gselaci.wordpress.com

‘Young Europeans’: Fryma e Re

In Politikë on 11 December, 2010 at 07:42

Gëzim Selaci

Në prag të zgjedhjeve të para të përgjithshme pas pavarësimit të vendit garës për pushtet iu shtuan edhe dy parti të reja: Fryma e Re (FER) dhe Vetëvendosje, të cilat kërkojnë votuesit e tyre në mesin e qytetarëve të hidhëruar e të dëshpëruar në politikë. Nëse për asgjë, hyrja e këtyre dy partive në politikë duke vënë theksin në programet e tyre dhe si një përpjekje për të kthyer besimin tek politika i bën ato meritore të quhen parti alternative.

Për dallim nga Vetëvendosja, e cila sistemin politik të përbërë nga dy nivele të autoritetit politik (ndërkombëtar e vendës) e konsideron si objekt të sulmit të tyre, Fryma e Re (FER) e sheh atë si adresë të kërkesave ku duhen gjetur zgjidhjet për problemet e Kosovës. FERi përvetëson diskurset e ‘zhvillimit ekonomik’, ‘ndërtimit të shtetit’, ‘integrimit në BE’, ‘standardeve liberale të demokracisë’, ‘të drejtave të njeriut’, sipas konceptimit hegjemonik të ideologjisë neoliberale nga e cila duket se udhëhiqet projekti ndërkombëtar i ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Të gjitha partitë në praktikë kanë ndjekur politikat ekonomike të përshkruara nga institucione dhe organizata të udhëhequra nga ideologjia neoliberale si dhe rregullimin politik të vendit nga autoritetet ndërkombëtare në vend, pavarësisht programeve të tyre, të cilat joradhë bien ndesh me praktikën e atyre partive. Po kështu, as FERi nuk paraqet kurrfarë alternative apo risie për sa i përket vizionit dhe programit të saj. Në fakt, përveç që përqendrohen në ekonomi, kjo parti e re nuk ofron vizion të ri apo të ndryshëm të sistemit a organizimit politik nga ajo që qeveria e kaluar e ka ndërtuar. Çka do të mund të bënte FERi ndryshe nga ky legjislacion dhe nga këto institucione shtetërore që kanë ndërtuar qeveritë e dertanishme?!

Mirëpo, ajo çfarë mund të jetë e re është se njerëzit e FERit besojnë në këto politika, për dallim nga të partive të tjera që për arsye pragmatike, oportuniste apo prej zori i kanë pranuar politikat dhe sistemin në fjalë. Prandaj, mbase FER-i mund të zëvendësojë elitën e deritanishme politike e cila nuk po angazhohet mjaft drejt politikave në fjalë. Kështu ajo mund të arsyetojë daljen e saj si një nevojë për një elitë të re politike e formuar nga një shtresë e mesme në mesin inteligjencës, aktivistëve e biznismenëve të rinj, të formuar e të shkolluar kryesisht nëpër Europë e Amerikë. Natyrisht qëllimi i këtyre ‘young europeans’ kishte me qenë të heq politikanët e vjetër e të korruptuar, dhe të marrë pushtetin për të mundësuar zhvillim ekonomik e social, sipas doktrinës neoliberale për zhvillim ekonomik e ndërtim të shtetit për shoqëritë pas konfliktit. Në këtë mënyrë ndërkombëtarët dhe kosovarët së bashku do të ndryshonin politikën e vendit drejt aspiratave të përbashkëta.

Kjo mund të ketë dy efekte. Së pari, qëndrimet liberale të FERit do të amortizojnë pikëpamjet më ekstreme të Vetëvendosjes dhe votuesit e hidhëruar të Kosovës do të kenë një vend ku do të hedhin votën, nëse këtë nuk ia besojnë Vetëvendosjes. Së dyti, faktorët ndërkombëtarë që shoqërinë e Kosovës duan ta shohin në Europën e bashkuar, do ta kenë më lehtë ta realizojnë këtë vizion përmes njerëzve të rinj të FERit të cilët mbase e njohin më mirë Europën, nuk kanë ngarkesa nacionaliste dhe nuk praktikojnë parapolitikë. Fundja, padronët gjithnjë preferojnë të punojnë me njerëz më të rinj që kanë mendime të përafërta me të tyre dhe më të padjallëzuar, apo jo?

Pavarësisht përkrahjes dhe simpatisë që FERi i gëzon në qarqet e organizatave joqeveritare perëndimore, por edhe në mesin e autoriteteve dhe diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë, ideja për ndryshim të qëllimshëm, ka telashet e veta: Si ka me i fitu votat FER-i? Kush janë votuesit e saj? A po i josh ajo vetëm një shtresë të rinjsh kryesisht urban të cilët janë ose tepër dembelë ose tepër skeptikë në politike për të votuar? A është i mundur të lulëzojë një koncept qytetar në shoqërinë ku politika ndërkombëtare praktikisht po përjetëson dhe legalizon ndarjet ndërmjet etnive. A thua se në rrethana të tilla çdo nismë qytetare në politikë do ta ketë fatin e Listës Ora si më parë?

Shansi i FERit është të gjejnë votuesit e tyre në mesin e qytetarëve që nuk votojnë sepse nuk besojnë se partitë e deritanishme do t’i përfaqësojnë interesat e tyre. Një profilizim më i veçantë ideologjik dhe një program i elaboruar besoj se do të fitonin vota nga votuesit e papërcaktuar të cilët momentalisht nuk shohin ofertë politike për vete.

Dhe, mendoj, se kjo do të ishte baza më e fortë mbi të cilën kjo parti do të legjitimonte veten, ngase në një vend ku preferencat e votuesve determinohen me të madhe nga personalitetet e liderëve dhe ku vota edhe mund të shitet, kjo parti me orientim qytetar dhe liberal e ka të vështirë t’i konkurrojë seriozisht partive mbizotëruese dhe atyre që bazohen në ndjenja nacionaliste e rajonale.

Botuar në Zëri, 4 dhjetor 2010.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: