gselaci.wordpress.com

ZCN nuk është si UNMIK, por do të bëhet

In Shteti dhe pushteti on 7 June, 2009 at 08:11

Gëzim Selaci

Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ZCN) me zell të madh gati në çdo rast publik deklarojnë se ZCN është mision i ndryshëm nga UNMIKU, duke dashur të distancohen nga roli udhëheqës në favor të një roli mbështetës që do të sigurojë zbatimin e plotë të Propozimit Gjithëpërfshirës (‘Plani i Ahtissarit’) të hartuar nga teknokratë në krye me Ahtisaarin. Por, ata nuk e thonë se si dhe në ç’mënyrë mandati i ZCN, në veçanti i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) z.Pieter Feith që njëherazi është edhe Përfaqësues Special i Bashkimit Europian (PSBE), do të jetë i ndryshëm nga ai i UNMIK-ut.

Natyrisht struktura e ZCN-së si mision i themeluar nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar (GDN) që përbëhet nga shtete që e njohin pavarësinë e Kosovës  është e ndryshme nga UNMIK-u.  Mirëpo, në të vërtetë leximi më sipërfaqësor i rolit dhe detyrave të ZCN ashtu siç parashihet në Propozimin Gjithëpërfshirës zbulon se ZCN nuk është i ndryshëm nga UNMIK në kuptim të misionit të tij në vend,  si dhe të kufizimit të pushtetit apo mandatit të tij. Veç kësaj ZCN me paqartësinë se kush e drejton atë dhe kujt i jep llogari, i përngjan në disa aspekte UNMIK-ut. Në vijim po diskutoj me radhë këto aspekte krahasuese.

 

Mision i planeve të jashtme

Roli i ZCN, është që përmes PCN-së të sigurojë zbatimin e plotë të Propozimit Gjithëpërfshirës, si dhe të mbështesë integrimin europian të Kosovës duke këshilluar qeverinë e Kosovës si dhe liderët e komuniteteve në vend. Kjo zyrë punon ngushtë me praninë e BE-së në Kosovë: Bashkimin Europian, Përfaqësuesin Special të BE-së, Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Europian si dhe me misionin e sundimit të ligjit Eulex.

Për të mundësuar këtë rol të ZCN-së, Propozimi Gjithëpërfshirës parasheh mandat të gjerë për PCN i cili është emëruar nga GDN. Ky mandat nuk kufizohet vetëm në këshillim dhe mbikëqyrje, por—sipas shtojcës IX të Propozimit Gjithëpërfshirës—mandati dhe pushteti i tij në praktikë shkon shumë më larg këshillimit dhe mbikëqyrjes; ai është “autoriteti final në Kosovë sa i përket interpretimit të aspekteve civile” të Propozimit Gjithëpërfshirës. Dhe për të siguruar këtë, PCN mund të marrë “masa korrektuese për të përmirësuar […] çdo veprim që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës, që PCN-ja konsideron se përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje [Propozimit Gjithëpërfshirës]” si dhe “ta sanksionojë apo largojë nga detyra çdo zyrtar publik […] për ta siguruar respektimin e plotë të kësaj marrëveshjeje”.

Pra, ashtu si roli i UNMIK-ut që ishte të sigurojë zbatimin e plotë të Rezolutës 1244, dhe roli i ZCN-së është të sigurojë zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës. Emëruesi i përbashkët tyre është se në të dy rastet bëhet fjalë për misione që kanë pushtetin final ekzekutiv për të siguruar zbatim të planeve të hartuara nga jashtë dhe që nuk burojnë nga populli i Kosovës. Andaj, duke lexuar këtë shtojcë të Propozimit Gjithëpërfshirës, pyesim se çfarë do ta ndalonte PCN-në të ushtronte pushtetin e tij në këtë drejtim dhe si mund të thuhet se ZCN është i ndryshëm nga UNMIK-u?

Ekziston edhe një anë tjetër ngjashmërie, përveç mandatit të gjerë të pushtetit të PCN-së: mandatit të tij nuk i specifikohet as koha, por i lihet GND-së derisa të vlerësojë se Kosova ka zbatuar Propozimin Gjithëpërfshirës dhe të vendosë t’i jap fund këtij përfaqësuesi. Kështu është edhe me UNMIK-un; ai akoma vazhdon të jetë prezent në Kosovë dhe nuk dihet se kur do të shuhet.

Mirëpo, është e mundur që ZCN do të marrë kompetenca shtesë përveç atyre që parashihen në Propozimin Gjithëpërfshirës. Do të ishte gabim të mendohet se pushteti i gjerë i UNMIK dhe ZCN buron vetëm nga rregullimi formal ligjor. UNMIK-u pati shtuar rolin e tij pikërisht në saje të vakuumit ligjor e institucional në vend. Ai tani justifikon ekzistencën e tij në Kosovë edhe me administrimin e veriut dhe enklave serbe. Duke marrë parasysh pasivitetin e institucioneve të shtetit dhe dështimet që rezultojnë nga kjo—si dështimi për unifikimin e shtetit dhe shtrirjen e pushtetin edhe në Veri të vendit, dështimi për të luftuar krimin, etj.—nuk është e habitshme nëse ZCN (por edhe Eulex) justifikon forcimin e pushtetit të tij duke marrë role edhe më të mëdha ekzekutive për të plotësuar vakuumin institucional të krijuar nga strukturat vendëse. Kështu nga roli i mbikëqyrjes, prania ndërkombëtare do të shndërrohej në një rol më imponues ekzekutiv.

Përgjegjshmëri dhe llogaridhënie e jashtme

Por, ka edhe një tjetër aspekt kritik të ZCN-së që rrezikon t’i përngjajë gjithnjë e më shumë UNMIK-ut, dhe ai është përgjegjshmëria ose llogaridhënia. Që nga fillimi i misionit të UNMIK-ut, nuk ishte e qartë se cilit organ ndërkombëtar i jepte llogari ai (Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Departamentit të OKB-së për Operacione Paqeruajtëse, Departamentit të OKB-së për Çështje Politike, Grupit të Kontaktit, Komisionit Europian?). Kuptohet, në kontekst të një paqartësie të tillë, të gjithë këta i jepnin rekomandime, shpeshherë kundërthënëse, misionit.

Pavarësisht se ka vetëm mekanizma modestë që kontrollojnë dhe frenojnë ushtrimin e pushtetit të PCN, ky nuk është tërësisht i pakontrolluar. Ai ka pranuar disa aktorë ndërkombëtarë të marrin pjesë në marrjen e disa vendimeve të tij. PCN punon së bashku me ZCN dhe i jep llogari GDN i cili e ka emëruar atë. Por, sistemi i përgjegjshmërisë së PCN ndaj GDN është goxha problematik, për faktin se PCN ka mandat të dyfishtë dhe është njëkohësisht edhe PSBE të cilin e ka emëruar Këshilli i Bashkimit Europian në Kosovë.

Ndërkohë që mandati i z. Feith si PSBE në Kosovë është t’i ofrojë këshillat dhe mbështetjen e BE-së Qeverisë së Kosovës në procesin drejt integrimit europian, të promovojë bashkërendimin e plotë ndërmjet pjesëve të pranisë së BE-së në Kosovë, të ndihmojë drejtimin e politikës vendëse të Kryesuesit së Eulex-it në Kosovë, mandati i të njëjtit person përputhet me mandatin e tij si PCN që është të sigurojë zbatimin e plotë të Propozimit Gjithëpërfshirës si dhe të mbështesë integrimin europian të Kosovës.

Mirëpo, është kundërthënëse që i njëjti person mban postin e PCN dhe PSBE. Defekti qëndron në atë se PCN është i emëruar nga GDN ku bëjnë pjesë shtetet që mbështesin implementimin e plotë të Planit Gjithëpërfshirës (edhe pse nuk është e qartë se cilat janë procedurat formale ligjore të vendimmarrjes në këtë grup, nëse ka ndonjë),  kurse i njëjti person por tash si PSBE-së është i emëruar nga dhe përgjegjës ndaj Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (PPJS) i BE-së (z. Javier Solana), që është forum për bashkëpunim ndërqeveritar i përbërë nga kryesuesit e zyrave të jashtme të shteteve anëtare të BE-së në mesin e të cilave ka shtete që fuqishëm kundërshtojnë zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës.

Se çfarë rekomandime kundërthënëse mund t’i vijnë këtij forumi nga shtetet anëtare të BE-së që e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur, dhe nga ato që janë deklaruar se nuk do ta pranojnë mund të merret me mend, veçanërisht kur është e njohur se vendimet në strukturat e BE-së merrem me konsensus të shteteve anëtare. Në mungesë të një konsensusi të tillë në lidhje me Kosovën, ne tashmë jemi duke jetuar nën hijen e këtyre rekomandimeve kundërthënëse: BE-ja nuk flet një goje përkitazi me Kosovën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ngase jo të gjitha shtetet anëtare e pranojnë Kosovën e pavarur. Kjo minon edhe vetë misionin e PSBE-së që është të mbështesë integrimin evropian të Kosovës.

Pushtet mbi popullin

Sido që të jetë, administrata ndërkombëtare jep llogari vetëm në nivel ndërkombëtar, por jo edhe aktorëve vendës në Kosovë. Si UNMIK-u i cili në asnjë mënyrë nuk i përgjigjej drejtpërsëdrejti qytetarëve dhe gjyqit vendës, po kështu as ZCN/PCN nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse ndaj qytetarëve të Kosovës në të mirë të të cilëve supozohet se është hartuar Plani Gjithëpërfshirës dhe është krijuar vetë ZCN/PCN.

Domethënë, PCN nuk i nënshtrohet mekanizmave të kontrollit të pushtetit që kanë të bëjë me struktura të krijuara në atë mënyrë që të sigurohet se vendimet publike merren përmes një procesi transparent, as standardeve që udhëheqin sjelljen e autoriteteve publike që janë të zakonshme në kontekstin politik demokratik.

Këta mekanizma dhe standarde janë të rëndësishëm ngase garantojnë që vendimet publike dhe politike të merren si rezultat i diskutimit të shumë opinioneve dhe që vendimet e veprimet e pushtetarëve t’u nënshtrohen strukturave të rishikimit apo revizionit. Gjithashtu, mekanizmat e kontrollit të pushtetit publik shtojnë legjitimitetin në rënie të qeverisë dhe pushtetit ndërkombëtar që gjithnjë është i cenueshëm ndaj akuzave për jolegjitimitet, ngaqë këto mekanizma ndihmojnë të sigurohet se autoritetet publike u japin llogari atyre që më së shumti preken nga këto vendime e veprime, pra bashkësisë që qeveriset.

Në dritë të këtyre konsideratave, si dhe pikëpamja se ndryshimet e mëdha në sistemin politik në Kosovë nuk duhet të bëhen veças nga anëtarët e bashkësisë që qeveriset, PCN ndoshta mund t’i krijojë hapësirë strukturave vendëse të vendimmarrjes. Ky është një nivel më i lartë i pjesëmarrjes krahasuar me mënyrën e UNMIK-ut që merrte vendime duke i krijuar hapësirë vetëm pjesëmarrjes së strukturave vendëse gjatë hartimit të vendimeve ligjore në bashkërendim me ekspertët vendës të ligjit dhe zyrtarët e zgjedhur, por nuk ua lironte duart strukturave vendëse për vendime të pavarura nga ai.

Sidoqoftë, ndonëse niveli i kësaj pjesëmarrjeje tani mund të duket më i lartë, ajo çfarë me siguri mbetet pa prekur është raporti paternalist ndërmjet strukturave ndërkombëtare dhe vendore, në të cilin aktorët vendas nuk kanë mundësi vetoje mbi vendimet e PCN apo Eulex-it, as të shkarkojnë zyrtarë nga këta organizma. Në anën tjetër, personi me mandat të dyfishtë si PCN dhe PSBE ka lirinë të nxjerrë ligje përkundër kundërshtimit vendës, ndërsa nuk i nënshtrohen revizionit të gjykatave të Kosovës as ombudspersonit në vend.

Elita politike e Kosovës thotë (nuk e di a e beson këtë) se raportet paternaliste të ndërtuara në mes strukturave të pushtetit ndërkombëtar dhe atyre vendor është zgjidhja më pak e keqe për Kosovën dhe se kjo është fazë transitore deri në demokraci të plotë. Mirëpo, rëndësia e llogaridhënies për ushtrimin e demokracisë është themelore; është njëra nga tiparet thelbësore të shoqërisë demokratike, ngase llogaridhënia sjell përgjegjësi, transparencë dhe mekanizma më efikas të ekzekutimit të politikave

Ndërsa çështja se ky rregullim i pushtetit është i përkohshëm, vërtet është një argument, sado bajat, por që fatkeqësisht ende pi ujë për publikun kosovar. Po bëhen dhjetë vite që ne jemi pështjellur në këtë fazë ‘të përkohshme’, e cila jo që po dështon të zgjidh problemet e kosovarëve, por po krijon probleme të reja, ndërsa prania (administrimi dhe mbikëqyrja) ndërkombëtare po merret më shumë me problemet e saja, se si të rregullojë sistemin kompleks të përcaktimit të roleve të saj në vend, si të veprojë në mesin e rekomandimeve kundërthënëse, si të bashkëveprojë me aktorët vendës, sa pushtet të marrë në interpretimin e mandateve të tyre.

Problemi i brendshëm i paternalizmit është se duke ua mohuar të nënshtruarve të tyre të gjitha mënyrat e pavarura të shprehjes ose mbrojtjes së interesave të tyre, asgjë nuk e ndalon atë të degjenerohet në ushtrim të pushtetit vetëm për interesa të pushtetarëve, përveç përkushtimit moral të tyre. Megjithatë, ky përkushtim nuk është ilaç i injorancës së tyre për interesat e popullit, apo garanci për mashtrim, sidomos kur privilegjet materiale dhe ligjore ua zgjojnë të pavetëdijshmen atyre e cila më pas mund t’u prijë në rrugë. Vaj halli për popullin pastaj kur politika mbështetet në moral, apo kur mekanizmat rregullues dhe procedurat ligjore zëvendësohen me moralin a burrërinë e atij apo këtij PCN-je.

Botuar tek Gazeta Express më 14 qershor 2009.

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: