gselaci.wordpress.com

Kultura ka rëndësi: si e formojnë vlerat (kulturore) progresin njerëzor, nga Lawrence E. Harrison

In Përkthime on 29 July, 2012 at 10:07 pm

Burimi: Harrison, Lawrence H. and Huntington, Samuel P (eds). (2000). Introduction. In Culture matters: How Values Shape Human Progress (pp.xxi-xxxiii). New York: Basic Books. Përktheu. Gëzim Selaci.

Modeli kulturor: Simposiumi i Akademisë së Harvardit

Një numër gjithnjë e më i madh i studiuesve, gazetarëve, politikanëve dhe aktivistëve për zhvillim po përqendrohen në rolin e vlerave kulturore dhe qëndrimeve si faktorë ndihmës, ose pengues të progresit. Ata janë trashigimtarë intelektual të Alexis de Tocqueville-it, i cili erdhi në përfundim se ajo që e bëri sistemin politik të Amerikës të funksionojë ishte kultura që shkonte përshtati me demokracinë; Max Weber-it, i cili shpjegoi lindjen e kapitalizmit si një dukuri në thelb kulturore e rrënjosur në fe; dhe Edward Banfield-it, i cili shpjegoi rrënjët kulturore të varfërisë dhe autoritarizmit në Italinë jugore.

Studimet kulturore dhe theksi i kulturës në shkencat shoqërore ishin rryma qendrore dhe rrjedha të përgjithshme në vitet e 1940-ta dhe 1950-ta. Paskëtaj, interesi ra. Por, një ringjallje në studimet e kulturës që ka ngjarë përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit po lëviz në drejtim të artikulimit të një modeli të zhvillimit që merr për qendër kulturën, kur është fjala për progresin njerëzor.

Në verën e vitit 1998, Akademia e Harvardit për Studime Ndërkombëtare dhe Rajonale vendosi të studiojë lidhjen në mes të kulturës dhe zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror, para së gjithash për sa i përket vendeve të varfëra por gjithashtu duke qenë e ndërgjegjshme për problemin e pakicave të pasuksesshme në Sh.B.A. Ishim fatlum të zgjojmë interesimin e një numri të madh të studiuesve të cilët janë përgjegjës për ringjalljen në studimet kulturore si dhe të të tjerëve me pikëpamje kundërshtuese. Simposiumi, Vlerat kulturore dhe progresi njerëzor, u mbajt në Akademinë Amerikane të Arteve dhe të Shkencave në Kembrixh, Masaçusets, më 23-25 prill 1999, ku morrën pjesë një audiencë e famshme.

Çështjet kryesore

Diskutimet dhe prezantimet në simposium silleshin rreth pesë çështjeve kryesore, për të cilat unë flas në këtë pjesë dhe ofroj pikëpamjet e mia përkitazi me to:

  • Lidhja midis vlerave dhe progresit,
  • Universalizmi i vlerave dhe “imperializmi kulturor” i Perëndimit,
  • Gjeografia dhe kultura,
  • Marrëdhënia në mes kulturës dhe institucioneve,
  • Ndryshimi kulturor.

  Lidhja midis  vlerave dhe progresit

 Skepticizmi për lidhjen e vlerave kulturore me progresin njerëzor haset në veçanti në dy disiplina: ekonomi dhe antropologji. Për shumë ekonomistë, është aksiomatike se një politikë e mirë ekonomike që implementohet efektivisht do të japë rezultate të njëjta pavarësisht nga kultura (e popullit përkatës). Problem këtu është rasti i vendeve multikulturore në të cilat disa grupe etnike janë më të suksesshme se sa të tjerat, ndonëse të gjithë operojnë me rregulla të njëjta ekonomike. Shembuj janë pakicat kineze në Tajlandë, Malajzi, Indonezi, Filipinë dhe Sh.B.A.;  pakicat japoneze në Brazil dhe Sh.B.A.; baskët në Spanjë dhe Amerikën Latine si dhe hebrenjtë kudo që kanë migruar.

 Drejtori i Bordit për rezerva federale Alan Greenspan ishte një nga tradicionalistët ekonomikë në këtë çështje – derisa mendoi përvojën e Rusisë pas-sovjetike. Ai filloi nga supozimi se njerëzit janë kapitalistë për nga natyra dhe së rënia e komunizmit “automatikisht do të themelojë sistem të ndërmarrjeve të ekonomisë së lirë.” Ai supozoi se kapitalizmi është “natyrë e njeriut.” Por përfundoi, menjëherë pas katastrofës ekonomike ruse, se “nuk ishte në pyetje aspak natyra, por kultura.”

 Fjalët e Greenspan-it paraqesin mbështetje të fuqishme për analizat dhe konkluzat e David Landes-it në The Wealth and Poverty of Nations, për të mos përmendur një varg zbulimesh për rëndësinë e kulturës dhe lidhjen e saj me progresin që kanë origjinën së paku tek Tocqueville. Por fakt është se shumë ekonomistë ndihen të parehatshëm kur flasin për kulturën, veçanërisht sepse ajo paraqet probleme të përkufizueshme, është zor të vlerësohet ana sasiore dhe operon në një kontekst tejet kompleks me faktorë psikologjikë, institucionalë, politikë, gjeografikë dhe faktorë të tjerë.

 Problemi kryesor për shumë antropologë, dhe për shkencëtarë të tjerë shoqërorë të ndikuar nga ata, është tradita e relativizmit kulturor që e dominon këtë disiplinë në këtë shekull dhe refuzon vlerësimin e praktikave dhe vlerave të shoqërive të tjera.

 Titulli i këtij artikulli mund të paraqesë problem për ata të cilët ngurrojnë të bëjnë gjykime vlerësuese për kulturat e tjera. Shumë besojnë se kultura është, sipas përkufizimit, e harmonishme dhe adaptive dhe se konfikti dhe vuajtja është pasojë e ndërhyrjeve dhe imponimeve të jashtme. Megjithatë disa antropologë e shohin kulturën shumë ndryshe, ndër ta sidomos Robert Edgerton i cili thotë, me rëndësi të veçantë për këtë simposium:

 Njerëzit në kultura të ndryshme, qoftë urbane apo rurale, janë të aftë për ndjeshmëri, dashamirësi, bile edhe për dashuri, dhe nganjëherë mund të arrijnë të zotërojnë mahnitshëm sfidat e parashtruara nga mjedisi i tyre. Por ata poashtu janë të zotë për të ruajtur besimet, vlerat dhe institucionet shoqërore që rezultojnë në mizori të pandjenjae të pakuptimta, vuajtje të panevojshme dhe marrëzi të mëdha në marrëdhëniet mes tyre dhe me shoqëritë e tjera si dhe me mjedisin fizik në të cilin jetojnë.

  Universalizmi i vlerave dhe “imperializmi kulturor” i Perëndimit

 Ideja e “progresit” është e dyshimtë për ata të cilët janë të bindur në relativizmin kulturor, për të cilët secila kulturë përcakton synimet dhe etikën e saj, të cilat nuk mund të gjykohen me synimet dhe etikën e kulturës tjetër. Disa antropologë e shohin progresin si një ide të cilën Perëndimi orvatet t’ia imponojë kulturave të tjera. Në raste ekstreme, relativistët kulturorë dhe pluralistët kulturorë mund të sjellin prova se perëndimorët nuk kanë të drejtë të kritikojnë institucionet, siç janë gjymtimi gjenital i femrave, djegia për së gjalli e grave të veja bashkë me burrat e tyre (një praktikë hinduse), bile as robërinë.

 Por pas gjysmë shekulli të revolucionit të komunikimit, progresi sipas domethënies perëndimore është bërë një aspiratë universale. Ideja e progresit – për një jetë më të gjatë, më të shëndetshme, më pak të rëndë, më përmbushëse – nuk është e kufizuar vetëm në Perëndim; ajo gjithashtu është e shprehur edhe në Konfucianizëm dhe në besimin e një numri të pakicave joperëndimore dhe jokonfuciane që kanë arritur zhvillim të lartë – siç ëstë rasti, ta zëmë me sikët indianë. Nuk po flas për progresin siç e përkufizojnë shoqëritë e begata konsumuese, ndonëse mënjanimi i varfërisë qartë është një nga synimet universale, dhe kjo pashmangshmërisht nënkupton nivele më të larta të konsumimit. Modeli i aspiratës universale është më i gjerë dhe sugjerohet në disa nene të Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut:

 Çdokush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë liri personale…njerëzit duhet të gëzojnë lirinë për të folur dhe për të besuar. …Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe kanë të drejtë, pa kurrfarë diskriminimi, për mbrojtje të barabartë. …Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e shtetit të tij, drejpërsëdrejti apo përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të lirë. …Çdokush ka të drejtë për një standard të jetës të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij e të familjes së tij, përfshirë këtu ushqimin, veshmbathjen, strehimin dhe kujdesin mjekësor dhe shërbimet e nevojshme shoqërore. …Çdokush ka të drejtë për arsimim.

 Në 1947, Këshilli ekzekutiv i Asociacionit Amerikan të Antropologjisë vendosi të mos nënshkruaj deklaratën duke pasë për bazë se ajo është një dokument etnocentrik. Pavarësist nga pikëpamja e tyre, besoj se shumica e njerëzve të planetit do të pajtoheshin me pohimet vijuese:

 Jeta është më e mirë se vdekja.

Shëndeti është më i mirë se sëmundja.

Liria është më e mirë se robëria.

Mirëqenia është më e mirë se skamja.

Arsimimi është më i mirë se padituria.

Drejtësia është më e mirë se padrejtësia.

 Richard Shweder, i cili pajtohet me vendimin e këshillit ekzekutiv të Asociacionit Antropologjik Amerikan e sheh këtë simposium (ashtu siç edhe e titullin punimin e tij) si një “Mendjemadhësi e Botës së Parë” promovuar nga “evangjelistët e rinj.” Prania e tre pjesëmarrëve nga Bota e tretë, Daniel Etounga-Manguelle, Mariano Grondona dhe Carlos Alberto Montaner, të cilët besojnë se vlerat tradicionale kulturore janë themel i varfërisë, autoritarizmit dhe padrejtësisë si në Afrikë po ashtu dhe në Amerikën Latine, paraqet sfidë të drejtpërdrejtë për pikëpamjet e tij. Shweder u përgjigjet atyre duke i quajtur përfaqësues jo të vërtetë të shoqërive të tyre, si “intelektualë kozmopolitë” për të cilët “planet për udhëtim janë më të rëndësishme se sa stërgjyshërit e tyre”, të cilët “kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëzim intelektual e moral dhe ndihmë materiale.”

Debati midis Etounga-Manguelle-it, Grondona-it dhe Montaner-it në njërën anë dhe komentit të Shweder-it në anën tjetër vazdon. Ky këmbim i vështrimeve na zgjon pyetjen se mos disa antropologë po merren me një lloj imperializëm antropologjik i cili do të fusë kulturat në konservë. Me gjasë Shweder është i vetëdishëm për këtë rrezik kur thotë: “Një kulturë ‘të vërtetë’ do ta kisha përkufizuar si një kulturë që meriton respekt, si një mënyrë jetese që është e mbrojtur përballë kritikës nga jashtë.” Nëse ka kultura që “meritojnë respekt”, atëherë me sa duket ka kultura që nuk meritojnë respekt, gjë që sugjeron se Shweder-i në fakt pajtohet me pikëpamjet e Robert Edgerton-it.

Kështu Richard Shweder na del jo aq “heretik” siç deklarohet.

Gjeografia dhe kultura

Në këtë kaptinë, Jeffrey Sach vë theksin mbi gjeografinë dhe klimën si faktorë vendimtarë të shpjegimit të zhvillimit ekonomik. Pikëpamjet e tij nxorrën librin rishtas të botuar të Jared Diamond, Guns, Germs and Steel, i cili nxjerr përfundim se “dallimet e habitshme në mes të historive afatgjata të popujve të kontinenteve të ndryshme vijnë jo nga ndryshimet e lindura në vetë popujt por nga mjediset e tyre të ndryshme.”

Është e qartë se gjeografia, duke përfshirë pasuritë natyrore, dhe klima janë faktorë të rëndësishëm për të shpjeguar pasurinë dhe varfërinë e popujve. Gati të gjitha shtetet demokratike të zhvilluara shtrihen në zona të buta dhe shumica e vendeve të varfëra zënë vend në zonat tropikale. Por përjashtimet janë të dukshme dhe të rëndësishme: Rusia shtrihet në gjerësi gjeografike të njëjtë me Europën veriore dhe Kanadanë shumë të përparuara dhe demokratike. (Mund të shtojmë se shtetet e Europës veriore dhe Kanadaja njihen si dy nga dhjetë shtetet më pak të korruptuara në botë, ndërkohë që Rusia shfaqet si një ndër dhjetë shtetet më të korruptuara në botë.) Singapori, Hong Kongu dhe gjysma e Tajvanit janë në zonën tropikale. Suksesi i tyre, që rradhitet me atë të Japonisë, sugjeron se Konfucionizmi po tregon sukses gjeografikisht, ashtu siç ka sukses Korea Veriore; pakicat kineze në Tajlandën tropikale, Indonezi, Malajzi dhe Filipine; dhe pakicat japoneze në Perunë tropikale dhe Brazil.

Gjeografia nuk mund të shpjegojë në mënyrë të mjaftueshme dallimin në mes të veriut dhe të jugut në Itali; dallimin e krahasueshëm në mes të Guatemalës, Hondurasit, El Salvadorit dhe Nikaraguas në një anë dhe Kosta Rikas në anën tjetër; dëshpërimin e Haitit, njëherë koloninë më të pasur të robërve për përpunimin e kallamit të sheqerit në Karaibe dhe prosperitetin e Barbados, ish kolonisë së këtij llojit të robërve. Siç mund të vërejmë tri vendet e zonës së butë në Amerikën Latine – Argjentina, Uruguai dhe Kili – akoma nuk gëzojnë prosperitetin e Botës së parë dhe që të triat kanë përjetuar diktaturë ushtarake në të 1970-tat dhe 1980-tat.

Në kaptinën e tij konkluduese, Jared Diamond bën një shënim në lidhje me fuqinë e mundshme të kulturës:

Faktorët kulturorë … përvijohen në … tiparet e kulturave njerëzore (që) janë të ndryshme në botë. Disa nga këto ndryshime pa mëdyshje janë fryt i ndryshimit mjedisor … por shtrohet pyetja për rëndësinë e mundshme të faktorëve lokalë kulturorë që nuk kanë lidhje me mjedisin. Një faktor i vogël kulturor mund të rrjedh nga shkaqe lokale kulturore të parëndësishme dhe të përkohshme, të ngulitet dhe pastaj të përgatisë shoqërinë drejt zgjedhjeve më të rëndësishme kulturore. … rëndësia e këtyre faktorëve përbën një pyetje të madhe të pa përgjigjur.

Marrëdhënia në mes të kulturës dhe institucioneve

Të përsërisim, kultura nuk është një variabël e pavarur. Ajo ndikohet nga një numër faktorësh të tjerë, ta zëmë nga gjeografia dhe klima, politika dhe teket e historisë. Duke qenë i vetëdijshëm për raportin ndërmjet kulturës dhe institucioneve, Daniel Etounga-Manguelle, thotë: “Kultura është nëna; institucionet janë fëmijët.” Kjo është veçanërisht e vërtetë për një periudhë të gjatë kohore. Në periudhë të shkurtër kohore, ndryshimet institucionale, shpeshherë të nxitura nga politika, mund të ndikojnë në kulturë, përfundim ky në përputhje me vrojtimet e urta të Daniel Patrick Mounihan-it. I këtillë deri në një masë ishte rasti kur Italia zgjodhi të decentralizojë politikën dhe administratën publike në të 1970-tat, një rast për të cilin ka bërë kronikë Robert Putnam në Making Democracy Work. Megjithëse përfundimi qendror i Putnam-it është se kultura qëndron në rrënjë të shumicës së dallimeve në mes të Veriut dhe Jugut në Itali, ai gjithashtu vërejti se decentralizimi ka ndihmuar një shkallë të mirëbesimit të ndërsjellë, moderimit dhe kompromisit në Jug, e njëjta zonë patologjia sociale e së cilës është analizuar si një dukuri kulturore nga Edward Banfield-i në The Moral Basis of a Backward Society.

 Marrëdhënia në mes të institucioneve dhe kulturës preket në mënyrë të përsëritur në punimin e Douglass North-it, përqendrimi i të cilit është më tepër tek institucionet sesa te kultura, i cili mund të pajtohet me vrojtimet e Etounga-Magnuelle-it. Në Institutions, Institucionale Change, and Economic Performance, North identifikon “detyrimet dhe kufizimet joformale” apo evoluimin institucional si diçka që vie “nga informata shoqërisht e transmetuar (që është) pjesë e trashigimisë të cilën e quajmë kulturë… (dhe që është) një strukturë konceptuale e bazuar në gjuhë për të koduar dhe interpretuar informatat të cilat shqisat ia tregojnë trurit.” North më pas shpjegon evoluimin e ndryshëm të ish-kolonive britaneze dhe atyre spanjolle në Botën e Re në këtë mënyrë:

Në të parën, sistemi institucional është zhvilluar në atë mënyrë që lejon shkëmbim të ndërlikuar impersonal/objektiv të nevojshëm për stabilitetin politik dhe për të zënë përfitimet potenciale dhe fuqitë ekonomike të teknologjisë moderne. Në të dytën, marrëdhëniet personale akoma janë çelësa për shumicën e shkëmbimeve politike dhe ekonomike. Ato janë pasojë e një sistemi të zhvilluar institucional që nuk prodhon as stabilitet politik as realizim të qëndrueshëm të fuqive të teknologjisë moderne.

Në komentet e tija që vijnë pas diskutimeve për zhvillimin kulturor dhe politik, të cilin e udhëheqi vetë ai, Jorge Domínguez vuri në pyetje fuqinë e kulturës, meqë të gjitha vendet në Amerikën Latine përveç Kubës janë bërë demokratike në pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Rëndësia e vrojtimeve të Douglass North-it shfaqet në brishtësinë e eksperimenteve demokratikie në Amerikën Latine sot. Në Kolumbi, qeveria demokratike kërcënohet me vdekje nga forca majtiste revolucionare anakroniste. Kaosi ekonomik kërcënon të përmbysë institucionet demokratike në Ekuadorin fqinj. Kryetari i Perusë shpeshherë sillet si të ishte kryetar partie apo diktator partiak. Kryetari i posazgjedhur i Venezuelës, një ish oficer ushtarak, ka lënë të dyshimtë vrojtuesit në lidhje me respektin e tij për normat demokratike.

Gjatë një vizite që ia bëra Guatemalas në dhjetor të vitit 1999 për të ligjëruar marrëdhëniet në mes kulturës dhe demokracisë, sociologu guatemalas Bernardo Arévalo bëri një vërejtje me vend: “Ne kemi hardverin e demokracisë por softverin e autoritarizmit.”

Pyetja që e shtrova më herët është ndjellë nga komenti i North-it: Pse u deshën më shumë se 150 vite për Amerikën Latine që demokracia të marrë veten, veçanërisht duke patur parasysh faktin që Amerika Latine është një pjellë e Perëndimit? Pyetje e ngjashme do të mund të shtrohej për Spanjën dhe Portugalinë, së paku deri në disa dhjetëvjeçarët e fundit.

Ndryshimi kulturor

 Ndër të gjithë pjesëmarrësit dhe audiencës ekzistonte konsensusi se vlerat kulturore ndërrojnë, megjithëse në të shumtën e rasteve ngadalë. (Qëndrimet ndërrojnë më shpejtë – në Spanjë zhvendosja nga qëndrimet autoritare tek ato demokratike për qeverinë është një shembull i kësaj.) Një nga çështjet më të diskutueshme në simposium, një çështje që dominoi në sesionin përmbyllës, ishte se sa duhet të integrohet ndryshimi kuluror në konceptualizimin, bërjen e strategjisë, planifikimin dhe programimin e zhvillimit politik dhe ekonomik. Çështja bëhet edhe më e diskutueshme kur nisma për ndryshime të këtilla vjen nga Perëndimi, siç ishte rasti me këtë simposium.

Antropologët kanë punuar për më shumë se dy dekada për zhvillimin e institucioneve si Banka Botërore dhe USAID. Veçse, pothuaj në të gjitha rastet, përpjekjet e tyre kanë patur për qëllim të informojnë vendimmarrësit për realitetet kulturore që duhet të pasqyrohen në projektimin e politikave dhe programeve dhe në ekzekutimin e tyre. Disa intervenime janë projektuar për të përkrahur dhe reklamuar ndryshimin kulturor, dhe vërtet e gjithë ideja e përkrahjes së ndryshimit kulturor ishte tabu.

Një tabu e ngjashme ka ekzistuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sa i përket shpjegimit kulturor të arritjeve të dobëta të nxënësve të grupeve etnike. Kjo çështje u shtrua nga Richard Lamm, moderator i komisionit për kulturë dhe pakica amerikane, kur bëri pyetjen vijuese: “Përafërsisht gjysma e studentëve në shkollat hispanike në Kolorado dhe gati në të gjitha shtetet e tjera në perëndim largohen nga shkolla. Deri në ç‘masë mundet apo duhet shteti i Kolorados të shikojë në faktorët kulturorë si shkaktarë të kësaj?”

Po të kishte mundësi Richard Estrada të merrte pjesë në simposium, me siguri se ai do të shprehte interesim të ngjashëm. Ai ishte anëtar i Komisionit të Sh.B.A-ve për reforma emigruese, të kryesuar nga Barbara Jordan, i cili rekomandoi reduktime të konsiderueshme të emigrimit. Estrada ishte veçanërisht i merakosur se valët emigruese nga Amerika Latine pengojnë funksionim e shoqërisë multiracore.

Nathan Glazer nxjerr në pah se një nga arsyet pse nuk pëlqehet të krahasohen kulturat është se kjo prek nervat tejet të ndjeshme të vetërëspektit shtetëror, etnik dhe personal duke kumtuar idenë se disa kultura janë më të mira se të tjerat, së paku në kuptim të asaj se ato bëjnë më shumë për të kontribuar në mirëqenien e njerëzimit. Glazer lë të kuptojë se risku i gjurmimit të shpjegimeve kulturore, së paku në Shtetet e bashkuara të Amerikës, mund të jetë më i madh se sa fitimi, veçanërisht sepse përzierja e kulturave zbut dallimet fillestare. Por pyetja e Richard Lamm-it mund ta vë në dyshim këtë.

Debati i Lamm-t dhe Glazer-it nxjerr në pah çështjen se nga çon ky simposium – si duhet të përcillet ai. Nëse disa vlera kulturore janë pengesa themelore të progresit – nëse ato ndihmojnë të shpjegohet pesha e rëndë e problemeve të varfërisë dhe padrejtësisë në një pjesë të madhe të Botës së tretë – atëherë promovimi i ndryshimit kulturor nuk ka alternativë. Kjo nuk ka nevojë, në të vërtetë nuk duhet, të shihet si imponim i Perëndimit. Daniel Etounga-Manguelle, Mariano Grondona dhe Carlos Alberto Montaner nuk janë të vetmit afrikanë dhe latino-amerikanë të cilët kanë ardhë në përfundim se kultura ka rëndësi. Në të vërtetë, ka shumë njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore, së paku në Amerikën Latine, të cilët kanë përfunduar se ndryshimi kulturor është i duhur dhe i domosdoshëm dhe po marrin hapa për të promovuar këso ndryshime – në shkolla, në kisha, në vendet e punës, në politikë. Ata dëshirojnë të kuptojnë më mirë se çfarë është ajo në kulturën e tyre që po i pengon aspiratat e tyre për një jetë më të drejtë, më të begatë, më të plotë dhe më të denjë – dhe çfarë mund të bëjnë për të nxitur ndryshim.

Orlando Patterson shkroi në The Oredeal of Integration se “kultura duhet të përmbajë përgjigjet ndërsa kërkojmë shpjegim për humnerën e aftësive, humnerën e kompetencave, humnerën e pagës, si dhe gropën patologjike sociale në të cilën kanë rënë disa milionë afro-amerikanë. Në atë libër dhe në vazhdimin e tij, Rituals of Blood: Consequences of Slavery in Two American Centuries, ai fajëson përvojën e robërisë si rrënjë të problemit kulturor:

Robëria, në të cilën afro-amerikanët kaluan dy të tretën e ekzistencës së tyre në këtë vend ka qenë… institucion ligësisht shfrytëzues që ashpërsisht i ka lënë të paaftë, posaçërisht i ka gërryer insitucionet jetike shoqërore siç është familja dhe raportet martesore,  në mënyrë që i ka lënë afro-amerikanët jashtë organizatave shoqërore dominante dhe, në proces, i ka privuar ata nga shansi për të mësuar format e sjelljes themelore për të mbijetuar në shoqërinë industriale që po lindte.”

A i lejojnë vetit Sh.B.A.-të të injorojnë kulturën ndërsa përpiqen të gjejnë zgjidhje për mossuksesin e të zinjëve dhe hispanikëve?

Një çështje vijuese që doli në shesh gjatë sesionit përbmyllës ishte se deri në ç‘masë mund të thuhet se ka kulturë universale – vlera që funksionojnë, apo nuk funksionojnë, në cilindo mjedis gjeografik, politik apo etnik. Disa pjesëmarrës argumentuan kundër pikëpamjes së ashtuquajtur “listë e zezë” kur bëhet fjalë për ndryshimin kulturor dhe parapëlqenin diçka që mund të quhet “pikëpamje etnografike” – që sheh në kulturat e veçanta duke iu referuar fare pak përvojave tjetërkund. Besoj se ka sisteme vlerash që tejkalojnë kufijtë gjeografikë me pasoja të krahasueshme në mjedise shumë të ndryshme. Shembull mund të shërbejë funksionimi i vlerave etnike/arsimore/meritore apo cilësore/kursimore të përbashkëta për Europën Perëndimore, Amerikën e Veriut, Australinë si dhe Zelandën e Re dhe Azinë lindore.

Por ishte e qartë se na duhet të dimë më shumë për disa çështje madhore poqë se dëshirojmë të kemi, sipas fjalëve të Robert Klitgaard-it, “teori mirë të formuara, direktiva praktike dhe lidhje të ngushta profesionale ndërmjet atyre që e studiojnë kulturën dhe atyre që e bëjnë dhe drejtojnë politikën e zhvillimit.”

About these ads

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 251 other followers

%d bloggers like this: