gselaci.wordpress.com

Pengesat e qytetarisë në Kosovë

In Kosova, Multietniciteti dhe Multikulturalizmi on 6 June, 2011 at 07:44

Gëzim Selaci

Pas pavarësimit të Kosovës, në diskutime publike në vend është shtruar ideja se ‘kombi kosovar’ ka me lindë si pasojë e pashmangshme e krijimit të shtetit të Kosovës. Mirëpo, ky është një mit i përgënjeshtrueshëm ngase shteti mund të kapërcejë përçarjet ndërmjet etnive apo kombeve, por jo domosdoshmërisht duke lindur një komb unik.

Shpresa se shteti i Kosovës ka me lindë ‘kombin qytetar kosovar’ është e kotë në një kontekst kulturor ku ndjenjat kombëtare më tepër kanë qenë të lidhura me elemente etno-kulturore (si gjuha e përbashkët, për shembull, mitet e prejardhjes së përbashkët – ‘gjaku’, e të ngjashme) dhe as që është e parashikueshme se do të ndërrojë kjo. Arroganca e disa individëve ‘të iluminuar’ e të vetëshpalur pararojë e ‘kombit kosovar’, nuk ka me ndryshu këtë mendësi.

Në të vërtetë, çështja nëse duhet shpikur apo jo një identitet kosovar në kuptim të identitetit kombëtar është e kotë dhe e panevojshme. Askush nuk po kërkon që të bëhet një gjë e tillë. Madje, kjo nuk ka qenë kërkesë as për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës dhe pra nuk kërkohet as prej projektuesve të shtetit të Kosovës.

Mendoj se në shoqërinë e re të Kosovës është e nevojshme të mendohet se si të arrihet uniteti politik në kontekst të përçarjeve ndër-etnike e që mund të bëhet edhe pa idenë e formimit të një ‘kombi kosovar’. Strategjia ndërkombëtare angazhohet që identiteti i përbashkët politik të arrihet përmes krijimit të një shoqërie ku sundon ligji (Eulex-i është krijuar për këtë), respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave (të detyrueshme me Planin e Ahtisarit dhe të integruara në Kushtetutë), aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Europian (si devizë për legjitimimin e qeverive në vend), e kështu me radhë. Ndonëse, kjo strategji duket e përshtatshme, sukseset e janë tejet të pakta. Por, pavarësisht nga mossuksesi i politikave, qëllimet (apo së paku disa prej tyre) mbesin të justifikueshme.

Megjithatë, procesi i krijimit të identiteti unik politik dhe qytetarisë kosovare po duket të jetë i vështirë. Sfida është të zbatohet sundimi i ligjit në tërë territorin dhe segmentet e shoqërisë, në mënyrë që vendi të bëhet një shtet ku entitetet etnike do të formojnë një shoqëri unike në të cilën do të jetojnë dhe prosperojnë. Fuqizimi i institucioneve vetëqeverisëse në Kosovë mund të lehtësojë kapërcimin e përçarjeve kombëtare/etnike, apo së paku t’i vë në rend të dytë këto dallime. Nëse Kosova do të funksionojë si shtet i suksesshëm, forca e shtetit për të krijuar një identitet mbi-etnik, i bazuar në një ide të qytetarisë së përbashkët, apo në një “patriotizëm kushtetues”, nuk duhet të nënvlerësohet.

Mirëpo, përveç rrethanave objektive politike dhe shoqërore, në procesin e krijimit të unitetit politik dhe qytetarisë, ndikimin të pamohueshëm ka edhe klasa politike. Ajo, së bashku me inteligjencinë e shoqërisë mund të caktojnë drejtimin e politikave identitare drejt nacionalizmit etnik-kulturor apo drejt qytetarisë së përbashkët.

Të motivuar politikisht, klasa politike mund të përdorë ndjenjat nacionaliste për motive politike, si për shembull për të arritur në pushtet dhe për të legjitimuar atë. Ndoshta klasa politike në Kosovë, e shtyer nga pasioni për pushtet dhe nevoja për ta legjitimuar atë, ka anuar nga ligjërimi etno-nacionalist për të përkthyer ndenjat nacionaliste në mbështetje të masave. Prandaj, deri sa diskursi pro ‘kombit shqiptar’ dhe ai pro ‘kombit serb’ janë leva që ndihmojnë me fitu vota nga qytetarët si dhe përkrahje nga Serbia përkatësisht, askujt prej politikanëve në Kosovë nuk i levërdis me promovu sinqerisht idenë e qytetarisë së përbashkët (aq më pak ‘kombit kosovar’). Natyrisht, kjo nuk nënkupton se klasa politike kosovare shqiptare ka një projekt nacionalist shqiptar, por se ligjërimi nacionalist mbetet në nivel të retorikës.

Prandaj, mundësia e arritjes së një uniteti politik, përmes krijimi të një identiti të bazuar në qytetarinë e përbashkët, varet edhe prej elitave politike e kulturore të shoqërisë të cilat mund ta promovojnë atë apo ta paraqesin si kërcënim për identitetin kombëtar a etnik të grupeve përkatëse.

Botuar në Zëri, më 20 maj 2011.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: