gselaci.wordpress.com

Nacionalistët e majtë: Vetëvendosje

In Politikë on 3 December, 2010 at 09:28

Gëzim Selaci

Me shfaqjen e Vetëvendosjes në skenën politike të Kosovës, si subjekt politik me qëndrime të dallueshme nga partitë e tjera të Kosovës, mbetet të shihet se a është ajo partia që brezi i ri në Kosovën e pasluftës e ka pritur për të përfaqësuar interesat e për t’iu adresuar kërkesave të tyre në shtetin e Kosovës.

Më duket se opinioni i qytetarëve ka qenë i papajtueshëm me atë të politikës zyrtare dhe bërësve të opinionit publik përkitazi me Vetëvendosjen. Ka pasur një kohë kur pozicionimi kundër Vetëvendosjes ka qenë tregues dhe matës i shkallës së lojalitetit ndaj pushtetit ndërkombëtar në Kosovë. Ndonjëherë kjo shkonte deri në absurd, saqë lëvizja fajësohej edhe për gabimet e të tjerëve, si për viktimat e vrara nga policia e UNMIKut në demonstratat e Marsit 2007. Megjithkëtë, si rezultat i qëndrueshmërisë së aktivistëve si dhe përfshirjes së tyre në garë për poste institucionale, kanë ndryshuar edhe qëndrimet duke i siguruar lëvizjes respekt edhe nga kundërshtarët e saj. Pranueshmëria dhe simpatia e saj sa vjen e shtohet në mesin e shqiptarëve të Kosovës duke qenë se koncepti i tyre i ‘vullnetit të popullit’ përputhet me mitet kombëtare.

Është herët të thuhet nëse Vetëvendosja do të jetë partia e brezit të ri. Tash për tash është me interes të shohim tek shndërrimet nëpër të cilat po kalon dhe ka për të kaluar Vetëvendosja, jo më vetëm si lëvizje shoqërore kundër sistemit, por si parti brenda sistemit. Rreth këtij ndërrimi të mënyrës së veprimit të lëvizjes, mbesin pyetje të shumta përkitazi me filozofinë (ideologjinë) dhe praktikën politike përgjigjet e të cilave do të vendosin për fatin e Vetëvendosjes.

Në rrafshin e filozofisë politike, ndoshta dilema që më se shpeshti ngrehet është se a bëhet që një lëvizje jashtëinstitucionale, madje antiinstitucionale, që ka legjitimuar veten si zëri që flet ‘të vërtetën’ në emër të popullit të Kosovës dhe interesit të panegociueshëm kombëtar, e kundër të gjithëve dhe gjithçkaje që po ia merr popullit “të drejtën për vetëvendosje” të hyjë si parti brenda sistemit që është hartuar me qëllim që sundimi të mos i lihet popullit dhe që ka qenë në shënjestër të refuzimit të Vetëvendosjes?

A do të vazhdojë lëvizja të kërkojë zgjidhje e strategji me koncepte ekskluzivisht nacionaliste ndaj çështjes së shtetit të Kosovës që fort varet nga procese ndërkombëtare të cilat fuqishëm po e determinojnë fatin e saj? Mbase një ithtar me lehtësi do të argumentonte për sovranitetin e shtetit, por kjo qasje e thjeshtëzuar nuk i adresohet çështjes së ‘borxhit’ që ua kemi shteteve dhe shoqërive të cilat kanë bërë shumë që të na shpëtojnë nga gjenocidi serb.

Çështja është se ku do të gjejë Vetëvendosja formulën që ka me i zgju forcat e fjetura të shqiptarëve në kohën kur ka humbur referenca e së majtës nacionaliste shqiptare (xhaxhi Enver ka vdekur) dhe kur ‘integrimit euro-atlantik’, si diskurs legjitimues, nuk i shihet alternativa. Natyrisht, nuk flas për forcat që i çojnë votuesit te kutitë e votimit (se fundja fushatat parazgjedhore tek ne bëhen me yje të estradës dhe votat mund të blihen e manipulohen), por për ato që pakënaqësinë e letargjinë e kthejnë në veprim dhe votuesin e shndërrojnë në ‘qytetar aktiv’. Vështirësia qëndron aty se ky koncept i qytetarit nuk përputhet me kulturën politike, por Lëvizja ka qenë mjaft e mençur sa për ta mbështjellur këtë ide me retorikën që shkon me narrativin kulturor mbi mitet kombëtare. Veç kësaj, duket se kombinimi i retorikës nacionaliste me tone të theksuara të majta për sa i përket qëndrimeve mbi liritë dhe sistemin ekonomik, këtë të dytën mund t’a bëjë më lehtë të pranueshme për qytetarët.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për çështje dhe pyetje nga rrafshi i praktikës politike, ajo që më së pari të bie ndërmend është se sa është e mundshme ideja e Vetëvendosjes për zhvillim ekonomik, jo domosdoshmërisht përmes hapjes së tregut ndaj investitorëve të jashtëm dhe privatizimit të ndërmarrjeve publike, por kryesisht zhvillim me forcat tona?

Cilat do të jenë marrëdhëniet e saj me pranitë ndërkombëtare në vend? A do të ndryshojnë ato nga marrëdhënie përplasjeje ku ndërkombëtarët do të vazhdojnë të jenë të përfshirë në një konspiracion së bashku ose kundër liderëve politikë vendorë, siç e sheh Vetëvendoja, në marrëdhënie partneriteti me autoritetet ndërkombëtare të cilëve do t’u gjendej një rol rreptësishtë vetëm ndihmës dhe monitorues?

Në rrethanat e pavarësisë së mbikëqyrur ku Eulex dhe Zyra Civile Ndërkombëtare janë autoritetet më të larta për sa i përket rendit dhe ligjit dhe garantimit të implementimit dhe interpretimit të Planit të Ahtisarit, a do të gjejë Vetëvendosja rrugë institucionale për të sfiduar vetë nenet e këtij Plani të cilat ajo i sheh problematike, apo kundërshtuar apo korrigjonte Planin e Ahtisarit?

A mund të imagjinohet çlirimi nga pushteti ‘korrigjues’ i autoriteteve ndërkombëtare ndaj udhëheqësisë së vendit dhe krijimi i mekanizmave përmes së cilave qytetarët do të merrnin në llogari pushtetin ndërkombëtar për veprimet e tyre?

Vetëvendosja është e kujdesshme që t’i shmanget fjalës së ndaluar ‘revolucion’, por a sheh Vetëvendosja rrugë institucionale për të kthyer sovranitetin e popullit? Dhe, nëse veprimi institucional është i pamundur, a kishte me pasë Vetëvendosja kurajën dhe kapacitetin me i pri një revolucioni që kishte me pretendu sovranitetin e me lind përnjëmend Republikën e Kosovës apo bashkimin me Shqipërinë?

S’është kollaj, madje është shumë e ndërlikuar dhe ka njëmijë skenarë për të parë përfundimin e dështuar. Megjithatë, na pëlqen të besojmë se “politika është art i së mundshmes”…

Botuar në: Zëri, 2 dhjetor 2010

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: