sa për të garantuar pretendimet për vetëqeverisje kombëtare, siç po ndodh për shembull në veri të vendit.

Rrjedhimisht, rregullimi politik i Kosovës (përkundër përpjekjeve që të akomodohen disa elemente të identiteteve etnike) është pengesë për lindjen e një identiteti qytetar (politik) që kishte me nxjerrë në pah vlerat e përbashkëta qytetare të grupeve etnike në Kosovë.

Për shqiptarët e Kosovës kombi dhe shteti nuk janë njësoj

Ithtarët e idesë së ‘kombit kosovar’ identifikimin e qytetarëve të Kosovës me kombësinë e tyre shqiptare apo serbe e shohin si pengesë që pamundëson formimin e qytetarisë kosovare. Pra, në një mënyrë mendohet se identifikimi sipas përkatësisë kombëtare bie ndesh me identifikimin si qytetar i Kosovës. Në të njëjtin përfundim të gabueshëm, por prej një rruge tjetër, vijnë edhe ithtarët e pikëpamjes së kundërt, të cilët mendojnë se uniteti qytetar i Kosovës është i mundshëm vetëm në dëm të aspiratës së shqiptarëve në Kosovë për ‘bashkim kombëtar’. Kjo pikëpamje nacionaliste etnike-gjenealogjike, që përdor nocionin e kombit kulturor ose etnik, thotë se kombi (në kuptimin etnik) dhe shteti janë apo duhet të jenë një.

Për rrjedhojë, besnikëria ndaj idesë së ‘kombit qytetar kosovar’ dhe Kosovës multietnike paraqet braktisje të përkatësisë kombëtare shqiptare. Kësisoj është krijuar një besim i rremë që idenë e shtetit të Kosovës dhe qytetarisë kosovare i konsideron kërcënim për përkatësinë shqiptare dhe thotë se uniteti politik i tërë grupeve etnike në Kosovë është i pamundshëm apo i dëmshëm dhe se aspiratat e shqiptarëve në Kosovë gjithnjë kanë qenë për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Mirëpo, ky është një mit anakronik dhe harron se për shqiptarët e Kosovës kombi dhe shteti nuk janë një dhe e njëjta gjë dhe se identifikimi me kombin shqiptar dhe shtetin e Kosovës nuk përjashtojnë patjetër njëra-tjetrën. Kosova që moti është një njësi kuazi-shtetërore, apo një ‘polity’, pra një territor me qeveri të veten. Kështu, shqiptarët e Kosovës kanë zhvilluar mënyra për të ruajtur ndjenjën e identitetit kombëtar shqiptar (të bazuar mbi elemente etnike e kulturore), edhe pse nuk kanë qenë pjesë e shtetit shqiptar, njëkohësisht duke qenë të lidhur gjithmonë me Kosovën si një ‘polity’ ose shoqëri vetëqeverisëse.

Rezistenca shqiptare kundër dominimit serb në Kosovë ka qenë kryesisht për Kosovën republikë në kuadër të Jugosllavisë dhe më vonë për shtet të pavarur nga Serbia. Këto aspirata të udhëheqësve dhe kryengritësve shqiptarë në Kosovë i kanë orientuar ndjenjat nacionaliste shqiptare në Kosovë drejt një ideje se identifikimi si komb shqiptar dhe miratimi i shtetit të Kosovës nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Kjo ide është pranuar në përgjithësi. Ndjenjat kombëtare shqiptare në Kosovë kanë qenë të lidhura më tepër me elemente etno-kulturore, me mitet e prejardhjes së përbashkët etj., se sa me një projekt nacionalist që i do të gjithë shqiptarët në një shtet.

Edhe para vitit 1999 klasa politike e Kosovës ka zhvilluar një diskurs që në një mënyrë është zhvilluar ndaras nga ‘nacionalizmi mbarëshqiptar’. E kam fjalën për mitin e promovuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, i cili përmes simboleve të zgjedhura ka dashur të theksojë lidhjen e shqiptarëve të Kosovës me Dardaninë e lashtë që, ndonëse nuk përjashton vetëdijen për ‘origjinën e përbashkët mbarëshqiptare’, ka tendencë të zhvillojë një vetëdije mitike disi të veçantë për shqiptarët e Kosovës. E reja në periudhën që nga viti 1999 është se ideja e nacionalizmit shqiptar në mesin e shqiptarëve kosovarë në njëfarë mënyre është vënë në rend të dytë, ose së paku ka humbur fuqinë mobilizuese të saj në saje të aspiratës për krijim të një shteti kosovar multietnik.

Akti i shpalljes së pavarësisë nuk ka qenë i papritur për shqiptarët e Kosovës. Kështu, as 17 shkurti 2008 nuk është një moment kthesë për sa i përket konceptimit të ‘nacionalizmit mbarëshqiptar’ në Kosovë. Ka pasur një miratim nga politikanët kosovarë si dhe praktika e shenja se shteti i Kosovës nuk do të jetë vetëm i shqiptarëve dhe për shqiptarët.

Kështu, për shqiptarët e Kosovës, kombi nuk është një apo baras me shtetin; kombi është ai shqiptar, ndërsa shteti është Kosova. Dhe as që vihet në pikëpyetje se lojaliteti ndaj shtetit të Kosovës është në kundërshtim me përkatësinë e tyre shqiptare.

Botuar tek: Trendet më 19 gusht 2011 dhe me shkurtime në Shenja, korrik 2011

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: