gselaci.wordpress.com

Archive for the ‘Multietniciteti dhe Multikulturalizmi’ Category

Pengesat e qytetarisë në Kosovë

In Kosova, Multietniciteti dhe Multikulturalizmi on 6 June, 2011 at 7:44 am

Gëzim Selaci

Pas pavarësimit të Kosovës, në diskutime publike në vend është shtruar ideja se ‘kombi kosovar’ ka me lindë si pasojë e pashmangshme e krijimit të shtetit të Kosovës. Mirëpo, ky është një mit i përgënjeshtrueshëm ngase shteti mund të kapërcejë përçarjet ndërmjet etnive apo kombeve, por jo domosdoshmërisht duke lindur një komb unik.

Shpresa se shteti i Kosovës ka me lindë ‘kombin qytetar kosovar’ është e kotë në një kontekst kulturor ku ndjenjat kombëtare më tepër kanë qenë të lidhura me elemente etno-kulturore (si gjuha e përbashkët, për shembull, mitet e prejardhjes së përbashkët – ‘gjaku’, e të ngjashme) dhe as që është e parashikueshme se do të ndërrojë kjo. Arroganca e disa individëve ‘të iluminuar’ e të vetëshpalur pararojë e ‘kombit kosovar’, nuk ka me ndryshu këtë mendësi.

Në të vërtetë, çështja nëse duhet shpikur apo jo një identitet kosovar në kuptim të identitetit kombëtar është e kotë dhe e panevojshme. Askush nuk po kërkon që të bëhet një gjë e tillë. Madje, kjo nuk ka qenë kërkesë as për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës dhe pra nuk kërkohet as prej projektuesve të shtetit të Kosovës.

Mendoj se në shoqërinë e re të Kosovës është e nevojshme të mendohet se si të arrihet uniteti politik në kontekst të përçarjeve ndër-etnike e që mund të bëhet edhe pa idenë e formimit të një ‘kombi kosovar’. Strategjia ndërkombëtare angazhohet që identiteti i përbashkët politik të arrihet përmes krijimit të një shoqërie ku sundon ligji (Eulex-i është krijuar për këtë), respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave (të detyrueshme me Planin e Ahtisarit dhe të integruara në Kushtetutë), aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Europian (si devizë për legjitimimin e qeverive në vend), e kështu me radhë. Ndonëse, kjo strategji duket e përshtatshme, sukseset e janë tejet të pakta. Por, pavarësisht nga mossuksesi i politikave, qëllimet (apo së paku disa prej tyre) mbesin të justifikueshme.

Megjithatë, procesi i krijimit të identiteti unik politik dhe qytetarisë kosovare po duket të jetë i vështirë. Sfida është të zbatohet sundimi i ligjit në tërë territorin dhe segmentet e shoqërisë, në mënyrë që vendi të bëhet një shtet ku entitetet etnike do të formojnë një shoqëri unike në të cilën do të jetojnë dhe prosperojnë. Fuqizimi i institucioneve vetëqeverisëse në Kosovë mund të lehtësojë kapërcimin e përçarjeve kombëtare/etnike, apo së paku t’i vë në rend të dytë këto dallime. Nëse Kosova do të funksionojë si shtet i suksesshëm, forca e shtetit për të krijuar një identitet mbi-etnik, i bazuar në një ide të qytetarisë së përbashkët, apo në një “patriotizëm kushtetues”, nuk duhet të nënvlerësohet.

Mirëpo, përveç rrethanave objektive politike dhe shoqërore, në procesin e krijimit të unitetit politik dhe qytetarisë, ndikimin të pamohueshëm ka edhe klasa politike. Ajo, së bashku me inteligjencinë e shoqërisë mund të caktojnë drejtimin e politikave identitare drejt nacionalizmit etnik-kulturor apo drejt qytetarisë së përbashkët.

Të motivuar politikisht, klasa politike mund të përdorë ndjenjat nacionaliste për motive politike, si për shembull për të arritur në pushtet dhe për të legjitimuar atë. Ndoshta klasa politike në Kosovë, e shtyer nga pasioni për pushtet dhe nevoja për ta legjitimuar atë, ka anuar nga ligjërimi etno-nacionalist për të përkthyer ndenjat nacionaliste në mbështetje të masave. Prandaj, deri sa diskursi pro ‘kombit shqiptar’ dhe ai pro ‘kombit serb’ janë leva që ndihmojnë me fitu vota nga qytetarët si dhe përkrahje nga Serbia përkatësisht, askujt prej politikanëve në Kosovë nuk i levërdis me promovu sinqerisht idenë e qytetarisë së përbashkët (aq më pak ‘kombit kosovar’). Natyrisht, kjo nuk nënkupton se klasa politike kosovare shqiptare ka një projekt nacionalist shqiptar, por se ligjërimi nacionalist mbetet në nivel të retorikës.

Prandaj, mundësia e arritjes së një uniteti politik, përmes krijimi të një identiti të bazuar në qytetarinë e përbashkët, varet edhe prej elitave politike e kulturore të shoqërisë të cilat mund ta promovojnë atë apo ta paraqesin si kërcënim për identitetin kombëtar a etnik të grupeve përkatëse.

Botuar në Zëri, më 20 maj 2011.

Rishqyrtim i multikulturalizmit – reflektime për karikaturat e Profetit Muhammed

In Multietniciteti dhe Multikulturalizmi on 12 September, 2009 at 9:15 am

Gëzim SELACI

Ngjarjet që janë zhvilluar kohëve të fundit pas botimit dhe ribotimit të karikaturave që satirizojnë Profetin Muhammed kanë ngre shumë çështje: si dhe a na shtynë kjo të mendojmë sërish për lirinë e shprehjes, fenë dhe politikën në shoqëritë multikulturore.

Ndeshje e kulturave

Karikaturat daneze dhe reagimi mysliman ndaj tyre është edhe një ilustrim dramatik i hendekut të madh në mes vlerave shekullare liberale në Perëndim dhe botëkuptimit kryesisht fetar në shoqëritë e Lindjes së Mesme. Por për myslimanët në Evropë është dilemë e përsëritur në lidhje me integrimin dhe identitetin kulturor.

Në Perëndim ka një konsensus se çfarë paraqet material fyes, si për shembull pornografia me fëmijë, ushtarët e vdekur, antisemitizmi e kështu me radhë. Disa prej këtyre çështjeve janë rregulluar me ligj. Por ky konsensus lejon talljen dhe satirizimin e figurave fetare. Tek e fundit konsensusi është kategori historike dhe kulturore. Tani duket se myslimanët si një faktor i ri fuqia shoqërore e të cilit është në rritje, po i ridefinojnë kufijtë e këtij konsensusi në Evropë. Ligjet të cilat nuk mbrojnë njësoj të gjitha fetë, janë të pakuptimta në shoqërinë multikulturore.

Cilat çështje ngre kjo ngjarje

Në shumë vende evropiane ka një mendim i fortë se vlerat shekullariste po rrezikohen nga tradita konservative islame e imigrantëve myslimanë. Shumë komentatorë karikaturat i kanë parë si reagim ndaj kësaj.

Çështja e integrimit të imigrantëve ngre çështjen se sa duhet të lëshojë pe shoqëria nikoqire për t’i pranuar popullatat imigruese dhe sa duhet të integrohen këto popullata në shtëpinë e re.

Kjo gjithashtu ngre çështjen e vjetër të multikulturalizmit dhe të fesë, politikës e lirisë së shprehjes, logjikën e dialogut ndërkulturor, pabarazinë ndërkulturore, kërkesave për qytetari të përbashkët dhe vendin e fesë në jetën publike.

Çështja nëse duhet të ketë ligje që kufizojnë lirinë e shprehjes dhe cilat janë ato gjithashtu duhet të këqyren.

Dy botë

Perëndimorët nuk e kuptojnë se si mund të jetë fyese karikatura që satirizon një profet. Muslimanët në Lindje nuk e kuptojnë se qeveritë në Europë nuk i kontrollojnë mediat dhe se ky nuk është konflikt i Krishterimit me Islamin.

Është e rëndësishme të kihet parasysh se Islami nuk ka kaluar nëpër reformat dhe ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar Krishterimi apo Judaizmi në shekujt e fundit. Tani të gjithë myslimanët e Danimarkës dhe të Europës janë të detyruar të mendojnë se cilat janë qëndrimet e tyre karshi tabuve të tyre që nuk janë të pajtueshme me shoqërinë moderne demokratike.

Është e qartë se palët nuk e kanë idenë se si funksionon bota e tjetrit. Unë nuk do ta fyeja asnjë njeri të shenjtë të cilësdo fe, as që do ta kisha bojkotuar bulmetin e një shteti demokratik nëse ka rastisur që një gazetë e atij shteti të botojë karikatura fyese për fenë time. Bota myslimane është kolektive, prandaj edhe fajin e shohin si faj kolektiv.

Disa gazeta kanë argumentuar se botimi i karikaturave do të nxisë myslimanët të mendojnë në mënyrë kritike për fenë e tyre, duke na kujtuar se shumë gazeta që kishin botuar karikaturat e Profetit Muhammed kanë botuar edhe karikatura satirizuese të murgeshave, priftërinjve, kolonëve izraelitë dhe priftërinjve që ishin përfshirë në skandalin e dhunimit të fëmijëve. Me këtë duan të na japin një mësim se ka pasur një kohë kur kjo ka qenë e pamundur, por tani këto tabu janë thyer. Por ata harrojnë se satirizimi i një profeti nuk mund të barazohet me të një prifti. Gjithashtu ka diçka të parregullt në këtë argumentin, ngase “të nxiturit” e ndryshimit që vjen nga një kulturë “e jashtme” mund të shihet më shumë si komplot se sa një nijet i mirë.

Reagimi mysliman

Ata që më së shumti po goditen nga lufta e vizatimeve dhe e fjalëve janë myslimanët e moderuar, të cilët kanë jetuar pa rënë në telashe me qytetërimin perëndimor dhe të cilët cilëndo problem që e kanë pasur më këtë qytetërim kanë dashur ta zgjidhin në mënyrë paqësore.

Shpërthimi i masave myslimane për karikaturat ka qenë interesant. Ndërkohë që nuk mund të quhet reagim i mirë, ai ka qenë më pak i keq se sa që është pritur, duke marrë forma të ndryshme nga ato ligjore (kritika e hapur, demonstratat, bojkotimi i gazetave ofenduese) e mizore (dhuna, trazirat, sulmet për vrasje) deri te ato që janë diku në mes të këtyre dyjave. Bojkoti i prodhimeve daneze është i pasuksesshëm, sepse supozon se qeveria e Danimarkës duhet t’i bëjë presion Jyllands-Posten-it dhe punëtorëve të saj. E njëjta vlen edhe për mbylljen e ambasadave, sanksionet diplomatike e kështu me radhë, si dhe shpërndarjen e të pavërtetave në përpjekjet e imamëve danezë për të nxitur përkrahjen e Lindjes së Mesme. Por të gjitha këto veprime pak a shumë janë brenda kufijve të diskursit të pranuar.

“Ndoshta myslimanët nuk e kanë llogaritur mirë mënyrën se si të merren me krizën”, vërejti një studiues i mirënjohur i Islamit Abdel-Sabour Shahine, i cili sugjeroi se në vend që të bojkotohen prodhimet daneze, Bota islame do të duhej të tregonte më shumë tolerancë, duke u fokusuar në promovimin e një dialogu me Perëndimin dhe duke i njohur ata më shumë me Islamin.

Mësime nga rasti i Rushdie

Konflikti i kulturave të këtij lloji nuk është gjë e re. Në vitin 1989 autori britanik Salman Rushdie shkroi The Satanic Verses, një fiksion që pakkush e kishte lexuar dhe me siguri po të mos ishin protestat e myslimanëve dhe kallja e atij libri në publik, zor se do të kishte mundur të njihej në gjithë botën.

Kjo mund të shihet si rasti më i afërt me këtë sot, ngaqë kishte ngre të njëjtat çështje – ndjeshmërinë e kulturës nikoqire për vlerat shekullariste, integrimin e imigrantëve, jotolerancën fetare dhe lirinë e shprehjes.

Ani pse mund të thuhet se reagimet nuk kanë qenë të njëjta (sondazhet dhe disponimi i mediave sot tregojnë një qëndrim tjetër më të sigurt në vete dhe më të përkushtuar, më shumë të gatshëm të pranojnë se njerëzit e qytetëruar nuk kapin armët për një foto fyese, dhe – së paku deri më tani – nuk ka ndonjë thirrje nga ana e udhëheqësve të pranuar për ekzekutim të autorëve), prapëseprapë nuk është mësuar shumë nga rasti i Rushdit.

Teoricienët e fjalës së lirë nga rasti i Rushdies i kanë nxjerrë disa mësime. Shoqëria multikulturore duhet të vendosë se cilat vlera dhe praktika të pakicave t’i tolerojë dhe deri në cilën shkallë. Bikhu Parekh profesor në LSE pyet se si dhe pse është në interes të të gjithëve të lejohet maksimumi i mundshëm i lirisë së shprehjes, pastaj bën dallime precize në mes formave të ndryshme të shprehjes të cilat nuk meritojnë mbrojtje të barabartë, për të përfunduar se duhet të rishqyrtohen standardet e pikëpamjes shekullariste ndaj fesë në jetën politike dhe se nga njerëzit fetarë duhet të kërkohet të pranojnë detyrimet e shoqërisë demokratike.

Konflikti i të drejtave dhe përgjegjësive

Debati për karikaturat nuk mund të hiqet nga konteksti i mosfunksionimit europian kur është fjala për trajtimin e popullatave myslimane. Nuk është e ndershme për Jyllands-Posten të nxisë qytetarët e tyre të rendit të dytë. Protestuesit kanë të drejtë të pyesin pse shprehja e lirë duhet të heshtet kur është fjala për veshjen e hixhabit mysliman në shkolla dhe vende publike, por lavdërohet kur është fjala për botimin e karikaturave ofenduese.

Fyerja me qëllim i prek të tjerët. Ajo është e papërgjegjshme dhe jo e mençur. Nuk i shërben qëllimit të mirë nëse ofendon besimet e sinqerta të dikujt me qëllim që të provohet se thjesht “jemi të lejuar” ta bëjmë atë. Botimi dhe ribotimi i karikaturave duke e ditur se ato mund të ofendojnë është e papërgjegjshme dhe jo e mençur.

E drejta për lirinë e shprehjes mban përgjegjësinë për ta ushtruar atë të drejtë me kujdes. Të drejtat dhe përgjegjësitë kanë efekt balancues në njëri-tjetrin. Botimi i karikaturave ishte një situatë ku e drejta ishte ushtruar duke neglizhuar përgjegjësitë që shkojnë me atë të drejtë.

Liria e shprehjes së këndejmi nuk nënkupton lirinë e fyerjes dhe shpërdorimit. Konfuzioni ose anarkia dënohet. Nëse media duhet të përgjigjet për krijim të panikut dhe grindjes, redaktorët e saj gjithashtu duhet të fajësohen për prishjen e sigurisë së brendshme.

Qeveritë perëndimore kanë reaguar me kujdes të madh në lidhje me karikaturat. Gjëja e fundit që këto qeveri e duan është edhe një konfrontim ku Islami ngrehet kundër Perëndimit. Strategjia pra është të provohet që kjo të mos kalojë në një “përplasje të qytetërimeve”. Por kjo është bërë një përplasje kulturash, një diskutim se deri ku mund të shkojë liria e shprehjes pasi të ndeshet me ndjeshmërinë e grupeve fetare apo grupeve të tjera. Duhet të bëhet dallimi mes myslimanëve të cilët ndjejnë se kanë arsye për t’u ndjerë të ofenduar dhe atyre që ndjejnë se duhet të kërcënojnë dhe të djegin.

Deklaratat e qeverive perëndimore kanë qenë shumë të njëtrajtshme:

Sean McCormack, zëdhënës i Stejt Departmentit në Uashington: “Fotografitë antimuslimane janë po aq të pranuara sa edhe ato antisemitike apo antikristiane ose kundër cilitdo besim. Por është e rëndësishme qe gjithashtu të përkrahim të drejtën e individëve për të shprehur lirshëm pikëpamjet e tyre.”

Sekretari i punëve të jashtme i Britanisë Jack Straw: “E drejta e shprehjes në të gjitha shoqëritë dhe kulturat duhet të ushtrohet me përgjegjësi dhe të mos kalojë në obligim për të fyer.”

Ministri i jashtëm francez Philippe Douste-Blazy: “Liria e shprehjes është e drejtë, por ajo gjithashtu imponon detyrën e përgjegjësisë për ata që shprehen.”

Kritika

Qasja që të drejtën e shprehjes e balancon me përgjegjësinë është kritikuar nga ana e krahut djathtist dhe liberal në Perëndim. Sidoqoftë, qeveritë perëndimore ngurrojnë të kenë pikëpamje të tilla. Duke shprehur keqardhje për fyerjen e shkaktuar nga karikaturat, ato gjithashtu provojnë të inkurajojnë elementet e moderuara myslimane, vendore e të jashtme, për të marrë debatin nga duart e ekstremistëve.

Botuar tek Trendet: http://trendet.net/www/2009/08/30/rishqyrtim-i-multikulturalizmit/

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 48 other followers