gselaci.wordpress.com

Sovraniteti i mohuar: Paradokse të ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovë

In Institucione shtetërore, Kosova, Shtetndërtimi ndërkombëtar on 4 October, 2009 at 14:51

Gëzim Selaci

Përmbledhje. Teoria dhe praktika e shtetndërtimit ndërkombëtar në Kosovë e sheh me dyshim procesin vendës politik dhe beson se nëse ky proces nuk rregullohet nga jashtë, mund të sjellë në pushtet elita jokompetente e liderë politikë ekstremistë, si dhe të nxisë tensionet dhe ndarjet. Andaj, ‘bashkësia ndërkombëtare’ krijon një marrëdhënie paternalizmi me Kosovën, në të cilën Kosova duhet të zbatojë planet ndërkombëtare për të ndërtuar institucionet e shtetit. Mirëpo, një qasje e tillë po ndërton institucione jodemokratike dhe që nuk kanë rrënjë të thella në shoqërinë për të cilën supozohet se po ndërtohen ato. Duke analizuar rrjedhën e ndërtimit të institucioneve dhe demokratizimit në Kosovë, kjo ese vlerëson se cilat janë kufizimet dhe të metat e shtetndërtimit ndërkombëtar në Kosovë që përjashton qytetarinë nga ky proces dhe ulin rolin e qytetarëve në pranues pasivë. Eseja përfundon se është pikërisht procesi vendës politik, dhe jo administrimi ndërkombëtar, përmes së cilit ndërtohen dhe legjitimohen institucionet shtetërore. Vetëm procesi politik vendës që do të siguronte një shkallë më të lartë të përgjegjshmërisë do të mund të krijonte institucione legjitime e të qëndrueshme dhe do t’i jepej një energji praktikës demokratike në mënyrën që rregullimi ndërkombëtar nuk e bën dot.

Hyrje

Kjo ese shtjellon shtetndërtimin ndërkombëtar në Kosovë dhe me këtë frazë nënkuptoj angazhimin e organizatave ndërkombëtare dhe shteteve të jashtme me qëllim të ndërtimit të paqes, ndërtimit dhe forcimit të institucionit të qeverisjes, të demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës, në një mjedis të dalë nga konflikti i përgjakshëm gjatë të cilit armiqësitë ndërmjet grupeve etnike janë thelluar dhe autoriteti i shtetit ka rënë në tërësi. Eseja do të përqendrohet në ato çështje të ndërtimit të shtetit që kanë të bëjnë me ndërtimin e institucioneve demokratike dhe do të hulumtojë se si lidhen ato me konceptin e sovranitetit dhe legjitimitetit.

Natyra e ndërkombëtarizuar e ndërtimit të shtetit në vitet e fundit është e lidhur me sistemin e qeverisjes globale, zgjerimin e kompetencave të ligjit ndërkombëtar, si dhe me ndryshimin e të kuptuarit të nocionit të sovranitetit si pasojë e sjelljes së aktorëve në nivelin ndërkombëtar. Si rezultat i ndryshimit të raporteve të fuqisë pas Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit bipolar mbizotërues, një kornizë e re normative i ka hapur udhë rregullimit dhe intervenimit ndërkombëtar në çështje të brendshme të shteteve. (Chandler 2006)

Në këtë kornizë normative, aktorët ndërkombëtarë e trajtojnë Kosovën si një fëmijë të papjekur që duhet të rritet duke dëgjuar këshillat e më të mëdhenjve dhe më të mençurve. Në shërbim të kësaj marrëdhënieje, është krijuar një administratë ndërkombëtare e cila merr një qasje teknokratike ndaj ndërtimit të institucioneve shtetërore në Kosovë, që bazohet në rregullim nga jashtë. Mirëpo, cili është ndikimi i këtyre politikave ndërkombëtare në projektin e ndërtimit të shtetit të Kosovës, është pikërisht tema e kësaj eseje.

Qëllimi i esesë është të shqyrtojë dimensionet normative të shtetndërtimit dhe të analizojë në mënyrë kritike politikën e shtetndërtimit ndërkombëtar në Kosovë në raport me procesin e ndërtimit të institucioneve të shtetit, legjitimitetin politik dhe proceset e demokratizimit. Eseja është një kritikë e shtetndërtimit ndërkombëtar dhe e raportit të tij me konceptin e sovranitetit. Ajo argumenton se teoritë dhe praktikat mbizotëruese të administrimit ndërkombëtar nuk e kuptojnë natyrën komplekse të sovranitetit, domethënë çështjet e legjitimitetit të shtetit dhe institucioneve. Me fjalë të tjera, teoria në të cilën bazohet shtetndërtimi ndërkombëtar, e që nënkupton rregullim nga jashtë dhe shtypje e të shprehurut politik, është e papajtueshme me parimin e sovranitetit popullor, prandaj për pasojë rrjedhin probleme me legjitimitetin e institucioneve të shtetit. Kjo qasje minon sovranitetin shtetëror kosovar dhe procesin politik të Kosovës, duke penguar angazhimin e shoqërisë në diskutime dhe polemika vlerësuese që i paraprijnë bërjes së politikave.

Teoria e administrimit ndërkombëtar e konceptualizon ndërtimin e shtetit në Kosovë kryesisht si çështje administrimi dhe jo si çështje politike. Për pasojë në politikën e administrimit ndërkombëtar të Kosovës mbizotëron një qasje teknokratike që e shikon procesin e shtetformimit si të ndarë nga procesi politik vendës dhe i jep përparësi kontrollit dhe administrimit të politikës vendase. Ky studim vlerëson të metat dhe kufizimet e kësaj qasje të administratës së përkohshme ndërkombëtare (UNMIK, ZCN, PCN, Eulex) në ndërtimin e institucioneve shtetërore të qeverisjes dhe ligjvënies, si dhe ndërtimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit. 

Ky studim bazohet në mësimet nga teoria e demokracisë radikale për të kritikuar shtetndërtimin ndërkombëtar në Kosovë. Ideja e demokracisë radikale është një metodë apo instrument i përshtatshëm për këtë kritikë, pasi  ajo siguron një kritikë të agjendës neo-liberale që insiston në konsensus duke shpërfillur procesin politik. Sipas pikëpamjes së demokracisë radikale, demokracia duhet të ketë bazë politike, pra të ndërtohet mbi politikën. Kjo nuk e minon demokracinë, por përkundrazi pluralizmi dhe hapja ndaj opinioneve të ndryshme që demokracia radikale e mundëson, u hap derë një mori perspektivash politike si dhe identiteve e vlerave të ndryshme, duke aktivizuar dhe dhënë energji praktikës demokratike në mënyrën që koncepti neoliberal i demokracisë nuk e bën dot.

Sidoqoftë, shtetndërtimi ndërkombëtar nuk premton aq shumë në praktikë, siç duket në letër. Pengesat që e ndalojnë atë të arrijë qëllimet që ia vë vetes janë të shumta. Ato radhiten nga mosekzistimi i një ‘bashkësie ndërkombëtare’ që do të bashkërendonte veprimet e veta, mohimi i shprehjeve politike vendëse në të mirë të një qasjeje teknike administrative, vështirësitë e promovimit dhe importimit të demokracisë, vështirësitë që dalin nga fakti se vendimmarrja nuk informohet me kontekstin specifik në të cilin merren vendimet përkatëse, e deri te paradokset e bartjes së pushtetit tek aktorët lokalë dhe institucionit të ndihmës. Janë këto çështje dhe probleme që do të shtjellohen në vijim, gjithnjë duke u përqendruar në rastin e Kosovës së administruar dhe mbikëqyrur nga misionet ndërkombëtare.

Eseja është ndarë në pesë pjesë. Dy pjesët e para tërheqin vërejtjen ndaj dy burimeve të problemeve që po vështirësojnë shtetndërtimin në Kosovë, e që janë mungesa e bashkërendimit të veprimeve të ‘bashkësisë ndërkombëtare’ në Kosovë që do të siguronte një efikasitet më të lartë dhe orientim në procesin e shtetndërtimit, si dhe ideja që demokracia në një shoqëri mund të importohet, pa pasur nevojë që ajo të ndërtohet nga brenda. Pjesa e tretë shtjellon marrëdhënien në mes shtetndërtimit ndërkombëtar dhe konceptit të sovranitetit dhe legjitimitetit. Dy pjesët e fundit diskutojnë të metat e projektit ndërkombëtar në ndërtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës dhe demokratizim, ose me fjalë të tjera: pjesa e katërt diskuton problemin e qasjes teknokratike ndaj ndërtimit të shtetit, që po dështon të krijojë institucione të forta e demokratike, ndërsa pjesa e fundit hulumton gjendjen e rregullimit të pushtetit dhe përgjegjshmërisë së tij dhe se çfarë e bën pushtetin vendës shumë më pak përgjegjës ndaj popullatës vendëse se sa është normale për një regjim demokratik.

Lexo artikullin e plotë KËTU.

Botuar te: Revista Shkencore “Trendi Global”, Nr.3.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: