gselaci.wordpress.com

Shumë plane, asnjë për integrim të bashkësive

In Kosova, Politikat etnike, Shtetndërtimi ndërkombëtar on 26 November, 2008 at 08:46

Gëzim Selaci

Në rrjedhën jo pa telashe të shtrirjes së Misionit të BE-së në Kosovë (Eulex), OKB bëri publik planin me gjashtë pika për të cilin ishte marrë vesh me Beogradin, ndërkohë që qëndrimi i Prishtinës nuk ishte marrë parasysh. Bashkë me shtetet kryesore që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, OKB ngul këmbë në këtë plan. Megjithatë, Prishtina propozoi një plan alternativ me katër pika. Cili është emëruesi i përbashkët i këtyre gjithsej dhjetë pikave? Të gjitha ato tregojnë se nuk ka një strategji për të integruar bashkësinë serbe në Kosovë, afër një dekadë pas përfundimit të luftës. Si kështu dhe çfarë lidhje ka integrimi me këtë?

Eulex nuk mund të nisë nga puna pikërisht ngase nuk është i mirëseardhur nga bashkësia serbe në Kosovë, për shkak të mosbesimit të pranishëm në mesin e tyre ndaj këtij misioni. Beogradi mund të ndikojë në punën e Eulex-it, vetëm duke përdorë si mashë bashkësinë serbe të Kosovës. Sikur këta të mos kundërshtonin shtrirjen e Eulex-it sipas ‘Planit të Ahtisarit’, nuk do të kishte vështirësi në këtë drejtim, pavarësisht nga qëndrimi i Beogradit. Natyrisht që një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të lehtësonte gjërat, megjithatë, Eulex-it nuk i duhet me çdo kusht leja e OKB-së për t’u shtrirë në tërë Kosovën. Andaj, një lloj tjetër i ndihmës ndërkombëtare i duhet Kosovës, jo një lloj që i kopjon masat organizative në Bosnje (që e kanë ndarë shtetin në dy entitete jofunksionale), por një ndihmë që problemin e zgjidh duke mundësuar shtrirjen e Eulex-it edhe pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit.

Ajo çfarë duhet të bëjmë në rastin e ngjarjeve të këtilla nuk është vetëm të parashikojmë rezultatet e tyre, por, ç’është më me rëndësi, edhe të analizojmë shkaqet e tyre. Mbase kjo do të na ndalonte të biem vazhdimisht në grackën e ndjekjes së pasojave, e do të na mundësonte të përqendrohemi në avancimin e proceseve të ndërtimit të shtetit.

Përse integrimi?

Shumica shqiptare dhe udhëheqësit politikë kujtojnë pakicën serbe vetëm atëherë kur këta të fundit bojkotojnë institucionet e Kosovës apo u sjellin telashe misioneve ndërkombëtare në vend.

Nuk ka analiza serioze mbi atë se përse serbët kundërshtojnë aq ashpër këto institucione dhe misione, dhe as që mendon kush për ndonjë strategji se si të integrohet kjo bashkësi etnike në shoqërinë më të gjerë kosovare. Prandaj, marrëveshja e OKB-së nuk është e papritur; ajo vetëm përligj ndarjet faktike të Kosovës përgjatë kufijve etnikë. Kjo marrëveshje, si dhe plani i propozuar i Prishtinës, që është i zbrazët dhe jo novator, zbulon mungesën e një strategjie për të integruar serbët e Kosovës.

Akëcila strategji për integrim, duhet të lejojë dhe ndihmojë formimin e identiteteve politike të bazuara në orientime ideologjike që kapërcejnë identitetet e bazuar ekskluzivisht në përkatësi etnike. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet me plane të imponuara nga jashtë, por duhet të dalë nga procesi vendës politik.

Derisa të mos integrojmë pakicat etnike dhe të mos formojmë identitete ideologjike, Kosova do të vazhdojë të përballet me pasojat e pakicave të saja që rrinë mashë e atyre që nuk ia duan të mirën asaj, ndërsa fare pak kohë e mund do të mbetet për zhvillim dhe ndërtim të shtetit. Liderët kosovarë nuk duhet ta quajnë të sigurt integrimin e bashkësive dhe zhvillimin e vendit, ngaqë faktorëve ndërkombëtarë në fund të fundit iu intereson siguria e vendit dhe rajonit, dhe jo integrimi apo zhvillimi i Kosovës.

Trashëgimia e administratës ndërkombëtare

Nëse shohim se çfarë ka bërë administrata ndërkombëtare në të kaluarën për të integruar bashkësitë, nuk ka shumë me se mund të krenohemi. Duke dashur të ofrojë një alternativë të marrëdhënieve antagoniste ndërmjet bashkësive etnike në Kosovë, administrata ndërkombëtare është orvatur të ndërtojë një konsensus në kushte të të cilit ajo do të zbatonte planet e saja në territor.

Mirëpo, në një situatë ku antagonizmat etnikë ishin thelluar shumë, administrata ndërkombëtare nuk imagjinoi dot një mënyrë për të krijuar konsensusin, përveç të legalizojë ndarjet etnike duke ndërtuar institucione që do të operonin në bazë të vlerave etnike. Këtë e bëri përmes politikave si decentralizimi i territorit mbi bazën e kufijve etnikë, rezervimi i ulëseve në kuvend dhe posteve qeveritare për serbët dhe pakicat e tjera etnike në Kosovë, tolerimi i institucioneve dhe zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës (i cili duhej të administrohej vetëm e vetëm nga UNMIK-u dhe IPVQ, dhe kurrfarë institucione tjera paralele). Tani së fundmi, marrëveshja me gjashtë pika është vetëm një hap në vargun e hapave që legalizojnë ndarjet ndëretnike, madje edhe tani kur Kosova ka hyrë në një fazë të re të procesit të ndërtimit të shtetit!

Ndërsa këto politika forcuan edhe më vlerat e bazuara në identitete etnike, nuk habit përse mungojnë shanset për formimin e identiteteve mbi bazën e vlerave ideologjike të qytetarisë. Pengimi i shprehjes dhe pasqyrimit të vlerave dhe aspiratave politike, nuk jep mundësi për formimin e identiteteve mbi bazë të interesave politikë dhe shoqërorë. Kjo është arsyeja përse njerëzit në Kosovë nuk lidhen mbi baza të identiteteve ideologjike dhe nuk formojnë konflikte që do të kapërcenin ndarjet etnike.

Matanë etnisë në politikë

Pyetja është se si të mundësohet formimi i identiteteve politike të bazuara në interesa shoqërorë dhe ideologjikë, në një kontekst ku njerëzit janë identifikuar për një kohë të gjatë me përkatësinë e tyre etnike dhe përkundrejt grupeve të tjera shoqërore. Përgjigja është e thjeshtë: duhet të lejojmë që të zhvillohet demokracia në Kosovë, ngase procesi politik që demokracia e kërkon, në mënyrë të natyrshme mundëson formimin e interesave politikë që kapërcejnë identitetet politike të bazuara në përkatësi etnike. Ndërsa në Kosovë demokracia ekziston në shkallë minimale (vetëm përfaqësim, ku demos-i reduktohet në votues), ajo, sipas përkufizimit, është pjesëmarrje aktive e qytetarëve në diskutime dhe kontestime publike.

Në mënyrë që të demokratizohet shoqëria e Kosovës, procesi vendës politik nuk duhet të pengohet, sepse nuk ka demokraci pa politikë. Me proces politik kam për qëllim angazhimin e shoqërisë në bërjen e politikave dhe në legjitimimin e qeverisë. Vetëm duke bërë politikë—dhe me politikë nuk kam për qëllim valëvitje famujsh dhe thirrje sloganesh—domethënë duke u marrë me çështjet e vërteta të njerëzve dhe standardeve të jetesës, punës, arsimimit, banimit dhe shëndetësisë, mund të ngjallim shoqërinë duke u përqendruar tek ligjet përkatëse që e transformojnë atë.

Konsideroj se demokracia pluraliste dhe politika e përfshirjes është strategji që do t’u lejonte bashkësive të sillnin vlerat dhe aspiratat politike në sferën publike. Kjo strategji paraqet një alternativë, në njërën anë, të raporteve antagoniste që mbizotërojnë ndërmjet grupeve etnike, dhe në anën tjetër, të konsensusit pa politikë.

Hapja e sferës publike ndaj shprehjes së vlerave dhe qëllimeve politike është rast i mirë që këto të fundit të diskutohen dhe negociohen. Ndërsa pikëpamjet të cilat nuk janë në pajtim me planet e administratës ndërkombëtare, janë përjashtuar nga sfera publike, ato gjetën shprehje jashtë saj dhe morën formën e lëvizjeve nacionaliste të vijës së ashpër. Kjo është posaçërisht e vërtetë në mesin e bashkësive me nivel të ulët të përfaqësimit në institucionet politike, kryesisht—por jo vetëm—në mesin e bashkësisë serbe. Pengimi i shprehjes së vlerave dhe interersave politike e ka bërë të pamundur që ato të bëhen publike në mënyrë që të sfidohen, negociohen dhe të shqyrtohen përmes diskutimit në publik. Të përjashtuara nga sfera publike, ato në asnjë mënyrë nuk janë zbehur ose heshtur, por janë shfaqur në forma që shumë më vështirë menaxhohen. Në të vërtetë ato fshihen pas maskës së dhunës etnike, nacionaliste, apo fetare fundamentaliste.

Rregullat e ‘lojës’ politike

Duke marrë parasysh rrezikun që politika apo demokracia, në kuptim të ngushtë (vetëm zgjedhje që mbaron te kutitë e votimit), në shoqëritë pas konfliktit mund të sjellë në pushtet regjime të papërgjegjshme dhe të përforcojë pengesat strukturore të demokracisë, një konsensus në lidhje me rregullat e ‘lojës’ politike është i nevojshëm. Me fjalë të tjera, në mënyrë që politikja të ndodh dhe të shmanget mbizotërimi i partive të djathta ekstreme, një konsensus themelor mbi rregulla të caktuara përkitazi me hapësirën dhe kontekstin në të cilat bëhet diskutimi publik, është i domosdoshëm.

Rregulla më e rëndësishme e kësaj ‘loje’ politike është që ajo të ‘luhet’ brenda institucioneve legjitime të Kosovës, të cilat serbët në masë të madhe i kundërshtojnë. Në të vërtetë, legjitimiteti mund të kontestohet gjithnjë, mirëpo institucionet e ndërtuara nën përkrahjen dhe mbikëqyrjen e OKB-së si dhe përfaqësuesit e zgjedhur në këto institucione janë të ligjshme në nivel ndërkombëtar dhe vendor. Kjo është një bazë e përbashkët që mund ta bëjë të mundur një shoqëri të integruar kosovare.

23 nëntor 2008

(Botuar te Gazeta Express,  Prishtinë, 25 nëntor 2008)

Advertisements

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: