gselaci.wordpress.com

Posts Tagged ‘legjitimiteti’

Bazat legjitimuese të klasës politike

In Shteti dhe pushteti on 6 March, 2013 at 2:14 pm

Gëzim Selaci

Na duhet të gjejmë baza të tjera për të legjitimuar klasat politike. Cilado qofshin ato, për të garantuar se politikanët do të udhëheqin me drejtësi, nevojitet kompetencë e etikë profesionale edhe sistem funksional i llogaridhënies, se këto nuk zëvendësohen as me pretendime për të kaluarën heroike në luftë a paqe, as me merita për pavarësimin e vendit, as me premtime për të ardhmen euro-atlantike të vendit.

Kohë më parë, kryeministri i Kosovës pati bërë të ditur “tri ëndrrat e tij” për publikun. Ato kishin të bënin me largimin e Serbisë nga Kosova, pavarësimin e vendit dhe integrimin në Nato e Bashkimin Europian. Këto tre ëndrra të kryeministrit mishërojnë tre bazat themelore mbi të cilat janë legjitimuar klasat politike në Kosovë. Ato nënvizojnë kredencialet nga e kaluara (pjesëmarrja në luftën çlirimtare), nga e tashmja (pavarësimi i vendit) dhe nga e ardhmja (orientimi pro-integrimit europian). Me fjalë të tjera, nëse ke marrë pjesë në luftë (ose së paku ke sukses t’i bindësh të tjerët që ke pasë një rol të rëndësishëm në luftë), nëse ke kontribuar në pavarësimin e vendit nga Serbia (ose pretendon se ke merita për pavarësinë) dhe, së fundi, nëse politika (në nivel programi ose vetëm si retorikë) është në drejtim të integrimit të vendit në BE, atëherë ke shanse të shtuara për t’u pranuar si politikan legjitim në Kosovë (qoftë nga qytetarët e vendit, qoftë nga përkrahja e jashtme).

Klasa politike e Kosovës së pasluftës është pranuar nga publiku për aq sa i plotëson këto standarde. Mirëpo, që të tri këto tipa të bazave legjitimuese janë të manipulueshme dhe, në të vërtetë, mashtrime nga më të ndryshmet janë përdorë për të fituar këto kredenciale pa të drejtë.

Kredenciale nga e kaluara mund të fitosh nëse ke në dorë ke aparatin propagandistik në shoqëri, duke përdorë mediat, madje institucionet kulturore, arsimore e akademike për këtë. E kaluara manipulohet duke krijuar një narrativ të thjeshtëzuar të luftës; mite e legjenda për “partitë e dala nga lufta” si dhe “partitë e vijës së Rugovës” krijohen njëanshëm pa u përfshirë publiku i gjerë. Më pas, përmes makinerisë propaganduese personalitetet shiten si “heronj të luftës” e “trashëgues besnikë të filozofisë rugoviste”. Pastaj, mbi këtë bazë caktohen dhe arrihen postet publike, që nga nëpunës të rangut më të ulët në institucione publike e deri te postet më me përgjegjësi në shtet.

Mirëpo, pavarësisht meritave nga e kaluara, të falsifikuara apo reale, ato nuk mjaftojnë për të pretenduar poste me përgjegjësi publike e politike. Heroizmi e sakrifikimi i dikujt në të kaluarën apo afërsia me ndonjë personalitet me merita nuk është garanci, e as që mjafton, për të besuar se ai/ajo do të udhëheqë mirë.

Për sa i përket kredencialeve nga e tashmja, ato kanë të bëjnë me pavarësinë e vendit. Ata që kanë pasur fatin të jenë në strukturat vendimmarrëse shtetërore kanë fituar kredenciale të të qenit meritorë për pavarësinë. (Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se fati i vendit tonë në masë të madhe varet nga aktorë ndërkombëtarë, të cilët – siç po shihet – kanë pasur ndikimin vendimtar për sa i përket kohës së shpalljes së pavarësisë, formës dhe përmbajtjes së saj.) Fundja, pavarësia nuk duhet të jetë qëllim në vete, por mjet për t’ia kthyer sovranitetin popullit, ndërsa udhëheqësit politikë t’i bëjë përgjegjës ndaj qytetarëve të vendit. Politikanët shpeshherë, për të mbuluar dështimin dhe të pahijshmet e tyre, na përkujtojnë arritjen e “aspiratës shekullore a shumëshekullore” për pavarësimin e Kosovës. Kjo bëhet përmes propagandës zyrtare që na paraqitet në ekrane televizive, nëpër ceremoni e kremtime të arritjeve e të përvjetorëve, si dhe nëpër përkujtimore të heronjve legjendarë të luftës e të paqes.

Përveç kësaj, klasa politike mëton të legjitimohet edhe me premtime për integrim në strukturat euro-atlantike. (Me përjashtim të forcave të pakta politike që të ardhmen e shohin në “bashkimin kombëtar” si aspiratë më e ngutshme dhe më e rëndësishme se sa integrimi ne Bashkimin Europian.) Një shtet, që nuk është tamam shtet, duhet integruar në një bashkësi (që nuk është tamam bashkësi) shtetesh sovrane. Një shtet që akoma nuk ka as ushtri duhet anëtarësuar në aleancën më të fortë ushtarake të kohës. Perspektiva e integrimit të Kosovës në BE dhe Nato duket të jetë një ndërmarrje e ndërlikuar, por gjithsesi përdoret për të legjitimuar një klasë politike që premton ecje drejt Europës e Natos.

Pavarësisht krizës nëpër të cilën po kalon Europa dhe qëndrimit të ftohur të disa shteteve anëtare të Bashkimit Europian ndaj shtetit të Kosovës, duket se integrimi në BE është ende një ide atraktive për shumicën e popullsisë në Kosovë. Aspirata për integrim në BE mund të jetë një motor për përmirësimin e aspekteve të legjislacionit e për funksionim të gjyqësorit për një shtet jo të vetëmjaftueshëm siç është Kosova. Mirëpo, kjo aspiratë është tregues i varfërisë institucionale për aq sa motivi kryesor i ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet integrimi në një grup shtetesh fati i të cilit, përndryshe, është i paqartë.  Sido që të jetë, “integrimi në BE” në gojët e politikanëve më shumë është retorikë sesa program bindës e përpjekje e vërtetë në atë drejtim.

Për të përfunduar, këto tri baza të legjitimimit kanë të bëjnë me pranimin e klasës politike nga ana e qytetarëve dhe (ç’është më me rëndësi në shtetin e mbikëqyrur ndërkombëtarisht) aktorëve ndërkombëtarë në Kosovë. Me fjalë të tjera, me atë që më lart iu referova me “legjitimim” dua të them besim popullor në legjitimitetin e një udhëheqjeje politike dhe pranim nga aktorët ndërkombëtarë, pavarësisht mënyrës se si arrihet pushteti politik dhe si veprohet pasi të jetë arritur ai. Po duket që në kushtet shoqërore dhe në kulturën tonë politike e kaluara heroike, meritat për pavarësimin e vendit nga Serbia, bashkë me premtimin për integrim në BE dhe Nato, përbën një pushtet simbolik që pi ujë në një popullatë e cila lirinë e ka kërkuar në krijimin e një shteti për vete, por e dëshpëruar në këtë shtet, shpëtimin e gjen në Bashkimin Europian.

Megjithatë, po del se këto baza legjitimuese, që mbështeten në kredenciale (reale apo të rreme) nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të sjellë në pushtet klasë politike që do të ndërtonte një shtet për qytetarë dhe në të mirë të qytetarëve. Këto baza legjitimuese mbesin problematike për aq sa në pushtet sjellin politikanë që jo domosdo janë të aftë apo të interesuar të kryejnë detyrat për të cilat mbajnë përgjegjësi. Na duhet të gjejmë baza të tjera për të legjitimuar klasat politike. Cilado qofshin ato, për të garantuar se politikanët do të udhëheqin me drejtësi, nevojitet kompetencë e etikë profesionale dhe sistem funksional i llogaridhënies, se këto nuk zëvendësohen as me pretendime për të kaluarën heroike në luftë a paqe, as me merita për pavarësimin e vendit, as me premtime për të ardhmen euro-atlantike të vendit.

Botuar në Zëri më 7 mars 2013.

Europianizimi i trilluar i Kosovës

In Integrimi europian on 1 January, 2012 at 9:52 pm

Gëzim Selaci

Ka një dallim të qartë ndërmjet përmbushjes së standardeve europiane dhe europianizimit të trilluar të Kosovës. Për të parë dallimin, mjafton vetëm të krahasosh retorikën e “sukseseve drejt integrimit në BE” të politikanëve tanë me gjendjen faktike të një kosovari mesatar.

Përse ne kosovarët kemi udhëheqës politikë që na shërbejnë kaq për të keq? Duke iu falënderuar zhdërvellësisë propaganduese të politikanëve tanë si dhe ndonjëherë liderëve të “shteteve mike” që për liderët tanë flasin në superlativ, në ligjërimin politik dhe mediatik në Kosovë, paralel me realitetin, po krijohet një narrativ që quhet “procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian” e që është krejt i rrejshëm. Kjo rrenë ka prodhuar një tablo kafkiane ku gjatë gjithë kohës pseudo-mediat e pseudo-intelektualët ua paraqesin qytetarëve një panoramë të thjeshtëzuar të ecjes sonë me nxitim drejt Europës.

Mirëpo, ky diskurs është shumë, shumë i largët nga realiteti në të cilin jetojmë ne, qytetarët e Kosovës. Në të vërtetë, realiteti është një narrativ më i komplikuar: vendi jonë po izolohet, ndërsa shoqëria jonë gjithnjë e më shumë po i ngjan shoqërive autoritare se sa atyre europiane dhe, përveç bazës ligjore të ndërtuar qysh nga koha e UNMIK-ut që ka pasur për qëllim të krijojë një sistem ligjor sipas standardeve europiane dhe harmonizimit të ligjit të Kosovës me ligjin e Bashkimit Europian (acquis communautaire), Kosova fare pak ka bërë drejt plotësimit të standardeve për anëtarësim në BE.

Europianizimi si retorikë

Vetportretizimi i Kosovës në media lokale dhe në retorikën qeveritare është tepër i idealizuar, ndërsa gjendja faktike është shumë ndryshe. Ndërsa qeveria shpalos të arriturat e saja ekonomike, banorët e Kosovës vazhdojnë të mbesin më të varfërit në rajon dhe në Europë ku rreth gjysma e popullësisë që do të kishin mundur me punu janë të papunë. Ndërsa i shpallet zero tolerancë korrupsionit, Kosova kryeson listën e vendeve më të korruptuara ku tenderët kontrollohen nga qeveria. Ndërsa udhëheqësit politikë gojën e kanë pot demokraci dhe sundim të ligjit, Kosova vazhdon të ketë zgjedhje problematike, sistem të patronazhit politik, shërbime publike në nivelin më të ulët si dhe sundim të të fortëve, në vend të sundimit të ligit. Ndërsa qeveritarët flasin për “partneritet me Bashkimin Europian”, pasaporta e Kosovës është e vetmja në rajon të cilës i duhet vizë për të hyrë në zonën e Shengenit. Ndërsa harxhohen para të majme për fushata artificiale “Young Europeans” (që më tepër shënjojnë qytetarët e vendit se sa të jashtëm), Kosova as që ka bërë hapin e parë formal drejt anëtarësimit në BE (nuk është përfshirë në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit, por për të, si shtet “sui generis”, është sajuar njëfarë dialogu po ashtu “sui generis” me BE-në, e që e kanë quajtur “Stabilisaton Tracking Mechanism”). Ndërsa modeli i arsimit të lartë në Kosovë na paraqitej si një që ia ka lakmi rajoni, universitetet tona vazhdojnë të japin diploma që zor se kanë ndonjë vlerë në vend, e aq më pak jashtë vendit. Sistemi arsimor, i ideologjizuar së tepërmi, riprodhon provincializëm të intelektualëve që për të qenë diku dhe dikushi janë të shtyrë të hyjnë në raporte klienteliste me patronë nga radhët e partive politike në vend duke humbur autonominë intelektuale dhe çimentuar kulturën konformiste.

Dhe përkundër vargut të gjatë të dështimeve afatshkurtëra, ne ende duam të besojmë në suksese  afatgjata kur të gjithë do të kemi punë të mirë, e jo vetëm politikanët, familjarët e militantët e tyre; ku të gjithëve do të na mbesin para në xhep edhe pasi të kemi paguar shërbimet komunale; ku do të kemi dinjitet qytetar, e jo të jemi vetëm letëra në kuti të votimit dhe do të jemi pjesë e bashkësisë së shteteve të Europës ku e ndjejmë se përkasim.

Europianizimi si vetëlegjitimim

Derisa raportet e progresit të BE-së viteve të fundit e kanë paraqitur Kosovën shtet më të varfër dhe më të korruptuar në Europë, ku tenderet dhe transmetuesi publik kontrollohet nga qeveria dhe askush nuk jep llogari për miliona të humbura nga buxheti i Kosovës, një raport i Departamentit amerikan pati raportur për elemente të korruptuar brenda qeverisë së Kosovës.[1] Raporte të shumta të agjencive të jashtme tregojnë se Kosova është bërë vend trafikimi i drogës dhe prostitucionit. Hiq më pak kritik nuk ka qenë as European Broadcasting Union që vazhdimisht konludon se në transmetuesin publik të Kosovës (RTK) ka përzierje serioze nga politika.[2] Tablo jo më pak skandaloze na japin edhe raportet e Human Rights Watch, Freedom House, Bankës Botërore, e kështu me radhë…

Pavarësisht rëndësisë që kanë këto raporte për Kosovën dhe popullësinë e saj, qeveritë e Kosovës nuk mund të qëndrojnë indiferent para këtyre raporteve dhe vlerësimieve. Është simptomatike se kur qytetarët e vendit ndeshen me skamjen e prapambeturinë, pasigurinë e korrupsionin në çdo hap e çast të jetës, pushtetarët tonë as që marrin mundin për të reaguar në ndonjë mënyrë, por kur konstatimi i gjendjes vjen nga raporte të agjencive ndërkombëtare, atëherë zyrtarët reagojnë në mënyrë që në rastin më të mirë mund të përshkruhen si qesharake (si për shembull “as pozitiv, as negativ, por real” për Raportin e fundit të progresit), patetike (kur qeveria vlerëson raportet në fjalë si asgjë më tepër se shumë e perceptimeve tendencioze të shoqërinë civile të vendit), e kështu me radhë.

Në të vërtetë, kjo pandjeshmëri ndaj gjendjes së popullsisë dhe opinionit publik në vend në njërën anë, dhe paniku ndaj asaj që thuhet në BE e në Perëndim është tregues i fortë se pushteti politik në Kosovë nuk synon të ndërtojë një marrëdhënie legjitimuese me popullin që kishte me kriju një raport përgjegjshmërie të qeverisë ndaj të qeverisurve. Kjo mungesë e marrëdhënies legjitimuese e pushtetit me popullin zëvendësohet me premtime për integrim në familjen e Bashkimit Europian dhe për ndërtim e forcim të miqësisë me ShBA-të dhe shtetet e Europës. Kështu, vënia dhe afirmimi i miqësisë me këto shtete dhe integrimi në BE janë e vetmja bazë vetlegjitimuese e pushtetit politik në vend.

Tashti, është një gjë tjetër se si të lexohet ndërtimi “i miqësisë”, por një gjë dihet me siguri: kjo klasë politike jo medoemos e ka marrë seriozisht detyrën e integrimit në BE. Ky, më tepër, është një premtim përrallor që si me magji do të çojë një shtet të brishtë e të skamur në bashkësinë e kamur e të prosperuar europiane. Ky premtim, natyrisht, nuk është i paqëllimtë: ajo është kartë që qeveritë të cilat vijnë e shkojnë e përdorin për t’u vetëlegjitmuar.

Përtej kutive të votimit: mungesa e legjitimitetit demokratik në Kosovë

In Politikë on 29 December, 2009 at 4:16 pm

Gëzim SELACI

Pikëpamjet që legjitimitetin e kufizojnë si çështje besimi të subjekteve dhe për pasojë e matin atë me numrin e ‘krerëve’ që votojnë apo besojnë tek institucionet qeverisëse, injorojnë faktorët që ndikojnë dhe e përcaktojnë legjitimitetin e që nuk kanë të bëjnë fare me besimin. Legjitimiteti demokratik provohet në sferën publike dhe jo me numrin e votuesve as në mendimet private të individëve në anketa.

 

Legjitimiteti dhe pushteti

‘I forti kurrë nuk është aq i fortë sa të bëhet sundimtar’ shkruante filozofi Zhan Zhak Ruso, ‘po nuk e shndërroi fuqinë e tij në të drejtë dhe bindjen në detyrë.’

Ky formulim është tejet domethënës për rëndësinë e të legjitimuarit të pushtetit politik. Në mënyrë që të qëndrojë, një sundimi politik i duhet që pushtetin e fituar ta kthejë në autoritet të drejtë, apo me fjalë të tjera, legjitim. Pra, që pushteti të njihet si i drejtë dhe i pranueshëm apo legjitim, nuk është vetëm një privilegj për klasën pushtuese, por parakusht i qeverisjes të qëndrueshme të vendit.

Pushteti vendës dhe ndërkombëtar në Kosovë, secili prej tyre kanë telashet e veta me legjitimitetin e sundimit të tyre. Klasa aktuale e pushtetit në Kosovë legjitimitetin e saj e bazon në arritjet e kaluara (rezistenca kundër okupimit serb dhe lufta për çlirim) dhe në premtimet për integrim në Bashkimin Europian në të ardhmen. Mirëpo, kujtimet e së kaluarës dhe premtimet për të ardhmen janë të pamjaftueshme për të krijuar një themel të fortë që do të legjitimonte vendimet e marra në emër të popullit. Përveç ndjenjës së interesit të përbashkët, njerëzit veprojnë dhe sillen edhe si subjekte racionale, të shtyrë nga interesat e tyre vetjakë për leverdi dhe dobi të prekshme në të tashmen.

Për sa i përket pushtetit ndërkombëtar, dita ditës po duket se ai po e udhëheq vendin pa e pasur të qartë qëllimin dhe pa raporte legjitime me popullin, përveç nëse bazë të legjitimitetit të tyre e konsiderojmë ruajtjen e paqes, shtet-ndërtimin dhe integrimet në Bashkimin Europian. Mirëpo, kjo bazë është duke u rrënuar në saje të dështimeve për të ndërtuar institucione funksionale të shtetit dhe zhvillimeve të fundit në rajon ku Kosova mbetet vendi më i izoluar, ndërsa perspektiva për integrime është e dyshimtë për shkak të qëndrimit të disa vendeve të Bashkimit Europian kundër pavarësisë së Kosovës, por edhe për vetë ngecjet e vendit drejt integrimit europian.

Sidoqoftë, nuk do të ndalem për të diskutuar këtë. Në cilindo rast, ky legjitimitet nuk vjen nga ndonjë përpjekje për të angazhuar dhe përfshirë popullin e Kosovës në vendimmarrje, e që është baza e legjitimitetit demokratik, por nga premtimi për të udhëhequr një shtet politikisht të dobët, ku sundon kushdo përpos ligjit dhe ekononomikisht të pazhvilluar drejt ‘parajsës së bollëkut, mirëqenies, e sundimit të ligjit’ që ‘vjen me anëtarësimin e Kosovës në Europën e bashkuar’!

Prandaj, duhet bërë dallim ndërmjet ‘legjitimimit’ që ka për qëllim të bëjë të pranueshme qeverisjen (dhe keqqeverisjen) e pushtetit në sytë e popullit dhe marrëdhënies legjitime që justifikohet në saje të respektimit të normave dhe ligjeve të themeluara. Është pikërisht kjo marrëdhënie legjitimite ndërmjet qeverisë dhe të qeverisurve që garanton përgjegjshmërinë e pushtetit ndaj popullit.

Veç kësaj, legjitimiteti i një regjimi politik ndikon edhe sjelljen e të qeverisurve, dhe jo vetëm të qeverisë. Rregulli i shtuar, stabiliteti dhe efikasiteti janë nga përparësitë që një sistem legjitim pashmangshëm i gëzon, si rezultat i bindjes së qytetarëve që buron nga ndjenja dhe identifikimit të tyre me sistemin përkatës politik.

Nëse kjo nuk ndodh në zgjedhjet e radhës, Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbajë ‘zgjedhje të lira dhe demokratike’ dhe të kënaqet me duartrokitje nga jashtë e brenda, por kjo nuk do të garantojë cilësinë e sistemit politik, shërbimeve publike dhe sundimin e ligjit në vend. Këto të fundit janë të lidhura ngushtë me shoqërinë dhe nuk mund të pritet që ato të vijnë nga Brukseli apo Uashingtoni, para se të zhvillohet përgjegjshmëria demokratike në vend.

Miratimi publik

Ngritja e lehtë e përqindjes së votuesve nga numri i përgjithshëm i elektoratit mund të jetë një shenjë optimiste nëse niveli i daljes në zgjedhje merret si tregues i legjitimitetit duke supozuar se përmes daljes për të votuar qytetarët njohin autoritetin dhe politikat përkatëse të klasës politike. Sidoqoftë, kjo do të ishte e vlefshme për dimensionin sociologjik të legjitimitetit, domethënë asaj çfarë njerëzit besojnë të jetë legjitime. Sipas këtij kuptimi, legjitimiteti është sinonim i miratimit publik, dhe studiohet përmes hulumtimeve të opinionit publik.

Megjithatë, aftësia e një regjimi për të mbjellë dhe ruajtur miratimin e popullatës, nuk është e mjaftueshme për të studiuar çështjen e legjitimitetit normativ demokratik. Me rëndësi thelbësore është edhe mënyra se si arrihet miratimi popullor: me mashtrim, detyrim, apo në bazë të parimeve të sovranitetit popullor.

Megjithëse një klasë politike mund të gëzojë mbështetje të gjerë popullore, kjo nuk e bën atë detyrimisht demokratike në kuptimin liberal (që nënkupton të drejta dhe liri të caktuara qytetare) e as kushtetuese (që nënkupton se ajo klasë duhet t’i përmbahet rregullave dhe ligjeve të vëna). Ilustrime ekstreme të kësaj janë mbështetja e gjerë popullore në autokraci për diktatorë, si Hitleri dhe Millosheviqi. Natyrisht këta kishin arritur të siguronin këtë mbështetje duke demobilizuar opozitën, apo me fjalë të tjera duke dobësuar apo përjashtuar shoqërinë civile dhe partitë opozitare nga sfera publike dhe duke minimizuar angazhimin qytetar.

Legjitimiteti demokratik

Që një qeveri të ketë të drejtë të krijojë institucione dhe të vë ligje për një popullatë, ajo duhet të gëzojë legjitimitet jo vetëm në kuptimin sociologjik, por edhe normativ, pra të plotësojë kushtet apo normat që kanë të bëjnë me kualitetin e institucioneve dhe përmbajtjen e ligjeve: që ato të jenë të drejta dhe që diskutimi për to të jetë i paanshëm e i hapur, e kështu me radhë.

Pra, ideja e përhapur se zgjedhjet demokratike mund të jenë të mjaftueshme për të ndërtuar legjitimitetin politik mund të sfidohet lehtë. Ka praktika të tjera politike të cilat ndërtojnë ose rrënojnë legjitimitetin politik. ‘Zgjedhjet e lira dhe demokratike’ që rezultojnë në vendosjen e një qeverie të caktuar e cila më pas pretendon të flasë dhe të marrë vendime në emër të ‘vullnetit të popullit’ nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar se ajo qeveri gëzon legjitimitet pavarësisht nga cilësia e qeverisjes dhe e procesit të zgjedhjeve. Kjo është sidomos e vërtetë në kontekst të nivelit tejet të ulët të demokracisë brenda partiake dhe mungesës së ofertave për politika alternative.

Zgjedhjet janë të mira jo për shkak se agregojnë apo bashkojnë preferencat dhe vullnetin e votuesve, por ngase atyre iu paraprin (ose së paku duhet t’iu paraprijë) një diskutim i përgjithshëm politik gjatë të cilit qytetarët informohen dhe marrin njohuri mbi çështjet me interes publik. Politikanët duhet të paraqesin alternativa dhe të argumentojnë pse dhe si politikat e propozuara prej tyre janë më të mira se ato të kundërshtarëve politikë.

Funksioni i medias masive në këtë proces është t’ua sqarojë qytetarëve se sa janë të logjikshme dhe të realizueshme alternativat e propozuara. Sidoqoftë, vështirë se mund të thuhet se mediat e kanë luajtur këtë rol gjatë fushatës zgjedhore. Ato më shumë janë pozicionuar pro partive të caktuara dhe kanë mbështetur e promovuar pa kusht atë apo këtë kandidat për poste të politikës lokale.

Ndërsa faktorët ndërkombëtarë dhe vendës i vlerësuan si të suksesshme zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, ata e bënë këtë duke i parë ato thjesht si një instrument përmes të cilit preferencat e qytetarëve agregohen në kutitë e votimeve, pavarësisht mungesës së procesit të argumentimit e debatit racional që duhet t’i paraprijë vendimmarrjes demokratike gjatë së cilës partitë dhe shoqëria civile nuk përjashtohen dhe kanë shanse të barabarta për të shprehur alternativat, qëndrimet dhe mospajtimet e tyre. Vetëm pasi ky proces i diskutimit publik të jetë kryer zgjedhjet kanë kuptimin e grumbullimit të vullnetit të qytetarëve të informuar, dhe jo të votuesve që zgjedhjet e tyre i bazojnë në parapëlqime rajonale e personale.

Demokracia, si sistem qeverisës i popullit, legjitimitetin e bazon në parimin e sovranitetit popullor që ushtrohet përmes formave të demokracisë përfaqësuese (zgjedhjet) dhe që garantohet përmes lirive formale të besimit, shprehjes dhe organizimit, ashtu që rezultati i zgjedhjeve me të vërtetë të reflektojë vullnetin e popullit.

Një sistem mund të thuhet se ka krizë legjitimiteti atëherë kur rregullat mbi të cilat bazohet sistemi rrezikohen ose sfidohen. Demokracia liberale, si sistem që bazohet në zgjedhje dhe liritë përkatëse, kërcënohet nga kriza e legjitimitetit atëherë kur këto tipare legjitimuese të saj vihen në rrezik. Në Kosovë, ku patëm zgjedhje jo dhe aq të lira (liria për t’u shprehur nuk u garantua sa duhet) dhe jo dhe aq të drejta (pati manipulime me vota), mund të flitet për pretendime ‘demokratike’ por zor se mund të dëshmohet niveli i duhur i demokracisë së vërtetë.

Sido që të jetë, të manipuluara apo jo, legjitimiteti i vërtetë demokratik shkon përtej kutive të votimit. Ajo që ka rëndësi për këtë formë legjitimiteti është që politikat e propozuara t’i nënshtrohen shqyrtimit të kujdesshëm gjatë një procesi gjithëpërfshirës të diskutimit publik para zgjedhjeve. Përndryshe, votimi nuk do të ishte i domosdoshëm për zgjedhje. Në vend se me votu, zgjedhja e personave për poste politike do të mund të bëhej në forma shumë më praktike dhe më pak të kushtueshme, siç është heqja e shortit, për shembull.

(Botuar në Trendet.net dhe në Kosova Sot me ndryshime të vogla më 30 dhjetor 2009)

Zgjedhjet ‘historike’, (keq)kuptimet e tyre dhe kriza e legjitimitetit

In Kosova, Politikë on 17 November, 2009 at 10:38 am

Gëzim Selaci

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit u vlerësuan si “historike” dhe një “test i madh i demokracisë”. Në një mesazh para zgjedhjeve, Presidenti i vendit theksoi se ato janë test edhe për proceset e integrimit në Bashkimin Europian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Zyrat ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen se nga ato varet reputacioni i Kosovës në afat të gjatë.

Natyrisht krejt kjo histeri u transmetua tek votuesit potencialë me anë të një fushate të fuqishme, por të pashije mediale. Fushata elektorale kaloi me zhurmë të madhe me qëllim për t’ua mbushur veshët popullit me premtime përmes reklamave agresive në ‘billbordat’ e mëdha rrugëve plot zdralë dhe në televizion e gazeta krahas reklamave të produkteve konsumuese dhe shërbimeve komerciale.

Sfera publike u pushtua nga të njëjtat fytyra të politikanëve që konkurronin për pushtet. Debatet televizive bëheshin kryesisht ndërmjet kandidatëve dhe politikanëve, ndërsa zërat e pavarur mungonin.  Zhurma e madhe e reklamave dhe debateve ndërmjet kandidatëve për pushtetin lokal, nuk la mundësi për të dëgjuar edhe kritikën e paanshme. Madje, gazetat u ngulfatën me raportime për fushatën zgjedhore, dhe ato faqe që në kohëra normale rezervohen për opinione dhe komente nga lexuesit, u mbushën plot reklama shumëngjyrëshe dhe reportazhe për filan kandidatin që vizitoi këtë apo atë lagje për të ‘biseduar me qytetarët’.

Pavarësisht nga kjo, kësaj radhe është për t’u mirëpritur dalja më e lartë e votuesve për zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e fundit në 2007. Megjithatë, trendi i votuesve është në rënie që nga zgjedhjet e para në 2000. Vala histerike e zgjedhjeve ‘historike’ nuk e preku gjysmën e elektoratit të Kosovës. Niveli i ulët i daljes në zgjedhje tregoi më së miri për mossuksesin e këtyre fushatave farse të cilat nuk bindën masat për të votuar. Nuk i bindën, se dështuan t’u ofronin atë që qytetarët e kërkojnë tash e një dekadë.

Nëse vërtet këto zgjedhje ishin provime të integrimit në BE, demokracisë dhe reputacionit, atëherë vështirë se i kemi kaluar të gjitha provimet. Falë parregullsive që nisën me fillimin e parakohshëm të fushatës, incidentet me armë nga fundi i fushatës zgjedhore, e deri te incidente e parregullsi të vogla të raportuara nga vëzhguesit gjatë procesit  të votimit, kemi huqur rrugën e BE-së. Raportimet e hershme të vëzhguesve shpallin se votimi i ka plotësuar standardet ndërkombëtare. Pa mëdyshje se kjo do të përmirësojë imazhin e Kosovës në botë në këtë periudhë kritike kur pritet vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar për ligjshmërinë e Kosovës së pavarur. Por, ajo çfarë është më me rëndësi të diskutohet është nëse e kemi kaluar provimin e demokracisë.

Abstenimi si tregues i demokratizimit të elektoratit?

Teoria demokratike e votimit ka dy shpjegime kryesore përse votojnë njerëzit. Njëra thotë se njerëzit votojnë për të zgjedhur ato parti që besojnë se do t’u ndihmojnë të arrijnë qëllimet e tyre personale. Kjo quhet zgjedhje racionale, ngase supozon se votuesit zgjedhin duke u bazuar në një logjikë racionale; pra, zgjedhin ata që besojnë se do të prodhojnë rezultate që votuesit i duan.

Sidoqoftë, ka edhe arsye të tjera ‘irracionale’ që i shtyjnë njerëzit të votojnë. ‘Irracionale’ në kuptimin që nuk motivohen nga besimi se vota e tyre ndikon në rezultatet e politikave, por më shumë bazohen në shtytës të tjerë, si ‘detyra’ qytetare për të votuar, etj.

Për të shpjeguar nivelin e lartë të abstenimit mund të bazohemi në këto dy teori. Pikëpamja racionale do të thoshte se kalkulimet racionale të elektoratit nuk u kanë dhënë arsye të fortë atyre të besojnë se një votë e tyre do të çojë peshë në rezultatet e politikave lokale. Ky mosbesim vjen nga perceptimi se partitë nuk po iu adresohen interesave të qytetarëve, apo se nuk kanë kompetencë e aftësi të menaxhojnë çështjet me rëndësi. Pikëpamja irracionale do të thoshte se elektorati nuk e ka ndjerë votimin si obligim qytetar, apo akt patriotik.

Cilido qoftë shpjegimi më i përshtatshëm për zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, politikanët, zyrat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe fushata mediale dështuan të zgjojnë cilëndo prej motiveve tek masat për të votuar. Me fjalë të tjera, ata dështuan të bindin subjektet racionale se vota e tyre ia vlen, apo të ngrehin vetëdijen e tyre mbi kalkulimet racionale, që eventualisht të dalin për të zgjedhur.

Niveli më i lartë i daljes në zgjedhje në fillim të viteve pas çlirimit mund të shpjegohet si inerci e besimit të popullit tek elitat që rezistuan, luftuan dhe arritën të fitojnë përkrahjen e vendeve perëndimore për t’u çliruar nga terrori serb, dhe si një akt që shprehte patriotizmin në periudhën e entuziazmit të çlirimit. Pra, një shpjegim më i afërt me teorinë e zgjedhjes irracionale.

Mirëpo, trendi i rënies së votuesve nga zgjedhjet në zgjedhje, mund të jetë tregues se shoqëria kosovare po bën zgjedhje racionale për pushtet. Si duket, gjithnjë e më pak kosovarë votojnë ngase e ndjejnë si një të detyrë, apo për t’ia përmirësuar prestigjin vendit të vet. Motivi i tyre për të votuar është shumë i thjeshtë: ata votojnë sepse kanë interes personal nga kjo. Me fjalë të tjera, votojnë për të zgjedhë ata që besojnë se do t’i përfaqësojnë interesat e tyre në pushtet. Rrjedhimisht, nuk votojnë nëse nuk kanë kujt t’ia besojnë përfaqësimin e atyre interesave. Është aq e thjeshtë! Po. Edhe militantët partiakë votojnë për këtë, madje ata kanë arsye më shumë për të besuar se do të përfitojnë nga zgjedhja e tyre. Edhe serbët e Kosovës nuk dalin në zgjedhje, ngase besojnë se strukturat paralele të përkrahura nga Serbia u shërbejnë më shumë interesave të tyre, sesa institucionet e Kosovës, përkundër rregullimeve kushtetuese që janë në favor të tyrin. Njëjtë, dalja e serbëve në zgjedhje është tregues se ata po humbin besimin tek ‘mbrojtja’ e Beogradit.

Kur njerëzit të votojnë për motive që kanë të bëjnë me realizimin e interesave të tyre, këtu lind kultura demokratike. Prandaj, trendi i rënies së votuesve tregon demokratizimin e popullit të Kosovës, nëse supozojmë se rënia e votuesve shpjegohet me abstenimin e votës irracionale dhe përforcimin e votës racionale. Dhe kjo është një arsye për optimizëm. Zhgënjyese është se partitë dhe politikanët dështuan të ofrojnë garanci se i kuptojnë, i ndjejnë interesat e nevojat e tyre dhe se do të punojnë për t’i realizuar ato. Në këtë situatë, nuk është e habitshme se populli nuk nënshkruan një kontratë, zbatimi i së cilës nuk garantohet.

Kriza e legjitimitetit

Niveli i lartë i abstenimit në zgjedhjet e para të Kosovës së pavarur flet për rënie të besimit të votuesve tek liderët dhe institucionet dhe për një krizë të legjitimitetit në të cilën gjendet regjimi i ri. Duke abstenuar nga e drejta për të votuar, qytetarët shprehën mosbesimin e tyre në sinqeritetin dhe kompetencën e politikanëve që garuan për poste të pushtetit lokal.

Dhe nuk është pritur ndryshe, ngaqë njerëzit kanë pritur shumë prej pavarësisë. Fajësohej statusi i pazgjidhur dhe UNMIK-u për gjithçka, por tani që këto probleme nuk i kemi (sic!), megjithatë shumë pak është bërë për të bindur votuesin potencial se ia vlen t’ia fal besimin politikanëve. Regjimi demokratik që mbaron tek vota dhe trajtimi i qytetarëve vetëm si vota në kuti nuk kalon pa u vërejtur; dhe reagimi i tyre ndaj kësaj shprehet në mungesën e gjysmës së elektoratit në zgjedhjen e pushtetit.

Dhe për fund, një gjë është e sigurt: kur partitë e mëdha nuk janë në gjendje të mobilizojnë shumicën e votuesve, ndërsa partitë e vogla dhe iniciativat nuk mund të marrin besimin e mjaftueshëm për të garuar me partitë e mëdha, atëherë legjitimiteti i tërë elitës politike është në rrezik.

Kështu, në vend që politikanët t’u mbajnë derse popullit për obligueshmërinë e zgjedhjeve, do të ishte më e udhës që për zgjedhjet e radhës politikanët të marrin vetë leksion nga ky abstenim masiv nga zgjedhjet, nëse duan ta legjitimojnë pushtetin e tyre në sytë e popullit.

Botuar te Kosova Sot më 17 nëntor 2009.

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 251 other followers