gselaci.wordpress.com

Archive for 2012|Yearly archive page

Braktisja e politikës në boshllëk demokratik

In Politikë on 26 January, 2012 at 2:07 pm

Gëzim Selaci

Protestat e thirura nga Vetëvendosja si ato të 14 dhe 22 shkurtit 2012 (me arsyetimin, formën dhe objektivat e deklaruara të saj) dëshmojnë për një tension ndërmjet kauzës pro-demokracisë e lirisë (çlirim nga prangat e udhëheqjes ndërkombëtare e qeversisjes së korruptuar, si dhe Serbisë që po e mban peng shtetin e Kosovës) dhe realizimit të kësaj kauze nëpërmjet rrugëve dialogut politik. Me fjalë të tjera, demokracia kosovare nuk lë mundësi që liria e vullneti i popullit të jetësohen përmes institucioneve të shtetit e politika të bëhet sipas standardeve demokratike.

Përkundër qejfit të sundimtarëve, sa herë që një regjim bëhet i pandjeshëm ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve e qeveria shkëput lidhjen me ta, ndërsa pjesëmarrja politike ulet në një nivel degradues, do të ketë parti, shoqata, lëvizje e grupe të tjera që do të kërkojnë rrugë për të hipur në pushtet, për të ndikuar në politikë, domethënë në vendimet me interes publik. Kushtetutat demokratike lejojnë edhe rrugë jasht-insitucionale për t’u dëgjuar zëri qytetar, si për shembull protesta që mundëson të dëgjohen zëra qytetarësh që ndryshe nuk arrijnë dot në sallat dhe korridoret vendimmarrëse.

Nëse këto përpjekje janë të suksesshme, konflikti ndërmjet partive dhe grupeve të tjera do të kanalizohet në drejtim të sferës publike, domethënë në forume ku mundësohet debati, si kuvendet, mediat, institutet hulumtuese, universitetet etj. Nëse regjimi apo teket qeveritare nuk lejojnë as këto forma ose demonizojnë kryerësit e tyre,  atëherë vullneti qytetar nuk ka me u frenu, por ka me gjetë shteg përmes formave të tjera e të ndryshme të veprimit kolektiv, si bojkoti, bllokimi i rrugëve, etj. Duhet pranuar se disa gjëra nuk lëvizim vetëm me rrugë institucionale, por me veprime jasht-institucioneve, në pajtim me ligjet në fuqi apo kundër tyre. Këto edhe justifikojnë ekzistencën shoqatave dhe lëvizjeve shoqërore, si alternativë e partive politike. Mirëpo, për më keq, kur  regjimi ngulfat aq shumë sferën publike dhe nuk lejon as format më demokratike të shprehjes së pakënaqësisë qytetare, alternativa është të qërohen hesapet me dhunë (në rastin e opozitës dhe kundërshtarëve) ose duke imponuar vullnetin me mekanizma autoritarë (në rastin e qeverisë).

Në Kosovë, Kuvendi merr vendime që jodomosdoshmërisht vihen në praktikë. Ekzekutivi nuk përfill vendimet e Kuvendit. Republika, që nominalisht është e tipit parlamentar, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një “Republike kryeministrore” (nëse mund të thuhet kështu) që udhëhiqet  në mënyrë autokratike. Në këtë boshllëk demokratik, çohet një lëvizje dhe parti politike për të marrë në duar zbatimin e ligjit. Natyrisht se asnjëra nuk është në rregull, por zanafilla e problemit është mungesa e demokracisë dhe kushtetuetshmërisë apo shtetit ligjor, prandaj barra e fajit i bie qeverisë, e jo qytetarëve të pabindur. Përdorimi i tepruar i dhunës shtetërore dhe propagandës qeveritare dëshmon se, jo vetëm qeveria, por i tërë regjimi apo sistemi politike në Kosovë është dobët i legjitimuar apo i palegjitimuar, prandaj mungesën e legjitimitetit popullor e kompenson me dhunë policore.

Reagimi i prerë ndërkombëtar kundër protestave që, së paku deklarativisht, kanë për qëllim të këmbëngulin në zbatimin e vendimeve të Kuvendit dhe të pretendojë sovranitetin shtetëror, nuk na habit. Politika ndërkombëtare ka një plan për Kosovën dhe Serbinë, dhe kushdo që e pengon realizimin e atij plani do të vazhdojë të jetë në shënjestër të kritikës ndërkombëtare. Bërja e shtetit dhe sovraniteti i Kosovës nuk është brengë e saj, por vetëm për aq sa instrumentalizohet për të jetësuar planet ndërkombëtare në rajon. (Kjo e shpjegon përse ata nuk janë  aq kritikë ndaj korrupsionit qeveritar dhe strukturave të paligjshme që i ka krijuar ajo, e që po e minojnë shtetin e Kosovës).

Format e veprimit të Vetëvendosjes duhet kundruar në këto kushte të ambientit politik kosovar ku klasa politike është korruptuar ndërsa institucionet shtetërore janë degjeneruar dhe të paefektshme. Duke qenë dëshmitarë të mendësisë nënshtruese të politikanëve ndaj ndëkombëtarëve; duke parë se Kuvendi i Kosovës është përplot deputetë që kanë zënë ulëse në saje të vjedhjes së votave, punojnë për interesa personalë, familjare e klanore; duke parë se vendimet e Kuvendit rrëzohen sakaq me vendime të tjera për t’ia ujdisur ligjin veprimeve të qeverisë; duke parë se Qeveria i trajton institucionet dhe pasurinë publike si një mbret mesjetar territorin e tij; dhe duke qenë dëshmitarë se mbi të gjithë këta vigjilon një amalgamë e ashtuquajtur “bashkësi ndërkombëtare”, e cila miraton me zë e me heshtje këto, Vetëvendosja drejtohet kah fusha të ndryshme të veprimit dhe lufton në më shumë se një front. Ajo e din se të qenët prezent në Kuvend si parti opozitare, nuk domethanë se të bën parti me ndonjë pushtet apo peshë vendimmarrëse ose se vendimet e organit ligjvënës do të respektohen e nuk do të hedhen poshtë nga organet ekzekutuese.

Veprimtaria opozitare e Vetëvendosjes e kombinuar me mosbindje qytetare, shkaktoi një panik të madh tek partia në pushtet. Jo pse pushteti nuk ishte mësuar të ketë opozitë, por i kishte mësuar aq mirë rregullat se si dhe çfarë mundet të bëjë opozita në këtë sistem politik, saqë me marifete të ndryshme (kontroll i mediave dhe administratës shtetërore, ndikim tek institucionet dhe faktorët ndërkombëtarë, etj.) kishin neutralizuar pothuajse çdo goditje të opozitës. Tash, Vetëvendosja vjen me një strategji tjetër veprimi që sfidon vetë rregullat e të bërit opozitë në vend. Duke mos qenë të gatshëm me u ballafaqu me rregullat e reja të lojës që Vetëvendosje do t’i shkruajë, qeveria s’ka se si të mos bëjë panikë. Natyrisht, kur flas për këtë panik të madh nuk e kam ndërmend nervozizmin që pasqyrohet në deklaratat e ashpra e fyese të shefit të qeverisë dhe vartësve të tij nga foltoret qeveritare dhe të kuvendit, forumet elektronike në internet e ekrane televizive (ato më tepër dëshmojnë për mungesë kulture dhe sofistikimi, por edhe karakterin servil të aparatçikëve partiakë), por për urdhërimin e policisë për mos me i lënë qytetarër me protestu, me çdo kusht, madje edhe duke i rrahur e arrestuar deputetët e popullit! Kjo është arsye e mjaftueshme për t’u merakosur për të ardhmen e demokracisë në vendin tonë.

Nga tërë këto elaborime, mund të përfundohet që regjimi ka pamundësuar bërjen e politikës, pra garën fer për pushtet ku konfliktet politike shprehen përmes debateve fer dhe negociatave, e vendimet merren sipas rregullave të paracaktuara që vlejnë për të gjithë njësoj. Në mungesë të debatit politik, si rrugë përmes së cilës institucionet krijohen dhe legjitimohen nga qytetarët të cilëve ato u shërbejnë dhe të cilat janë pasqyrim i konsensusit në lidhje me procedurat e vendimmmarrjes dhe zbatimit të vendimeve, tipi i debatit që po e shohim këto ditë më shumë po ngjan në grindje që po përcillet me akuza të ndërsjella nga më të rëndat dhe me një gjuhë që i thëret emocioneve më shumë se arsyes, nxehi gjakrat dhe polarizoi qëndrimet. Nuk do mend se në vlugun e ngritjes së nervave, njerëzit marrin vendime shumë të paarsyeshme. Vendimi për të shkuar në vendkalime kufitare e për të vendosë kush hyn e kush jo në territorin e Republikës nga grupe të paautorizuara, por edhe vendimi për të penguar të drejtën demokratike për të protestuar (qoftë edhe duke mbyllë rrugët) janë marrë në një ambient të nxehur si rezultat i polarizimit të partive.

Në pamundësi të artikulimit të alternativave për të zgjidhë lëmshin e krijuar, lufta po bëhet se kush po arrin ta mobilizojë  publikun duke trilluar turli teori konspiracionesh për të ndjellë frikë tek publiku. Ai që ka në dorë frikën më të tmerrshme, ka në dorë edhe publikun: ndërsa qeveria na frikëson se protestat e këtilla të Vetëvendosjes kanë për të na prishë punët me ndërkombëtarët (thua se një herë e përgjithmonë kemi hequr dorë nga vullneti për sovranitet), Vetëvendosje e quan kryeministrin aktual si njeri të Serbisë (thua se të ai është burimi i të gjitha të mbrapshtave tona dhe sikur të mos ishte ai do të ishte ma mirë). Kështu konflikti që do të duhej të manifestohej në formë të debatit mbi ide, zhvendoset në fushatë propagandistike kundër-njëri tjetrit duke u lënë anash argumentet racionale të ideve përkatëse.

Ky radikalizim i politikës dhe kjo ndarje e partive në kampe armiqësore si dhe shpërthimi  i protestave që duan të marrin ligjin në dorë tregon se në Kosovë ka shumë telashe me politikën dhe sistemin politik. Ndërsa klasa aktuale politike ka kohë që ka humbur lidhjen me qytetarë dhe sensin e qeverisjes kushtetuese, Vetëvendosje si alternativë e kësaj klase të korruptuar nuk po arrinë të gjejë zgjidhje politike. Në vend të kësaj, po pretendon të zaptojë kufijtë, por edhe nëse ia del, ajo nuk ka me mujtë me i administru ato pa gjetur zgjidhje politike. Dhe, përderisa vazhdon të jetë subjekt politik, prej saj pritet të ofrojë alternativa politike. Sidoqoftë, braktisja dhe refuzimi i politikës nga partitë kosovare është tregues se administrimi ndërkombëtar në Kosovë, duke marrë rolin që në demokraci do të duhej ta kryenin institucionet e vendit dhe përfaqësuesit legjitimë të popullit, nuk ka krijuar institucione legjitime e funksionale e as kushte që do të mundësonin ushtrimin normal të politikës.

Europianizimi i trilluar i Kosovës

In Integrimi europian on 1 January, 2012 at 9:52 pm

Gëzim Selaci

Ka një dallim të qartë ndërmjet përmbushjes së standardeve europiane dhe europianizimit të trilluar të Kosovës. Për të parë dallimin, mjafton vetëm të krahasosh retorikën e “sukseseve drejt integrimit në BE” të politikanëve tanë me gjendjen faktike të një kosovari mesatar.

Përse ne kosovarët kemi udhëheqës politikë që na shërbejnë kaq për të keq? Duke iu falënderuar zhdërvellësisë propaganduese të politikanëve tanë si dhe ndonjëherë liderëve të “shteteve mike” që për liderët tanë flasin në superlativ, në ligjërimin politik dhe mediatik në Kosovë, paralel me realitetin, po krijohet një narrativ që quhet “procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian” e që është krejt i rrejshëm. Kjo rrenë ka prodhuar një tablo kafkiane ku gjatë gjithë kohës pseudo-mediat e pseudo-intelektualët ua paraqesin qytetarëve një panoramë të thjeshtëzuar të ecjes sonë me nxitim drejt Europës.

Mirëpo, ky diskurs është shumë, shumë i largët nga realiteti në të cilin jetojmë ne, qytetarët e Kosovës. Në të vërtetë, realiteti është një narrativ më i komplikuar: vendi jonë po izolohet, ndërsa shoqëria jonë gjithnjë e më shumë po i ngjan shoqërive autoritare se sa atyre europiane dhe, përveç bazës ligjore të ndërtuar qysh nga koha e UNMIK-ut që ka pasur për qëllim të krijojë një sistem ligjor sipas standardeve europiane dhe harmonizimit të ligjit të Kosovës me ligjin e Bashkimit Europian (acquis communautaire), Kosova fare pak ka bërë drejt plotësimit të standardeve për anëtarësim në BE.

Europianizimi si retorikë

Vetportretizimi i Kosovës në media lokale dhe në retorikën qeveritare është tepër i idealizuar, ndërsa gjendja faktike është shumë ndryshe. Ndërsa qeveria shpalos të arriturat e saja ekonomike, banorët e Kosovës vazhdojnë të mbesin më të varfërit në rajon dhe në Europë ku rreth gjysma e popullësisë që do të kishin mundur me punu janë të papunë. Ndërsa i shpallet zero tolerancë korrupsionit, Kosova kryeson listën e vendeve më të korruptuara ku tenderët kontrollohen nga qeveria. Ndërsa udhëheqësit politikë gojën e kanë pot demokraci dhe sundim të ligjit, Kosova vazhdon të ketë zgjedhje problematike, sistem të patronazhit politik, shërbime publike në nivelin më të ulët si dhe sundim të të fortëve, në vend të sundimit të ligit. Ndërsa qeveritarët flasin për “partneritet me Bashkimin Europian”, pasaporta e Kosovës është e vetmja në rajon të cilës i duhet vizë për të hyrë në zonën e Shengenit. Ndërsa harxhohen para të majme për fushata artificiale “Young Europeans” (që më tepër shënjojnë qytetarët e vendit se sa të jashtëm), Kosova as që ka bërë hapin e parë formal drejt anëtarësimit në BE (nuk është përfshirë në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit, por për të, si shtet “sui generis”, është sajuar njëfarë dialogu po ashtu “sui generis” me BE-në, e që e kanë quajtur “Stabilisaton Tracking Mechanism”). Ndërsa modeli i arsimit të lartë në Kosovë na paraqitej si një që ia ka lakmi rajoni, universitetet tona vazhdojnë të japin diploma që zor se kanë ndonjë vlerë në vend, e aq më pak jashtë vendit. Sistemi arsimor, i ideologjizuar së tepërmi, riprodhon provincializëm të intelektualëve që për të qenë diku dhe dikushi janë të shtyrë të hyjnë në raporte klienteliste me patronë nga radhët e partive politike në vend duke humbur autonominë intelektuale dhe çimentuar kulturën konformiste.

Dhe përkundër vargut të gjatë të dështimeve afatshkurtëra, ne ende duam të besojmë në suksese  afatgjata kur të gjithë do të kemi punë të mirë, e jo vetëm politikanët, familjarët e militantët e tyre; ku të gjithëve do të na mbesin para në xhep edhe pasi të kemi paguar shërbimet komunale; ku do të kemi dinjitet qytetar, e jo të jemi vetëm letëra në kuti të votimit dhe do të jemi pjesë e bashkësisë së shteteve të Europës ku e ndjejmë se përkasim.

Europianizimi si vetëlegjitimim

Derisa raportet e progresit të BE-së viteve të fundit e kanë paraqitur Kosovën shtet më të varfër dhe më të korruptuar në Europë, ku tenderet dhe transmetuesi publik kontrollohet nga qeveria dhe askush nuk jep llogari për miliona të humbura nga buxheti i Kosovës, një raport i Departamentit amerikan pati raportur për elemente të korruptuar brenda qeverisë së Kosovës.[1] Raporte të shumta të agjencive të jashtme tregojnë se Kosova është bërë vend trafikimi i drogës dhe prostitucionit. Hiq më pak kritik nuk ka qenë as European Broadcasting Union që vazhdimisht konludon se në transmetuesin publik të Kosovës (RTK) ka përzierje serioze nga politika.[2] Tablo jo më pak skandaloze na japin edhe raportet e Human Rights Watch, Freedom House, Bankës Botërore, e kështu me radhë…

Pavarësisht rëndësisë që kanë këto raporte për Kosovën dhe popullësinë e saj, qeveritë e Kosovës nuk mund të qëndrojnë indiferent para këtyre raporteve dhe vlerësimieve. Është simptomatike se kur qytetarët e vendit ndeshen me skamjen e prapambeturinë, pasigurinë e korrupsionin në çdo hap e çast të jetës, pushtetarët tonë as që marrin mundin për të reaguar në ndonjë mënyrë, por kur konstatimi i gjendjes vjen nga raporte të agjencive ndërkombëtare, atëherë zyrtarët reagojnë në mënyrë që në rastin më të mirë mund të përshkruhen si qesharake (si për shembull “as pozitiv, as negativ, por real” për Raportin e fundit të progresit), patetike (kur qeveria vlerëson raportet në fjalë si asgjë më tepër se shumë e perceptimeve tendencioze të shoqërinë civile të vendit), e kështu me radhë.

Në të vërtetë, kjo pandjeshmëri ndaj gjendjes së popullsisë dhe opinionit publik në vend në njërën anë, dhe paniku ndaj asaj që thuhet në BE e në Perëndim është tregues i fortë se pushteti politik në Kosovë nuk synon të ndërtojë një marrëdhënie legjitimuese me popullin që kishte me kriju një raport përgjegjshmërie të qeverisë ndaj të qeverisurve. Kjo mungesë e marrëdhënies legjitimuese e pushtetit me popullin zëvendësohet me premtime për integrim në familjen e Bashkimit Europian dhe për ndërtim e forcim të miqësisë me ShBA-të dhe shtetet e Europës. Kështu, vënia dhe afirmimi i miqësisë me këto shtete dhe integrimi në BE janë e vetmja bazë vetlegjitimuese e pushtetit politik në vend.

Tashti, është një gjë tjetër se si të lexohet ndërtimi “i miqësisë”, por një gjë dihet me siguri: kjo klasë politike jo medoemos e ka marrë seriozisht detyrën e integrimit në BE. Ky, më tepër, është një premtim përrallor që si me magji do të çojë një shtet të brishtë e të skamur në bashkësinë e kamur e të prosperuar europiane. Ky premtim, natyrisht, nuk është i paqëllimtë: ajo është kartë që qeveritë të cilat vijnë e shkojnë e përdorin për t’u vetëlegjitmuar.

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 48 other followers