gselaci.wordpress.com

Archive for the ‘Sociologji’ Category

Resprivata e Kosovës: shërbimet jopublike dhe shteti i kapitalit

In Sociologji on 17 January, 2011 at 2:37 pm

Gëzim Selaci

Flitet shumë rreth degjenerimit të shërbimeve shëndetësore publike në vend dhe se si në kurriz të pacientëve po përfitojnë ordinancat dhe klinikat private. Ky është një rast ekstrem që ilustron se si privatët përfitojnë nga fatkeqësia e publikut. Por, në vendin tonë ka shumë raste të tjera që vërtetojnë të njëjtën, ndërsa shteti – jo që nuk bën asgjë për të ndaluar këtë, por për më shumë – ndihmon zhvillimin e sektorit privat në dëm të atij publik.

Në botën ku patjetër duhet të dilni nga mëhalla, lagja, qyteti a fshati për të plotësuar nevoja të ndryshme, nuk ka se si të mos i përkisni njërës nga këto dy kategori: ose të jeni shfrytëzues të mjeteve të transportit publik dhe hapësirave publike, ose joshfrytëzues të tyre, por grahës i veturës private, këmbësor, apo aq i kamur sa për t’i hipur taksit dhe për paguar një pije në kafene. Në të dy rastet dhe cilësdo nga dy kategoritë që i përkisni, zgjedhja e juaj është e ndikuar, madje e vendosur, nga kapitali dhe shteti që i shërben (në radhë të parë) atij.

Transporti publik në vendin tonë është torturë e padurueshme, sidomos për ata që e shfrytëzojnë përditë për të shkuar e kthyer nga puna apo shkolla: i papastër, i ngadalshëm, i mundimshëm e kutërbues, sidomos në ditë vape që të djersit, ndërsa në ditë dimri të ngrin nga të ftohtit, dhe ku shija e dyshes shofer-kondukter për muzikë të imponohet, dhe – si për t’u siguruar që imponimi të bëhet me sukses – ajo muzikë servohet me zë sa më të lartë. Nuk jam i prirë të besoj se ka një komplot këtu, por gjithsesi kjo bëhet në shërbim të kapitalit me ndihmën, apo së paku, me lejen e shtetit.

Si është kjo në shërbim të kapitalit? Kapitali nuk i do qytetarët që nuk janë konsumatorë të drejtpërdrejt të produkteve apo mallit të tyre. Kapitali nuk do banorë periferie që dalin në këmbë ose me autobus nga shtëpitë e tyre, as fshatarë që në qytete shkojnë me tren ose autobusë. Atij i duhen sa më shumë ngasës veturash, blerës të benzinës, të vajit motorik, të rrotave, e kështu me radhë. Të gjitha paratë e pakta të qytetarëve duhet të kthehen tek kapitalistët deri në qindarkën e fundit: pikë për pikë të pihet gjaku i popullit në kurriz të të cilit jeton ky parazit.

Ku është shteti në këtë tablo? Për të siguruar që paratë e qytetarëve të shkojnë në xhepa të kapitalistëve, shteti i kapitalit jo që nuk përkujdeset për të përmirësuar e mbrojtur trotuaret për këmbësorë, korsi për biciklistë, apo transportin publik, por ai kujdeset që ky shërbim të jetë në nivelin më të degraduar. Dhe kështu, praktikisht, të fusë dorën në xhepin e njerëzve për të shkundur qindarkën e fundit nga ata që të blejnë vetura, se kapitalistëve iu levërdis që të ketë sa më shumë konsumues të lëndëve djegëse dhe jo këmbësorë, biciklistë, autobusë a trena.

E njëjta është edhe me hapësirat publike të cilat në asnjë kuptim nuk janë të papërshtatshme për rekreacion, a qëndrim të qytetarëve. Parqet publike janë gjithnjë e më të pakta e më të papërshtatshme. Bile, ngadalë, por sigurtë po uzurpohen nga kapitali privat (si në Gërmi në kryeqytet) ku restorante private e hapësira private rekreative për fëmijë e të rritur po zënë vendet më të mira dhe pakrahasimisht janë më të përshtatshme se sa hapësirat publike.

Natyrisht, për t’u kënaqur me këto hapësira më të përshtatshme, madje edhe në brendi të një parku publik, duhet paguar për to. Mirëpo, ata që përballojnë koston e të kënaqurit në këto hapësira afariste janë prapë një pakicë që kanë të ardhura mbi mesataren e Kosovës. Në mungesë të toaleteve publike, bankave të përshtatshme për ulje në sheshe e parqe, edhe njeriu që në xhep nuk ka më shumë se gjysmë euro detyrohet të shkojë tek restorantet apo kafenetë ku nuk mund të shpëtosh pa paguar së paku një kafe (përndryshe një produkt konsumues që i intereson shumë kapitalistëve) dhe pa konsumuar shijen e imponuar të muzikës, dhe me zë sa më të lartë.

Natyrisht, zëri i lartë nuk të le të qetë për të lexuar, medituar apo dëgjuar çfarëdo që ta dojë qefi. Këtë e do shteti totalitar, se ai nuk do që njerëzit të reflektojnë, të zgjedhin sipas shijes së tyre e të krijojnë, por të konsumojnë të mirat materiale, kiçin dhe ideologjinë zyrtare, pra moralin dhe dijen zyrtare. Shteti, që është në shërbim të kapitalit, nuk do qytetarë të angazhuar, por konsumatorë pasivë. Kështu, industria e kiçit dhe kondukterët e barmenët që me arrogancë e plasojnë atë në publik bëhet sy vigjëlues në mbrojtje të ideologjisë zyrtare të pushtetit.

Problemet e transportit publik dhe hapësirave publike janë ilustrime eklatante të mosinteresimit të shtetit dhe administratës publike për publikun në dëm të të cilit po zhvillohet sektori privat. Në të vërtetë, shteti përkujdeset për interesat e kapitalit, ndërsa administrata publike është katandisur në burokraci të mbipunësuar që ekziston jo për qytetarin, por si një ‘bashqe e babës’ ku mund të punësohen anëtarë të familjes,  miq, e militantë partiakë.

Dhe kështu, në vend se një republikë (‘respublica’) e qytetarëve dhe për interesin publik, Kosova po bëhet ‘resprivata’, apo pronë private e klasës kapitaliste dhe asaj politike dhe për interesa të ngushta të grupeve të tyre.

Botuar në Zëri më 11 janar 2011.

Mbi sferën e uzurpuar publike

In Sociologji on 5 October, 2010 at 3:12 pm

Gëzim Selaci

Në Kosovë nuk ka sferë publike, ngase një hapësirë e vërtetë në të cilën shoqëria do të artikulonte interesat e saj nuk mund të krijohet në kushte ku epërsi kanë interesat e ngushta kapitaliste dhe të pushtetit.

Ecni trotuareve të secilit qytet të Kosovës dhe do të gjeni se ato më së paku janë për këmbësorë. Në kryeqytetin e ngulfatjes kemi trotuarë që për automjete shërbejnë si vendparkingje, apo si zonë e sigurt shmangieje nga pengesat që vihen në rrugë me qëllim të ngadalësimit të shpejtësisë, pastaj asi që etja e pangopur për të zgjeruar hapësirën e oborreve, banesave dhe lokaleve i ka ngushtuar në hiq më të gjerë se dy-tre gishta dore. Më tutje kemi trotuarë në të cilat pa skurpull banorët vendosin me ditë e javë grumbuj materiali ndërtimor a makina pune, e deri tek ato raste kur trotuari ndërpritet përnjëherë, pra shkëputet nga ndonjë qosh shtëpie, godine, shtyllë elektrike, kioskë, e kështu me radhë, deri në rastin më të lehtë mirë kur grupe kolegësh e miqësh e kanë gjetuar atë si vend për të kryer biseda të shpejta e të cilët mendojnë se kanë më shumë të drejtë në të se kalimtarët dhe as që ndjenjë keqardhje që e zënë udhën.

Këtë tablo nga përditshmëria jonë nuk e solla këtu për të shfryer mllefin për trotuaret e zëna, as për të konkluduar edhe njëherë se sa e pasigurtë dhe e parehatshme është të ecësh në qytetet tona. E solla si analogji, apo me thënë më drejt, për të parë problemin e diçkaje që quhet “sferë publike” në rastin e Kosovës.

Shoqëria ka institucione përmes të cilave qytetarët komunikojnë dhe mblidhen për të debatuar ndërmjet vete për çështje që prekin jetën e tyre dhe janë me interes publik. Kjo pra është sfera publike në të cilën njerëzit diskutojnë dhe grupe shoqërore shprehin nevojat dhe interesat e tyre. Ajo që rezulton nga ky debat quhet opinion publik i cili drejton, apo së paku ndikon në vendimet e veprimet politike të autoriteteve publike. Me fjalë të tjera, funksioni i opinionit publik, i cili formohet nga diskutimet në sferën publike, është të mbart tek autoritetet publike nevojat e shoqërisë, duke krijuar kështu një lidhje ndërmjet nevojave të shoqërisë dhe shtetit.

Kthehemi tek analogjia. Hapësira publike e trotuarit, sikur sfera publike, që ishte dashtë me qenë hapësirë për të gjithë, por e askujt – pra në shërbim të të gjithë këmbësorëve, por pronë private e asnjërit prej tyre – shndërrohet në një hapësirë që uzurpohet nga kushdo që pretendon se, veç ecjes nëpër të, ka të drejtë ta shfrytëzojë edhe për nevoja të tjera private. Ne të gjithë paguajmë për këto të mira publike, por megjithatë dikush pretendon se ka më shumë të drejtë në to sesa të tjerët. E njëjta vlenë për institucionet e sferës publike. Bie fjala, mediumet e universitetet shtetërore (ose ‘publike’, siç është e modës të quhen – thua se të tjerat janë jopublike!), por edhe ato që quhen private, që ishte dashtë me qenë vende ku qytetarë e intelektualë artikulojnë interesat e mendimet e tyre, bëhen gojë e propagandës së qeverisë apo të ndonjë grup interesi. Dhe, pastaj, këtë e quajnë ‘opinion publik’ – pa të drejtë, nuk do mend, ngase opinioni i krijuar në kushte të mbylljes, apo si rezultat i kërcënimeve, në asnjë mënyrë nuk pasqyron interesat e shoqërisë civile apo interesat publikë. Kështu, duke manipuluar me ‘opinionin publik’ janë marrë shumë vendime të rëndësishme politike e ekonomike, si për shembull që nga Kushtetuta e Kosovës, të cilës nuk i ka paraprirë një diskutimi i vërtetë publik. Kushtetuta, nenet e së cilës në të vërtetë janë përkthim i dispozitave të vëna në planin e jashtëm për Kosovën të hartuar nga z. Ahtisari dhe teknokratët e tij, është negociuar aty-këtu nga liderët politikë kryesisht për interesa të pushtetit të tyre. Nuk mund të mohohet se miratimit të Kushtetutës nuk i ka paraprirë një proces i përshtatshëm, i mjaftueshëm e i hapur i diskutimit në publik. Në po të njëjtën mënyrë manipuluese me opinionin publik është bërë privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, pastaj projektet e ndryshme zhvillimore, shumë prej të cilave as që bëhen publike, e kështu me radhë. Ajo që shitet si ‘opinion publik’, në të vërtetë pasqyron interesat privatë të pushtetit politik e ekonomik. Pastaj, janë këta interesa privatë të pushtetit vendës dhe ndërkombëtar të cilët përhapen në publik dhe përkthehen në veprim politik.

Ndërsa pushteti vendës është i ndjeshëm ndaj opinionit publik, dhe prandaj interesohet që ta shtie në dorë atë, pushteti ndërkombëtar beson se aspak nuk cenohet nga publiku dhe opinioni i tij. Që nga fillimi i angazhimit të tyre në Kosovë, misionet ndërkombëtare nuk kanë mundësuar debate të hapura publike me qëllim të krijimit të institucioneve politike shtetërore, por në vend të kësaj imponojnë nga jashtë shoqërisë zgjidhje të propozuara nga teknokratë që, sipas tyre, na qenkan në ‘të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj’. Logjika intervenuese përkujdeset që të mos ketë një sferë publike ku qytetarët do të sillnin pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike të cilat nuk shkojnë me planet e jashtmepër Kosovën. Asaj i shkon për shtati një ambient politik letargjik në kushte të të cilit ajo do të mund të realizonte planet e saja në vend.

Sado të ndryshëm në pikëpamjet e tyre, emërues i përbashkët i këtyre dy pushteteve në raport me sferën publike është kujdesi i tyre i shtuar që në Kosovë të mos ketë vend në të cilin do të artikuloheshin e diskutoheshin vlerat dhe aspiratat e vërteta politike të grupeve shoqërore si dhe interesat individuale të tyre. Me fjalë të tjera, një sferë e vërtetë publike nuk iu levërdis asnjërës prej dy niveleve të pushtetit në Kosovë. Derisa pushteti ndërkombëtar është vendosur në saje të mungesës së saj, ai vendës ka ardhur aty duke shkelë në vazhdimësi sferën publike.

Një sferë publike që nuk është e hapur ndaj strukturave të ndryshme të shoqërisë (elita ekonomike e shoqërore, media, liderë politikë, intelektualë, etj.), por që është tejet e mbizotëruar nga dy a tre qendra të pushtetit nuk ka mundësi të krijojë opinion që buron nga publiku, por më saktë formon opinione të atyre qendrave të pushtetit e që më pas përhapen në publik. Me fjalë të tjera, sfera publike në Kosovë nuk është hapësirë në të cilën përfaqësohen interesat e qytetarëve, por e klikave politikanësh e kapitalistësh, të cilët nuk bëjnë pa njëri-tjetrin. Dhe, duke qenë se demokracia është qeverisje e opinionit të lirë të popullit (demosit), për aq sa këto opinione nuk janë të lira dhe nuk burojnë nga populli, aq jodemokratike është qeverisja në Kosovë.

Në fakt, përjashtimi i shumë strukturave shoqërore dhe interesave të tyre e lë sferën publike të mbizotëruar nga pushteti politik dhe kapitalizmi i tregut. Kombinimi i këtyre dy pushteteve është shkatërrues i shoqërinë civile. Derisa elitat politike janë ndër individët më të pasur në shtetin e Kosovës ose janë shumë ngushtë të lidhur me biznesin, interesat vitalë të popullatës lihen pas dore deri në një shkallë tejet degraduese me nivele të larta të papunësisë, arsimim që prodhon nxënës e studentë të paaftë, dhe mungesë të shërbimeve më elementare, si uji dhe energjia elektrike, si dhe me shërbime sociale në shkallën më të ulët. Kështu shteti, në vend se t’u shërbejë qytetarëve, bëhet në shërbim të forcave të politikanëve dhe aleatëve të tyre kapitalistë, të cilët jorradhë ndodh të jenë nga faresifi i tyre.

Sfera publike nuk garantohet nga shteti, përkundrazi shteti e mbyt atë. Në këto rrethana, hapësira për t’u organizuar dhe ndikuar në vendimmarrje është shumë e pafavorshme. Së këndejmi, mund të konkludohet se në Kosovë nuk ka sferë publike, ngase një hapësirë e vërtetë në të cilën shoqëria do të artikulonte interesat e saj nuk mund të krijohet në kushte ku  epërsi kanë interesat e ngushta të kapitalit dhe të pushtetit politik.

(Botuar në Zëri më 5 tetor 2010)

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 48 other followers